Nga Igli Totozani
Koalicioni antinjeri më i madh në historinë e tranzicionit të këtij vendi pritet të kalojë së shpejti në pikën e fundit të planit të tij me rastin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri: tani do të “analizojnë” nëpër ekrane “humbjen” e kandidatit socialist për bashkinë e Tiranës. Edhe pse formalisht, duket se ky koalicion njerëzish heterogjen, por të bashkuar në pikën e lidhjes me pushtetin, thotë se po “pret vendimin e Kolegjit”, tek-tuk reja e madhe e dezinformimit dhe manipulimit të ri të publikut po duket qysh së largu. Ka dy arsye qartësisht të lexueshme në këtë sulm të radhës që prej kohësh po përgatitet me kujdes, në fakt qysh prej kohës kur është vendosur që me çdo mjet dhe pasojë, Tirana duhej fituar nga pushteti.
Së pari, sepse nëpërmjet tymnajës së re, atë të kandidatit/shkaktar të humbjes do të mund të mbulohet sadopak veprimtaria e paligjshme e organeve të garancisë së zgjedhjeve si produkt tavoline, i të cilës erdhi ky rezultat. Së dyti, kjo zhurmë e fundit do të synojë gjithashtu, të eklipsojë fitoren e thellë opozitare në zgjedhjet e 8 majit dhe për më tepër të dobësojë dhe demoralizojë sa të jetë e mundur atë dhe në veçanti pozitat e liderit opozitar.
Është e qartë se të drejtosh, nëpërmjet shumicës së masmediave të Shqipërisë të kontrolluara nga pushteti, vëmendjen e publikut në analiza mbi “shkaqet e humbjes”, ndërkohë që nuk kemi të bëjmë me humbje por me marrje të paligjshme të një mandati për kryetar bashkie, nuk është një ndërmarrje e thjeshtë. Anëtarët e koalicionit, pavarësisht nga profesioni i tyre, do të fillojnë të merren me kandidatin socialist, me kulturën, me mentalitetin, me korteksin dhe subkorteksin e tij, me fushatën e tij dhe tema e ardhshme e debateve nuk do të jetë më dëmi i jashtëzakonshëm që këto post-zgjedhje i sollën Shqipërisë dhe demokracisë së brishtë të saj, por kandidati opozitar si shkak dhe strumbullar i “humbjes”.
Por cili “shkencëtar” në botë do të ishte në gjendje të formulonte një teori të tijën, duke e bazuar interpretimin e tij mbi të dhëna, minimumi të pasakta? Dhe për ta përkthyer në realitetin e sotëm shqiptar, cili analist do të shpjegonte dhe argumentonte një rezultat të prodhuar, në laboratorin e KQZ-së dhe për më tepër kur 870 vota figurojnë të hedhura nga “shpirti i shenjtë”? Asnjë profesionist i vërtetë, nuk do të mund të merrte guximin për ta bërë një gjë të tillë, pra të interpretojë të dhëna, (në këtë rast vota), të cilat më së paku janë të dyshimta. Megjithatë, në këtë rast, më e rëndësishme është që pyetja të ndërtohet ndryshe: cili qytetar i këtij vendi do të mund ta besonte realisht një analizë të tillë?
Sigurisht, që do të bëhen analiza për këto zgjedhje kjo nuk ka pikë dyshimi. Analiza të tilla janë më se të nevojshme. Por, me këtë që po ndodh, edhe torollaku e kupton që momenti ku duhet “mbajtur” fryma, nuk është “humbja” e paralajmëruar e kandidatit të opozitës, sepse në realitet kjo nuk ka ndodhur; përkundrazi e gjithë vëmendja qytetare duhet të përqendrohet në precedentin e rrezikshëm që sollën këto zgjedhje, që në thelb është emërimi i fituesve. Si do të dilet nga ky impas? Si do të rikthehet pas kësaj besimi i publikut tek institucionet në përgjithësi dhe ai i zgjedhjeve në veçanti? Si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme dhe kush do t’i garantojë ato?
Publiku, klasa politike, shoqëria civile dhe intelektualët e këtij vendi do të duhet të ndalin pikërisht këtu sepse këtu qëndron thelbi dhe problemi real i këtyre zgjedhjeve. Çdo shmangie prej tij, diku e qëllimshme e diku për arsye të tjera, veçse do ta pengojë shoqërinë shqiptare për t’u orientuar në një rrugë të re për ecjen e saj. Kjo ngjarje e rëndë, kjo krizë e pamerituar e institucionit thelbësor të demokracisë mund të jetë një moment sa fatkeq aq edhe i rëndësishëm kthese. Kthesë, e cila mund dhe duhet të vijë për një shoqëri që arrin të ndalojë e vetëpyetet për të ardhmen e saj. Duke abandonuar gjithashtu, individët, të cilët, për arsye krejtësisht personale, e orientojnë qëllimisht debatin në qorrsokakë të rrezikshëm që mund ta çojnë këtë vend në periudha të vështira e të dhimbshme, të jetuara kohë më parë.
Aq më tepër, një situatë e tillë e pritshme, nuk do të duhet të tulasë opozitën e këtij vendi. Shoqëria Shqiptare ka kohë që ndjen nevojën e një ndryshimi të madh. Kjo nevojë e kërkesë ndjehet tashmë kudo, tek qytetarët e lodhur e të pashpresë, tek bizneset, tek administrata e paralizuar publike, tek institucionet e pavarura që s’janë më. Opozitës i takon ta kthejë në forcë dhe ide këtë ndryshim të mirëpritur. Ajo nuk ka dhe nuk mund ta ketë luksin të dëshpërohet e aq më tepër të demoralizohet.
Asnjë lojë politike, asnjë koalicion sado i fortë e i lidhur në një mijë fije të funksionojë para saj, nuk duhet të tulasë këtë shpresë të madhe që prej kohësh po mbizotëron në shoqërinë tonë, jo si një dëshirë e ngushtë ndërrimi të ngjyrave të pushtetit por si një ndërrim i madh mentaliteti qeverisjeje. Publiku i gjerë shqiptar i besoi këtë ndryshim të madh kësaj opozite në 8 maj. Janë miliona shqiptarë të ndershëm e të drejtë, që meritojnë një qeverisje europiane, një Shqipëri europiane.
Është bash për këtë, që opozita e sotme, fituesja e 8 majit nuk duhet të bjerë në këtë kurth të ardhshëm të këtij grushti njerëzish, që kanë një axhendë krejt tjetër e të ndryshme me qytetarin hallexhi. Pavarësisht se këta të fundit kontrollojnë tashmë shumicën e mediave në vend e rrjedhimisht kanë një impakt të fortë publik opozitës i takon sot të mos harrojë për asnjë çast se në fund të fundit realiteti nuk prodhohet në zyrat e pushtetit dhe aq më pak në media, por përkundrazi në jetën e përditshme.
Opozita e sotme nuk ka mundësi zgjedhjeje në këtë rast. Ajo ka vetëm një detyrim; t’i shërbejë qytetarëve të këtij vendi, duke administruar me qetësi dhe dinjitet atë çka po ndodh, për të reflektuar dhe kristalizuar këtë frymë, këtë dëshirë për ndryshim që prej kohësh ka pushtuar Shqipërinë. Kjo frymë e kjo dëshirë nuk mund të ngushtohet apo reduktohet në debatet shterpë që pritet të nisin së shpejti nga trupa e zakonshme televizive e klientëve të pushtetit. I vetmi debat real, me të cilin duhet të merret opozita është fryma e shtuar gjithëpërfshirëse e ndryshimit që bashkon zemra dhe mendje patriote që kanë si qëllim, një Shqipëri të drejtë, të ndershme, të pastër, të ligjshme. Ato zemra janë zgjuar sërish. Presin vetëm kushtrimin e drejtë.







