“Ristanët” e së nesërmes

0
74

Nga Ermir Hoxha*

Ky shkrim mëton që modestisht, por bazuar mbi një realitet konkret, të ofrojë një lloj mbarsje prej aktit flirtues të injorancës me pushtetin, prej nga pillet më pas demoni padrejtësisë, arrogancës dhe paturpësisë, që në ligjërimin popullor, gjejnë shprehje te figura e “Maliqit” që luan me ligjin si të dojë vetë. E ç`prej dy muajsh, “Maliqi” metaforik, është bërë tashmë dhe një figurë e prekshme; një lloj target grupi madje, që gjithashtu, në ligjërimin e përditshëm, por zë vend duke u quajtur “Ristanizim”.

Në foton e parë është një detyrë klase në informatikë e një nxënësi mature. Duke i hedhur thjesht një sy, lehtësisht kuptohet që është fjala për një nxënës gdhe, përfshirë dhe katastrofën gjuhësore të atyre që ka arritur të hedh në letër. E se ç`përfaqëson tej kësaj ky nxënës, është letra e dytë. Aty, ai i bën sfidë mësueses, se sido që të jetë, se çfarëdo që ai të shkruajë, (a më saktë të mos shkruajë – ngase nuk ka ç`të shkruajë), – se sido që të jetë vlerësimi me notë që mund t’i japë mësuesja, duke përfshirë dhe katrën, në fund të fundit, ajo – mësuesja pra, është e detyruar t`i vendosë vetëm 10.

Edhe në këtë rast, veç dramatikes së mesazhit, edhe shqipja e nxënësit, është aq katastrofë, si për të përçuar të plotë një bëmë në arsimin e sotëm. Por nuk është vetëm kjo. Ky nxënës, kurajën për t`u shprehur në këtë mënyrë, e merr nga prindërit, soj i lidhur me pushtetin “për të bërë ca lekë”, ku një prej tyre, madje, i përfolur për pajisje me diplomë false të shkollës së mesme, arrin – sigurisht nga partia – të emërohet në majën e arsimit të rrethit përkatës prej nga vjen fenomeni. Dhe nuk mbaron me kaq. Sot, ky nxënës, po ndjek studimet për juridik në një nga fabrikat e diplomave – më falni, universitet privat – në Tiranë. Afërmendsh, ai nuk mund të shkonte me studime as për Mjekësi, as për Fizikë, as për Kimi, as për Matematikë, as për Inxhinieri, as për Histori, as për Letërsi, as për Arkitekturë, por mu për Juridik. Dhe në një universitet privat. Dhe natyrshëm rrjedh më pas gjithçka: djali merr diplomë; partia e mamit dhe e babit e punëson; ai bën atë që i thonë, fut paratë në xhep dhe kaq.

Ky rrugëtim, ka zënë fill që prej asaj letrës së dytë, ku në fakt nuk është thjesht sfida që një nxënës i bën mësueses në emër të parasë e pushtetit, por është indi i qelbëzuari i kësaj shoqërie, që prodhon kësisoj “ristanët” e së nesërmes. Ashtu siç ai, në moshën ku laton moralin dhe karakterin e tij, ia përcakton dhunshëm e paturpësisht mësueses së vet notën që duhet t`i vendosë, duke qenë njëherësh edhe një gdhe, imagjinojeni nesër atë jurist, p.sh., në rolin e Ristanit sot, se ç`mund të bëjë më ligjin. Halli është se nuk është një, por janë shumë. Janë target-grup!

*Autori është korrespodent i “Shekullit” për Sarandën