TemA
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, i njohur për çdo shqiptar për vizitën e tij madhështore në Shqipëri para 20 vitesh, në një shkrim të botuar në revistën Foreign Policy, flet për zgjedhjet në Tiranë dhe ngjashmërinë me procesin për zgjedhjen e presidentit amerikan në vitin 2000.
“Njëzet vjet më përpara, pavarësisht shqetësimeve për detajet e sigurisë sime, dola mbi një platformë druri në sheshin kryesor të Tiranës, Shqipëri, për t’iu drejtuar një turme euforike prej 300 mijë njerëzish. Dhjetëra mijëra njerëz kishin dalë në rrugë ndërsa po udhëtoja nga aeroporti. Si një zyrtar i lartë amerikan që po vizitonte një shoqëri të mbyllur pas më shumë se 50 vitesh udhëheqje komuniste, mesazhi im ishte i thjeshtë: Liria punon. Më në fund jeni të lirë të mendoni atë që doni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj.
Sot, ndërsa reflektoj për vizitën dhe marr në konsideratë admirimin për njerëzit e Shqipërisë, kuptoj se duhej të kisha shtuar edhe një tjetër mesazh: Po, liria funksionon, por funksionon kur qytetarët ruajnë një respekt të zjarrtë për të, por edhe për shtetin ligjor që ofron kuadrin për një demokraci të rregullt,” shkruan Baker.
Më pas ai përmend rastin e zgjedhjeve në Tiranë, ku kandidatët u ndanë me 10 vota dhe e krahason me atë që ndodhi në SHBA në vitin 2000 kur në zgjedhje presidenciale u përball Xhorxh Bush dhe Al Gore. Baker thotë se udhëhoqi ekipin ligjor të Xhorxh Bush në Florida, ku do përcaktohej se kush do ishte presidenti i ri i Amerikës. Gara ishte e ngushtë dhe kandidatët ndaheshin me vetëm 300 vota.
Sipas tij, në raste të tilla nuk mund të ketë negociata, pasi njëri nga kandidatët do duhet të humbasë. Baker shkruan se është e papërshtatshme të hedhësh poshtë rezultatin e të mbash zgjedhje të reja. Në kushte të tilla, sipas tij, njësoj si në SHBA, palët duhet të pranojnë vendimin e marrë nga trupa ligjore. Baker shkruan se Kolegji Zgjedhor është një trupë e përzgjedhur me konsensus në Shqipëri.
Sipas tij, Gore mund të kishte sfiduar vendimin e gjykatës në SHBA, që e shpalli humbës, por ai nuk e bëri, nuk e futi qeverinë në kaos. “Kjo ndodhi sepse Bush dhe Gore ishin të vendosur të pranonin rezultatin, pasi ishin përgatitur për të vënë interesat e vendit mbi ato personale,” shkruan Baker.
“Më 27 qershor, KQZ e shpalli Bashën fitues me 93 vota, megjithatë socialistët kanë apeluar në Kolegjin Zgjedhor, që do japë tani një vendim për Tiranën për herë të tretë. Ndërsa opozita ndoshta nuk do kënaqet kurrë me rezultatin – njësoj si shumë demokratë amerikanë që shprehin akoma frustrim për fitoren e Bush në vitin 2000 – ajo që mbetet për t’u parë është se a do pranojë vendimin që del nga një proces ligjor i ngritur në vend. Nisur nga ngazëllimi i madh për demokracinë e lirinë që dëshmova para 20 vitesh, jam i bindur se ky është modeli i lidershipit që kërkon dhe meriton Shqipëria”.







