Berisha zgjidhet si Enveri, merr 99.9% të votave. Munguan themeluesit e PD-së

0
53

Shekulli Online, 15.12.2009

TIRANË – Ashtu siç edhe pritej, pas 9 orë votimi dhe 1 orë e gjysmë numërimi, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është rikonfirmuar mbrëmë në mesnatë për një mandat tjetër katër vjeçar. Nga 1218 delegatë që morën pjesë në votim, 1204 votuan për Berishën kryetar, 5 delegatë votuan kundër dhe 5 të tjerë abstenuan. Ndërkohë që katër vota të tjera u cilësuan të pavlefshme. Në këtë mënyrë, Kryetari i PD-së, është votuar dje në mënyrë unanime nga delegatët, pa asnjë kandidaturë rivale.

Ndërkohë në Kuvend ra në sy mungesa e themeluesve. Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i drejtoi formalisht një ftesë verbale të gjithë atyre, që themeluan këtë parti, por që aktualisht nuk janë pjesë e kësaj partie. Por asnjë prej tyre, (në mungesë edhe të një ftese zyrtare), nuk mori pjesë dje në punimet e Kuvendit të 9-të të Partisë Demokratike.

Dje mungonin figura kryesore, që kontribuuan në themelimin e kësaj partie, ndërkohë që po aq të heshtur ishin edhe ata pak të tjerë themelues, që aktualisht janë të angazhuar në qeverisjen aktuale. Ndër themeluesit e Partisë Demokratike, në punimet e djeshme të Kuvendit përveç Arben Imamit, Genc Pollos, dhe Genc Rulit munguan: Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, Eduard Selami, Shinasi Rama, Eduard Zaloshnja, Arben Lika etj. Edhe pse i konceptuar si një Kuvend, që mblidhej edhe për themelimin e PD-së, përveç disa pamjeve të shfaqura në fillim të punimeve të Kuvendit, ku në mënyrë krejt të qëllimte shquhej vetëm Sali Berisha, lidershipi i lartë i partisë, nuk e pa të udhës që të sillte ndër mend, ndonjë episod konkret të para 19 viteve.

E vetmja zyrtare e lartë që u mjaftua me një frazë formale ishte Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila gjatë fjalës së saj ndër radhë nderoi edhe figurën e një prej themeluesve dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdari. Votimi i djeshëm në Kuvend për kryetarin e PD-së pa asnjë kandidaturë rivale, deklaratat e lidershipit të lartë, por edhe mungesa e vazhdueshme e njerëzve, që kontribuuan jo vetëm në themelimin e kësaj partie, tregon qartë se edhe pas kaq vitesh PD-ja vazhdon të udhëhiqet nga modeli antikujtesë.

* * *

Hapja e kutive, Berisha: Topi s’mund të jetë negociator

UPDATË- Kreu i PD-së, Sali Berisha tha për VOA-n se opozita duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Gjithashtu ai shtoi se as Presidenti nuk mund të ndërhyje në këtë çështje, pasi Topi eshte kryetar i KLD dhe si i tille s’mund të shkelë mbi vendimin e gjykates. (deklarata në video)

Ndërkohë ai ka përseritur se “opozita eshte e detyruar te luaje rolin e kryetarit të saj, Edi Rama, i cili sipas tij eshte i vetmi qe nuk njeh zgjedhjet dhe konteston Parlamentin”.

“Nje votim te cilin e firmosen 20 mije anetare te opozites dhe te gjitha institucionet nderkombetare, nuk do ta njohe vetem Rama. Se fundmi ai tha se, une njoh voten por jo legjitimitetin e Parlamentit”, ka nenvizuar Berisha.

“E ftoj opoziten te vije ne Parlament, te vendosur per te gjithe hetimin qe opozita kerkon, pervec vendimit te gjykatave. Ne keto zgjedhje askush nuk ka humbur, sepse keto jane zgjedhjet e para qe nxorren vendin nga lista e zeze per zgjedhje problematike”, eshte shprehur Berisha.

Deklarata është bërë në një moment pushimi të Kuvendit të PD-se i cili sonte zgjedh Kryetarin e ri, që do jetë sërish Sali berisha si kandidat i vetem, si dhe 100 anetare te kryesise.

12: 00

Duke kujtuar arritjet ndër vite, Berisha shtoi më tej se pas shumë fitoresh, tashmë i pret një tjetër betejë shumë e rëndësishme. “Na pret beteja me mafien, më të rrezikshme, më shpirtkazmën”- ka thënë ai, duke kujtuar edhe njëjherë se darët dhe gërshërët e ligjit kudo që ndodhen do të veprojnë mbi të. “Kjo mazhorancë është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë ligjin, të përdorë pushtetin që i ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për ti dhënë përgjigjen e merituar mafies”- tha ai.

Me një thirrje, ai i është drejtuar atyre që i ka cilësuar ‘avoketër të mafies’. “Ju që akuzoni, i faktoni qytetarëve një rast të vetëm, të pallateve mbi rrugë e rrugica ndaj të cilave qeveria ime nuk ka përgjigje tjetër përveç fadromave. Faktoni një rast të vetëm që kjo qeveri ka heshtur para gllabërimeve të miliona metër katrorë tokë publike në zemër të tiranë, në brigjet më të bukur atë vendit, apo qytete të tjera”- tha ai.

Berisha e ka cilësuar kuvendin e IX të PD si kuvendi i fitores historike; i vendimeve të mëdha, i horizontit të Shqipërisë Evropiane. “Me votën tuaj do të përcaktoni udhëheqjen e re për 4 vitet që vijnë, arkitekten e fitores së zgjedhjeve të 2009-s, të 2013-s, arkitekten e Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë, zonjë në Evropë”- tha ai.

Ora 10.30

Ka nisur punimet Kuvendi i Partisë Demokratike. Mbledhjen e ka hapur nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila i është drejtuar me falënderime shqiptarëve për besimin që treguan dhe mandatuan sërish këtë qeveri.

“Ne të gjithë bëjnë më shumë vite, vetëm Shqipëria bëhet me e re dhe më moderne. Falenderojmë shqiptarët për rrugën e progresit”- ka thënë Topalli në fjalën e saj gjatë hapjes së punimeve. Më tej, ajo ka përshkruar atë që e ka cilësuar rrugën e progresit.

“Shqiptarët na thanë na drejtoni dhe i drejtuam. Shqiptarët na thanë na drejtoni me zotin Sali Berisha më 8 dhjetor 1990, na thanë na drejtoni edhe më 28 Qershor”, tha Topalli, duke shtuar me tej se “Kjo parti e drejtuar nga Sali Berisha do ta ktheje Shqiperine ne token e premtuar”.

Berisha: Delegatët do më votojnë mua

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë mënjanë modestinë dhe ka ftuar të gjithë delegatët e kuvendit që të votojnë sot për të, si kryetar partie, edhe pse në garë nuk është regjistruar asnjë kandidaturë tjetër. “Kam besim se delegatët e kuvendit do të votojnë për kandidatët më të mirë, do të votojnë kryetarin e tyre Sali Berisha”.Gjatë konferencës së djeshme, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka theksuar se procesi i sotëm në Kuvend do të jetë transparent dhe se në garën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të konkurrojnë 400 personalitete me karrierë politike dhe profesionale në jetën e PD-së.

Kongresi i Partisë Demokratike, i cili do të zgjedhë sot paradite kryetarin e tij, nuk pritet të sjellë surpriza për ndryshime në radhët e selisë blu porsa i përket posteve të larta drejtuese. Aspektet kryesore që do të trajtojë dhe miratojë Kuvendi i sotëm i PD-së janë vetëm zgjedhja e kryetarit të partisë, ndryshimet në statut si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Komisioni për ndryshimet dhe përmirësimet në statutin e Partisë Demokratike, që udhëheq Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode, do të paraqesë ndryshimet apo përmirësimet, e propozuara për statutin e partisë. Edhe pse ky komision u ngrit për ndryshimet në statut, anëtarët e këtij komisioni nuk morën parasysh pikat e paraqitura nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Aleksandër Biberaj.

Ky i fundit propozoi para pak ditësh një paketë të plotë, që në përmbajtjen e saj, kishte pika që sillnin ndryshime thelbësore në statutin e PD-së. Ndërkohë, Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë sot anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, nga 1200 delegatë. Anëtarët e rinj të këtij Këshilli do të zgjedhin në ditët e mëvonshme strukturat drejtuese, kryesinë e partisë dhe sekretariatin. Edhe në këtë fazë të dytë nuk pritet që të ketë ndryshime, pasi siç u shpreh edhe vetë Berisha dje, Kuvendi do të shërbejë për ripërtëritjen e mandateve të organeve drejtuese. Kuvendi Kombëtar do të mblidhet sot në orën 10:00 të paradites. Punimet do të hapen nga nënkryetari i partisë Astrit Patozi, i cili kryeson edhe komisionin për procedurat operacionale dhe elektorale, komision që është përgjegjës për përzgjedhjen e delegatëve.