Tim Judah: Shqipëria edhe dy vjet larg integrimit. Vendi tani në telashe ekonomike

0
48

Gazetari i mirënjohur britanik i ‘The Economist’ komenton zhvillimet e fundit në Shqipëri pas zgjedhjeve të 8 Majit dhe perceptimin e Brukselit

Nga Muhamed Veliu, Top Channel

Gazetari britanik i prestigjozes ‘The Economist’, Tim Judah, është një vëzhgues i ftohtë i zhvillimeve në Ballkan duke sjellë artikuj të sikletshëm për politikbërësit e rajonit këto 20 vitet e fundit. I tillë është edhe gjatë një interviste për Top Channel ku ai prerë thotë se për aq kohë sa Shqipëria nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje lokale të pranueshme nga palët, shikimi drejt Bashkimit Europian kur tashmë diplomatëve të Brukselit i ka ardhur në majë të hundës me Shqipërinë, është diçka përtej pritshmërive reale.

Cili është komenti juaj për situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 8 Majit?

Unë mund të reflektoj mendimet e shumë të huajve që ndjekin se çfarë po ndodh në Shqipëri. Të gjithë ne jashtë Shqipërisë jemi shumë të zhgënjyer. Deri në vitin 2009 Shqipëria bëri një progres nga ato vite kaotike që kaloi gjatë vitit 1997 dhe më pas. Që prej vitit 2009 gjërat për Shqipërinë po shkojnë gjithnjë e më keq. Por ishte një lloj shprese që siç më është treguar në Shqipëri se kjo gjendje statu quo-je mund të thyhej nëse njëra apo tjetra palë do të fitonte në zgjedhje, gjë e cila do të qartësonte panoramën politike. Siç të gjithë ne e dimë, kjo nuk ka ndodhur dhe situata është përkeqësuar. Të jem i sinqertë me ju, shikoj shumë njerëz të cilëve kur u përmendet fjala Shqipëri s’e kanë me qejf të flasin për të, ndjehen të zhgënjyer.

Në artikullin tuaj të fundit për ‘The Economist’ kryeartikulli është “Të gjithë të sëmurë nga Shqipëria”, ku citonit një diplomat nga Brukseli. Ishte ky një diplomat i nivelit të lartë që shprehte mendimin e tij apo kjo është atmosfera në Komisionin Europian për Shqipërinë?

Fillimisht dua të sqaroj se nuk jam unë që shkruaj titujt, po vetëm shkrimin. Kryeartikulli nuk ishte një citim, por ajo që dilte nga kuptimi i shkrimit. Po, burimi të cilit i referohem në shkrim ishte një diplomat i rangut të lartë në Komisionin Europian që normalisht nuk do t’ja them se kush është ai. Në përgjithësi diplomatëve në Bruksel iu është sosur durimi, janë të mërzitur pasi ata kanë kërkuar një diçka minimale për një vend demokratik: bërjen e zgjedhjeve lokale. Me të drejtë pyesin, dreqi e mori, a mundet që Shqipëria të bëjë një palë zgjedhje siç duhet dhe ne të vijojmë të merremi me çështje të tjera për t’ju afruar juve si shtet në Bashkimin Europian.

Pra, ishte një opinion i tij personal, apo është një perceptim i përgjithshëm në Bruksel për Shqipërinë?

Ky ishte opinion i një personi, por mendoj se nga bisedat që kam pasur me të tjerë diplomatë dhe për ta kjo është një pikëpamje e përgjithshme.

Nëse do t’i referohemi burimeve tuaja në Bruksel, çfarë opinioni ata kanë në lidhje me rezultatin e ndryshuar në KQZ për Tiranën?

Nuk kam pyetur në mënyrë specifike në lidhje me këtë. Po mendoj se ka nga ata që mendojnë se çdo votë duhet numëruar siç edhe demokratët thonë, ka edhe nga ata që thonë se rregullat u ndryshuan në tavolinë siç thotë partia Socialiste në mes të procesit. Por kjo ka pak rëndësi për ta pasi ajo që i është kërkuar Shqipërisë është mbajtja e zgjedhjeve, të cilat në fund të jenë të pranueshme për të dyja palët. Çështje kutish apo fletësh të hedhura gabim kur vjen puna për zyrtarët e Brukselit kjo kthehet thjesht në një detaj por kur jeni në Tiranë kjo është një çështje që merr rëndësi. Për diplomatët në Bruksel detajet janë jo me rëndësi. Për ta është e rëndësishme thjesht mbajtja e zgjedhjeve normale dhe kaq. Duhet të kuptoni se shumë gjëra që për shembull në Ballkan duken të rëndësishme, që në fakt janë të tilla, por kur i shikon nga jashtë atëherë s’janë aq të rëndësishme pasi ka gjëra të tjera me peshë që ruajnë rolin e tyre. Pra, detajet se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit nga jashtë nuk duken një çështje e rëndësishme pasi në Bruksel mund të thuhet neve s’na bëhet vonë për detajet për aq kohë sa zgjedhjet janë të lira dhe gjithsecili pranon rezultatin.

Duke mos realizuar zgjedhjet siç i kërkon Europa, çfarë kosto vjen më pas për Shqipërinë?

Po, tani Shqipërisë i duhet të presë edhe dy vjet të tjera pas një shpërdorimi dyvjeçar kohe. Këto vite që humbet Shqipëria, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e humbin konfidencën ndaj vendit tuaj që do të thotë një vend pa konfidencë përkthehet në një vend me më pak investime, që në fakt edhe gjatë kësaj kohe nuk është se ka pasur një rritje të investimeve të huaja. Mospasja e investimeve të huaja do të thotë më pak vende pune për shqiptarët. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë. Do të doja të shtoja se kjo vjen në një moment të vështirë duke parë se çfarë po ndodh me fqinjin tuaj Greqinë. Si do të reflektojë kriza greke tek qindra mijëra emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, ku po pakësohen vendet e punës dhe ata janë duke u kthyer. Të gjitha këto të marra së bashku formojnë një lajm të keq për Shqipërinë.