Entela Resuli, 11.06.2011
Atëherë sa kishte filluar të ecte dhe të thoshte fjalët e parë, ndërsa tani i ka nderuar prindërit dhe gjyshërit duke marrë një certifikatë nga presidenti i Amerikës Barak Obama Ka qenë një vjeç e gjysmë kur i hipi avionit për të shkuar drejt tokës së premtuar… Juna Hasa, 14 vjeç, jeton tani në Teksas. E flet shqipen shumë mirë me një theks të ëmbël anglishteje. Është shumë e dhënë pas Shqipërisë dhe të afërmeve këtu. Gjyshi i saj Pasho Alimerko mban në dorë dhjetëra certifikata që mbajnë titullin “excellent”, është shumë krenar për mbesën e tij.
Sa herë tregon për të, i shkëlqejnë sytë duke thënë që: “Juna është një shembull i mirë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Amerikë por edhe këtu, jo vetëm se është mbesa ime, por ajo është një fëmijë i veçantë. Junës i pëlqen shumë Shqipëria. Asaj mund ti jetë bërë një valixhe me diploma, por mua më tërhoqi vëmendjen ajo që e mori nga presidenti i Amerikës, Obama këtë herë. Isha atje dhe u ndjeva shumë mirë kur pashë firmën e tij mbi atë diplomë.
Ka marrë edhe shumë dekorata si i merrnim në kohën e diktaturës dhe mua më vjen mirë se vlerësohet”-, tregon gjyshi duke e parë herë pas herë Junën në sy. Por kjo gjë është bërë e zakonshme për 14 vjeçaren e cila kur të rritet dëshiron të vazhdojë profesionin e së ëmës dhe të bëhet mjeke. Mësojmë se nxënësja e shkëlqyer që kemi përball vjen shpesh në Shqipëri, madje më shpesh se prindërit e saj.
Çfarë të pëlqen në Shqipëri?
Po shumë gjera. Atje është ndryshe. Në Amerikë kur del në rrugë nuk shikon asnjë njeri se janë të gjithë me makinë, ndërsa këtu kur ecën shikon shumë njerëz në rrugë dhe kjo gjë më pëlqen shumë. Dhe shqiptarët janë shumë miqësorë.
Çfarë të veçantë ka certifikata e marrë nga presidenti i Amerikës?
Po fakti që vjen nga presidenti dhe se isha një nga tre nxënësit që e morën këtë, e vetmja shqiptare. Që të meritosh këtë certifikatë, duhet ti kesh notat shumë të mira dhe duhet të jesh pranuar në një program. Që do të thotë se kur futesh në këtë program bën klasa për në universitet dhe kur e mbaron atë nuk futesh në vit të parë në universitet por direkt në vitin e dytë, është studim i avancuar pra. Pjesëmarrja në këtë kurs është në bazë të rezultateve që ke pasur gjatë kësaj kohe.
U tregon ti shokëve të tu, por edhe profesorëve të asaj shkolle që je shqiptare?
U them të gjithëve por më pyesin edhe vetë sepse më shohin emrin. U tregoj që jam nga Shqipëria, ua tregoj vendin edhe në hartë dhe ndihem krenare.
Me këto rezultate që ke Juna, mos je ndopak egoiste?
Jo. Nuk kam përse të jem egoiste, madje është e kundërta.
Ke marrë ndonjëherë 9?
Asnjëherë.
Bëhen xhelozë, shokët apo miqtë e tu për rezultate shumë e tua shumë të mira?
Nuk e di, mbase. Kisha një gjerman në klasën e matematikës, ishte i mirë ai në këtë lëndë. Bëhet një provim, tre herë në vit se sa i mirë je në këtë lëndë dhe unë dola më mirë se ai, por u kuptua që u mërzit për këtë gjë.
Je më mirë në matematikë apo në letërsi?
Në matematikë. Në një provim që bëmë në fund të këtij viti, dola më mirë nga e gjitha klasa.
Prindërit
Genci dhe Lindita Hasa. Janë prindërit më të lumtur në botë për vajzën e tyre. Prej 12 vjetësh jetojnë në Amerikë. Pasi shkuan një herë në Kanada, menduan si zgjidhje më të mirë, SHBA-në. Tani jetojnë në qytetin e Teksasit. Lindita punon si mjeke dhe Genci si inxhinier kompjuterësh.
Gjyshi për mbesën
“Unë me mbesën mburrem dhe më vjen mirë që mbesa ime më nderon mua por edhe vendin. Atë nuk e do vetëm gjyshi atë e do kushdo që e njeh. E kam të shkëlqyer. Dua që Juna të jetë një shembull i mirë”