ILDKP, dosja e pasurisë së Bashës i fshihet edhe Presidentit

0
65

Mbi dosjen e deklarimit të pasurisë së Lulzim Bashës është imponuar heshtja. Madje, as Presidentit të Republikës, nuk i vihet në dispozicion informacioni mbi pasurinë e Lulzim Bashës. Burime të besueshme bëjnë të ditur se pas publikimit të një sërë skandaleve mbi pasurinë e Bashës, vetë Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion, por ky informacion nuk i është vënë kurrë në dispozicion nga ILDKP-ja.

Argumentimi se “dosja është nën verifikim” është përdorur për t’i mohuar të drejtën e informimit kujtdo që do të dijë më shumë për pasurinë e Lulzim Bashës. Por në fakt, përveç të dhënave të deklaruara vullnetarisht nga Lulzim Basha mbi pasurinë e tij, dosja nuk përmban ndonjë të dhënë apo ndonjë dokument që të mund të justifikojë pasurinë prej miliona eurosh të Bashës. Prej më shumë së dy vjetësh, të gjitha procedurat e verifikimit të pasurisë të politikanit demokrat janë pezulluar me “urdhër” nga lart, tashmë dosja konsiderohet “top sekret” për çdo inspektor të ILDKP-së.

Verifikimet

Në verën e vitit 2007, dy hetues Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive e mbajtën frymën në Utrecht të Holandës. Për rreth një javë, në lagjen mesjetare të qytetit inspektorët verifikuan dhe panë me sytë e tyre shtëpinë dykatëshe të Lulzim Bashës. Në deklaratën e dorëzuar më 30 mars të vitit 2007 Basha, asokohe me funksion Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, përveç të ardhurave të tjera kishte deklaruar dhe ekzistencën e banesës në Utrecht. Verifikimi i kësaj banese të deklaruar ishte dhe misioni i inspektorëve të ILDKP-së.

Ata pyetën, fotografuan e më pas, materialet iu bashkëngjiten dosjes së Lulzim Bashës. Në fakt, fotografitë dhe disa deklarata të marra në Utrecht janë të vetmet verifikime që i janë bërë ndonjëherë pasurisë së Lulzim Bashës. Inspektorët e ILDKP-së nuk kanë guxuar të kërkojnë qoftë dhe një dokument të rëndomtë për burimin e pasurisë së Bashës, procedurë që ndiqet rëndom për çdo funksionar të lartë të shtetit shqiptar.

Kështu sa i përket shtëpisë, në dosje, ekziston vetëm deklarata vullnetare të Lulzim Bashës, dhe asnjë dokument për burimin e të ardhurave që mundësuan blerjen e saj.
Madje nuk figurojnë as kontratat e shitjes së asaj shtëpie në Holandë, mbi bazën e së cilës Lulzim Basha në mars të vitit 2008 ka argumentuar të ardhurat prej 257.500 eurosh.

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga “Shekulli”, shtëpia në Holandë është shitur pas datës 20 mars të vitit 2008, pra pas ditës së deklarimit nga ana e Bashës, por ILDKP-ja as që ka guxuar të verifikojë këto deklarata, pa u kujdesur të vendosë në dosje kontratën e shitjes. Ajo që kanë bërë inspektorët e ILDKP-së është që deklaratën e radhës së Lulzim Bashës ia kanë bashkëngjitur deklaratave paraardhëse e më tej kanë kyçur dosjen në duart e sigurta.

Dy deklarime të rreme të z. Basha

Gazeta “Shekulli” posedon kontratën e blerjes së shtëpisë në Utrecht në vitin 2001 dhe kontratën e shitjes së saj në 2008-n. Dokumentet janë nga Zyra e Kadastrës se qytetit Utrecht, Holandë. Krahasimi i dy kontratave holandeze me deklaratat e pasurisë së ministrit nxjerr dy deklarime të rreme: Shtëpia nuk është blerë aq sa është shkruar nga Basha në deklaratën e pasurisë në tetor 2005. Kontrata e Kadastrës holandeze thotë që shtëpia është blerë 450 mijë gulden, ndërsa në deklarimin e pasurisë, Basha ka shënuar 510 mijë gulden.

Mbivlerësime të pasurive gjejmë edhe në pjesë të tjera të deklaratave të tij të pasurisë. Një tjetër deklarim i rremë është bërë edhe për shitjen e shtëpisë, të cilën Basha e ka deklaruar të shitur që në 20 mars të vitit 2008. Referuar kontratës, shtëpia është shitur në prill 2008, por Basha e ka deklaruar të shitur që në deklaratën e pasurisë për 2007-n (!) madje me vlerën e saktë të saj. Jo vetëm ka shkelur nenin e ligjit mbi deklarimin e pasurisë ku thuhet shprehimisht që: “Deklarimi vjetor duhet të pasqyrojë vetëm ndryshimet në gjendjen e pasurive për periudhën nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit paraardhës”, – por dyshimet në këtë rast janë të forta për të mbuluar me anë të këtij akti para në llogari bankare që nuk mund të justifikoheshin me të ardhurat e ligjshme.

Megjithëse deklaratat e rreme të dhëna nga Lulzim Basha përbëjnë vepër penale, sot e kësaj dite askush nuk është marrë me verifikimin e kësaj pasurie, por dosja është mbyllur, ndërsa inspektorët e ILDKP-së duhet të gjejnë ndonjë kryetar komune nga Kuçi për ta kryqëzuar si shkelësin më të madh të ligjit në vend.

Shtëpia u deklarua e shitur një vit para se të shitej

Lulëzim Basha ka deklaruar shitjen e shtëpisë së tij në Holandë në deklarimin e pasurisë për vitin 2007, dhe ka likuiduar kredinë bankare në shumën rreth 257 mijë euro, ndërkohë që dokumentet flasin se ai e ka shitur realisht shtëpinë në vitin 2008. Pikërisht në kohën që Basha ka deklaruar se ka shitur shtëpinë në Holandë, në vitin 2007 Prokuroria e Përgjithshme e gjeti fajtor dhe ngriti padi penale kundër tij për shpërdorimin për shkak të detyrës së një shume rreth 220 milionë euro në zbatimin e projektit të rrugës Rrëshen-Kalimash.

Siç mund të merret me mend, ky është një fakt i mjaftueshëm për prokurorinë që të rihapë dosjen e korrupsionit të rrugës Rrëshen-Kalimash, ndërsa është një detyrim për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive që të hetojë pikërisht këto mospërputhje të origjinës së eurove, me të cilat Lulzim Basha ka shlyer kredinë në vitin 2007.

Gjobat, shumë të vogla për të trembur politikanët
Kreu i ILDKP, Llalla, kërkon sanksione më të forta

“Zyrtarë të ndryshëm që kanë detyrimin ligjor për të deklaruar pasuritë, deklarojnë pranë institucionit tonë se disponojnë pasuri të tjera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, asete në forma të ndryshme. Po ashtu, pranë institucionit tonë vijnë informacione të ndryshme nga media, nga shoqëria civile dhe qytetarë në bazë të të cilave krijohen dyshime se zyrtarë të niveleve të ndryshme disponojnë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të deklaruara ose të padeklaruara prej tyre. Për verifikimin e këtyre deklarimeve dhe të njoftime që na vijnë nga këto burime informacioni është e nevojshme kryerja e verifikimeve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Këto veprime paraqesin vështirësi për t’u kryer nga ana praktike për arësye sepse shtrihen në territorin e disa shteteve dhe ILDKP nuk mund ta kryejë dot i vetëm këtë detyrë. Për këtë arësye iu kërkua mbështetje misionit policor të Bashkimit Europian PAMECA, i cili vepron prej disa vitesh në Shqipëri. Kjo kërkesë e jona u mirëprit nga misioni dhe gjeti mbështetjen e krerëve të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Ne dyshojmë se zyrtarë të ndryshëm pasurinë e tyre e fshehin në emër të personave të tretë; pra lidhje shoqërore familjare etj. Kodi Penal parashikon detyrim për deklarim pasurie të zyrtarit, por në rast se personat e lidhur me këtë zyrtar nuk deklarojnë pasurinë, ligji nuk parashikon sanksione ndaj tyre. Vitin e kaluar ishin disa raste të tilla që u bënë mediatike; raste deputetësh, ministrash, kur persona të lidhur me ta nuk deklaruan interesat private, ashtu siç neve u patëm kërkuar. Mospasja e një sanksioni ligjor në Kodin Penal ndaj këtyre zyrtarëve bëri që ata t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale.

Kjo është një ndër pikat ku çalon më tepër kjo dispozitë ligjore dhe për këtë arësye kemi kërkuar amendimin e ligjit. Propozimi ynë ka shkuar deri në komisionin parlamentar të ligjeve, është miratuar aty, por nuk është miratuar në parlamentin shqiptar sepse ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë shumicë të cilësuar votash të deputetëve.
Ligji aktual nuk parashikon sanksion fare për personat e lidhur. Duhen shtuar nene edhe për pesonat e lidhur. Ne kemi me dhjetëra informacione që na vijnë nga qytetarë të ndryshëm ose, nga verifikimet që kryejmë vetë si ILDKP del se persona të lidhur me zyrtarët, edhe pse ligji kërkon që ata duhet të deklarojnë pasuritë, nuk parashikon sanksione kur ata nuk deklarojnë.

Ligji ynë parashikon që në të tilla raste ne mund të aplikojmë ndaj tyre shuma gjobash deri në 2 mijë dollarë, siç bëmë vitin e kaluar. Rastet e vitit të kaluar bënin fjalë edhe për një ish-ministër, personi i lidhur me të cilin deklaronte se arriti brenda një periudhe gjashtëmujore fitime deri 4 milionë euro. Ky person sipas ligjit mund të gjobitet vetëm 2 mijë dollarë. Po kështu kanë qenë edhe raste të tjera persona të lidhur me deputetë që janë bërë publike vitin e kaluar.”

Deklarata e Lulzim Bashës 2006 – 2009
Shtëpi në Utrecht, Holandë – Vlera 510 mijë gulden / 231.500 euro (shitur)
Apartament ne Tiranë – Vlera 205 mijë USD / 171.700 euro
Apartament në Durrës – Vlera 33 mijë euro
Apartament në Tiranë – Vlera 17.500 lekë
Apartament në Tiranë – Vlera 62 mijë USD/52 mijë euro
Automjet Mercedes Benz – Vlera 72 mijë euro
Pikturë – Vlera 6500 euro
Orë dore – Vlera 5200 euro
Ore dore -Vlera 4500 euro
Unazë diamanti – Vlera 11.500 euro
Servis porcelani (pjata) – Vlera 6800 euro
Aksione në NASDAQ – Vlera 18 mijë USD/15 mijë euro
Depozitë bankare – Vlera 52 mijë USD / 43.500 euro
Depozitë bankare – Vlera 81 mijë euro

Shekulli