
Nga Ardian Klosi
Edhe pse jeta kulturore në Shqipëri duket e fjetur, sepse ngjarje kulturore ka fare pak, përsëri debati në kulturë ose më mirë nën kulturë zien. Vetëm se për fat të keq pa u folur për çështje mirëfilli kulturore, por ai prapëseprapë zien sepse është, si shumica e debateve te ne, politik dhe shterp.
Kështu dje m’u desh të dëgjoja e të shihja të nënkuptuar emrin tim, në shkrimin e Agron Tufës te “Gazeta Shqiptare”, si një ndër pinjojtë e “Bllokut” që nuk duhet të kenë guxim e fytyrë të shprehen për rastin Kongoli para se të japin llogari për familjet e tyre. Për lexuesin e informuar nuk është e vështirë të kuptojë që mllefi i Tufës drejtohet pikërisht kundër personit tim edhe pse nuk më përmend me emër. Me stilin e zakonshëm të gjysmë frikacakëve që një gjysmë, ku bëjnë sikur janë të shqetësuar për një çështje të madhe kombëtare (në rastin konkret për deponimet e dikurshme në gjyq të Fatos Kongolit dhe të drejtën morale që ka një ish-bllokmen për ta kritikuar), e shtypin në gazetë, ndërsa gjysmën tjetër ose shkakun kryesor pse sulmojnë një koleg, nuk e shtypin, por e fshehin duke menduar se kolegë dhe lexues të tjerë të pavëmendshëm nuk do ta kuptojnë.
Para se të rikthehem te rasti Kongoli, dua të shpjegoj këtë shkak të vërtetë. Pak kohë më parë botova në një gazetë on-line (ose blog) shkrimin me titull: “Të jetosh në taraf”. Aty shpjegoja se si Tufa është bërë vitet e fundit figurë emblematike e një tarafi të caktuar kulturor (politik), i cili, pasi zë pozita kyçe në ministrinë e Kulturës, në Fakultetin e Letërsisë (ku Tufa është profesor dhe gruaja e mikut të tij më të ngushtë, deputet i PD, shefe katedre), në RTSh (ku Tufa është kryetar i Këshillit Drejtues), në Kinostudio e Teatër Kombëtar (ku Tufa është përsëri anëtar bordi), shpërndan çmime kombëtare brenda një rrethi të caktuar vicioz që përputhet ku më pak e ku plotësisht me tarafin.
Kjo ka bërë që çmimet kombëtare të jenë krejtësisht të pabesueshme, të ngrihen emra të pamerituar, të shmangen punëtorët e vërtetë të kulturës dhe të ndiqet nga viti në vit sistemi i rotacionit brendatarafor. Tarafi, më tej, punon që personat e padëshiruar prej tij, të nxihen edhe në tekstet e shkollave, çështje të cilën rastësisht e zbulova në një libër shkolle të vajzës sime. Ky ishte thelbi i shkrimit tim që u botua në një blog dhe jo në gazetën time “Shekulli”, pikërisht për shkak të përhapjes së madhe që ka “Shekulli”, për t’i rënë si të thuash një kambanëze e jo një kambane, për t’i dhënë kolegut a kolegëve mundësi meditimi të qetë për këtë problem.
Siç shihet nga shkrimi i djeshëm, meditimi jo vetëm që s‘ka qenë aspak i qetë, por është kthyer në një gjenerator të vërtetë urrejtjeje. Debatin aktual të sotëm për tarafet kulturore – unë mund të kisha qenë i gabuar, por pse të mos merrja një përgjigje për atë shkrim? – Tufa e zhvendos në një debat që përfshin biografinë e tim ati, për të thënë: ti rri, pusho, se s’ke të drejtë të flasësh.
Se sa duhet përfshirë një person tretë i vdekur në vitin 1978 në një debat aktual të vitit 2011, këtë publiku le ta gjykojë vetë, se sa ka kuptim që unë të sulmoj personin e zotit Tufa me emrin e babait ose gjyshit të tij, sikurse bën anasjelltas z. Tufa me mua, këtë le të na e shpjegojë vetë ai. Unë do t’i thosha që bën mirë të zhvillojë dy polemika të veçanta: një kundër personit tim dhe një kundër tim ati ish-partizan e ish-funksionar i shtetit komunist, një të tretë po deshi edhe kundër gjyshit tim, dijetar e si-themelues i arsimit shqiptar. Se ndryshe, kur kërkon të sulmojë atë që përfaqësoj unë si Ardian dhe vetëm si Ardian Klosi nëpërmjet paraardhësve të mi, është jo më pak qesharak se ajo deputetja e PD-së, dje nuse e Bllokut, që sot ulëret kundër “neobllokmenëve” ose ish-ministri i drejtësisë Bumçi që i bën thirrje Edi Ramës të kërkojë falje për krimet e babait të tij (skulptor).
E gjithë demagogjia me bllokun dhe fëmijët e bllokut që ka për baba shpirtëror Berishën, pikërisht sahanlëpirësin e bllokut deri në vitin 1990, rimerret dhe amplifikohet për çudi nga njerëz që mbahen si të kulturës, si të letërsisë së madhe botërore, në momentin kur s’kanë argumente për një temë aktuale. Veç të kuptohemi, ajo nuk është naivitet. Sulmi ndaj ish-fëmijëbllokmenëve, fsheh në të vërtetë frikën se babait shpirtëror po i lëkundet pushteti dhe bashkë me largimin e tij që andej, humbasin edhe funksionet, bordet, juritë, çmimet, tekstet e shkollave dhe gjithë të tjerat. Ndryshe vrazhdësinë e polemikës nuk mund ta kuptoj. Si një tenxhere që nga llokoçitja e avujve ka humbur kapakun.
Të vijmë tani te debati Kongoli, të cilin e ka rihapur në mënyrë të shpifur “Gazeta Shqiptare”, ndoshta thjesht për të hequr vëmendjen nga tema shumë më të mprehta aktuale. Është e vërtetë se mund t’i kem rënë më qafë më shumë se ç’duhet Fatosit me një opinion timin të para dy muajve, kur thashë se kishte heshtur tepër gjatë. Veç më vonë morëm vesh, nga përgjegjësi i arkivit të Ministrisë së Brendshme, se shkaktari dhe denoncuesi i vërtetë i tre personave të arrestuar për agjitacion-propagandë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitin 1980 ishte dikush tjetër, tepër i fshehur në atë kohë si agjenturë e Sigurimit.
Ndërkaq, problemi i vërtetë i kolegut tim të dikurshëm në “Naim Frashëri”, shkrimtarit në emër Fatos Kongolit, nuk ishte të qenit denonciator, por (sikurse është edhe sot), përputhja e tij tërësore me regjimin në fuqi, mungesa e plotë e revoltës ndaj autoritetit. Mbaj mend që atëherë nuk kishte asnjë fije disidence, që pengu i tij më i madh ishte se qe pranuar kandidat partie, por mu në mes të stazhit i dënuan të atin dhe kështu s’arriti dot të bëhej komunist me parti. Po kështu sot, është i pari që nënshkruan sa herë që regjimi demokratik i kërkon të rreshtohet në ndonjë peticion kundër opozitës etj.
Kjo, e theksoj, pavarësisht veprës së tij. Unë i uroj me gjithë zemër Fatosit që t’i mbetet vepra letrare dhe gjithë këto të tjerat të harrohen. Po kështu shpresoj që vepra letrare e Tufës në të ardhmen të jetë aq e mirë, ta përpijë aq shumë, sa mos t‘i lërë më kohë për cicmicllëqe dhe sulme me kod gjenetik. Megjithëse me thënë të drejtën nga romani i tij me titull “Tenxherja”, pak shpresa kam.







