Paqja nuk vjen nga një i tillë

0
63

Nga Mero Baze

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për t’i hequr fitoren Edi Ramës përmes një procedure që kërkon të legjitimojë mosnumërimin e çdo vote të qytetarëve, është më tepër se një krize politike. Viktima e madhe e atij vendimi nuk ishte Edi Rama, por shpresa jonë për zgjedhje të lira në këtë vend. Bashkë me ne dje u pa qartë se humbën durimin ndërkombëtarët, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe çdo gazetar apo ekspert në medien perëndimore që merret me Shqipërinë, përveç ambasadorit Volfart. Ajo që ndodhi ishte flagrante.

Kolegji legjitimoi numërimin e votave të hedhura në 117 kutitë e gabuara pasi Rama u shpall fitues dhe i klasifikon këto si vota të kontestuara, duke i hequr të drejtën 480 kutive të votimit për kryetarin dhe Këshillin, në të cilat votat e hedhura gabim janë quajtur deri në atë moment të pavlefshme. Me një gjakftohtësi perverse, është bërë sikur është pranuar pjesërisht një e drejtë e opozitës, por në të vërtetë kjo e drejtë është përdorur për të varrosur përfundimisht procesin e numërimit të çdo vote të qytetarëve shqiptarë. Vendimi në të vërtetë lë pak shpresë për t’i dhënë dinjitet procesit zgjedhor në Shqipëri.

Shqipëria ka kohë që zvarritet në mëdyshjet e përsosjes së sistemit dhe rikthimit në pikën zero. Ka kohë, së paku 20 vite, që tenton të ndërtojë një demokraci funksionale dhe përfundon në autoritarizëm të korruptuar. Ka kohë që përpiqet të ndërtojë një shtet të qytetarëve dhe përfundon në një pushtet të familjarëve të parit të vendit. Në këtë histori të stërzgjatur dështimi fajtore pa dashje janë bërë dhe opozitat e këtij vendi, të cilat kanë menduar se do t’ia dalin ta përsosin sistemin. Nuk ia kanë dalë dot. Sot pas 20 vitesh pluralizëm ne kemi një shembull të qartë të pafuqisë sonë kolektive për të ndryshuar pushtetin me votë. Para syve të miliona shqiptarëve u shpall një fitues, dhe pas dyerve të turpit në gjykatat shqiptare po shpallet një fitues tjetër. Është e tepërt të kujtojmë se në një vend ku e drejta e votës shkelet me këmbë, janë shkelur me këmbë të gjitha të drejtat qytetare.

Për këtë arsye them se ky vendim nuk duhet parë vetëm si një zhvillim negativ politik. Krizat e mëdha si kjo që prodhoi bllokimi i rotacionit politik me votë, mund të na shërbejnë për ndryshime të mëdha. Të gjitha parashikimet për të ardhmen i rrënon ky vendim kolegji, i cili viktimizon shpresën se pushteti këtu mund të ndërrohet me votë. Cilindo variant të marrim, Shqipëria nuk do të ketë paqe pas kësaj dite. Edhe sikur të heshtim të gjithë dhe të dalim çdo natë para dritares së kryeministrit, edhe sikur në vend të shpërthejnë revolta rrënuese për të, rezultati është njësoj.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor ka ndarë më shumë se sa fatin e atij që do të administrojë Tiranën. Ky vendim ka ndarë përfundimisht debatin jo se kush do ta qeverisë këtë vend, por si do ta qeverisë këtë vend. Ky vendim dëshmoi epërsinë e autoritarizmit mbi shtetin ligjor në demokracinë tonë të brishtë, demonstroi fitoren e milionave të pista mbi vullnetin e pastër të qytetarit, por mbi të gjitha demonstroi padobinë e të besuarit tek një sistem që ka vdekur, tek zgjedhjet shqiptare.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës publikoi dje një letër për Sali Berishën ku thoshte se ishte i motivuar t’i drejtohej vetë Komisionit të Venecias për t’i marrë një mendim për mënyrën se si duhet të sillen gjykatat shqiptare me këto zgjedhje. Humbja e durimit të tij u bë publike dje pikërisht pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, edhe pse ishte shkruar në datën 10 qershor. Ne i jemi mirënjohës Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, që është më i shqetësuar se qeveria jonë për fatet e vendit, por jemi të pafuqishëm të jemi në krah të tij, pasi nuk kemi më asnjë mekanizëm se si ta korrigjojmë këtë krizë të rëndë të demokracisë. Sali Berisha nuk njeh dhe as do të njohë asnjë këshillë apo rekomandim, që prek pushtetin e tij.

Tanimë askush nuk ka ndonjë recetë për rrugët për t’i dhëne fund kësaj agonie. E sigurt se ky vendim na e bën të sigurt krizën së paku deri në vitin 2013 dhe më tutje. Pra shpresa nuk vjen më nga respektimi i këtij vendimi, por nga rrëzimi i tij prej qytetarëve shqiptarë. Nuk di të them sot nëse duhet ta mundim me paqe apo luftë Sali Berishën, por di të them se nuk duhet ta pranojmë prej këtij momenti asnjë çast si pushtet të ligjshëm. Shpresat e tij të liga se do të rrënojë opozitën, se do ta përçajë dhe blejë atë, se do të prodhojë “delfinë” të vet brenda tyre, nuk kanë lidhje fare me atë neveri që shoqëria shqiptare ndjen për të në këto momente.

Edhe në verën e vitit 1996 i bëri të gjitha këto. I vodhi votat, i futi në sherr, i përçau, i bleu, i rrahu, dhe më në fund i mundi me vota në vjeshtë, por pranverën tjetër nuk dinte ku të fshihej, pasi e lanë vetëm gruaja dhe fëmijët. Ai përjeton sot të njëjtin delir si në vitin 1996. Përveçse është plakur më shumë dhe ka miliona më tepër në xhepat e familjes së tij, ai nuk di të bëjë asgjë tjetër veç asaj që ka bërë, dhe shqiptarët nuk dinë si ta zgjidhin ndryshe konfliktin me këtë njeri, veçse ashtu si e kanë zgjidhur.

Është e kotë të themi sot se pranimi i këtij vendimi do të vendosë paqe në këtë vend. Kush e thotë këtë, qoftë ai shqiptar apo perëndimor, qoftë i Berishës apo i Ramës, gënjen veten dhe është hipokrit. Sali Berisha nuk ka poshtëruar vetëm opozitën, por mbi të gjitha vlerat ku opozita besoi kur hyri në këto zgjedhjet, apelin e Perëndimit për të besuar se ata do të ishin garantët e këtij procesi. Tani krimi ka ndodhur dhe ne nuk kemi si varrosim shpresën duke besuar se ajo do të ringjallet si Krishti, po qe se ne pranojmë të falim vrasësin e kësaj shprese. Paqja nuk vjen nga një i tillë.