Gjuha vret edhe në Bruksel

0
99

Ilir Yzeiri, 19.06.2011

Para disa ditësh, një grup deputetësh shqiptarë të të dyja krahëve politikë, u takuan në Bruksel me deputetët europianë në një sallë të posaçme, me qëllim që të arrinin së bashku një marrëveshje në mënyrë që kriza politike në vend të zhbllokohej disi. Natyrisht as unë, por mendoj as edhe ndonjë naiv tjetër që thith ajër në Republikën e Shqipërisë, nuk mendonte se do të arrihej një synim i tillë. Ajo që u arrit ishte një “paqe fëmijësh”. Siç tha eurodeputeti Kukan, ata e mbajtën fjalën dhe nuk u shanë, nuk u zunë, nuk e fyen njëri-tjetrin si çdo herë.

Dhe ai, me një farë ironie të lehtë, tha se i kishte falënderuar për këtë akt. Mirëpo, një gjë tjetër, më banale se kaq u shtoll atje. Këtë radhë ata shihnin njëri-tjetrin dhe ishin gati ta shqyenin, por i mbajtën fjalët, sepse mllefin e kishin me dikë tjetër. Të gjithë kishin një kureshtje të shtuar këtë herë se çfarë do të ndodhte në teatrin e radhës, atje në sallat e Brukselit. Çfarë do të bënin këta shqiptarë të përçarë, inatçorë, grindavecë, hileqarë, shqiptarë që janë gati të theren me njëri-tjetrin vetëm e vetëm që të mos ulin hundën para të huajve, pra çfarë shfaqjeje banale e të turpshme do të jepnin këtë radhë në mënyrë që jo vetëm të na fyenin të gjithëve, por edhe të na poshtëronin si komb.

Këtë radhë, ata e mbajtën veten, pra nuk u shanë dhe ajo që tërhoqi vëmendjen, ishte dialogu i një deputeteje të pozitës me komisionerin Fyle. Pra gjithë mllefin e grumbulluar dhe të paderdhur mbi surratin e kolegëve të opozitës, ajo e hodhi në dialogun me zotin Fyle. Ky dialog i ndërtuar me pyetje retorike është kuintesenca e gjithë dramës, apo më saktë e gjithë komedisë që u luajt në Bruksel, e komedisë që u luajt dhe u pa vetëm nga aktorët e atij spektakli bajat.

Deputetja Vokshi, siç raportuan disa media dhe siç u pa në transmetim e pyeti komisionerin Fyle se si do të silleshit ju në vendin tuaj me një kryetar opozite që bën një mijë e një të zeza. Nuk kam ndërmend të riprodhoj gjithë dialogun këtu, por dua të analizoj me këtë rast se çfarë shpreh dhe çfarë përmban nga pikëpamja hermeneutike (interpretimi i thënies nga bashkëfolësi dhe plotësim i kuptimit prej tij) ky dialog.

Pyetja retorike, siç e dimë të gjithë, është një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, pra është një pohim sublim, madhështor që folësi bën duke e ftuar bashkëfolësin e tij që të mahnitet edhe ai me konstatimin e folësit. Por pyetja retorike mund edhe të marrë vlerën e një pohimi tjetër, në ato raste kur folësi do të konstatojë efektin negativ të objektit të thënies, duke u çuditur në fillim vetë me konstatimin që ka bërë dhe në radhë të dytë, duke ftuar edhe bashkëfolësin që të marrë pjesë me përdhunë në konstatimin e folësit. Zakonisht, në ligjërimin gjyqësor dhe sidomos në fjalën e avokatit, vihen re pyetje retorike, të cilat synojnë që, duke iu drejtuar palëve, të shpërndajnë me këtë rast qëndrimin e avokatit edhe te palët që dëgjojnë, të shkëpusin prej tyre një pohim të heshtur.

Ndërsa në ligjërimin diplomatik pyetjet retorike janë thënie me karakter të thellë fyes dhe e bëjnë bashkëfolësin që të ndihet i goditur dhe i nëpërkëmbur. Kur zonja Vokshi i është drejtuar zotit Fyle me pyetjet retorike për liderin e opozitës, duke i thënë frazën fatale “si do të silleshit ju në vendin tuaj me një lider të tillë”, ajo e ka zbritur nivelin e bashkëbisedimit nga dialogu në akuzë. Bashkëbiseduesi i saj nuk është më një partner, por një i akuzuar prej saj si mbrojtës i një “lideri të çmendur”, i një “anarkisti”, i një kryeopozitari që kërkon të marrë pushtetin me dhunë, që kërcënon gjykatat etj. Pra, zoti Fyle, pas kësaj, nuk është më partner në bisedim, por një i akuzuar prej zonjës Vokshi.

Ky standard që u shfaq në Bruksel, shpreh më së miri mënyrën tonë të të menduarit dhe thelbin tonë socialpsikologjik. Në historinë tonë ne nuk kemi pranuar asnjë arbitër. Legjendat me sallat e Perëndimit ku shqiptarë “zulmëmëdhenj” nxirrnin patllaken në dhoma lordësh, demaskimet e Enver Hoxhës në Bukuresht apo në Moskë janë shtrati mbi të cilin është ndërtuar edhe sot sjellja e trashë dhe agresive e parlamentarëve tanë të cilët, kur takohen me partnerët e huaj, nuk shohin atje arbitrin dhe gjykatësin e urtë, por shohin palët e transportuara nga Tirana në Bruksel. Ne kemi shumë cene si komb. Flasim me zë të lartë, nuk dëgjojmë kur tjetri flet, u japim mend të gjithëve, sillemi me të huajt si të ishin provincialë të trashë dhe, tash në fund, kemi filluar të tregojmë edhe agresivitetin banal e të pështirë.

Të folurit është veprim dhe bashkëbisedimi është institucion që disa e kanë quajtur aq të kodifikuar sa mund të përfillet si i rregulluar me një kod juridik. Dallimi i perëndimorëve me të pagdhëndurit, me kokëtrashët bëhet në momentin kur ne flasim. Sepse njeriu për t’u parë se çfarë përmban në tru e në shpirt, ka vetëm fjalën dhe shoqëritë perëndimore, të vetmin vend në të cilin tregojnë forcën, guximin, trimërinë, zgjuarsinë, kanë bisedën. Mirëpo, ata njerëz që nuk dinë të bisedojnë, pra që nuk dinë t’i zgjidhin problemet e tyre me anë të bashkëbisedimit, për fat të keq, do të jenë të detyruar që të tërhiqen zvarrë si popuj pa dinjitet dhe të tjerët do të na tregojnë me gisht si njerëz që nuk e dimë ende se në bashkëbisedim gjithmonë njëri flet dhe tjetri dëgjon dhe askush nuk mund ta provokojë tjetrin me insinuata banale apo me pyetje retorike agresive.

Dhe më në fund, ajo që tërheq vëmendjen është se protagonistet e këtyre skenave janë femra. Një grua tjetër ka lemerisur të gjorën Tanja Fajon, duke i treguar historinë e Griseldës. Një grua tjetër gjithashtu na lemeris në Parlament sa herë flet. Si ka mundësi duhet të pyesësh në këtë rast që një grua sillet si një burrë agresiv? Për fat të keq këto gra janë përfaqësuese të së djathtës, mirëpo kjo mënyrë të sjelli, ky ligjërim që ato përdorin të kujtojnë tipin e femrës komuniste që i thyente hundët armiqve, që, në memorien kolektive është e ngulitur me pantallona me vaj makinash, me një bllok në dorë dhe me shikimin lart.

Kjo femër është përçudnimi i feminilitetit dhe maskilizmi i pështirë komunist që u bart te gratë shqiptare si një formë karriere, për të shkallmuar sensualitetin e butë dhe sjelljen e ngrohtë e të ëmbël. Ringjallja e këtij modeli na bind se për fat të keq nga ajo periudhë nuk kemi ndryshuar asgjë, përveçse jemi bërë më të liq.