Sa më e keqe qeverisja, aq më e madhe propaganda: në këtë kuptim viti 2011 ka qenë shembullor për kastën sunduese dhe i keq për qytetarët. Prandaj, beteja për shpalosjen e së vërtetës dhe qeverisje të përgjegjshme duhet të vazhdojë – edhe në vitin 2012
Enver Robelli, 31 Dhjetor 2011
Në një letër të shkrimtarit Franz Kafka drejtuar historianit të artit Oskar Pollak në vitin 1904 gjendet një pasus i mrekullueshëm mbi vlerën e librave, i cili mund të lexohet edhe si mendim i përgjithshëm mbi vlerën e shkrimit. Kafka nënvizonte: „Besoj se duhet lexuar vetëm libra që të kafshojnë dhe therin. Nëse një libër që e lexojmë nuk na zgjon me një grusht në rrashtë të kresë, atëherë pse e lexojmë atë libër? Që të na bëjë të lumtur, siç shkruan ti? O Zot, ne do të ishim të lumtur edhe sikur të mos kishim libra ose libra të tillë, të cilat na bëjnë të lumtur, prej zori do të mund t’i shkruanim vetë.
Por, neve na duhen libra të cilat ndikojnë ndaj nesh si një fatkeqësi, e cila na dhemb shumë“. Kjo më duket kredoja më e përshtatshme edhe për gazetarët, sidomos në vendet si Kosova, ku liria individuale dhe demokracia më shumë janë formë se sa përmbajtje. Kur kësaj i shtohet keqqeverisja dhe mirëmbajtja e një sistemi plaçkitës, atëherë viti 2011 na del i disfavorshëm për qytetarin e rëndomtë dhe shembullor për kastën sunduese.
“Dinjiteti i njeriut varet nga zgjedhja”
2011-ta mund të mbahet mend si vit i dritës së zbehur dhe i propagandës agresive qeveritare. Mercenarë publicistikë, të veshur me pushtet, i cili burimin e ka nga votat e vjedhura, përpiqen të trullosin opinionin duke trumbetuar „suksese“, „rezultate“, „progres“, „marrëveshje“. – Max Frisch, autori zviceran, shkruan në ditarin e tij: “Më duket se dinjiteti i njeriut varet nga zgjedhja. Kjo e dallon njeriun prej kafshës; kafsha përherë është vetëm rezultat; kafsha s’mund të bëhet fajtore, po aq pak mund të bëhet e lirë; kafsha bën përherë atë që duhet të bëhet; dhe ajo s’e din çka bën. Njeriu mund ta dijë, madje edhe Zoti, i Gjithëfuqishmi, e vë atë para zgjedhjes, nëse dëshiron t’i ndjek engjëjt e tij të mirë apo të ligë; sepse Zoti s’na do si kafshë. Tek nga zgjedhja e mundshme rrjedh përgjegjësia: faji apo liria”. – Duhet të ekzistojë dikush në këtë vend, që godet në rrashtë të kresë me qëllim që rrenat e mëdha të mos na e zënë frymën më tutje. Kjo është detyrë e shtypit të lirë, atij shtypi që nuk i nënshtrohet presioneve dhe nuk merret me kalkulime. Derisa shtypin e lirë nuk e bojkotojnë lexuesit, arsye për shqetësim nuk ka. Ata janë matësi më i mirë i së vërtetës.
Në fund të këtij viti të gjithë ne duam të kthejmë për pak kokën prapa, të shohim, si ishin 12 muajt që ikën në pakthim. Vitin 2011 e përfunduam, mes tjerash, duke shkruar e menduar për vizitën e Angela Merkel në Prishtinë. Ishte një vizitë ushtarëve gjermanë. Pushtetarët e Kosovës u takuan me zonjën tani për tani më të fuqishme politike në botë në një skutë aeroporti. Mesazhi qe i qartë: kryeministrja gjermane nuk është në disponim të vë këmbën në zyrat e shtetit të Kosovës.
Në paraqitjen para medieve ajo nuk humbi kohë, pas pak sekondave theksoi domosdoshmërinë e luftimit të korrupsionit. Nikoqirit të saj, kryeministrit të Kosovës, i cili ia kishte zënë rrugën në aeroport, Merkel s’ia përmend fare emrin, presidentit serb, ndërkaq, po, madje dy herë. Prishjen e raporteve me Gjermaninë e kisha përmendur në kolumnen e parë të këtij viti që po ikën. Po ashtu edhe fyerjet personale që dominonin atëbotë kundër politikanit zviceran Dick Marty. Nuk merreshin qeveritarët e Kosovës me akuzat, por shfryheshin me deklarata kërcënuese e pseudopatriotike. „Do ta hedh në gjyq“, tha atëherë kryeministri.
„Nuk do ta hedhim në gjyq“, tha një sejmen i tij para disa javësh. Paaftësia e palës kosovare që kundër akuzave të rënda të paraqes argumente bindëse dhe të përshtatshme nxiti atëherë reagimin e zëvendësit të ndihmëssekretarit të shtetit të SHBA-ve për Evropë, Tom Countryman. Në një bisedë me „Zërin e Amerikës“ diplomati i lartë amerikan deklaronte se është e dëmshme për Kosovën të kalohet „në sulme personale ndaj zotit Marty apo ndonjë burimi tjetër. (…) Këto sulme personale që mund të interpretohen si kërcënim, thjesht përforcojnë besimin që njerëzit jashtë Kosovës mund të kenë, ndonëse pa arsye, por një qëndrim i tillë përforcon idenë se kundër njerëzve që bëjnë akuza të tilla do të përdoret dhuna. Dhe kjo nuk e ndihmon imazhin e Kosovës”.
Drejtësia si dekor
Gjatë janarit për disa ditë Kosova u largua nga fokusi i lajmeve kryesore rajonale, duke ia lëshuar vendin Shqipërisë. “Në stilin e mafiozëve sicilian: Një video me kryeprotagonist Ilir Metën trondit shqiptarët, por duket që nuk do të ketë asnjë konsekuencë, sepse si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë politikanët qëndrojnë mbi ligjin”, kisha shkruar atëherë. Tani trajtimi juridik i rastit Meta është para dështimit, sepse në Shqipërinë egërshane drejtësia është vetëm dekor. Meta atëbotë dha dorëheqje pas presionit publik, por jo pse ishte i vetëdijshëm se kishte bërë diçka të paligjshme. Në një shtet normal ai do duhej të shkarkohej. Këtë s’e bëri kryeministri Sali Berisha.
Pak ditë më vonë në rrugët e Tiranës do të rridhte gjak gjatë një demonstrate të opozitës kundër “vjedhjes së votave”, siç thuhej. Kjo ishte, pak a shumë Shqipëria e vitit 2011 – një vend në kërkim të paqes me vetveten. Dhe një vend ku në mungesë të debatit për çështjet e mëdha, siç është ndërtimi i një shteti funksional, bëhet zhurmë për “bashkim kombëtar”, edhe pse dihet se hartat në Evropën Juglindore tashmë me pavarësinë e Kosovës janë vizatuar. E tha këtë sivjet në Beograd edhe ministri gjerman i punëve të jashtme, Guido Westerwelle. Duket se askush s’e dëgjoi. Ata që manipulojnë me ndjenja kombëtare, zakonisht janë të shurdhër ndaj kritikës dhe porosive të qarta.
Prej maskaradës në parodi
Pas zgjedhjeve të vjedhura të dhjetorit 2010 (diplomatët flisnin për “përmasa industriale” të votëplaçkitjes) protektorët ndërkombëtarë dhe diplomatët e shteteve me ndikim nisën përpjekjet për daljen nga qorrsokaku. Ata pajtoheshin se zgjedhjet ishin vjedhur, por tani së paku duhej të krijohej “një qeveri e pastër”. Ky ishte një përdhunim i demokracisë, sepse nuk mund të nxirret qeveri e pastër nga një parlament në ulëset e të cilit bëjnë mriz njerëz të dyshuar për krime të rënda, për korrupsion, për urdhra për vrasje, për ndihmë në transplantime ilegale të organeve etj. Futja e personave të tillë në parlament, të cilët mund t’i dirigjosh vetëm me një kërcënim për hetim, do të mbetet njëra prej njollave më të mëdha në biografinë politike të kryeministrit, në fakt sundimtarit aktual të Kosovës.
“Nga një parlament i krijuar me vota të vjedhura dhe i përbërë nga figura të dyshuara për krime të gjithfarëllojshme s’mund të dalë një qeveri e paq”, kisha shkruar në ditët para se të zgjidhej qeveria dhe kur pothuaj me dhunë dhe duke shkelur Kushtetutën do të vendosej në postin e kryetarit të Kosovës një oligark, që u bë personazh medial me nofkën Salep Sulltani (“Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka”). Ky episod tragjikomik i demokracisë kosovare, i imponuar edhe me mesazhe telefonike, mori fund më shpejt se ç’pritej – falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndoshta edhe falë disponimit publik kundër maskaradës që u luajt me Salep Sulltanin dhe nga Salep Sulltani.
Prej maskaradës menjëherë kaluam në parodi. Dalja nga kriza u kurdis shpejt e shpejt, si me automat kazinoje. U bë Kosova me presidente. Ditën kur një police e lavdëruar dhe e panjohur u bë kryetari e shtetit të disa hajnave shkrova: “Secili, e këtu s’bën dallim as zonja presidente, e bën zgjedhjen sipas vendimeve, bindjeve dhe karakterit personal: dikujt i pëlqen të bëhet vegël në duar të tjetërkujt, dikujt të mendojë për pasojat. (…) Kosova tani ka një presidente sezonale, jopolitike, në një kohë kur gjithçka në këtë shoqëri është politike dhe kur si kurrë më parë kërkohen personalitete që i prijnë këtij vendi – në radhë të parë me intuitë politike, me përvojë dhe me vendosmëri të dëshmuar”. Atëbotë pata shpresuar se zonja presidente do të rritet bashkë me postin. Në fund të vitit 2011 opinioni kosovar bëhet dëshmitar i shfaqjeve publike të zonjës kryetare, të cilat janë të palejueshme për këtë ofiq të lartë.
“Erdha, pashë dhe pështyva mbi Kosovën!”
Për çka tjetër do të mbahet mend ky vit? Për vrasjen e Osama Bin Ladenit dhe arrestimin e Ratko Mlladiqit, për revolucionet demokratike dhe të përgjakshme arabe, për 20-vjetorin e shkatërrimit të Jugosllavisë, për 20 vjetorin e pushtimit të Vukovarit nga trupat e Slobodan Milosheviqit, por edhe për faktin se Bosnjë-Hercegovina nuk ka ende qeveri – 14 muaj pas zgjedhjeve. Do të mbahet mend viti 2011 edhe për sagën rreth kontratës për autostradën e parë nëpër Kosovë. “Bechtel është një firmë amerikane, por nuk është Amerika. Asnjë vjedhje e parave të buxhetit të Kosovës nuk duhet të arsyetohet me miqësinë me Amerikën, sepse kjo është fyerje për demokracinë amerikane.
Bechtel kudo ku ka punuar në rajon prapa ka lënë gjurmët e dyshimeve për keqpërdorime. Gjuha me të cilën fyelltarët e qeverisë e mbrojnë kontratën e keqe për ndërtimin e autostradës është fyese për çdo qytetar të Kosovës”. Ky konstatim nga qershori, për fat të keq, mbetet aktual. Është indikative se cilët janë aktualisht “mbrojtësit e vetëshpallur” të Amerikës në Kosovë: personazhe të nëntokës, të futur në parlament me vota të vjedhura, vringëllues revolesh, zhvatës buxheti, kalemxhinj që prej vitesh presin që pushteti t’ua hedh ndonjë kockë.
Meqë Kosova nuk është më referencë e rëndësishme në politikën ndërkombëtare, edhe emrat e diplomatëve që dërgohen për shërbim në Prishtinë s’janë më të rangut aq serioz si dikur. Për këtë u binda për të satën herë dhe pastaj edhe shkrova pasi lexova një libër për Ballkanin të Fernando Gentilinit, aktualisht përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë. Një libër i ndërtuar me stereotipa dhe paragjykime në stilin: erdha, pashë dhe pështyva mbi Kosovën!
Si po përfundon ky vit? Sapo kemi lënë prapa samitin e Bashkimit Evropian. Serbisë iu shty statusi i kandidatit, Kosova nuk mori asgjë, përveç disa premtimeve. Fatos Nano shpalli publikisht synimin për t’u bërë president i Shqipërisë. Ky lajm çuditërisht u prit mirë edhe nga disa eksponentë të Partisë Demokratike të Sali Berishës – ndonëse ky i fundit për Nanon kishte thënë se është kumarxhi dhe diler droge. – Ç’mund të presim nga viti 2012? Për fat të keq kjo nuk është kohë kur vetëm shprehja e dëshirave na bën të ndihemi mirë, sepse llogarisim që diçka pozitive do të ndodhë.
Për t’u bërë mirë duhet të vazhdojë angazhimi publik për shpalosjen e së vërtetës dhe për qeverisje të përgjegjshme. “Secili mund të jetë i zemëruar, kjo është punë e thjeshtë. Por, të jesh i zemëruar në atë që duhet, në masën e duhur, në çastin e duhur, me qëllim të drejtë dhe në mënyrën e qëlluar, kjo është vështirë”, shkruante Aristoteli. Vërtet e vështirë, por jo e pamundshme. Kush nuk zemërohet përballë padrejtësive, s’e meriton as lirinë, sepse një ditë ajo do t’i kthehet në robëri. Nuk është robëri vetëm mungesa e lirisë. Robëri është edhe pamundësia për të qenë i lumtur në kufijtë e jetës normale.
Vaclav Haveli i sapovarrosur na ka lënë një porosi, e cila duhet të jetë lajtmotiv i çdo qytetari të Kosovës në vitin 2012: “Ju mund të pyesni se çfarë Republike ëndërroj unë. Më lejoni të përgjigjem: Unë ëndërroj një Republikë të pavarur, të lirë dhe demokratike, një ekonomi të begatë dhe shoqëri të drejtë, me pak fjalë, një Republikë humane e cila i shërben individit dhe shpreson se edhe individi do t’i shërbejë. Për një Republikë me njerëz të harmonishëm, pasi përndryshe do të ishte e pamundur të zgjidhnim problemet tona, njerëzore, ekonomike, ekologjike, sociale dhe politike”.
Viti 2011 ishte vit i dritës së zbehur dhe i shpresave të humbura. A do të jetë ndryshe viti 2012? Se çfarë Republike do të kemi varet vetëm prej teje, qytetar dhe qytetare e Kosovës!







