A ka rivalitet potencial mes Bashës e Topallit?

0
55


Nga: Kiço BLUSHI

Kohët e fundit është folur për një “luftë të ftohtë” nën rrogoz, mes Bashës dhe Topallit. Të dy synojnë e ëndërrojnë, mesa duket, kreun e PD-së, pas ikjes për shkak të moshës, të vullnetit të të Plotfuqishmit, apo të vetëkonsumimit të kryetarit karizmatik Berisha, ndonëse ky, hëpërhë cilësohet i pazëvendësueshëm e më i pathyeshmi jo vetëm i PD-së, por edhe mes gjithë liderëve të Evropës Lindore…Por, a ekziston një rivalitet potencial mes dy vartësve të tij të përkorë e të bindur? A ka mëkuar e projektuar Berisha një pasardhës, një mëkëmbës, një trashëgimtar, apo edhe ai beson njëlloj si diktatorët lindorë se fuqia e pakufizuar, bashkë me ambicien e pakontrolluar e kanë transformuar edhe atë në klishe të një udhëheqësi që kujton dhe beson sinqerisht që është i pavdekshëm?

Natyrisht, përgjigjja nuk mund të jetë shteruese, ndonëse në skakierën e PD-së deri tani qarkullojnë vetëm emrat e mësipërm, të cilët janë afishuar e lançuar (natyrisht me izën e komandantit), si më të mundshmit për një zëvendësim që sigurisht ka për të bujtur më së tepri për shkaqe “natyrore”, (si p.sh., shëndeti i prijësit), se sa politike; pra jo dhe aq nga trysnia e opozitës së sotme, apo e votës “së lirë dhe demokratike”… Madje, largimi i Berishës nga kreu i PD-së ka më shumë gjasë të vijë pas ndonjë trysnie të ndërkombëtarëve, sesa nga zhvillimet e lëvizjet opozitare, grevat e urisë, protestat, hipjet e zbritjet nëpër kangjella të deputetëve, konferencat e shtypit, inflacioni etj…Hataja ndoshta mund të ndodhë po t’i mbushet mendja Berishës të imitojë Putinin, duke synuar të ribëhet President i Republikës…

(Kujtoni si ndodhi me Nanon, kur ndërkombëtarët hodhën lloj-lloj kandidaturash të panjohura, kinse “konsensuale”, derisa gjetën më në fund Moisiun, por ama Nanon, jo se jo!)… E pra, cili nga të dy mëtuesit, pas rasteve të cituara më sipër, do të gjendet më afër postit të kryetarit të PD-së, i mirëpritur nga strukturat e partisë (kupto: të Berishës)? Nëse pranohet i mundshëm fakti që një ditë Berisha, me hir a pahir do të largohet nga politika dhe zëvendësuesi do të përzgjidhet një nga këta dy emra, atëherë nuk është gabim të hamendësohet se midis dy kandidatëve ka nisur “lufta e ftohtë”, e fshehtë, tinëzare, e cila mezi pret ditën të shpallet…

Por deri më sot asgjë e dukshme dhe e prekshme nuk të bën të dyshosh se mes Bashës dhe Topallit ka nisur gara, apo konflikti i nëndheshëm bërrylash e stërkëmbëshash të ndërsjellë… Në PD, sidoqoftë gëlon një paqe vdekatare, ku hëpërhë nuk përfytyrohet konkurrenca, konfliktet e hapura, alternativat dhe debati, sa kohë që edhe këta të dy rivalë potencialë gjenden nën thundrën e një Berishe fuqiplotë, që “unitetin” e ka siguresë vetjake…Edhe nëse përçori i kopesë do të ndjehet i lodhur, i pafuqi për të vazhduar rrugën e gjatë, ai nuk mund të hedhë, dmth të zbresë kalorësin, dmth kryetarin e partisë!

Përveç një ftohje në distancë mes dy rishtarëve, Basha dhe Topalli nuk janë parë të kacafyten dhe as të buzëqeshin nëpër debate, në forume partie apo në kohë fushatash, si kjo e fundit…Asgjë publike që mund të deshifrohet si një përçarje, apo si “unitet i çeliktë” nuk provon dhe as e mohon mungesën e një rivaliteti në potencë. Që mes Bashës dhe Jozefinës ka rivalitet ndoshta nuk mjafton edhe deklarata “e habitshme” e Bashës për mosprishjen e ‘Piramidës’, deklaratë që për shumëkënd u duk sikur u stis qëllimisht për të rënë ndesh me ambicien e kryetares së Kuvendit për ngritjen, në vend të Piramidës, të “Parlamentit më të mirë të Evropës”…

Kjo “paqe para furtune” gjithsesi presupozon që përveç kandidatëve të mësipërm ka edhe faktorë e aktorë të tjerë që e ndjejnë të afërt erën e ndryshimit, dmth të largimit të Berishës e që presin çastin për të dëshmuar”besnikëri”… Grupe të gatshme militantësh e analistësh janë duke u stërvitur tashmë në prapaskenë për këtë ditë… Pra, çështja: kush do të trashëgojë PD-në?, tani ngjan si një thikë e mprehtë nën mëngë, veçanërisht pas investimit të pashembullt të Berishës për të nxjerrë me çdo çmim Bashën kryebashkiak të Tiranës! Këmbëngulja për të nxjerrë fitimtar Bashën pa dyshim vlen si një “kartë krediti” e sigurt për Bashën, por po aq është edhe si një fitil për konflikt, ndoshta më shumë se mes PS dhe PD-së, brenda PD-së…

* * *

Nuk ka rëndësi që sot për sot të dy rivalët janë, njëra kone e tjetri këlysh… Në kohën kur partia dhe qeveria, por edhe Shqipëria, me të gjitha institucionet e saj të varura e “të pavarura” drejtohet me dorë të fortë nga Berisha, një sherr i mundshëm dhe i shpejtë mes Bashës dhe Topallit do të presupozonte përçarje në PD, gjë që aktualisht nuk e dëshiron askurrkush në PD, aq më pak Berisha. Pra, një ndezje para kohe e luftës mes du rivalëve do të sillte pashmangshmërisht humbjen e atij që do të shkrepte i pari, duke e merituar ndëshkimin shembullor të Njëshit.

Por kjo nuk do të thotë se, si te Topalli, edhe te Basha, sidomos pas zgjedhjeve për Tiranën, pra pas forcimit të Bashës (a nuk është Rama edhe kryetar Bashkie, edhe kryetar partie e, duke qenë i tillë, a nuk lufton ai për të qenë nesër edhe kryeministër?), nuk janë rreshtuar nëpër llogore militantë, sekserë, tarafe, sarafe, biznesmenë, dmth sojsëzë të bërë sojlinj e sojlinj të bërë sojsëzë, ca të legalizuar e ca të mezipritur të emërohen, burra të denatyruar e gra të klonizuara, por dhe qarqe të fuqishme interesash financiare që ndjellin dhe yshtin fitoren e njërit kundër tjetrit. E pra, kjo pyetje retorike na ndjek pas si një hije: a do të sundonin Enveri dhe Saliu kaq gjatë pa ndihmesën e punën e palodhur të kësaj rrace nëpunësish?

Ndonëse kjo lukuni sahanlëpirësish hë për hë po rri urtë, si shefat e tyre, nuk ka dyshim që në momentin kur të kuptohet se dora e fortë e Berishës ka nisur të sëmuret nga ‘Parkinsoni politik’, se po vjen, më në fund, largimi i pashmangshëm i tij, ata, rreshterët, rreshperët, kapterët, manipulerët, yshtarët e heshtarët profesionistë të ekraneve do të mësyjnë për të qenë “të parët”… Këta do të jenë edhe shtysa, edhe padurimi i betejës së mezipritur mes Bashës dhe Topallit… Më të shumtët sigurisht që do të hidhen në kampin e Bashës kryebashkiak, pasi ky e jo Kryetarja e Kuvendit do të ketë në dorë emërimet, tenderimet, rrugët, taksat, gjobat, investimet, parkingjet, lejet e ndërtimit, projektet, dmth shumicën e buxhetit të Shqipërisë, pas atij të qeverisë…

Do të përsëritet ajo që ndodhi në vitet e para të pluralizmit me PPSH, kur komunistët fanatikë dhe ish spiunët u bënë që ditën e parë demokratë të thekur; kur ata që thërrisnin nëpër sheshe: “E duam, e duam Fatos Nanon!” u transformuan, pas dorëheqjes së Nanos, në ediramistë; kur ata që ishin berishistë, pas ’97-ës, u bënë nanoistë e tash përsëri berishistë…Nesër këta rekrutë do të jenë të detyruar të shpallen ose bashistë, ose topallistë, rrugë të mesme nuk ka!…

Afërmendsh, fati i secilit nuk ka për t’u varur nga simpatia që do të kenë mbjellë këta dy rivalë te anëtarësia e partisë, nga emri që kanë krijuar në vite, nga platformat e idetë, apo edhe nga sistemi “një anëtar një votë”, pasi këto rregulla demokratike shumë pak, ose aspak, funksionojnë jo vetëm në PD, po tashmë në çdo parti, madje edhe në shoqërinë “civile” shqiptare…Shfytyrimi i pakorrigjueshëm i votës në këto vite, si mjeti i vetëm demokratik për qarkullimin e elitave, i ka bindur edhe këta dy rivalë që të mos e kërkojnë “levën e Arkimedit” te vota, te kutitë, te fushatat, te zgjedhjet, te simpatia popullore, te alternativat, etj, por te mbështetja te klanet, te tarafet, te grupet e interesit, te qarqet mafioze, te oligarkët e mediave…

E megjithatë nga të gjitha mjetet “demokratike” më kryesorja gjithsesi ka për të mbetur kjo: zëvendësuesi i Berishës ka për të qenë vetëm ai që do të pëlqehet e do të caktohet nga Berisha në kohën që e ai do ta quajë të domosdoshme! Kjo, besoj, është e padiskutueshme! Prandaj mes Bashës dhe Topallit më duket se nuk ka ndonjë vështirësi të madhe, apo dilemë përzgjedhjeje. Madje mund të besohet që tashmë zgjedhja ka përfunduar… 8 maji “provoi”, ca me KQZ e ca me Kolegj, se kandidati trashëgimtar është Lul Basha…

Jo se Berisha nuk ka besim te Topalli te kjo “shkodrane katolike”, e cila nesër, po të bëhet kryetare partie, ka më shumë gjasë të kundërshtojë e të dëshmojë “integritet” dhe “identitet”, pra të shfaqet si një antiberishë, për faktin e prejardhjes nga një “familje e shquar dhe e persekutuar shkodrane”, se nuk ka qenë kurrë komuniste, se gjithçka e ka arritur vetë, se ka qenë për dy mandate Kryetare Kuvendi, se ka pasur mbështetje ndërkombëtare (diplomacia parlamentare), se nuk ka gisht në gabimet historike të ‘96-‘97-ës, se ka qenë e prerë si antikomuniste e antisocialiste, se nuk është akuzuar kurrë për korrupsion e nepotizëm, se ka qenë e shkëlqyer në mësime, se është përfaqësuese autentike dhe gjenetike e së djathtës etj, etj… Ndërsa Basha, në të kundërt, nuk i ka këto merita… Ky, për të vërtetuar aftësitë e veta “menaxheriale” mund të na thotë se ka fituar eksperiencë të spikatur administrative, duke qenë ministër transporti, i jashtëm, i brendshëm, i vetmi që mundi Ramën, se është i ri, i qeshur, jo konfliktual, i butë…

Por ama nuk mund të provojë e pohojë nesër se nuk është në borxh të pashlyeshëm me Berishën, se nuk e shpëtoi ky nga Drejtësia, se nuk e soll “me zarf” nga Kosova, se karrierën e ka ngritur vetë, duke ngjitur shkallët e karrierës një e nga një… Duket si absurd, por pikërisht kjo është “thembra e Akilit”… Pikërisht këtu qëndron edhe avantazhi i Bashës, krahasuar me Topallin. Për shkak të funksionit të tij, si administrator i nesërm i “kompanisë” më të madhe të Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës, ai ka për të pasur më shumë ndjekës, apo militantë, se Topalli…

Ja pra përse Basha ka më shumë shanse të zëvendësojë nesër Berishën, për arsyen e arsyes të mosarsyes se…se ai nuk mund dhe nuk ka asnjë të drejtë morale e politike të bëhet nesër një antiberishë! Por edhe se ai do të ketë më shumë mundësi se Jozefina të bëjë lidhje direkte me grupet e interesit, me bosët e media-ndërtimit, apo edhe me të papunët partiakë që presin të vishen policë bashkiakë, apo tatimorë…Më këtë ushtri mund të merret jo vetëm një parti, po edhe Shqipëria! Sigurisht, po qe mjaftueshëm i mençur dhe i aftë!