EUROPA BËN SIKUR NUK E DI

0
60

Andrea Stefani, 22.06.2011

Në 5 mars të vitit 1997, ndërsa Shqipëria zhytej në makthin e një krize të rëndë që do finalizohej me kolapsin e shtetit, sekretari i Jashtëm Britanik, Malkolm Rifkind, deklaroi për radion BBC një ndryshim të qëndrimit ndaj Presidentit Sali Berisha: “Ne nuk jemi të përgatitur t’i japim mbështetje kur ai vepron në mënyrë autoritare dhe diktatoriale gjë që, mjerisht, ka qenë një tipar në rritje i regjimit të tij – tha Rifkind dhe shtoi se qeveria shqiptare nuk ka respektuar “as sundimin e ligjit dhe as principet themelore demokratike të medias së lirë dhe të aktivitetit të lirë për opozitën”. Rreth 13 vjet më vonë, Shqipëria është përsëri në krizë të thellë politike. Dhe përsëri në kokë të kësaj krize është i njëjti Sali Berishë që po si deri në vitin 1997, ka vazhduar të veprojë në mënyrë autoritare dhe diktatoriale.

Gjë që ne mund ta themi sot përsëri me fjalët e Rifkind, ka qenë një tipar në rritje i regjimit të tij të dytë, këtë herë nga pozicioni i Kryeministrit. Çudia është se me gjithë faktet e kristalta të këtij autokratizmi në rritje, nga Brukseli vijnë mesazhe që të bëjnë të kuptosh se atje nuk shohin ose bëjnë sikur nuk shohin se çfarë po ndodh në Tiranë. Nuk është e para herë që ndodh kështu. Edhe në momentet para rrënimit të Shqipërisë nga plasja e flluskës gjigante të piramidave financiare në vitin ’97, qarqe diplomatike europiane (veçanërisht ato konservatore) po mburrnin deri në qiell arritjet “mahnitëse” të Shqipërisë së varfër në rrugën drejt ekonomisë së tregut. Tani shohim të ndodhë i njëjti skenar. Vetëm se Europa ngurron të shkojë deri te denoncimi i tendencave të forta autokratike në kokë të qeverisë. Madje, në të kundërt, pasi ka kritikuar mungesën e shtetit ligjor në Shqipëri, përfaqësues të lartë të saj, sikundër së fundi Baronesha Eshton, këshillojnë respektim të “shtetit ligjor”! Pra, këshillojnë respektimin e diçkaje që nuk ekziston.

* * *

Ashtu si dhe kriza e vitit ’97 nuk erdhi nga hiçi edhe kriza e sotme shqiptare nuk i ka rrënjët në hiç. Prandaj, nuk mund të mos habitesh që edhe analistë me përvojë në punët e Ballkanit, sikundër Tim Judah, habiten që Shqipëria, e cila po ecte aq mirë deri në vitin 2009, bie befas në një krizë kaq të thellë politike. Por, për shumë zëra kritikë në Tiranë (në media, shoqëri civile apo opozitë) nuk ka asgjë të beftë dhe të habitshme në këto zhvillime. Sepse ata jetojnë përditë me gjakimin autokratik të Kryeministrit, me kapjen e mediave dhe gjykatave njëra pas tjetrës, me spastrimin e administratës për shkaqe politike, me presionin politik mbi gjykatat, si dhe me tiraninë e shumicës në Parlament që edhe këto ditë mori vendimin të mos pranojë një kandidaturë të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë vetëm sepse gjykatësja në fjalë nuk jepte shpresa se do mund të shndërrohen në vegël e pushtetit.

Këta zëra kanë vite që kritikojnë kulturën e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë të korruptuar pikërisht, sepse në Shqipëri nuk ekzistojnë gjykata të pavarura pa të cilat sundimi i ligjit, d.m.th. “shteti ligjor” është një utopi. Madje kritikët e regjimit në Tiranë habiten me faktin që diplomacia dhe politika europiane nuk ka pasur sy dhe veshë të shohë me kohë progresin e autokratizmit në Shqipëri që nga momenti i rikthimit të autokratit Berisha në pushtet. Kritikët e autokratizmit berishist në Tiranë janë akoma më të habitur që avancimin e rrezikshëm të autokratizmit, përfaqësuesit e BE në Tiranë kanë rreth 6 vjet që e paraqesin në raportet e tyre vjetore si “progres” drejt Europës. Prandaj dhe habia që shfaqin sot europianët për krizën e “beftë” shqiptare është vetëm një alibi afatshkurtër për verbërinë afatgjatë që ata kanë treguar dhe po tregojnë.

* * *

“…doja të shihja një lëvizje shumë të rregullt përpara, të çiltër e transparente dhe që procesi elektoral të përfundonte në mënyrë efikase” – tha Baronesha Ashton. Por është shumë vonë të flasësh për një lëvizje shumë të rregullt përpara” kur vetë vëzhguesit europianë të ODIHR sapo kanë raportuar një ndryshim nga KQZ të rregullave në fund të lojës mbi një bazë të paqartë ligjore. Pra, procesi ka bërë përpara, por jo në mënyrë të rregullt. Dhe e gjithë kjo e keqe u bë e mundur për shkak të reformimit të KQZ nga një institucion kushtetues me përbërje shumëpalëshe në një institucion jo kushtetues me përbërje dypartiake, por i dominuar nga shumica në pushtet. Në sajë të kësaj reforme, të këshilluar dhe lavdëruar edhe nga europianët, Berisha bëri të mundur që tirania e shumicës aq prezente në Parlamentin shqiptar të manifestohet edhe në KQZ.

Rrëmbimi i fitores së liderit të opozitës, Edi Rama, në tavolinë është rrjedhojë e kësaj tiranie të turpshme dhe të rrezikshme, por që europianët nuk duan ta shohin. Ashton do që gjërat të bëhen në mënyrë transparente. Dhe Berisha me anë të institucioneve të kapura si KQZ apo Kolegji Zgjedhor ashtu po i bën. Ai po rrëmben një mandat ditën për diell duke i kthyer votat e pavlefshme në të vlefshme nën parullën populiste dhe mashtruese të respektimit të çdo vote. Ashton kërkon që procesi të bëjë përpara në mënyrë efikase. Dhe ashtu do të ndodhë. Veç jo për demokracinë, por për autokratizmin berishist. Në sinkron me Baroneshën Ashton, por jo me realitetin e gjërave, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE sapo ka nënvizuar se “është thelbësore që procesi të mbyllet në transparencë, në pavarësi e në përputhje të plotë me kuadrin ligjor”.

Po si mund të shpresohet për pavarësi aty ku autokratizmi ka asgjësuar çdo pavarësi? Në përputhje të plotë me kuadrin ligjor? Po si mund të shpresohet kjo për një proces që nuk është mbyllur pikërisht në sajë të dhunimit të kuadrit ligjor?! Shihet qartë se jo pak qarqeve politike dhe diplomatike europiane nuk i intereson kurimi i rrënjëve të krizës që, si në vitin 1997, është prapë autokratizmi berishist. Ata thjesht nguten ta mbyllin plagën që është hapur duke shpresuar që sëmundjen ta kurojnë më pas me anë të vendosjes së “dialogut” mes palëve. Por dialogu nuk është një fjalë me forcë magjike. Ai nuk mund të kurojë mungesën e drejtësisë që është thelbi i krizës shqiptare. Përkundrazi, është drejtësia që mund të sjellë dialogun dhe jo dialogu drejtësinë. Pa drejtësi dialogu do të jetë vetëm një maskë demokratike e një pushteti të korruptuar që nuk do drejtësi. Siç është në fakt pushteti i Kryeministrit Berisha. Dhe europianët do vazhdojnë të befasohen edhe në të ardhmen me Shqipërinë nëse nuk e ndihmojnë, sa nuk është vonë, të çlirohet nga kanceri i autokratizmit dhe korrupsionit.