ADRIAN CIVICI, 14.12.2009
Nuk janë vetëm aktorët, këngëtarët apo shkrimtarët që i nënshtrohen klasifikimeve e konkurseve të shumta. Në këtë vit të vështirë krize financiare, ekono-mike e sociale, duket se janë …financierët dhe ekonomistët ata që po kalojnë në filtrin e vlerësimeve të rëndësishme e prestigjioze ndërkombëtare. “Bukuria” apo “performanca” e tyre matet me filozofinë, politikat e adoptuara dhe rezultatet në menaxhimin e krizës financiare. Më shumë se sa glorifikimi i figurës apo specifikave të personalitetit të tyre, më shumë se sa stili i veshjeve apo zakoneve ushqimore, rëndësi po i kushtohet analizave mbi masat dhe paketat speciale “antikrizë” të propozuara e të mbrojtura me devocion përballë presioneve të mëdha si pasojë e situatave tejet të ngarkuara politikisht e ekonomikisht. Fjalët çelës në shkaqet dhe argumentet që çuan në kurorëzimin e tyre janë “cilësia e menaxhimit, qëndrueshmëria ndaj presioneve, prudenca në marrjen e vendimeve, idetë dhe politikat performante”. Këtë vit, dy yjet e financave evropiane e botërore janë Jean-Claude Trichet, President i Bankës Qendrore Europiane dhe Christine Lagarde, ministria franceze e Financave.
Në këtë periudhë tejet problematike e të vështirë krize, Jean-Claude Trichet, që prej vitit 2003 në postin e Presidentit të Bankës Qendrore Europiane (BQE), u kurorëzua me notën më të lartë nga ana e revistës amerikane “Global Finance”. Që prej vitit 1994, kjo e përmuajshme financiare nga më seriozet e botës, bën një vlerësim për 30 bankierët qendrorë më të rëndësishëm të botës duke i vlerësuar ata me nota nga A në D në raport me performancën e tyre në politikat monetare, kontrollin e inflacionit, realizimin e objektivave ekonomike, stabilitetin e monedhave që ata menaxhojnë, administrimin e përqindjes së interesit,etj. Në edicionin e saj të tetorit 2009, “Global Finance” vlerësoi veçanërisht cilësinë e menaxhimit të krizës financiare nga ana e Bankave qendrore që ata drejtonin. Në krye të klasifikimit, i vlerësuar me notën A, që është dhe vlerësimi maksimal, u rendit Presidenti i BQE, J.C. Trichet, ndërkohë që në klasifikimin e një viti më parë, në 2008, Trichet ishte vlerësuar me notën C. Sipas revistës “Global Finance”, “ai dha prova të qarta kompetence gjatë vitit të vështirë 2009”. Duke bërë veshin e shurdhët ndaj thirrjeve për uljen drastike të normës bazë të interesit si përgjigje ndaj situatës së vështirë ekonomike, Trichet përpunoi me kujdes politikën monetare të zonës euro me qëllim që të mbante të kontrolluar inflacionin, por njëkohësisht duke ushqyer me likuiditet sistemin bankar evropian që ndodhej në vështirësi… duke adoptuar një sjellje prudente dhe mjaft të matur, si dhe duke evituar ndryshimet drastike të politikës së saj monetare, BQE ndikoi pozitivisht në zbutjen dhe amortizimin e luhatjeve të aktivitetit ekonomik dhe jo në amplifikimin e këtyre luhatjeve.
Në fakt, evolucioni i krizës evidentoi si elementin më të mirë për menaxhimin e saj “qëndrueshmërinë dhe prudencën…cilësi këto mjaft mirë të demonstruara nga BQE në këtë kohë krize….por që përpara krizës kishin përbërë objekt kritikash për të”. Politika monetare e BQE dhe vendimet për normën bazë të interesit të euros shpesh u bënë objekt kritikash të ashpra nga mjaft kryeministra e kryetarë shtetesh të BE-së, të cilët e akuzonin Trichet-në se “po bënte një politikë monetare të paarsyeshme” dhe me mjaft diferenca në raport me politikën monetare amerikane. Por përgjigjja dhe filozofia e tij mbeti e njëjta: “lufta ndaj inflacionit është prioriteti absolut i BQE… ky është dhe mandati im legjitim… kontrolli i inflacionit është vital për nxitjen e rritjes ekonomike dhe punësimin”. Dhe koha i dha të drejtë.
Ndërkohë, Ben Bernanke, Presidenti i Rezervës Federale Amerikane (FED), ashtu si edhe në 2008 u vlerësua me notën C duke u vendosur në të njëjtin rang me bankat qendrore të Argjentinës, Kinës, Tajlandës, Arabisë Saudite,etj. “Bernanke dhe thesari amerikan që FED e ka frekuentuar nga afër duke blerë 24.1% të borxhit të emetuar nga Shteti në 2009, kanë ndikuar në paqëndrueshmërinë e ekonomisë dhe sistemit financiar….por njëkohësisht, FED duhet të ndajë përgjegjësinë e mbjelljes së farës për krizat e ardhshme” vlerëson Global Finance. “Më një shumë kaq të madhe borxhi, SHBA janë më shumë se kurrë në dorën e bankave qendrore të vendeve të tjera. Investitorët e huaj duhet të nxiten që të vazhdojnë të blenë bono thesari të qeverisë amerikane me përqindje interesi afat-gjata të larta”, çka përbën një barrë të rëndë për ekonominë amerikane. Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, është vlerësuar me notën B, që gjithsesi është më e mirë se nota C e marrë në vitin 2008. “Deri diku aventuroz në tendencën e Bankës së Anglisë për të qenë në pararojë të bankave qendrore për ta çuar shumë shpejt pothuajse në zero përqindjen bazë të interesit si dhe për të blerë pasivisht bonot shtetërore të thesarit”. Në këtë mënyrë, Bankës së Anglisë nuk i mbeten shumë mundësi manovrimi për të administruar daljen nga kriza duke i kushtëzuar kështu përsëri një vlerësim jo të mirë edhe për vitin 2010.
Ndërkohë, Christine Lagarde, ministrja franceze e financave u cilësua nga një juri prestigjioze e revistës “Financial Times” si “star”-i i botës së financave. E klasifikuar që në vitin 2006 nga revista “Forbes”, kur ishte ministre e Tregtisë, në 100 femrat më të pushtetshme të botës, avokatja 53-vjeçare e ardhur nga mjediset më të larta të jurisprudencës dhe financave botërore, së fundi edhe si presidente e kabinetit prestigjioz Baker&McKenzie në Çikago, u vlerësua për “vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë” e saj në të gjitha vendimet dhe politikat financiare gjatë këtyre dy viteve të krizës. Sipas të përditshmes financiare britanike, “Christine Lagarde u bë një yll në botën e financave të gjithë vendimmarrësve politikë në nivel ndërkombëtar. Ajo spikati për “marrëdhëniet tejet profesionale” me Kryeministrin dhe Presidentin, duke shmangur çdo “ndikim apo ndryshim në vendimet e saj nën efektin e rregullave politike apo të qenit “politikisht korrekte”. Në mënyrë të veçantë u vlerësua performanca e saj ndërkombëtare në lidhje me rregullat e reja që duhet të adoptojnë bankat dhe sistemi bankar në tërësi”. “Asnjë ministër tjetër financash në vendet e zhvilluara dhe ato me ekonomi me peshë në ekonominë botërore nuk arriti ta përballonte me aq performancë një vit të vështirë si ky i fundit”, shtonte gazeta në komentin e saj për Christine Lagarde.
Këtij bilanci pozitiv i ka kontribuar dhe statura e saj ndërkombëtare :”anglishtja performante, mënyrat speciale për të prezantuar dhe forcuar pozicionin e Francës në negociatat ndërkombëtare dhe idetë e propozimet e saj për rregullimin e arkitekturës financiare ndërkombëtare”. Ministria është edhe një mbrojtëse e zjarrtë e rregullave të konkurrencës dhe kontrolleve që duhen ushtruar për ta garantuar realisht atë. Sipas saj, në kuadrin e kuadrit të ri rregullativ të financave ndërkombëtare, G20 apo dhe institucione të tjera të rëndësishme të qeverisjes globale duhet t’i konsiderojnë rregullat e konkurrencës po aq të rëndësishme sa stabiliteti apo siguria e tregjeve financiare. Revista FT vlerëson se ekonomia franceze rezultoi si një nga më rezistentet e gjithë botës industriale në raport me krizën dhe efektet e saj. Ajo u shfaq si një ekonomi e ekuilibruar, që nuk varej as nga eksportet e importet, nuk kishte një sektor imobiliar të atrofizuar dhe mbi të gjitha, dispononte një sektor publik solid që kontribuoi mjaft në ruajtjen e ekuilibrave. Së fundi, “Financial Times” konkludonte se “masat e marra nga qeveria franceze gjatë gjithë kësaj periudhe krize, dhe veçanërisht ndërhyrjet efektive buxhetore, frenuan një recesion të rrezikshëm”. Në përvjetorin e katërt të dhënies së këtij vlerësimi nga kjo revistë, përveç Christine Lagarde, në vend të dytë u klasifikua ministri gjerman i financave Peer Steinbruck, i ndjekur nga homologu belg Didier Reynders dhe suedezi Anders Borg. Në vend të pestë u rendit ministri italian i financave Guglio Tremonti, i cilësuar si një nga ministrat më popullorë të qendrës së djathtë, edhe në këto vite krize e domosdoshmërie reformash radikale.