(TE DHENAT INTERESANTE)
(E PERDITESUAR) – Ky është një nga sondazhet më të mëdhenj e me të rëndësishëm që bëhet në bashkëpunim mes Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim në bashkëpunim me Bankën Botërore. Sondazhi i quajtur “Jeta në tranzicion” është publikuar sot dhe ka të dhëna tronditëse për efektet e krizës në Shqipëri. Sondazhi publikohet për herë të dytë sot pasi është publikuar për herë të parë në vitin 2009.
Në sondazh thuhet sa më poshtë:
“Kriza ekonomike ka prekur shumicën e familjeve. Rreth 60 përqind e të pyeturve thonë se buxheti i tyre familjar është prekur ndjeshëm, krahasuar me mesataren e rajonit që është 50 përqind. Kjo vjen pavarësisht faktit se Shqipëria ishte një nga të paktat vende që ruajtën rritje pozitive gjatë krizës. Ka pak variacion sa i përket moshave të prekura, por kategoria me të ardhura të larta është prekur më pak se ajo më të ardhura më të ulëta”.
Në këtë mënyrë e kupton se të pasurit nuk janë prekur nga kriza, por të varfrit janë bërë më të varfër.
Por të dhënat e sondazhit vijnë e bëhen gjithmonë e më të zeza. Kështu, numri i atyre që thonë se janë të lumtur me jetën ka rënë nga viti 2006, për më tepër, rënia është shumë e ndjeshme tek ato kategori njerëzish me të ardhura të ulëta. Të kënaqur me jetën në Shqipëri janë vetëm 39 përqind kur mesatarja e rajonit është 43 përqind dhe mesatarja e Europës Perëndimore 72 përqind.
Optimizmi për të ardhmen ka rënë gjithashtu, thuhet në konkluzionet e sondazhit. Për më tepër, optimizmi është më i ulët tek të rinjtë.
Siç citon edhe agjencia Reuters, tek shqiptarët po bie besimi tek sistemi i ekonomisë së tregut e tek demokracia. Vetëm 40 përqind besojnë tek ky sistem.
Ndërkohë, vetëm 20 përqind e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni ka rënë që nga viti 2006.
Në total, besimi tek institiucionet ka rënë ndjeshëm që nga viti 2006. Rënia më e madhe e besimit është shënuar tek policia në krahasim me vitin 2006. Më pas rënia e besimit është edhe tek forcat e armatosura, tek qeveria e presidenti, tek gjykata ka qenë e madhe kjo rënie besimi. Në fakt besimin më të ulët shqiptarët e kanë tek forcat politike dhe gjykata, megjithëse përsa i përket forcave politike, në krahasim me vitin 2006 ka rritje të besimit, por sërish tepër e ulët.
Në përgjithësi ryshfeti ka pësuar rënie për shumë kategori, edhe pse është një rënie e lehtë. Por sa i përket arsimit publik, ryshfeti ka pësuar rritje në krahasim me vitin 2006.
Sipas sondazhit, vetëm 30 përqind e shqiptarëve mendojnë se në vend ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po kaq mendojnë se në vend ka ligj e rend. Vetëm 25 përqind besojnë se gjykatat japin drejtësi.
Të bie në sy edhe diçka mjaft interesante: qytetarët mendojnë se qeveria duhet të drejtojë shpenzimet e saj në drejtim të arsimit. 37 përqind e qytetarëve mendojnë kështu, çka është një përqindje shumë e lartë. Më pas 32 përqind mendojnë se duhet të shpenzohet më shumë në sistemin shëndetësor.
Sipas sondazhit, rezulton se shqiptarët kanë më shuam besim tek njerëzit në krahasim me vendet e tjera të rajonit.







