Aleksandër Çipa, 19.06.2011
Ka disa kohë që me një këmbëngulje befasuese dhe me itinerar të qartë diplomatik, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaron: “Krijimi i Shqipërisë së Madhe është aktualisht një realitet politik. Dikush në bashkësinë ndërkombëtare, vazhdon të mbetet në favor të Shqipërisë së Madhe”. Ky është një pohim tronditës nëse merret në konsideratë historia 100-vjeçare e qëndrimeve dhe sjelljeve që Serbia ka pasur ndaj shqiptarëve dhe së drejtës së tyre historike në mbi një shekull jetë. E kam fjalën për një tronditje që lidhet me përmbysjen e beftë të qëndrimit zyrtar historik të shtetit ballkanik, i cili nuk e ka të lehtë të fshijë nga memoria dhe nga kujtesa institucionale e njerëzimit, atë që gjakoi në kaq dekada. “Mitin e Shqipërisë së Madhe” nuk e krijuan shqiptarët, as e kërkuan ndonjëherë atë. Deklarata e ripërsëritur e këtyre ditëve e Presidentit serb, zbardh një autorësi shumëdekadëshe, identifikon autorësinë e një sintagme me përmbajtje dhe semantikë të pastër gjeopolitike.
Serbia e sotme po përmbys historinë e vet në raport me shqiptarët. A thua se ka ndodhur realisht “meakulpa” e këtij shteti ndaj fqinjëve të vet? A thua se politikani Tadiç po kapërcen “ylberin” e fanatizmit të tij kombëtar? Çfarë fshihet realisht matanë kësaj ikjeje nga qëndrimi 100-vjeçar i kombit dhe shtetit serb?
Këto pyetje që duhej të rridhnin natyrshëm për çdo njohës dhe sidomos diplomat europiane përballë kësaj lëvizjeje apo ndryshimi politik që po ofron politika serbe ndaj shqiptarëve, duket se po përcillen me indiferencë nga diplomacia dhe politika shqiptare. Një reagim nënvleftësues i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, zotit Edmond Haxhinasto nuk është e mjaftueshme, sikundër heshtja e kompleksuar e qeverisë së Kosovës dhe sidomos e diplomacisë rishtare të saj.
Matanë kësaj “bujarie serbe” duhet të lexojmë skemën reale që përgatit dhe ka ideuar shteti që na ka ofruar një bashkëjetesë armiqësie në kaq dekada e pse jo shekuj. Këtë ikje nga qëndrimi i vet kombëtar, nuk mund të presim të na i zbardhë vetë zoti Tadiç. Nëse do e prisnim këtë, naiviteti ynë do të rikompozohej edhe në të ardhmen e afërt si pësim dhe fatkeqësi për vete.
Çështja është më serioze dhe më e rëndësishme nga sa shfaqet. Diplomacia jonë së pari duhet të shumëfishojë transparencën e bisedimeve, nëse ekzistojnë. Nëse ato nuk kanë nisur, së pari duhet të kërkohet po kaq zyrtarisht dhe energjikisht nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës, të zbardhet një ofertë-projekt i tillë. Këmbëngulja e presidentit serb nuk është thjesht propagandë, as patetikë për të mjegulluar një skemë të cilën e ka mirëpërgatitur në këtë tranzicion të shtetnjohjes së Kosovës. Edhe për një diletant të leximit të diplomacisë dhe zhvillimeve në terrenin aktual gjeopolitik, kjo skemë është projekt për transferimin e një problemi të madh ballkanik, në një situatë dhe pamje të re. Kjo ofertohet pikërisht në momentin kur investimi i madh ndërkombëtar dhe ai kombëtar e institucional shqiptar për konstituimin, forcimin dhe promovimin e shtetit të ri të Kosovës. Ky proces i ardhur përmes një rruge të mundimshme, përmes një investimi shumëplanësh dhe tejet të kushtueshëm, është premisa dhe pse jo edhe kapitulli më serioz paraprirës i subjektit që ka hyrë në orën e vet të pakthyeshme të zgjidhjes. Propozimi i beftë i zotit Tadiç, është paralajmërim serioz për një rrethanë të re më komplekse në të cilën do të gjenden të gjithë faktorët institucionalë shqiptarë në rajon, më së paku në tri shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Ky është një propozim i ardhur në një moment kur shembja mund të imponohet, duke servirur një skemë që prish gravitetin e investuar së paku, në mbi një dekadë me kujdestari dhe përkushtim ndërkombëtar, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe sidomos për vetë Serbinë.
Por cili është rreziku më i lexuar i kësaj që propozon befas Presidenti i Serbisë, politikani që ka kohë që ka formësuar imazhin e vet në Bashkimin Europian si një protagonist liberal dhe bashkëpunues në rrjedhat dhe me aktorët e politikës së sotme rajonale në Ballkan dhe Europën Juglindore? Për ne shqiptarët, rreziku më i lexuar që mbart ky propozim lidhet së pari me papërgatitjen tonë për një skemë të tillë të re dhe të përshpejtuar në kohë. Ajo ka shumë risqe në vetvete. Risku i parë është copëtimi i Kosovës, është lënia në përjetësi si të humbur e Mitrovicës dhe rrethinave të saj në zonën veriore të Kosovës, është një pësim për viset e Luginës së Preshevës dhe natyrisht është risku i rihapjes së problemeve aty ku i kanë investuar në heshtje dhe mavijosur falë periudhës së trazuar të këtij tranzicioni postkomunist në Shqipëri dhe Maqedoni.
Por rreziku më i madh që mbart sot ky propozim serb lidhet me pafuqinë dhe papërgatitjen tonë kombëtare për sendërtimin e ekuilibrave të brendshëm, e atij graviteti të brendshëm, i cili është jetik për përshtatjen brenda një organizmi të ri institucional, funksionimi i të cilit nuk është aq i lehtë e aq i kollajtë, pavarësisht nga patriotizmi dhe shkumëzimi folklorik që mund të na kaplojë. Serbia na i njeh këto cene, sepse për to ka ditur edhe të investojë në vjetët dhe dekadat e një shekulli, në të cilin satanizimi për “Shqipërinë e madhe” ishte programi më i rëndësishëm kombëtar i saj. Sot ajo po bën një ikje të beftë prej qëndrimit të vet shekullor, një ikje prej platformave dhe strategjive që përpunoi dhe hartoi dekadë pas dekade Akademia e Shkencave dhe diplomacia tradicionale dhe ajo institucionale e saj. Kaq lehtë e fal mundin e saj Serbia?! Ku do na e nxjerrë “minaren” e inatit apo “kleçkën” e pësimit ky shtet, i cili historinë e vet e rëndoi me gjakun e popujve, e sidomos tonin, në masë të pazhbëshme? Kujdes! Serbia, kësaj here, ka vendosur të na marrë, përmes dhënies!







