Bashkim Kopliku
[ Respublica.al 14.06.2011 ]
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, për të numëruar të gjitha fletët e votimit në kutitë e gabuara dhe për të mbledhur rezultatin e atij numërimi me votat e kutive të drejta, do të thotë të rëndosh edhe më tej grabitjen e filluar nga KQZ-ja. Ky numërim i mëtejshëm rritë zullumin, duke e rritur më tej diferencën në mes votave në kutitë e gabuara, që “i lexojnë” sikur të jenë favor të Lulzim Bashës, me votat që lexohen si në favor të Edi Ramës. Kësaj i thonë shqip, të rritet shifra e grabitjes, nga “91 vota më shumë për Bashën”, në kush e di sa, mbase në “450 vota, më shumë për Bashën”.
Cili duhet të ishte vendimi i një Kolegji Zgjedhor të drejtë? Thjeshtë fare: votat e hedhura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme, kështu që edhe në rastet që u janë shtuar votave të rregullta, duhet t’u hiqen; duhen trajtuar si të vlefshme, vetëm votat e hedhura në kutitë e drejta.
Çfarë duhet bërë më tej për të shpëtuar demokracinë, për të ndaluar kthimin mbrapsht të Shqipërisë në një neokomunizëm? Pareshtur protesta paqësore, qoftë në institucione, qoftë në rrugë.
* * *
Në disa shkrime kam shpjeguar se në kutitë e gabuar ka edhe fletë votimi të hedhura pa dashje (apo gabimisht, apo aksidentalisht), si edhe fletë votimi të hedhura me dashje, pra jo gabimisht. Këto fletët e votimit të hedhura me dashje në kutitë e gabuara, janë hedhur nga votues që nga frika e plotësuan fletën e votimit pro Bashës, dhe gjetën rrugën e bërjes së votës së tyre të pavlefshme, duke e hedhur fletën në kutinë e gabuar. E fakti i vetëm që mjafton e tepron për të vërtetuar sa thamë, është se së paku 99% e votuesve kanë qenë të bindur se hedhja e fletës në kutinë e gabuar, e bën të pavlefshme atë—për këtë të fundit mund të rreshtohen me qindra prova, bile dhe vetë kryeministri e ka pranuar, se “shumica e njerëzve mendonin se fleta në kutinë e gabuar, është e pavlefshme”.
(Natyrisht që ka dhe vota që i kanë hedhur hajdutët politikë, qoftë të njërit krah, qoftë dhe të tjetrit, por me to nuk po merrem, sepse ka një muaj që po merren, bile me tepri, juristët e analistët e PS-së; janë marrë aq tepër, duke humbur kohën e përpjekjet për t’u marrë me kryesoren, me fletët e votimit të hedhura qëllimisht, pra me dashje, në kutitë e gabuara; e kjo kur dihet se ato fletë të hedhura qëllimisht në kutitë e gabuara, janë nga votues të tyre ani se të frikësuar nga qeveria. Marrja me këtë fenomen, fletët me dashje, do ta bënte zero çdo ide të mbledhjes së fletëve në kutitë e gabuara, me fletët në kutitë e drejta).
Fletët e votimit të hedhura pa dashje, apo aksidentalisht për Bashën, duhet të jenë pothuaj të barabarta, apo pak më të vogla, se ato të hedhura aksidentalisht për Ramën. Sa më shumë kuti të gabuara të hapen, aq më shumë zvogëlohet diferenca në mes atyre për Bashën e atyre për Ramën, duke arritur në ndryshimin pothuaj zero (0,003% është ndryshimi i votave në kutitë e drejta) që kanë fletët në kutitë e drejta.
Fletët e votimit të hedhura me dashje, në kutitë e gabuara, ato që lexohen sikur janë votë për Bashën, do të rriten, duke u rritur numri i kutive të gabuara që numërohen. Kjo sepse në çdo kuti të gabuar, do të gjinden dhe fletë të hedhura me dashje. E këto fletë me dashje, janë veçse “pro Bashës”—në fakt kundër tij. Janë vetëm “pro Bashës”, dhe jo “pro Ramës”, sepse është vetëm Qeveria ajo së cilës i kanë frikë njerëzit, sepse ajo është që mund të instalojë “çimka” që të lexojë fletën e votimit kur mbushet: mos harroni se kandidati Basha ishte ministri i brendshëm. Mundësia që të instalojë “çimka edhe Bashkia”, është shumë më e vogël.
Shpresoj se e kuptoni se ajo që do të rezultojë pas numërimit “të të gjithë kutive të gabuara”, do të jetë rritja e diferencës në mes Bashës e Ramës, ku Basha do të dalë edhe “më fitues” ndaj Ramës.
Kam ditë që vras mendjen sesi juristët e specialistët e PS-së nuk e kanë kuptuar këtë gjë kaq të thjeshtë; përse nuk kam dëgjuar asnjë prej tyre ta përsërisë faktin se “në kutitë e gabuara ka edhe fletë të hedhura qëllimisht”, aq më tepër kur kryeministri përsëritë me qindra herë të njëjtën gjë: “fletët në kutitë e gabuara, janë vota të hedhura pa dashje, gabimisht, aksidentalisht, prandaj dhe duhen numëruar”.
Kjo e kryeministrit më kujton atë fjalën, “vete gjuha ku dhemb dhëmbi”. Ajo që nuk kuptoj dot, është se përse këta të PS-së bëjnë sikur nuk kuptojnë? Nuk është punë se janë budallenj, sepse nuk është aq e vështirë për ta kuptuar, personat që janë të zanatit. Atëherë, ç’janë këta të PS-së që nuk ndjehen, për fenomenin e vetëm që i pret mashtrimit degën ku ka hipur: degën që mëton se fletët në kutitë e gabuara janë njësoj si votat në kutitë e drejta, por veçse aksidentalisht të hedhura …?!
* * *
Nuk duhet lënë vendi, Shqipëria, të kthehet mbrapsht nga erdhëm, nga komunizmi, nga diktatura. Të gjithë, politikanët e opozitës në radhë të parë, duhet të fillojnë protestat, pa pritur farsën e numërimit të të gjithë kutive të gabuara. Protestat duhet të jenë qoftë institucionale, pra kundër Kolegjit Zgjedhor, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përse jo edhe Kuvendit dhe institucionit të Presidentit, qoftë duke iu drejtuar gjykatave e institucioneve të huaja e ndërkombëtare.
Protestat duhet të jenë edhe politike, duke demonstruar paqësisht edhe në sheshe e në çdo vend ku shqiptarët dëgjojnë, ku shqiptarëve u tërhiqet vëmendja ndaj të vërtetave politike—ah sa e vështirë është kjo—që shqiptarët në masë të mund të kuptojnë se ka ardhur koha t’i dalin zot arritjeve të tyre 20 vjeçare: shkëputjes nga diktatura komuniste, hyrja në demokracinë e tregut të lirë. Nuk ka nevojë të kërkojmë demonstrime me nga “100 mijë vetë”—nuk para vijmë në shqiptarët në masë, në protesta politike, veçse kur nuk kemi fare të hamë, e aq më pak tani që njerëzit janë tmerruar nga kjo qeveri që vrau qëllimisht e kot, më 21 janar 2011, katër vetë në mes të bulevardit—mjafton të protestohet edhe me grupe relativisht të vogla aktivistësh të demokracisë.
Ne shqiptarët nuk mund të bëjmë “amerikanin”, duke bërë sikur gjoja respektojmë gjykatat tona, kur secili prej nesh e di sesa të degjeneruara janë gjykatat tona. Jo, nuk kemi ngritur ne akoma gjykata të pavarura; gjykatat tona kanë akoma shumë infeksion nga gjykatat e komunizmit, të cilat kanë dërguar në vdekje e burg, me mijëra e mijëra të pafajshëm. Duhet të aplikojmë jo vetëm principin kushtetues të pavarësisë së pushteteve, por edhe principin e “checks and balances” (kontrollin reciprok të pushteteve), prandaj dhe them më lart se duhet t’u drejtohemi edhe institucioneve jashtë pushtetit gjyqësor shqiptar.
Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 672858090







