Preç Zogaj, 11.06.2011
Ndërsa retë e konfliktit të ri politik po mblidhen mbi qiellin e Shqipërisë, asnjë prej institucioneve përfaqësuese të shtetit shqiptar – as Presidenti, as Kryeministri, as Kuvendi, as Gjykata Kushtetuese – nuk ka marrë mundimin t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e votave të hedhura në kutitë e gabuara në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Madje, ka të dhëna se kryeministri Sali Berisha jo që nuk ka marrë vetë një nismë të tillë, por ka refuzuar me mënyrën e tij, gjoja si indipendentist, propozimin që ekspertët e Komisionit të Venecias të vinë në Tiranë.
Deri në këtë moment “vota e gabuara”, të kërkuara dhe të llogaritura nga KQZ pas pilafit dhe jashtë sistemit të derisotëm të numërimit, kanë përmbysur fitoren e shefit të opozitës Edi Rama dhe njëherësh kanë cunguar ndjeshëm hartën e triumfit të opozitës në shkallë vendi. Këto janë vota që synojnë të shkurorëzojnë një arritje shumë të vështirë të opozitës dhe të rrëzojnë lidershipin e saj, sipas parimit të xhunglës “kush humbet një gjë, humbet gjithçka”, që është parimi themelor i kompeticionit politik në regjimet me fasadë demokratike si ky i Shqipërisë.
Ja përse të ashtuquajturat vota të hedhura aksidentalisht në kutitë e gabuara nuk janë vota të zakonshme. Ato peshojnë mbi historinë politike të periudhës që jetojmë dhe mund t’i japin drejtim asaj. Ata do të ishin vota të arta po të ishin të pastra dhe të vërteta. Ndërkohë, duam-s’duam, ato janë “një minë me sahat” për gjithë ekuilibrat politikë në vend dhe për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri, sa kohë që janë qëmtuar nëpër kuti ku ka më shumë fletë votimi se votues dhe ku janë konstatuar fakte skandaloze të futjes së duarve.
Certifikimi i procesit që i valorizon ose jo këto vota është një akt drejtësie e paqtimi, që nuk mund ta bëjnë institucionet e afishuara si zgjatime të qeverisë “Berisha”. Duhet një institucion autoritar dhe i besueshëm sipër palëve. Prandaj miqtë e Shqipërisë kanë sugjeruar Komisionin e Venecias. Kushdo e kupton dhe e beson se në rrethanat e krijuara, opinioni i këtij Komisioni do të ishte formula magjike e daljes nga kolapsi.
A duhet më shumë? A nuk jemi me fat që ka Venecia? A nuk jemi të nderuar që na thonë “shkoni” në Venecia? A nuk jemi të respektuar që na thonë “ejani” në Venecia?
Shumë andralla, rebuse, drama dhe fatkeqësi shkakton herë pas here sistemi vendas i ligjvënies dhe ligjzbatimit, ku arsyeja e forcës kërkon të mbajë nën thundër forcën e arsyes. Por nuk jemi të humbur e të braktisur, sepse kemi një far që shndrit edhe për ne, kemi një instancë të lartë të demokracisë dhe së drejtës, së cilës mund t’i drejtohemi.
Është Komisioni i Venecias, autoriteti i të cilit na ka përfshirë, na detyron dhe i detyrohemi qëkurse jemi bërë solemnisht anëtarë të Këshillit të Europës.
Venecia, fati ynë, na ka thirrur këto ditë më shumë e më fort se asnjëherë tjetër, m’u sikur kasandrat e Europës po shohim shkretim dhe zi në horizontin e Shqipërisë së vogël.
Pse nuk përgjigjemi? Pse nuk i kërkojmë, pse nuk i pranojmë ekspertët e Europës? Pse po e djegim këtë shans që do të evitonte çdo lloj djegieje tjetër në Shqipëri?
Si në një mallkim, a kush e di për çfarë arsyeje tjetër, ata që kanë tagrin e popullit shqiptar për t’ju drejtuar komisionit të Venecias nuk po e përdorin këtë mundësi. Të gjithë kanë lidhur duart, bëjnë sikur nuk shohin e nuk dëgjojnë. Edhe pse është një Barroso, shefi i BE-së, ai që po këshillon me ngulm Venecian.
Ndoshta mendojnë se nuk do të ndodhë asgjë, se Edi Rama do të turfullojë sa do të turfullojë pastaj do të dorëzohet. Harrojnë se nuk është në lojë vetëm karrigia dhe karriera e Edi Ramës, por zgjedhjet dhe demokracia në vend. Harrojnë se nuk janë ngjarjet në vetvete, nuk janë protestat apo nënshtrimi i opozitës, por standardet e demokracisë ato që përcaktojnë qëndrimin e Perëndimit ndaj Shqipërisë. Nga ky këndvështrim, opinion i komisionit të Venecias duhet kërkuar pa u menduar dy herë, sapo e sugjeron Uashingtoni dhe Brukseli. Edhe po të mos ketë fare situatë shpërthyese në Shqipëri.
Në situatën aktuale, që po tensionohet orë pas ore, shtetarët e Shqipërisë, Bamir Topi dhe Sali Berisha në radhë të parë, po djegin mundësinë e artë të mbylljes se paqme të kapitullit të zgjedhjeve lokale dhe hapjes së një kapitulli të ri politik që nuk mund të mos shënohet nga opinioni i ftohtë, profesional, i paanshëm dhe i besueshëm i komisionit të Venecias. Marrja e këtij opinioni nuk e zvogëlon, por e nderon dhe e lartëson drejtësinë shqiptare. Komisioni i Venecias ka asistuar e orientuar vendimmarrje të rëndësishme në vende me tradita të vjetra e të shquara në fushën e drejtësisë. Po të mos kishte këtë rol dhe po të mos vepronte si një supervisor ndërkontinental për çështjen e të drejtave, Komisioni nuk do të kishte arsye të ekzistonte.
Ja pra, madhështia vetëm e ndriçon atë që rritet përbri saj dhe në këtë kuptim, Kryeministri apo Presidenti nuk duhet të shqetësohen aspak se mos cenohet dinjiteti i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor po të pyetet Venecia. Vetëm injorantët fyhen nga dija më e lartë. Unë kam bindjen se opinion i Venecias do të ishte një ndihmë e madhe edhe për këta gjyqtarë, që padyshim jetojnë dhe punojnë në stresin e barrës që u ka rënë mbi supe.
Kryeministri Berisha e përdor si justifikim dhe alibi dinjitetin e gjyqtarëve. Ai nuk i drejtohet Venecias, sepse është arkitekti i operacionit “Ristani”. Ai ka frikë, për të mos thënë se e dinë mirë se patriarkët e Ligjit atje do t’ia kthejnë mbrapsht atë që ka gatuar me juristët e tij të bindur. Po të mos kishte këtë frikë, pra po të ishte i bindur se ajo që ka bërë është e standardit europian, Berisha do të nisej me këmbë drejt Venecias. Midis një mandati të vulosur nga Ristani dhe Ndreca, vulë që do të duket gjithnjë me shumë si njollë se sa si vulë, dhe një mandati të vulosur nga komisioni i Venecias, Berisha do të parapëlqente me gjithë zemër të dytin. Por komisioni i Venecias është i pavarur. Berisha ka një bilanc krejtësisht negativ me pavarësinë e të tjerëve.
Prandaj, nuk e do gjykimin e juristëve të pavarur. Ndihet komos me zyrtarët dhe juristët e tij sejmenë. Këta i japin siguri interesave dhe lojës së tij të çastit. Edhe pse e di se duke refuzuar komisionin e Venecias pohon grabitjen e mandatit të Tiranës. Edhe pse mund a dijë se ky refuzim do të ketë një kosto tjetër të lartë për të si një politikan, që tashmë vizitohet në Tiranë nga të huajt si aktor i krizës në vendin e tij, por nuk konsiderohet më në përmasa të tjera në aulat politike të SHBA-ve dhe Europës. Po Presidenti i Republikës, zoti Topi! Pse nuk i drejtohet ai Komisionit të Venecias? Atij do t’i shkonte edhe me shumë, sepse nuk është palë në konflikt dhe përfaqëson unitetin e popullit. Sot për sot, për mua, është një enigmë që zoti Topi nuk e përdor këtë prerogativë të paqes për vendin e tij. Një enigmë që Ai do ta sqarojë ndoshta për publikun.
Në parim, shtetarët shqiptarë nuk kanë të drejtë të mos e kërkojnë, e ca më pak të mos e lejojnë, opinionin e Komisionit të Venecias. Jam i bindur se shumica dërrmuese e qytetarëve do ta bënin vetë këtë gjë po t’u njihej kjo e drejtë. Duke refuzuar Venecian, shtetarët e Shqipërisë djegin një shans të paqes, e mbyllin me shumë vendin e tyre dhe e largojnë me shumë ëndrrën europiane të qytetarëve shqiptarë. Dhe më e keqja: duke refuzuar “pleqësinë” supreme të Venecias në ditën e ngatërresës së saj të madhe, Shqipëria shkon kundër fatit të saj.