Pse vendimi i Kolegjit ishte i gabuar?

0
98

Intervistë me Niazi Jahon

Konstitucionalisti Niazi Jaho e ka cilësuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rivlerësimin dhe rinumërimin e të gjitha votave të hedhura në kutinë e gabuar si një gabim juridik. Duke e argumentuar në rrugë ligjore, Jaho shprehet se Kolegji ka bërë interpretime kontradiktore, të përgjithshme dhe të sforcuara. Konstitucionalisti e cilëson të gjithë procedurën si të paligjshme pasi që në fillim kemi të bëjmë me një akt normativ dhe jo një vendim të ndërmjetëm.

Zoti Jaho, cili është mendimi juaj për vendimin e Kolegjit Zgjedhor për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara?

Fill pas vendimit numër 709 të KQZ-së, kam shprehur publikisht mendimin se ky vendim nuk ishte i ligjshëm. Argumentet e paraqitura ishin: a) Nuk kishte ndonjë dispozitë ligjore që të autorizonte KQZ-së të vendoste vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë jopërkatëse. Si rrjedhim, vendimi i mësipërm ishte absolutisht i pavlefshëm, b) Edhe sikur vendimi i KQZ-së të mbështetej në ligj, meqë ai përmbante rregulla të reja që i shërbenin zgjedhjeve, duhej votuar me votat pro të 5 anëtarëve të KQZ-së. Shkelja e kësaj procedure të rëndësishme të parashikuar në Kodin Zgjedhor e bënte atë absolutisht të pavlefshme.

Sipas jush, në cilat drejtime vendimi i Kolegjit është i gabuar?

Ai është i gabuar në disa drejtime, por do ta quaja të mjaftueshme të kufizohesha në disa prej tyre: a) Kolegji duhet të kishte parasysh se KQZ-ja është kompetente të nxjerrë vendime dhe udhëzime vetëm në bazë të zbatimit të ligjit ( Neni 21, pika 2 e Kodit Zgjedhor). Asnjë ligj nuk e autorizonte KQZ-në të urdhëronte vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kuti jopërkatëse. Në këtë aspekt, vendimi nr. 709 datë 23.5.2011 është absolutisht i pavlefshëm. b) Kolegji Zgjedhor duhet të konstatonte faktin se KQZ-ja në marrjen e këtij vendimi i është referuar pikës 2 të nenit 21 të Kodit Zgjedhor, që i jep kompetencë atij të vendosë për njehsimin e praktikave zgjedhore. Qoftë edhe vetëm ky fakt tregon se për njehsimin e kësaj praktike kërkohet miratimi i rregullave të reja të detyrueshme për zbatim, gjë që tregon se akti është normativ dhe jo individual. Si rrjedhim, sipas nenit 23 pika 3 dhe nenit 24 pika 1 germa ‘d’, ai duhej miratuar me votat pro të 5 anëtarëve të KQZ-së.

Në vendimin e Kolegjit Zgjedhor është bërë dallimi midis aktit normativ dhe aktit individual. Kolegji është shprehur se vendimi numër 709 i KQZ-së është akt individual. Ç’mendoni për këtë?

Citimi i dispozitave ligjore ku bëhet fjalë për aktin normativ dhe atë individual mendoj se është i saktë, por interpretimi mendoj se është arbitrar dhe subjektiv. Është e drejtë ajo që thuhet në vendimin e Kolegjit se akti normativ në dallim nga akti individual vendos rregulla të detyrueshme sjelljeje, ndërsa akti individual rregullon marrëdhënie konkrete dhe të posaçme. Në vendim theksohet gjithashtu se nëpërmjet aktit individual “nuk vendosen norma të përgjithshme abstrakte”. Në fakt, çfarë ka vendosur KQZ-ja?

Ajo ka vendosur që të vlerësohen dhe të numërohen fletët e votimit të hedhura në kuti të gabuara. Në vendimet e Kolegjit përmendët se kjo bëhet me qëllim që vota të jetë e barabartë dhe të respektohet vullneti i zgjedhësve. Në këtë vështrim, vendimi i KQZ-së cakton rregulla të reja të detyrueshme për zbatimin dhe që i shërbejnë zgjedhjeve. Mirëpo këto rregulla nuk mund të kufizohen vetëm me 117 ose 126 kuti dhe vetëm për Tiranën. Ky rregull do të duhej që zbatohej në çdo zonë zgjedhore (në 66 zonat) nëse subjektet përkatëse do të vinin në lëvizje KQZ-në. Në këtë aspekt do të ishte absurde që vendimi i KQZ-së të konsiderohej akt individual.

Në vendimin e Kolegjit Zgjedhor që legjitimon vendimin e KQZ-së thuhet se: “Statusi juridik i kësaj marrëdhënie nuk shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”. A thua se ky është tregues për ta cilësuar vendimin e KQZ-së si akt individual! Në vendimin e mëvonshëm Kolegji Zgjedhor mendoj se është vënë në pozitë të vështirë. Sepse ai u detyrua të kritikonte veprimin selektiv të KQZ-së dhe të urdhëronte shtrirjen e tij në të gjitha KZAZ-të e Tiranës. Ky qëndrim i Kolegjit e bën më të qartë faktin se vendimi i KQZ-së është akt normativ dhe jo individual. Madje zbatimi i tij mund të shtrihej, siç përmendëm më lart me të gjitha KZAZ-të me kërkesën e subjekteve përkatëse, por edhe kryesisht. Në të kundërtën do të cenohej parimi i barazisë së votës dhe ai i vullnetit të zgjedhësit që përmendëm edhe në vendimin e Kolegjit.

Në vendimin e Kolegjit përdoret shprehja hedhja aksidentalisht e fletëve të votimit në kutinë e gabuar. A ka mundësi që zgjedhësi me dashje ta hedhë fletën në kutinë e gabuar?

Për mendimin tim të dyja mundësitë ekzistojnë. Lidhur me këtë çështje, Kolegji Zgjedhor mendoj se duhet të tërhiqte vëmendjen mbi atë që thuhet në vendimin e KQZ-së se: “Bazuar në udhëzimet e KQZ-së një anëtar i KQV-së kishte për detyrë të udhëzonte zgjedhësit në momentin e hedhjes së votës, pra barra bie mbi KQV-të dhe jo mbi zgjedhësin”. Nëse KQZ-ja parandiente se fenomeni i hedhjes së fletëve të votimit në kutitë jopërkatëse do të përsëritej edhe në zgjedhjet e 8 majit, përse nuk ndërmori masa të tjera të karakterit tekniko–organizativ? Përse vendimin e miratoi pas zgjedhjeve, kur numërimi i votave për Tiranën ishte gati në përfundim? Është vështirë të justifikohet vonesa në ndryshimin e qëndrimit të KQZ-së lidhur me këtë çështje? Cili ka qëndrimi i KQZ-së në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 dhe të 28 qershorit 2009? Ajo është pajtuar me faktin se fletët e votimit të hedhura në kuti të gabuara janë konsideruar të pavlefshme?

Luis Tanushi /Denis Dedej