Historiku i Partisë Demokratike, rruga drejt standardit të “gojës së mbyllur”

0
47

Faktori Plus

Nga “Faktori Plus

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbetet në historinë e Shqipërisë si partia e parë pluraliste që i dha fund regjimit njëpartiak komunist të 45 viteve në Shqipëri. E themeluar më 12 dhjetor 1990, katër ditë pas shpërthimit të lëvizjes studentore kundër komunizmit në Shqipëri, ajo u bë fillimisht shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshimin e vendit dhe rrëzimin e regjimit komunist.

Pa ndonjë përvojë ideologjike dhe e prirur të bashkonte gjithë shqiptarët kundër komunizmit, ajo i përngjante një fronti të madh antikomunist, ku bënin pjesë të gjithë ata shqiptarë që dëshironin të merrte fund epoka e komunizmit.

Në krye të saj u ngjitën një grup intelektualësh 50-vjeçarë, të cilët kishin mundësitë dhe fuqinë e duhur për të qenë përfaqësues të një brezi që kërkonte ndryshimin.

Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, Partia Demokratike bëri sprovën e parë politike duke konkurruar përballë Partisë së Punës së Shqipërisë. Ajo arriti të korrë një fitore të ndriçuar, duke fituar thuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë, por duke humbur thellë në fshatrat e saj, ku frika dhe ndikimi i regjimit komunist ishin të thella. Duke qenë një sistem i pastër mazhoritar, kandidatët e saj u dëmtuan dhe nga mungesa e përvojës dhe sistemit elektoral.

Por qeveria e re ish-komuniste e dalë nga zgjedhjet nuk pati jetë të gjatë. E promovuar mes protestave që shoqëruan tragjedinë e 2 prillit në Shkodër, ku u vranë 4 të rinj që protestonin pas zgjedhjeve, qeveria e re e kryeministrit, Fatos Nano, u gjend e izoluar brenda dhe jashtë vendit. Ajo u përball me një valë grevash, kryesisht të minatorëve, por dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Ende pa e marrë veten, ajo u rrëzua më 29 qershor 1991 duke i hapur rrugë një qeverie të stabilitetit kombëtar me kryeministër Ylli Bufin dhe zëvendëskryeministër Gramoz Pashkon.

Qeveria e re ndërmori disa reforma gjysmake me privatizimet, dhe e kaloi në gjendje shoku industrinë e vjetruar të regjimit komunist.

Në dhjetor të vitit 1991, qeveria u rrëzua pas ultimatumit të PD për arrestimin e Nexhmije Hoxhës dhe heqjes së kontrollit mbi RTVSh. Një qeveri teknike e drejtuar nga Vilson Ahmeti çoi vendin në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ku PD fitoi thellë në masën 68 për qind.

Nënkryetari i PD, Neritan Ceka, e kundërshtoi ashpër prishjen e qeverisë dhe dorëzoi mandatin e tij në zyrën e Ramiz Alisë, duke dhënë dorëheqje nga politika.

Pas kësaj nis historia e vërtetë politike e PD. Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, u zgjodh president i vendit në prill të vitit 1992 duke mos hequr dorë nga kontrolli mbi PD. Eduard Selami, lideri që e zëvendësoi atë, fillimisht në mënyrë formale në PD, ishte një figurë simpatike, por ende jo shumë autoritare.

Qeveria e re u formua në shumicë me figura të panjohura, kryesisht lokale, që Berisha i thirri në pushtet për të zëvendësuar autoritetin e themeluesve të lënë mënjanë.

Zgjedhjet e para lokale në korrik të vitit 1992 ishin një dështim për PD. PD rifitoi bashkitë kryesore në vend, por humbi në sistemin mazhoritar, edhe pse mori më shumë vota popullore.

PD nisi të kërkonte përgjegjësit brenda saj. Një grup intelektualësh themelues të PD, kritikë me Berishën dhe mënyrën se si po e ndante ai pushtetin, ngritën zërin. Mes tyre shquante Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Perikli Teta dhe figura të tjera të rëndësishme themeluese të PD.

Në gusht të vitit 1992, ata botuan një dokument, ku kërkonin një analizë të përgjegjësisë brenda PD, por si përgjigje morën një Konferencë të jashtëzakonshme në muajin shtator, që i përjashtoi ata nga Partia Demokratike.

Ky ishte përjashtimi i parë i dhimbshëm brenda PD, i cili çoi në formimin më pas të Aleancës Demokratike, një grupimi liberal me një gjuhë të ashpër opozitare me PD.

Në vitin 1993-1994, brenda PD po formoheshin fraksione paksa më radikale nga e djathta. Petrit Kalakula, që drejtonte degën e Tiranës dhe Abdi Baleta, një deputet me qëndrime nacionaliste të qarta, po rrisnin frymën kritike ndaj Berishës, sidomos pas përpjekjeve të tij për t’iu rikthyer profilit të majtë të partisë, duke shpallur Fan Nolin një idhull politik të PD dhe duke vlerësuar Revolucionin e Qershorit 1924, si revolucion demokratik, njësoj si ish-komunistët.

Kalakula dhe Baleta u përjashtuan nga PD dhe ngelën po ashtu në minorancë, në përpjekje për të formuar disa fraksione të djathta, siç ishte Partia e Djathtë Demokratike dhe Rimëkëmbja Kombëtare.

Pas humbjes së referendumit të Kushtetutës në nëntor të vitit 1994, Berisha u gjend i papërgatitur dhe pa asnjë tezë politike për të shpërndarë përgjegjësinë. Për fatin e tij rebeli i radhës u gjend vetë. Eduard Selami, kryetar i PD, nisi një tur kritikash në gjithë vendin duke kërkuar të bashkohej posti i kryeministrit me atë të kryetarit të PD dhe të kërkonte forma të tjera të ri-miratimit të Kushtetutës, siç ishte çuarja në Kuvend, dhe korrigjime të pjesës problematike.

Pas kësaj ai u përjashtua nga PD në një Kuvend të saj në pranverë të vitit 1995, duke mos u lejuar as të hynte në mbledhjen që po merrte vendim për shkarkimin e tij.

Pas kësaj, Selami u largua pas disa muajsh nga Shqipëria drejt SHBA me një bursë studimi dhe më pas mbeti aty duke tentuar herë pas here të rikthehet në Shqipëri, por pa ndonjë plan konkret.

Zgjedhjet e majit 1996 ishin një shans i humbur për PD. Ajo u dëmtua rëndë nga fitorja e thellë dhe e paprinciptë në gjithë vendin, pas një procesi të destabilizuar nga mungesa e opozitës dhe humbja e kontrollit institucional mbi procesin.

Zgjedhjet u kritikuan rëndë dhe u bënë shkak për prishje të marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA.

Disa përpjekje diplomatike për të zbutur situatën u refuzuan nga zoti Berisha dhe gjendja shkoi në ekstrem. Rrotull Berishës mbetën pak zëra autoritarë dhe i vetmi që dukej se përçonte frymën e tij radikale tek Perëndimi ishte këshilltari i tij, Genc Pollo.

Pas zgjedhjeve të dështuara dhe formimit të një qeverie të re gati teknicienësh, pa figura përfaqësuese politike të PD, Berisha ngjante i plotpushtetshëm, por dhe në ankth për të ardhmen e pushtetit. Të gjitha figurat politike ishin larguar prej tij, dhe ekipi i teknicienëve të PD, që drejtonin qeverinë, ishin të pazot për të përballuar krizën politike që po vinte.

Në këto kushte, zgjerimi i bazës financiare të skemave piramidale dhe përpjekjet e dështuara të Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe ministrit të Financave, Bode, për t’i ndalur ato, dështuan. Në janar të vitit 1997 u dhanë shenjat e para të krizës dhe u shfaqën po ashtu zërat e parë kritikë brenda PD.

Kur kriza shpërtheu në gjithë elementët e saj në muajin shkurt dhe mars, Berisha u ri-gjend pa asnjë zë autoritar politik brenda PD. 14 ministra dhe ish-ministra të tij, mes të cilëve Genc Ruli, Dashamir Shehi, Dylber Vrioni, Bashkim Kopliku etj., dhanë dorëheqjen duke u distancuar nga Berisha dhe politika e tij. Berisha u rizgjodh në mënyrë të dyshimtë president më 3 mars 1997, por gjashtë ditë më vonë u detyrua të dorëzojë pushtetin e qeverisë së tij tek Bashkim Fino për shkak të përshkallëzimit të protestave dhe destabilizimit të vendit.

Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 ai humbi thellë dhe u detyrua të rikthehej në seli të PD duke dhënë dorëheqjen dhe nga President i Republikës.

Besniku i tij i fundit, ish-kryetari i PD, Tritan Shehu, ishte i pari që e braktisi dhe u bë një zë kritik ndaj tij.

Vitet që pasuan ishin vite të vështira të Berishës, shoqëruar me izolim të fortë politik, ndërkombëtar e kombëtar. Qeveria shqiptare dhe shumë diplomatë perëndimorë u angazhuan për izolimin dhe nxjerrjen e tij nga politika. Investimi kryesor në këtë drejtim u bë mbi Genc Pollon, në atë kohë nënkryetar i zotit Berisha. Pollo u stimulua të largohej nga Berisha dhe politika e tij dhe u bë një kritik i egër i tij. Në vitin 1999 ai u largua nga Kuvendi, ku do rivalizonte Berishën dhe e akuzoi atë si njeri të korruptuar që kishte marrë pará nga firmat piramidale dhe i kishte investuar në New Jersey. Akuzat e Pollos ishin të pazakonta dhe mbështeteshin nga medie në tërësi antiopozitare dhe një qeveri që e kishte objektiv politik largimin e Berishës nga politika.

Në zgjedhjet e qershorit 2001, Pollo me ndihmën e ish-kryeministrit, Ilir Meta, arriti t’i marrë PD dhe siglën e saj, duke stimuluar kështu një fitore deri në 5 për qind në rang vendi, një rezultat surprizë për një lider anonim.

Fryma antiopozitare që rrethonte Berishën dukej se po merrte fund në vitin 2002, kur nisën përpjekjet për një president konsensual. Berisha, i cili kishte humbur jo për faj të tij në zgjedhjet e vitit 2001, arriti të rimarrë veten duk u bërë faktor në zgjedhjen e Alfred Moisiut president të republikës dhe Dhori Sollakut si kryeprokuror i vendit.

Pas kësaj ai nisi një kurs të fortë të ndryshimit politik duke u përpjekur të fitojë besimin si një lider i reformuar dhe një figurë e hekurt kundër korrupsionit.

Një sërë aksionesh politike si ai “Nano Ik!” ia rritën pikët në opinionin publik.

Në vitin 2005, falë këtij imazhi që kishte nisur të ndryshonte dhe trukut të krijimit të një grupi të rinjsh pranë PD nën emrin KOP, ai arriti t’i bindë shqiptarët për ta rivotuar. Ai fitoi më 2005 përmes një fushate komplekse, ku kombinoheshin ish-themeluesit disidentët, të rinjtë dhe figurat solide politike të PD.

Por ndarja e pushtetit nuk i ngjau fitores. Ajo u bë pronë e njerëzve të afërt të Berishës, kryesisht rekomandime familjare dhe njerëz besnik të tij. U mbajtën larg pushtetit gjithë ish-disidentët e PD, përjashto Rulin, i cili bëri marrëveshje personale me të. Po ashtu iu dha pushtet i madh të rinjve që Berisha kishte nën kontroll.

Nën këtë skemë qeverisëse, me njerëz formalë, por jo liderë realë, ai prodhoi disa skandale të rënda në qeverisje, siç ishte rasti i Gërdecit apo papërgjegjësia e prokurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Njerëzit e afërt të Familjes së tij u shfaqën në çdo aferë korruptive dhe sekserë të familjes, si Damir Fazlliç, u bënë simbole të kapjes së shtetit përmes Familjes së tij.

Tragjedia e Gërdecit ndryshoi historinë politike dhe personale të Sali Berishës. Nën ankthin e gjykimit të paanshëm për njerëz të afërt të tij, të përfshirë në këtë aferë, ai nisi një sërë sulmesh ndaj sistemit të drejtësisë dhe kryeprokurores, Ina Rama. Vitit 2008 ishte një vit i harxhuar në luftë me drejtësinë dhe jo me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Frytet e para të kësaj lufte u korrën, edhe pse me vonesë. Dosja Gërdeci, e cila gjendet në gjykatë, u mbyll për të akuzuarin e saj kryesor, Fatmir Mediun. Edhe pse Berisha deklaron në tribuna se nuk e njeh imunitetin si mburojë për veten dhe qeverinë e tij, ministri i tij, Fatmir Mediu, u mbrojt në Gjykatë me imunitet. Çështja Mediu bëhej e nxehtë, pasi skandali, për të cilin ai akuzohet, çon normalisht para drejtësisë djalin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, lobuesi kryesor i kontratës vdekjeprurëse dhe bashkëpunëtor i Mihal Delijorgjit. Media botoi tabulatet e tij me Delijorgjin pas tragjedisë, raportimet me faks të ministrit të Drejtësisë për të, dhe hyrje-daljet e tij në zyrën e Fatmir Mediut ditët kur lobohej kontrata.

Po ashtu, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj Lulzim Bashës, me arsyetimin procedural se ka kaluar afati i hetimit me disa javë, duke e varrosur përfundimisht këtë çështje.

Me të njëjtën mënyrë është mbyllur dhe gjyqi ndaj sekserit të familjes Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, bizneset e të cilit në Shqipëri janë praktikisht nën administrim prej studios ligjore të vajzës së Sali Berishës.

Nën peshën e akuzave për korrupsion, kapje të shtetit dhe përdorim të pushtetit për interesa të njerëzve të afërt të tij, Berisha shkoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me një listë besnikësh që nuk përfaqësonin më as frymën e vitit 2005 dhe nevojën për reforma që ka ajo parti. Ai përjashtoi nga listat e deputetëve gjithë figurat me individualitet politik.

Mbështetësit e presidentit Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD, janë larguar nga listat dhe strukturat e PD duke shënuar kështu fushatën e fundit spastruese në PD dhe duke i lënë ata jashtë garës së partisë dhe garës elektorale.

Zgjedhjet e 28 qershorit dëshmuan efektin rrënues të këtyre figurave tek elektorati stabël i PD. PD pati rënie të ndjeshme në jug të vendit dhe në disa zona në veri të saj. Po ashtu, rënie pati në Durrës, Elbasan dhe Korçë.

Përmes mobilizimit të strukturave shtetërore, me një fushatë të pashembullt financiare dhe mediatike jashtë çdo rregulli, dhe më një teknologji të avancuar manipulimi, PD arriti të shkojë deri afër fitores, pa e prekur atë. Pas kësaj ajo nisi përpjekjet për të bërë pjesë të koalicionit LSI, duke përdorur për këtë investimin që vetë PD kishte bërë për mandatin e dyshimtë të Dritan Priftit në Fier. Siç rrëfen vetë Prifti, ai mandat ishte falë ndërhyrjes së Berishës.

I gjendur në një koalicion me një ish-kryeministër, me të cilin ka pasur një histori të vështirë bashkëjetese, Berisha prej verës së këtij viti ka përqendruar sulmin ndaj opozitës dhe përpjekjes për të shkatërruar lidershipin e Edi Ramës. Nën këshillat e qarta të zotit Meta, ai po sulmon çdo biznes, dhe çdo medie që nuk e ka nën kontroll duke shpresuar se kështu do të dobësojë rivalin e vet. Edhe pse është fokusuar gjatë te mungesa e demokracisë brenda PS dhe tek akuzat që Rama po e drejton personalisht partinë e tij, dje Sali Berisha dha një shembull se sa personal dhe familjar e ka atë grumbull njerëzish që vazhdon të quajë Parti Demokratike. Ai është kandidatura e vetme, dhe pa asnjë shans dhe për zëra kritikë brenda PD.

Ai po merr mandatin e radhës për të drejtuar këtë parti, në krye të së cilës po shkon një çerek shekulli, duke thyer çdo rekord, pas Enver Hoxhës.