Myslym Pasha, 16.12.2009
Po vjen Saranda në Kushtetuese. Prej jugut, prej së largu. Nuk paska mjaftuar që ajo është përgojuar kaq shumë, për një kohë të shkurtër. Sepse i kanë thenë se ti nuk e ke vendin në gjithë hapësirën kundruall, po duhet të shkosh atje tej në lindje, e të futesh pas gjirit të Limionit. I thanë fjalë të mira e mitike por pas kësaj iu kthyen duke e lënë në rutinën e saj. Saranda, nuk ka pse të kërkojë atë që nuk e ka. Mirëpo ajo i ka të gjitha. Dhe ju vijoni që ta përgojoni edhe këtu në Kushtetuese. Atëbotë, nuk kisha askënd afër veçse Sarandën. Përfaqësuesi i qeverisë për më shumë se nja njëzetë minuta ia kishte kushtuar këtij gjiri. Dhe pse do të thoni ju?
Sepse shqiptarët nuk e dinë se ku është strukur ai. Po askush nuk mund të fshehë historinë dhe ndriçimin sipëror të saj, teksa Saranda rri ngjitur e në simbiozë me Buthrotin. Përcaktimi i kufijëve detarë e ka harruar Sarandën, se ajo nuk i përmbush kushtet gjeometrike sipas konventës së Detit, dhe kanë harruar të uruarit se ajo, është aty jetësore, sa më s’ka. Por Kushtetuesja dëgjon me vemendje, teksa del prej hartave të vjetra dhe të reja, kalon nga njëri gjyqtar tek tjetri, për t’i kujtuar të gjithëve, se disa ligje të brendshme i bën secili vend, duke deklaruar kulturën dhe historinë e tij dhe nuk ka sepse të ndjehet aq i përulur kur edhe fqinji ynë historik do të ndjehej po kaq mirë për Sarandën, sepse në këtë marrëveshje në kohra të integrimeve të mëdha, duhet të diskutojmë hapur edhe për barazinë dhe ndërshmërinë midis të dy palëve.
Pala në krahun tjetër, nxirte harta e skica nga më të ndryshmet për të argumentuar atë që nuk e kërkonte njeri dhe atë që ndofta as pala e Republikës së Greqisë nuk e ka kërkuar kurrë. Kaq jashtë vetes, kaq jashtë Sarandës, e kaq larg synimeve dhe ruajtjes së vlerave tona gjeohistorike. Ndërkaq, edhe hartat e mija të radhituar dhe të varura në stendë kishin rënë duke krijuar në Kushtetuese një skenë jo dhe aq të këndshme. Aty pashë edhe Sarandën që më kërkonte nga një hartë e lashtë dhe e re. Gjyqtarët e Kushtetueses hidhnin sytë e tyre të hetueshëm, sa në njërin krah e në tjetrin për të na kujtuar se Saranda nuk na ndan, por na bashkon. Kurse dikush sërish na tregon se ku është Saranda si një rrëfim fantazmagorik që nuk ngjit tek shqiptarët e sotëm.
MEDIA
Nga një referim që vijonte, s’u përmbajt edhe një citim për “median” duke e trazuar gjykimin. Sepse kjo ” media” na paska publikuar fakte etj…Por salla e lartë e mori veten dhe erdhi në orientim. Kryetari i Gjykatës, Vladimir Kristo, me një maturi dhe bashkëkuptim modern, ngriti zërin sa salla dëgjoi e përpirë.
“Lutem me median, mos u merni. Ajo ka punën, vlerën dhe veprimin e saj. Këtu jemi të hapur ”
Të gjithë u çliruan sepse në jo pak raste, për çështjen që erdhi për gjykim, ka pasur kaq shumë trillime dhe pandehma se ajo i shërben armiqve të Shqipërisë se për ndonjë organ të medias së shkruar u tha se është “antikombëtare” etj etj. Gjykimi i lartë Kushtetues dha një shëmbull shumë kuptimplotë, në atë lartësi që është edhe çështja për të cilën shqyrtohej, sepse gjithçka kishte lidhje më interesat e Atdheut për të cilin luftojnë të gjithë.
Ktheva kokën pas por një gazetar që ishte marrë me marrëveshjen nuk e pashë. Ai ndofta ishte në një sallë tjetër dhe ndiqte seancën plenare. Atëbotë, përfytyrimi shkoi dikund në periferi të Tiranës asaj nate kur një listë koordinanatash më erdhi në dorë dhe unë duhej të jepja përgjigje teknike. Gazetari më kish sjellë lajmëtaret e hulumtimit, koordinanat e vijës së mesme të kufirit të Marrëveshjes së fundit, me të cilën jemi marrë gjatë gjithë kësaj kohe. ” Nata shënjonte, një fundpranvere, dhe zagushia dukej se kish ulur këmbët në truall të stinës. Befas, udhës, në kënd të Pallatit me Shigjeta të verdha, lehën qentë e lagjes. Midis tyre, njëri ulëriu thekshëm, në kacafytje, tek kazani i plehrave, përballë. Ndodhesha në dritare. Në krahë të kacafytjes, një burrë rreth të dyzetave kish kohën e ardhjes, për të kontrolluar hedhurinat, për të gjetur çfarë i duheshin për të nesërmen dhe aty, mes ulërimës së qenve, ai vijonte kërkimin e tij. Ra zilja e celularit, me një përkundje tingullore melodike e cila ngjau se ma fshiu ulërimën e qenit që, atypari, kish humbur, luftën.
“Alo!” ” Ju jeni…?” ” Po!” “Më kanë dhënë numrin. Jam … ” ” Po! ” ” Kam ca koordinata që nuk i zhbiroj dot!” ” Ç’Koordinata!?” ” Ato, të marrëveshjes detare! A keni dëgjuar? ” ” Po !!” ” A mund të takohemi!?”
Qentë ulërinë përsëri. Tani, i kish ndjekur më një shkop të shtrëmbër njeriu i plehrave.
” Më falni për ndërprerjen! Ç’mund të bëj për ju? Duhet një hartë të cilën do ta sjell. FundShqipërinë e kam në Lap Top. Edhe një imazh satelitor. Jam larg! Megjithatë, do bëjmë si do të bëjmë, mbasi në studion time kam ca harta të vjetra dhe mund të konsultohemi. Ti ke koordinata, e unë hartë! Ok! Në ora 21.00 ”
Mendja lundroi në punë të saj, në arkiva dixhitalë, apo klasikë. Ndërkaq, u kujtova, se në një TV, që s’e kisha përkitur saktë, kishin kumtuar, për Marrëveshjen Detare, dhe ashtu turbull më erdhi trokitja si një lloj zbulese, ” gjashtë milje!…”. Pse u dashka nata, për të kontrolluar ca koordinata?
Kjo e bënte më intriguese fundpranverën dhe këtë natë me ulërima qenësh. Nga raftet ranë të harruara harta të ndryshme dhe unë kërkoja midis tyre , njërën prej tyre, një shkallë të vogël, sigurisht, që të përfshinte, Detin Jon, ku thuhej se ishte bërë ndarja. Ndër gjunjë, më kish rënë, harta e Gjirit të Sarandës dhe përballë Korfuzi. Unë u lehtësova, për gjetjen e duhur, duke u munduar, të përqendrohesha, në shpatullën e Korfuzit, që kish rënë përmbys, mbi duart e mija që po e ruanin, me kujdes.
Ngjyrimi hartografik i detit, midis Sarandës dhe kepit të Kasiopesë, ledhatonte të dy anët e brigjeve, duke më lehtësuar përkujdesjen time. ” E gjeta” thashë.
…Në afrim të orës, zbrita përballë kafes së parë. Hodha sytë, nga fasada lindore e pallatit parafabrikat dhe pashë se kishin varur dy fotografi të mëdha të Edi Ramës. S’kish kaluar shumë dhe dy gabelë adoleshentë, e qëlluan me gurë, njeriun e varur në mur. Ndërkaq, në fasadën e Pallatit të Kastratit, po ndodhte e njëjta gjë, qëllonin me gurë fotografinë e Sali Berishës. Ishte fillimi i muajit të zgjedhjeve. Lana shkonte në punë të saj, përplotë me hedhurina. Nën sqetullën time, rrinte Gjiri i Sarandës dhe unë pata frikë se mund të më binte, kushedi, dhe kësilloj, nuk mund të shkoja duarbosh. ”
PËRSËRI PËR BARKETËN
Hartat kishin rënë. Askush nuk po më ndihmonte. Ata të palës tjetër me siguri që kanë thënë se „ ashtu siç i ranë dhe nuk i ngre dot… ashtu do të vijë dështimi, prej humbjes së fakteve” Kryetari i Gjykatës orientoi dikë të më ndihmonte. Aty poshtë ishte dhe Barketa. Nga të gjithë hartat që shkuan në Kushtetuese, ajo e Barketës ishte më e mira dhe me nje ndërthurje ngjyrash shumë tërheqëse. E kapa fletën dhe e ngrita lart në Drejtim të Kushtetueses. „ Ja kjo është Barketa e Re”
Sikur të kisha bërë ndonjë zbulim. Në sallë pati një heshtje ku asgjë nuk pipëtinte, veçse Barketa do të dëshmonte në këtë gjykim të lartë. „ Ç’është ajo dhe si do të na e dëshmoni? Ju keni bërë matje të reja?” pyeti Kryetari. „ Po „ i thashë „ me ndihmën e një kompanie shqiptare kam bërë matje për Barketën dhe zbulesa më e re, është se kjo cekinë shkëmbore ndodhet në lindje, të mesit të Kanalit të Korfuzit, vetëm në ujërat tona. Pra , nëse do t’i besojmë të njëjtës frazë historike se këtë Kanal e kemi të përbashkët dhe secili shtet ka gjysmën e tij, atëherë ndarja e fundit, na ka përulur duke na e hequr sërish barazinë, po edhe barazlargësinë edhe për këtë histori aq shumë të njohur nga të dy palët.”
Kryetari i Gjykatës po dëgjonte. Unë mbaja në dorë Barketën e përtërirë, atë cekinë historike por edhe tragjike, si e kam quajtur disa kohë më parë. Por askush nga pala tjetër nuk pati ndonjë interes të thoshte se edhe ata e kishin bërë këtë matje dhe të kumtonin rezultatin e tyre.
Zbulesa erdhi si një fakt i ri se ajo që ishte gatuar në Marrëveshje ishte një nga dëshmitë e dështimit shqiptar. Nuk është fjala për humbje të sipërfaqeve të mëdha ujore apo Shtradet po ishte humbje e dinjitetit të shtetit tim. Pastaj nuk ishte nevoja për fakte të miat. Gjykata kish marrë në dorë shqyrtimin historik. Gjyqtari Kushtetues Zaganjori pyeste e në në të njëjtën kohë kumtonte:
” …Ndërkohë e kundërta ka ndodhur me Barketën. Që do të thotë se ti nuk mund të vesh kufirin në mes, por duhet t’i afrohesh ishullit të madh , në avantazh. Pra duhet të zbatohet parimi i ndershmërisë”. Dëgjonim në sallë, kujtonim se si vija e mesme e marrëveshjes kish ardhur jo më shumë se 930 metër nga kepi i Mërtesës dhe gati trefishi i takonte shtetit fqinj, në drejtim të Korfuzit. Barketa kish ndezur shqetësime, po argumentet e qeverisë sonë të përbashkët i suleshin koordinatave të reja “duke sjellë si matës të pakoregjueshëm ” Google” ” sepse ata nuk mund të dëgjonin faktet që silleshin rishtas.” Ishin të shqetësuar sepse ajo që kishim hedhur në atë sallë gjykimi ishte një thagmë që mund të na prishë marrëdhëniet me Greqinë fqinjë. Prandaj një juristi të Mbrojtjes i kishte mbetur një merak i madh dhe e përsëriti përsëdyti herë pyetjen : ” A i qëndroni deklarimit tuaj, që Barketa ndodhej në ujërat tona?” Në këtë rast nuk iu përgjigja. Veçse një piskamë jugore vinte nga ajo cekinë e përfolur:” jam këtu” Po kush ka vesh të dëgjojë dhe sy që të shikojë.
TEK KËRKONIM VIJËN E MESME TË BARAzLARGUAR, NË OTRANTO
Ndërsa përgatiteshim për të dhënë përgjigjet e pyetjeve dhe po i ndanim ato, sipas profileve, në njërën prej hartave topografike, kufiri i së cilës ishte hartografuar që në periudhën e Luftës së Ftohtë, më erdhi në kujtesë, kreshperimi për të disatën herë e Profesor Sherif Delvinës një historian dhe patriot i shënjuar në luftën për Demokraci, i cili kërkonte hollësi lidhur me vijën tokësore të kufirit midis të dy vendeve, që sipas tij, në disa kurrize dhe lugina nuk ishte në vendin e duhur, por ishte e zhvendosur në drejtim të Greqisë. Në këto muaj përpjekjesh për të bërë sa më transparente këtë marrëveshje asnjëherë Profesori i nderuar nuk u kujtua që të jepte një konsideratë për këtë humbje nga më të mëdhatë që e bënim vetë ne shqiptarët.
Kurse këtu, Gjyqtarët, e Kushtetueses qëndronin mbi të ashtuquajturat vija të barazlarguara, për të mbajtur një drejtpeshim por ishte e pamundur. Zaganjori pyet sikur të ndodhej diku në kurrizin e përzgjatur të maleve Akrokeraune: ” …Imagjinoni një situatë hipotetike sikur ne ta heqim fare Korfuzin, dhe të gjithë ishujt dhe mu përballë Karaburunit do të ishte një ishull me një popullsi fare të vogël. Edhe në këtë rast ne do ta kalonim vijën mespërmes? “Ishte një pyetje e drejtpërdrejtë pak a shumë empirike në kuptimësinë më praktike të kësaj ndarjeje. Krahu tjetër, u shformua edhe më tepër.
Në Auditoriume ata kishin shkuar për të bindur rrethet intelektuale, e gjithë shqiptarët. Mund të kenë ngelur të kënaqur, sepse askush nuk ua kishte bërë një pyetje të tillë. Kurse këtu, ndryshoi puna. Shqyrtimi do të sillte rrethanat gjeografike në tavolinën e gjykimit, për t’i dhënë të Drejtën gjeohistorike por edhe juridike Shqipërisë së shpërfillur. Përgjigja ishte sërish në po të njëjtën tymnajë dhe mjegullirë, ndërsa mjetet lundruese dhe trafiku i anijeve kish ngecur në Otranto. Kush mund ta bënte vallë këtë lidhje të pakuptimtë? Karaburuni nuk mund ta besonte se qëndrën e Otrantos e kishin marrë, kur ai në jetë të jetës, kish sogjetuar atje sipër. Kushtetuesja iu përul Dheut Kontinental. Përfytyrova 150 pika, që vinin njëra pas tjetrës, si kuaj mitikë, që udhëtonin mbi detin Jon, në një dasmë, si në këtë në Marrëveshje dypalëshe. Flamuri i nuses që fillonte nga “njëshi”, prej piramidës tokësore nr 79, në Kepin e Stillos, përballë ujdhesës Tongo, ecte si stafetë, dorëmëdorë i çohej kalorësit të fundit në “150”, ku nusja do të zbriste nga ky kalë mitik…Ky ishte një karvan i cili kish ardhur gjer këtu zbritur prej atij Kalit të drunjtë të mitit të njohur.
Prandaj kjo Gjykatë me përkushtimin e saj do t’i shtojë historisë një syth të pemës së madhe të shqiptarëve kudo që janë, prandaj ajo s’po fyen e nuk shpërfill asnjë palë, veçse pyet e dëgjon, vëzhgon në emër të të Së Drejtës të Shqipërisë.
HARTAT QË S’ERDHËN KURRË DHE KOHËT MODERNE
Ç’nuk kemi dëgjuar asaj dite historike të shqyrtimit Kushtetues. Vijon të jetë i pranishëm një opinion që na pataks për ditë, gjersa nuk marrim dot në dorë hartën e Shqipërisë dhe të Detit të saj, por kemi hartat e shtetit fqinj. Kujt duhet t’i drejtohemi për këtë? Sytë i kemi tek Kushtetuesja e cila na pyet se: “si mund t’i kërkojmë dhe gjëjmë këto harta?”. Gjykata kërkon që t’i ketë ato si një material i depozituar dhe dëshmues. Kjo është mëse e drejtë. Ne shpjegojmë se ç’mundemi, që ato harta janë të Shërbimit Hidrografik Helenik dhe janë përgatitur në mars dhe në prill të vitit 2008. Ato kanë këtë vijë kufiri që ne e kemi me koordinata. Kurse pala jonë, pra ata që janë në krahun tjetër, na njoftojnë këtu përpara Kushtetueses , atë që i habit të gjithë: „ jetojmë në kohë moderne, kur hartat përdoren vetëm në rast se qorrohen satelitët dhe ndodh një avari e madhe, prandaj kemi zgjedhur një rrugë më komode që të përcaktojmë koordinata dhe të mos krijojmë harta…”
Shikohemi sy më sy me Gjiknurin dhe ngremë supet. Hedh vështrimin tek kolegët hartografë po siç shoh ata janë të kënaqur me këtë përgjigje “moderne e satelitore” Ndërkaq harta pafund, në llojshmëri të madhe, e çdo sfere, krijohen e shpërndahen, sepse nuk është aspak e vërtetë se nuk krijohen harta por ato po shumohen. Ligji i Detit i ka shumë të qartë këtë kërkesë. Mirëpo askush nuk kujtohet t’i thotë përfaqësuesve të shtetit, pse vallë tallen kësilloj, me qeverinë e tyre dhe ligjet Ndërkombëtare? Përgjigja nuk i bind dot shqiptarët, sado ngatërresë të sillet me satelitë dhe qorrime të tyre, kur kemi humbur shikimin tonë në ruajtjen e interesave të atdheut. Komedia nuk paska fund. Spektatorët në vend që të qeshin do të derdhin lotë dëshpërimi. Gjyqtarët kushtetues na mbushën me shpresë se thirrja e lashtë e historisë sonë të mbijetesës, për dinjitet nuk ka humbur. Kush dëgjoi vallë Otranton asaj pasdite? Kush e dëgjoi ujdhesën Tongo, Barketën tragjike atë pasdite? Kush e dëgjoi gjirin e humbur të Sarandës, që ende i këndonin këngën e futjes së tij në atë kep të Limjonit? Ai shqyrtim i lartë do të ngelet historik.







