Kosova të njohë veten, para se të kërkojë njohje

0
46

Agustin Palokaj, 08.06.2011

Kur me kohë kishim tërhequr vërejtjen se pranimi i Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë pa përgatitje të duhura, pa një konsensus kombëtar dhe pa i sqaruar beneficionet eventuale dhe pasojat, do të ketë ndikim negativ në procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, përfaqësues të qeverisë mundoheshin të na bindnin në të kundërtën, se dialogu “do të ndihmojë në shtimin e njohjeve”

Kur me kohë kishim tërhequr vërejtjen se pranimi i Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë pa përgatitje të duhura, pa një konsensus kombëtar dhe pa i sqaruar beneficionet eventuale dhe pasojat, do të ketë ndikim negativ në procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, përfaqësues të qeverisë mundoheshin të na bindnin në të kundërtën, se dialogu “do të ndihmojë në shtimin e njohjeve”. Nuk ka qenë ndonjë vështirësi të kuptohet se nisja e dialogut do të parandalojë një varg njohjesh. Këta zyrtarë të BE-së madje e kishin paralajmëruar në një mënyrë indirekte, duke shprehur kënaqësi për ndasitë që ekzistojnë brenda Bashkimit Europian rreth pavarësisë së Kosovës. “Është shumë mirë që kemi shumicën e vendeve, të cilat e kanë njohur Kosovën, por kemi edhe të tilla që nuk e kanë njohur. Kjo na bën që ne si BE të jemi edhe ndërmjetësit më të mirë të mundshëm në dialog”, pati thënë një zyrtar shumë i lartë i Bashkimit Europian.

Madje nga burimet diplomatike është mësuar se Serbisë nga ana e BE-së i është premtuar se gjatë dialogut nga ajo nuk do të kërkohet asgjë që do të vërë në pikëpyetje qëndrimin ndaj statusit të Kosovës. Njëlloj është bërë edhe me shtetet e BE-së, të cilat janë kundër pavarësisë së Kosovës. Madje këtyre të fundit, në vend të kritikave që me mosnjohjen e Kosovës po e vështirësojnë politikën e jashtme të përbashkët të BE-së, këtyre shteteve u janë shprehur lëvdata se me mosnjohje kanë dhënë kontribut të madh pozitiv në politikën e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit.

Me këtë mendohet se BE-ja është “mirë me Beogradin e mirë edhe me Prishtinën” duke qenë “neutrale ndaj statusit”. Por “neutrale ndaj statusit” në praktikë do të thotë kundërshtare e statusit. Si rezultat kjo do të thotë se BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet. Këtë ose nuk e kuptojnë pjesëtarët e qeverisë së Kosovës nga naiviteti dhe injoranca e tyre ose manipulojnë opinionin me kinse dobi nga dialogu. Ndoshta dialogu në fund do të ndihmojë në njohje, por vetëm nëse si rezultat i dialogut Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës. Kështu, së paku në këtë pikë, Kosova ka pranuar ta lidhë fatin e saj përsëri me Beogradin dhe t’i japë Beogradit po vetëm çelësat e dyerve të integrimit të Kosovës në BE, por edhe të procesit të njohjeve të reja.

Njërit prej hiç më pak se 6 zëvendëskryeministrave të Kosovës, ndonëse të parit në mesin e tyre, Behxhet Pacollit, i është dashur të shkojë në Afrikë për ta kuptuar se dialogu Edita Tahiri-Borko Stefanoviq, i ndërmjetësuar nga Robert Cooper, pengon njohjet e Kosovës. Se këtu Pacolli e thotë të vërtetën, dëshmojnë shumë diplomatë të shteteve që nuk janë kundër Kosovës, por ende hezitojnë ta njohin. Shumë prej tyre i kanë thënë kësaj gazete se nga Beogradi vjen një “lutje e arsyeshme” që të mos ketë ndonjë hap të njohjes derisa zgjat dialogu, sepse kjo do të mund të ndikojë negativisht në dialog”. Rasti konkret ishte paralajmërimi, ndonëse duhej të merrej me rezerva, sepse vinte nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, se Egjipti do ta njohë Kosovën.

Në atë lajm, sapo pamë se “Egjipti do të konsultohej me BE-në”, e kishim të qartë se njohje të shpejtë nuk do të ketë, sepse BE-ja askujt nuk i thotë, dhe nuk mund t’i thotë, që ta njohin Kosovën, kur vetë nuk e trajton si shtet dhe ka dialogun dhe dhënien e statusit të kandidatit Serbisë si prioritet. Dialogu ka penguar edhe procese tjera, siç janë veprimet më të rrepta të EULEX-it në veri dhe avancimi i disa planeve të BE-së me Kosovën për të pritur se si Kosova do të sillet në dialog. Por këtu, po ndalemi vetëm te njohja. 
Dialogu dhe vendosja e tij si prioritet jo vetëm kryesor, por i vetëm për Kosovën i BE-së, ishte po ashtu edhe shkaktari kryesor pse u humb rasti ideal që të shfrytëzohej mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në vend që të kërkohej menjëherë dhe me zë që të gjitha vendet e BE-së dhe të tjerat ta njohin Kosovën, duke ua përkujtuar se arsyet që përmendnin më herët se kjo nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare më nuk vlejnë, dhe në vend që të kërkohej edhe, pse jo, nga vetë Serbia që ta njohë Kosovën, sepse GJND-ja pikërisht në pyetjen e Serbisë e dha përgjigjen që dha, i tërë debati u drejtua nga dialogu. Së pari, Serbia e bëri këtë duke propozuar Rezolutë në OKB dhe duke kërkuar të mos ketë njohje derisa të vendoset për Rezolutën. Pastaj BE-ja hyri në dialog me Serbinë për ta ndryshuar këtë Rezolutë dhe së fundi Rezoluta ftoi për dialog dhe temë u bë dialogu. Njohjet u harruan dhe rasti i madh shkoi dhe nuk do të kthehet më, së paku jo derisa e dërguara e posaçme e Kryeministrit Thaçi për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, të mos e bindë Beogradin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, apo t’u japë leje shteteve të tjera që ta bëjnë një gjë të tillë.

Pra ritmi i njohjeve pas GJND-së u ngadalësua në vend që të përshpejtohej. 

Arsyeja tjetër për mungesën e njohjeve janë manipulimet në zgjedhje dhe imazhi i keqësuar i liderëve të Kosovës. Kjo pengon njohjen jo për shkak se shtetet, të cilat duhet të njohin Kosovën, çajnë shumë kokën për demokraci dhe sundim ligji, por për shkak se kjo ka ndikuar te miqtë e Kosovës, shtetet demokratike perëndimore, që të humbin motivin për t’i ndihmuar Kosovës në këto rrethana. Sot, pranojnë shumë diplomatë të këtyre shteteve, nuk është shumë e lehtë të angazhohesh në favor të Kosovës.

Dhe fjalët që vijnë nga ambasadorët e disa vendeve në Kosovë, apo deklaratat pas ndonjë takimi me përfaqësues të Kosovës për angazhim për njohje, nuk pasohen me vepra as nga vendet kryesore që e kanë njohur Kosovën. Në BE, për shembull, Britania e Madhe ka mbetur pothuajse e vetmuar në kërkesat që të trajtohet Kosova më shumë si shtet. Por edhe britanikët thonë se “këtu mbrojmë qëndrimin tonë e për ne Kosova është shtet”, ndërsa zyrtarë të BE-së thonë se Kosova edhe vetë dërgon sinjale kontradiktore, përfshirë edhe të tilla se mund të pranojë zgjidhje edhe në kuadër të Rezolutës 1244. “Kosova duhet ta njohë mirë veten së pari, e pastaj të kërkojë më shumë njohje”, thoshte me ironi një diplomat europian.

Problem serioz me Kosovën është edhe politika e saj e jashtme, ose thënë më mirë degradimi total i Ministrisë së Jashtme. Kjo ka bërë që të mos ketë fare politikë të koordinuar të jashtme dhe nuk mund të ketë në rrethana të tilla kur janë së paku gjashtë ministri paralele të jashtme. Vlora Çitaku merret me BE-në, Edita Tahiri me Serbinë, Behxhet Pacolli me Afrikën, Hashim Thaçi me Turqinë, rol tashmë ka edhe Presidentja Jahjaga, çfarë i mbetet atëherë ministrit të Jashtëm të bëjë. Dhe BE-ja është e kënaqur të takojë shumë ministra të tjerë dhe zëvendëskryeministra vetëm e vetëm që të ketë sa më pak kontakte me Ministrinë e Jashtme të Kosovës. Kjo, sepse Ministria e Jashtme është ajo që simbolizon shtetësinë e Kosovës.

Vetëm shtetet kanë ministri të Jashtme, ndërsa qeveri, zëvendëskryeministra, ministri Integrimesh, të Bujqësisë, Ekologjisë kanë edhe rajonet që nuk janë shtet. 

Degradimi i Ministrisë së Jashtme është bërë për të krijuar vende pune për argatët partiakë të partnerëve të koalicionit. Kjo ka bërë që me Kosovën sot të tallen edhe ata që mundohen ta ndihmojnë, duke thënë me ironi se “Hashim Thaçi është njeriu më i pasur në Europë me zëvendës”. Në vend që të zvogëlohet numri i resorëve të qeverisë, ato janë shtuar dukshëm, me çka janë shtuar edhe shpenzimet, por jo edhe puna. Është krijuar më shumë konfuzion se kush është përgjegjës për çka në Kosovë. E tashmë kur mbaroi procesi i punësimit të argatëve në postet ministrore dhe zëvendësministrore në Prishtinë, do të pasojë edhe punësimi i atyre që kanë mbetur nëpër ambasada.

Dhe kështu, politika e jashtme e Kosovës, në kohën kur ende nuk është krijuar si duhet, do të degradohet edhe më shumë. Kështu është kur liderët kosovarë nuk e marrin seriozisht shtetin e tyre, kur krijohen ministri fiktive për të vendosur një person në ndonjë post, kur ndarja e bizneseve është më e rëndësishme sesa puna për vendosjen e sundimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit, atëherë është e pakuptimtë të pritet që të tjerët ta marrin seriozisht Kosovën kur liderët e saj nuk e marrin seriozisht shtetin e tyre. Ambasadorët e huaj shkojnë e vijnë, ata të sotmit vazhdojnë karrierën diku tjetër dhe të tjerët vijnë, Kosova mbetet të vuajë në të ardhmen pasojat e mosfunksionimit të sotëm të shtetit.