Topalli: Të fshijmë ’44-’91 nga historia

0
92

Luis Tanushi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ngritur një grup pune për të fshirë nga historia e Shqipërisë 45 vitet e Kuvendit Popullor të kohës së komunizmit. Nëpërmjet një projektvendimi, Kuvendi parashikon ngritjen e një grupi historianësh dhe juristësh, të cilët do të kenë si detyrë përcaktimin e historikut të parlamentarizmit të shtetit.

Por qëllimi kryesor i mazhorancës do të jetë studimi nëse do të përfshihen apo jo në jetën parlamentare vitet e komunizmit. Nisma e demokratëve vjen në një kohë kur opozita ka bojkotuar punimet e parlamentit. Ende edhe sot pas 20 vjetësh demokratët kanë rezerva për legjislaturat e kohës së komunizmit. Sipas tyre për shkak se sistemi ka qenë diktatorial dhe me një parti të vetme, nuk mund të thuhet se në atë kohë ka pasur parlamentarizëm.

Ndërsa për opozitën, edhe pse nuk ka ende një qëndrim zyrtar, nuk mund të fshihet një pjesë e parlamentarizmit apo e historisë së Shqipërisë me gjithë të mirat apo të këqijat e saj. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Byrosë së Kuvendit të datës 20 qershor 2011, u miratua edhe projektvendimi me gjashtë pika. Ky vendimi është mbajtur i fshehtë dhe është bërë publik vetëm paraditen e djeshme.

Në të parashikohet ngritja e një grupi historianësh dhe juristësh për përcaktimin e fillimit të historikut të parlamentarizmit në shtetin shqiptar. Në bazë të përcaktimit të fillimit të parlamentarizmit do të realizohet edhe rillogaritja e numrit të legjislaturave. Grupi i historianëve dhe juristëve do të zhvillojë veprimtarinë e tij pranë Kuvendit ku do t’i sigurohet bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave apo institucione të tjera. I gjithë procesi do të monitorohet nga stafi i Kuvendit ndërsa drejtues do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu.

Deri më tani Kuvendi i ka njohur të gjitha legjislaturat e kohës së komunizmit ndërsa nuk ka njohur asambletë legjislative të kohës së Zogut. Kjo vihet re në faktin që kur janë hapur punimet e kësaj legjislature, ajo është quajtur e tetëmbëdhjeta. Nëse nuk do të njihen legjislaturat gjatë periudhës së komunizmit, legjislatura aktuale do të ishte e shtata.

Sipas të dhënave zyrtare, Kuvendi i parë shqiptar njihet Këshilli Kombëtar: Senati me një Dhomë i vitit 1920 i kryesuar nga Xhemal Naipi. Nga kjo kohë e deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ka njohur 16 forma të ndryshme të parlamentarizmit. Kongresi i Përmetit zgjedh në 24 maj të vitit 1944 Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar. Dr. Omer Nishani u zgjodh Kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Ky mund të quhet parlamenti i parë i periudhës së pas luftës. Zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 prodhuan parlamentin më të shkurtër në historinë e Shqipërisë, 17 prill, 1991 – 6 prill, 1992. Në total, periudha komuniste njeh 19 kryetarë parlamenti, të cilët nisin me Omer Nishani (1944) dhe përfundojnë me Petro Doden (19 shkurt, 1987-15 prill, 1991).

Legjislatura e parë

Më 2 dhjetor 1945 u zhvilluan zgjedhjet për përfaqësuesit e Asamblesë Kushtetuese. Më 16 mars 1946, në mbledhjen e saj të 11-të, Asambleja Kushtetuese vendosi të kthehet në Kuvend Popullor. Kuvendi Popullor i RPSH, i cili përbëhet nga një dhomë. Kohëzgjatja e legjislaturës së parë ishte 25.03.1946 – 21.01.1950.

Ndryshimi

Zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991 mbahen mend si zgjedhjet e para pluraliste. Këto zgjedhje prodhuan legjislaturën e 12-të, e cila quhej Kuvendi Popullor. Kryetar u zgjodh Kastriot Islami, por kjo ishte legjislatura më e shkurtër në historinë e Shqipërisë. Pa mbushur ende një vit, Shqipëria shkoi në zgjedhje.

2247

Deputetë ka pasur Parlamenti shqiptar gjatë 18 legjislaturave, të cilat kanë zgjatur 91 vjet. Ato nisin që nga viti 1920 e deri më sot. Parlamentarizmi shqiptar ndahet në tre pjesë, periudha e para luftës, 16 kryetarë parlamenti; periudha e pasluftës, 19 kryetarë parlamenti dhe periudha e demokracisë, 6 kryetarë parlamenti

Zogu

Në vitin 1928 Shqipëria bëhet Republikë dhe president Ahmet Zogu. Tre vite më pas Zogu vetë shpallet mbret i shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri ka funksionuar “Legjislatura I e Republikës Shqiptare”. Parlamenti i asaj kohe ka zgjatur nga 1 Qershori 1925 deri më 7 Qershor 1928 dhe përbëhej nga dy dhoma

Ç’do të ndodhë?

1. Do ngrihet një grup historianësh për të përcaktuar periudhën e nisjes së Parlamentarizmit në Shqipëri

2. Grupi i historianëve dhe juristëve do të bëjë rillogaritjen e numrit të legjislaturave

3. Grupi i historianëve dhe juristëve do të përzgjudhet nga Kuvendi në bazë të përvojës akademike.

Zëvendësimi i piramidës së Enverit

Zhdukja e periudhës së komunizmit nga historia nuk është synimi i vetëm i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo ka planifikuar edhe prishjen e një prej simboleve të komunizmit, ish-piramidën, dhe ngritjen në vend të saj të godinës së parlamentit të ri. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hodhi idenë për ndërtimin e një parlamenti të ri me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Ndonëse prej vitesh po investohen para në QNK, mazhoranca kërkoi që parlamenti i ri të ndërtohej pikërisht aty. Në dhjetor të vitit të shkuar, pas një debati pozitë-opozitë në Kuvend, është bërë e mundur votimi i vendimit për ndërtimin e godinës së re me 71 vota pro dhe 64 kundër. Në këtë vendim saktësohet ndërtimi i Kompleksit të ri parlamentar në vendin ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, në Tiranë.

Ndërtesa e re do të kryejë funksionet në dy nivele: hyrja kryesore nga pjesa veri-perëndimore e zonës krijon një zgavër konike dhe siguron akses në hall-in parlamentar për publikun, gazetarët dhe VlP-at, hyrjet e ndara nga veriu shoqërohen me recepsion dhe dhomat pritëse për to, aksesi direkt në këtë zonë është siguruar nga blloku i parkimit në anën lindore në të njëjtin nivel. Blloku i zyrave është organizuar rreth konit qendror prej pesë nivelesh me xham të sallës së parlamentit. Niveli tre akomodon 13 dhoma takimi për komitetin parlamentar, si dhe zyra për kryetarët e tjerë që punojnë për këto pjesëtarë të komitetit. Zyrat për Kryeministrin, deputetët dhe departamente të ndryshme për administratën janë shpërndarë në katet 4 dhe 6. Niveli i fundit i bllokut të zyrave është rezervuar për hapësira për autoritete të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë si kryetari i Parlamentit, kryetarët e grupeve parlamentare etj.

100

Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar është arsyetuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Bazuar në këtë datë, Topalli u shpreh se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një parlamenti të ri e modern. Parlamenti i vjetër ndodhet në ish-godinën e Komitetit Qendror të PPSH-së.