Enverizmi i Qoses dhe kritikat që i vijnë nga të dy krahët

0
28

NGA MUSTAFA NANO, 8 SHKURT 2013

Shkrimi Albert P. Nikollës me titull “Cytësi Rexhep Qosja dhe humusi i çuditshëm mikpritës”, i publikuar në Mapon e sotme, është i disati shkrim anti-Qose që bëhet në shtypin e këtushëm; dhe është për t’u nënvizuar se, ndërsa shkrimet e tij kritike ndaj regjimit të Berishës (më saktë, regjimeve të Berishës) janë të mirëpritura në Tiranë, të paktën nga “gjysma” e opinionit publik, shkrimet apo idetë e tjera, me të cilat ai rreket ta nxjerrë në një dritë pozitive figurën e Enver Hoxhës, dhe diktaturën e tij pothuaj 50 vjeçare, kanë kapur në befasi shumëkënd.

Personalisht, jam munduar ta them timen në një shkrim të publikuar edhe në këtë sit (ndiq linkun: http://respublica.al/opinion/2012/11/22/qosja-nxjerr-enver-hoxhen-te-lare-por-keshtu-nuk-behet-i-besueshem ). Po kështu ka shkruar Andrea Stefani (ndiq linkun:

http://respublica.al/opinion/2012/12/14/nje-lajthitje-e-rexh… ), e më pas të tjerë “në të djathtë”. E prandaj Albert P. Nikolla nuk është shumë i saktë kur thotë në shkrimin e tij se “[në Tiranë] ka një humus mikpritës ndaj parullave enveriste [të Qosjes]”.Shqetësimi i Nikollës, sidoqoftë, qëndron.

Ka pohime të Qosjes, të cilat ia komprometojnë keqas seriozitetin e thellësinë akademike, siç janë ato që Nikolla ka zgjedhur t’i nxjerrë në pah: “1. Enver Hoxha nuk bëri asnjë krim. Pa dijeninë e tij, diktatorët e vegjël dhe të mesëm i kryen krimet që tani po ia ngarkojnë mbi shpinë Enver Hoxhës; dhe 2. Sipas mendimeve të mia, historia shqiptare ndaj Ahmet Zogut dhe tradhtive të tij ndaj interesave kombëtare do të jetë gjithnjë e më zhvlerësuese e kjo më zhvlerësuese do të thotë se do të jetë më shkencore.

Historia shqiptare ndaj Enver Hoxhës, ndërkaq, do të jetë gjithnjë e më vlerësuese dhe kjo do të thotë se do të jetë më shkencore.”Në fund të shkrimit (mund ta gjeni të plotë në linkun: http://www.mapo.al/2013/02/08/cytesi-rexhep-qosja-dhe-humusi… ), Nikolla demonstron se nuk është i pickuar veç nga enverizimi i Qosjes.

Është i pickuar edhe nga antiberishizmi i tij, dhe kështu duket qartë se nën kritikat e drejta qëndron edhe një motivim i dyshimtë. Ja ç’thotë ai: “E shikoj të padenjë dhe joserioze ndërhyrjen e tij agresive dhe fyese ndaj politikës shqiptare. Politika shqiptare ka problemet e saj, ka evolucionin e saj, ka kulturën e saj, ka të metat e të mirat e saj, por nuk meriton delegjitimimin stalinist të Qoses, që përdor fjalor aspak të denjë për një njeri që pretendon se i është dedikuar shkencës e studimit.” Qosjen e thërrasin prore “akademik” (siç thërrasin Ngjelën “avokat”), por Nikolla duhet ta dijë se shkrimet e intervistat e Qosjes të publikuara në gazeta janë të një natyre publicistike.

Askush s’ka të drejtë ta qortojë Qosjen pse merr pjesë në jetën publicistike të Tiranës, apo pse është një intelektual i angazhuar, apo pse shkruan për Shqipërinë duke qenë kosovar.Duket pra se Nikollës, përveç enverizmit të Qosjes, i japin bezdi dhe kritikat që Qosja nuk i ka kursyer ndaj Berishës. Lind pyetja: Si ka mundësi që Nikolla e sheh enverizimin tek shkrimet publiçistike të Qosjes, e nuk e sheh asnjëherë tek praktikat qeverisëse të Berishës? Cili është enveristi më i madh, Qosja apo Berisha? Po enveristi më i rrezikshëm?