Mithat Hoxha
Ç’ndodhi më pas?
Ca kohë më parë, opinioni mediatik dhe politik, kryesisht evropian, u muar me incidentin e ish kryetarit të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, i cili u akuzua për tentativë përdhunimi ndaj një punonjëseje të hotelit ku po bujtte, dhe pastaj u arrestua. Ndërkaq, gazeta me prirje majtiste “Liberation” shkroi se, para tri javësh nga dita e incidentit, Strauss-Kahn i paska deklaruar se “konkurrentët e tij (politikë në zgjedhjet e afërme në Francë – shënimi im, M.H.) mund t’i paguanin një femre 1 milion dollarë që ajo të sajonte një akuzë të tillë kundër tij”. Gazeta “Liberation” shkroi se kryetari i FMN-së dyshonte dhe i druhej një fushate denigruese kundër tij ngaqë ishte kundërshtari më serioz i Sarkozit.
Këto janë zhvillimet e para në lidhje me këtë incident. Serioziteti i tërë çështjes sikurse edhe elementët detajorë çalonin haptazi: Strauss-Kahn e paska ditur ose parashikuar në përqindje shumë të lartë se ç’do t’i ngjasë, ia paska deklaruar qysh tri javë më parë një gazete dhe s’qenka ruajtur aspak; të paktën institucioni i tij me reputacion dhe rëndësi ndërkombëtare s’paska marrë asnjë masë për ta ruajtur titullarin e saj, administrata e hotelit e cila në rastin më të përgjithshëm ose thjesht si rutinë është e detyruar ta ruajë posaçërisht një klient që paguan 2-3 mijë dollarë në natë, qenka sjellë më pa përgjegjësi se hoteli më i lirë i një qyteti; nga ana tjetër, a s’mund të ketë qenë kjo thjesht një shpifje? Sepse ja: policia e arreston të akuzuarin sikur të bënte një shaka, kurse përveç këtyre që përmendëm gjer këtu, pak më pas del edhe se personaliteti i akuzues s’është fort i pastër! Ato që ngjanë më pas, më duket se s’patën më asnjë rëndësi për vetë deliktin. Ndoshta e pasuruan kuadrin, por pastaj jehona e tyre u shua dalngadalë sepse u kuptua që, në fund të fundit, ishte një skenar i zakonshëm mafioz i eliminimit të një personi politik, një nga ata skenarë krejt të zakonshëm që përbëjnë anën e mbarë të medaljes së sistemit ku marrim pjesë edhe ne, shqiptarët që, më në fund, u bëmë si gjithë Evropa!
Sapo e lexova lajmin, më erdhi ndërmend romani “Bankieri” i Lesli Uollërit. Ai është ndër librat më të pëlqyer të rinisë sonë, të rinisë së ndoshta të gjithë neve që i hapëm sytë dhe u bëmë të vetëdijshëm për qenien tonë në fillimet e botës komuniste dhe pikërisht për këtë arsye e pranuam atë krejt natyrshëm, shumë shumë më lehtë se të rinjtë e viteve pas 61-shit, ose të rinjtë e Festivalit të 11-të të këngës në RTV, ose të rinjtë e kohës pasi doli televizioni dhe, sigurisht, pakrahasimisht shumë më lehtë se të rinjtë e viteve ‘90 që u strehuan nëpër ambasadat e huaja, hipën pastaj si turmë nëpër anijet për të nisur një udhëtim të pabusull drejt një parajse të panjohur dhe që një pjesë prej tyre, ende pa arritur brigjet e shumëdëshiruara, u mbytën në ujërat e Adriatikut nën gajasjet e rojeve (breg)detare italiane që zbaviteshin me tragjedinë e ca ikanakëve të mjerë! S’di ç’zhgënjim të tmerrshëm morën me vete ata që s’do të ktheheshin më kurrë, por jam shumë i sigurt se të paktën ata që bëheshin dëshmitarë okularë merrnin sinjalet e para për një xhungël që i priste, ashtu siç na e kishin përshkruar atë botë.
Ne kishim shumë arsye të forta për ta pranuar lehtë botën komuniste. E para, s’njihnim botë tjetër; pranimi nisi të bëhej gjithnjë më i vështirë sa më shumë që të hapeshin dritare për të parë matanë dhe, në mënyrë imediate, sa më e ashpër të bëhej shtypja ideologjike dhe sa më i thellë varfërimi, si dhe sa më shumë që të bëheshim të vetëdijshëm se medalja me anën e mbarë të saj, me të cilën ishim mësuar, kishte edhe anën e pasme të cilën propaganda ideologjike qe përpjekur ta nxinte sa më shumë, ndërkaq që neve kishte filluar të na dukej me të tepërt rozë, vetëm se pa e parë ende, pa e shijuar ende.
Ne e shembëm statujën e E. Hoxhës në sheshin qendror të Tiranës, kurse regjimi i cili në fakt kishte vdekur së bashku me të, s’e mbrojti dot. Por këto dy vdekje atëmot s’kishin më rëndësi; rëndësi kishin vdekjet që do të vinin më pas, rëndësi kishte që medalja po fillonte të ndërronte anë dhe ne po fillonim ta kuptonim këtë ngjarje që as e mendonim dot atëherë se do të ishte thellësisht tragjike për të gjithë ne! Mirëpo edhe sot, njëzet e kusur vjet pas asaj dite, këtë të vërtetë tragjike mundemi ta kuptojmë vetëm brezi ynë, se ata që lindën pas asaj date, s’kanë si ta kuptojnë. Se ata s’e kanë parë Berishën të ecë i vetëm pa asnjë roje në mesnatë mespërmes sheshit Skënderbej. Unë e kam parë! Ai ishte sa idhulli ynë, aq edhe gjykatësi dhe ekzekutuesi i një sistemi që, në fund të fundit, e kishte ende në dorë armën. Por atë s’guxonte ta prekte kush. Dhe ne, duke e parë atë nga larg me një adhurim të papërshkrueshëm, e ndjenim lirinë gjer në palcë!
Tani tallem me vete me atë naivitet të të gjithë neve me baballarët tanë politikë në krye: Evropa, Amerika, tërë bota perëndimore mezi ç’priste të na merrte në gji! A ju kujtohet përralla mbi “çekun e bardhë”? Amerika do të na pyeste: “Para doni? S’ka problem! Ja, merreni çekun dhe bëni qejf” Dhe baballarët tanë politikë hodhën tezën themelore ekonomike: “Ta shembim gjithçka dhe ta nisim nga niveli zero!” Hapi i parë i anarkisë! Por anarkia s’mbetej me kaq. Pronat rimerreshin me anarki, kur ligji mbi pronën e cila kishte pësuar një transformim aq të thellë e të gjithanshëm gjatë pesëdhjetë vjetëve, duhet të ishte e vetmja rrugë e rregullimit të kësaj çështjeje, e ruajtjes së paqes sociale. Një tjetër fushë ku anarkia përdorej si mjet kryesor politik, ishte dobësimi dhe rrëzimi sa më i shpejtë i regjimit. Sigurisht që të gjithë përgatiteshin për fushatë elektorale, por sa për të marrë pushtetin. Zgjidhjet do t’i sillte forca, forca anarkiste. Askush nuk priste asgjë nga ligji, nga shteti ligjor. Askush s’interesohej që nga gërmadhat e shtetit të përmbysur të ngrihej një shtet i ri te i cili çdo qytetar do të shihte shtetin e vet që ia mbronte interesat, që garantonte dhe mbronte marrëveshjen dhe paqen sociale, regjimin demokratik. Shqipëria të bëhej si gjithë Evropa! Mirë, po si? Si një turmë bashibozukësh? Kështu ndodhi që e tërë kjo mendësi e mbrapshtë sipas së cilës, askush nuk e pranonte shtetin e ngritur me vota, sepse nuk i pranonte kurrsesi votat e tjetrit që s’ishte i një mendjeje me të, dhe përpiqej ta shembte atë dhe të ngrinte shtetin e vet vetëm me forcë, t’i jepte shumë shpejt frytet e veta me ngjarjet tragjike të 1997-ës dhe, pastaj, kështu apo ashtu, në të njëjtën rrjedhë, që na ka vënë pas 20 vjetësh para pyetjes: A do të bëhet ndonjëherë, vallë, Shqipëria?
Për mendimin tim, Shqipëria do të bëhet, por vetëm kur ta pranojë shtetin si koncept dhe institucion ekzistence, marrëveshjeje, stabiliteti dhe garancie të ngritur mbi idenë e pranimit të rendit dhe, po aq, të mendimit të kundërt si dhe, përgjithësisht, të vullnetit të shumicës mbi pakicën dhe detyrimit të shumicës për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e pakicës, kur, më në fund, ta pranojë lojën e demokracisë. Dhe kjo nuk mund të arrihet me këshilla didaskalike, por me vetëdijësimin e sekujt, qysh nga presidenti e gjer te qytetari më i thjeshtë, ashtu që, duke filluar që me presidentin, qytetari të mund të thotë për të: “Po si s’dëgjuam ndonjë fjalë të keqe për këtë njeri? As i përzihet emri në korrupsion, as ligjet i shkel!” Pastaj të thotë edhe për kryeministrin, për ministrat, gjer te nëpunësi më i thjeshtë. Dhe kur t’i vijë radha, ta zëmë, një fushate elektorale, ta shohë se si partitë politike, parlamenti dhe të gjitha hallkat e shtetit po e marrin çështjen seriozisht dhe po i respektojnë ligjet, të shkojë i qetë në kutinë e votimit me mendimin se ashtu si ata që e drejtojnë politikën, edhe ai do ta pranojë humbjen që mund t’i sjellë vota e lirë, po ashtu, të ketë shpresë se po ajo votë e lirë, e pakompromentuar, mund t’i japë nesër fitoren! Atëherë, rezultatet e votimit do të dalin brenda orësh e jo javësh! A e kuptojmë, pra, se pse ndodh kështu në Turqi ku marrin pjesë rreth 50 milion zgjedhës? Sepse qytetari turk e ka ngritur dhe mbrojtur shtetin e vet qysh më 1299, sepse qytetari turk e ka parë një ditë ose e ka mësuar nga historia, se, kur ka qenë nevoja për ta mbrojtur ekzistencën e shtetit, sulltani ka ekzekutuar vëllanë, birin!
Meqë ra fjala për Turqinë, desha të mos kaloj më tutje pa theksuar ca gjëra të gabuara, sidomos ca ndjenja urrejtjeje që na i kanë ngulur në kokë e në zemër në kohën e komunizmit dhe që vazhdojnë ende të na helmojnë me to. Propaganda komuniste, në kuadrin e luftës së klasave në planin ndërkombëtar, hodhi tezën: “Turqia na ka lënë mbrapa!” Kurse besoj se ishte shumë i vogël numri i atyre që arrinin të mendonin fare thjesht: “Mirë, more vëlla, ta zëmë se kështu është. Mirëpo ne kemi qysh nga 1912-a që jemi ndarë nga Turqia; ç’kemi bërë ne gjatë kësaj kohe? A mos vallë Turqia na ka penguar të përparojmë? Shihni se mos e kemi lënë ne Turqinë mbrapa!” Turqia si shtet islam nuk e ka vënë kurrë fenë mbi shtetin. Turqia si shtet islam i pushtoi edhe vendet nga e mori fenë! Turqia osmane që ishte, në fakt një shtet ballkanik, pikërisht në Ballkan dhe në Evropën e krishterë e tregoi epërsinë e saj si shtet liberal që i respektonte besimet e tjera siç nuk i ka respektuar absolutisht asnjë shtet tjetër në historinë botërore! Pasojë e këtij liberalizmi është mozaiku i feve dhe kombësive joislame që shohim sot në Ballkan, janë shtetet ortodokse dhe katolike të Ballkanit dhe Evropës që i pati pushtuar dikur Turqia, por s’i pati detyruar të bëhen muslimanë! Turqia nuk i detyroi as shqiptarët! Nëse shqiptarët u bënë muslimanë në masën më të madhe, u bënë se kështu është shqiptari: pragmatist dhe interesaxhi i pashoq!
Duke studiuar këto afro 20 vjet mbi gjuhët e Lindjes, duke nxjerrë nga dora si përkthyes apo autor rreth 150 vepra fetare dhe laike, letrare dhe shkencore, ku vendin kryesor e zë përkthimi nga persishtja i veprës së madhe poetike prej mbi 50 mijë vargjesh të poetit persiano-turk Xhelaleddin Rumi, “Mesnevi” (Methnevi), nga përqasje gramatikore kam krijuar idenë se rrënjët e shqipes indoevropiane, të vetme në identitetin e vet, janë shumë të thella, të paktën bashkëkohore me sanskritishten dhe persishten. Kështu, sipas mendimit tim jo ende të vërtetuar mjaftueshmërisht nga ana shkencore e të publikuar, shqiptarët e ardhur e të vendosur në zotërimet e tyre të reja në të gjithë Evropën Juglindore, ishin, atëherë, kombi më i kulturuar i Evropës! Mirëpo për shkak të fanatizmit në ruajtjen e vetive më të këqija të karakterit – siç duket, të shfaqura në atë periudhë – për shqiptarët filloi procesi i një rënieje të pandalshme që, në kohën e Skënderbeut i kishte katandisur në 800 mijë banorë të strukur në baltovinat e zonës bregdetare e të Myzeqesë ose në zonat e thella malore ku “hante pula gurë”, por që kishte “shqiponja” krenare. Shqiponjat vërtet ishin shpendë krenarë, por shqiptarët që nisën t’i bëjnë ato simbol, ishin gati të bashkëpunonin me djallin dhe të birin, vetëm jo me vëllanë! Me përçarjen feudale dhe me gjakmarrjen, shqiptarët s’bënë gjë tjetër veçse u vetëskartuan marrëzisht dhe pandërprerë!
Kështu bënë shqiptarët edhe nën osmanët, edhe nën italianët, edhe nën komunistët dhe po bëjnë sot edhe nën mafiozitetin europerëndimor. Shih rrushi rrushin e piqu! Prandaj ajo që po ndodh sot në Shqipëri, është pasojë e përgjegjësisë kolektive të ne të gjithëve! Dhe është aq dramatike, sa të na detyrojë të pyesim me pesimizmin më të thellë: A do të bëhet vallë ndonjëherë Shqipëria? Kujtoni se shqiptarët i shërbyen disa qindra vjet perandorisë osmane në të gjitha hallkat e shtetit me përjashtim të fronit sulltanor, por jo atdheut të vet i cili gjer më 1912 mbeti thjesht një koncept gjeografik, prandaj edhe, kur erdhi dita që të gjithë popujt ballkanikë të ngrinin shtetet e tyre, shqiptarët rrezikoheshin të mbeteshin pa atdhe! Shqiptarët patën ëndërruar gjatë për Shqipërinë e madhe, kurse mes tyre sot gjendja është e tillë që, po t’u thotë bota “urdhëroni e bashkohuni në një shtet të vetëm”, vetë shqiptarët do të kundërshtojnë! Kjo pra është ana e mbarë e medaljes sonë, ku ne e shohim veten si në pasqyrë! Megjithatë, unë personalisht e shoh këtë ditë si kalimtare. Patjetër, sado që të vonojë, do të vijë ajo ditë kur medalja shqiptare të ketë një anë tjetër të mbarë dhe këtë do ta bëjnë brezat e rinj shumë më të mençur se ne, më të kulturuar e më të pastër shpirtërisht se ne!







