Plaku*, trimat** – dhe dëshmorët*** e Gllogjanit me 24 mars 1998

0
115

Ismet Hasani

Me rastin e 16 vjetorit të Betejës se Gllogjanit
Ai qe vdes për atdhé, nuk ka vdekun, por ka lé!
Historiani është një profet që kthehet gjithmonë prapa.
Historia shkruhet me të vërteta e jo me gënjeshtra.

Edhe duke mos thënë asnjë fjalë, por duke heshtur para gënjeshtrës, gënjejmë. Por gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra e heshtur kombëtare e vigane, që përkrah e ndihmon shpifjen, parabarazinë, tiraninë dhe të keqen që mjeron një popull.
Vetëm liria i jep gjallëri e kuptim jetës, vetëm me të shpërthejnë të gjitha aftësitë e forcat pozitive që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave më të larta të artit, shkencës dhe përparimit të mendimit njerëzor.

*plaku – Hilmi Haradinaj;
**trimat – Hilmi, Ramush, Shkëlzen, Meme, Daut, Enver e Frashër Haradinaj;
***dëshmorët – Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.

Serish vjen marsi, serish vjen stina,
Të rënët e të gjallët, bëhen tok,
Vésë as shi s’duron lëndina,
Burrëria nuk duron lot!

Ismet Hasani

Është vërtetë e dhembshme dhe e rëndë për atë që posedon ndjenja, kur dëgjon se në një vend të vogël, në një katund jo aq të madh, me emnin Gllogjan, ditën e 24 marsit 1998 për disa orë rresht, apo gjithë ditën e ‘gatë luftuan pa u ndal për asnjë çast të vetëm babai Hilmiu – “plaku” të bijën, Memën, me djemtë: Ramushin, Shkëlzenin, Dautin, Enverin, Frashërin, sespe ishin betuar, veçmas pas vrasjes se të vëllait, Luanit, që kamb’ shkjau e çetniku, e as ushtari e polici serb, të mos shkeli në Gllogjan; m’u për këtë nga Ramushi ishin furnizuar me armë dhe secili e kishte pushkën e vet…
Po ashtu është e dhembshme kur dëgjon se po në Gllogjan, po në këtë ditë – më 24 mars 1998, vetëm brenda disa orëve kanë rënë tre të rinj shqiptarë: vëllezërit Gazmend e Agron Mehmetaj dhe i riu Himë Haradinaj, në luftë kundër një policie e ushtrie serbe numerikisht shumë të madhe dhe me arsenalin më modern luftarak.
Por, kur kihet parasysh krenaria e shqiptarit, që në jetën e tij, dy gëzime i ka:

Një, me lindë e
Të dytin, në luftë me ra!

Atëherë krenaria e mund dhembjen! Ngase Kombi Shqiptar dhe çdo shqiptar si inidivid thua se i ngjajnë hekurit i cili, kur bie në zjarr, skuqet dhe lehtë mund të lakohet, por kur hekuri bie në ujë – thua se “pi ujë” dhe flladitet dhe, si të ftohet, drejtohet e forcohet aq shumë sa që edhe emnin e ndërron dhe nuk thirret më hekur, por thirret – ç e l i k! E çeliku është shumë më i fortë se hekuri.
E pra, edhe shqiptari ka rënë në zjarr, por nuk është djegur, vetëm se ka përftue përmes flakës se madhe, nuk është zharritë e as përzhitur, por diqysh është “rexhur” trupi i tij, për t’iu bërë ballë më lehtë mëpastaj furtunave dhe rreziqeve që ia sjell i keqi, bile edhe ai më i keqi, e nuk ka më të keq sesa ai të cilin e ké komshi, afër të cilit dhe me të cilin ke jetua gjatë, te cili e ké “bindur” se si shqiptar – ti e ke fjalën e dhënë, ké besën e dhënë e ai ka fituar besimin në ty, se ti nuk e mashtron, nuk e gënjen, nuk e tradhëton…, bile, bile nuk ia dëmton as shtëpinë e as pasurinë… Përkundrazi, ia mbron e ia ruan, ia mbron e ia ruan krejt familjen nga çfarëdo “rreziku” që i kanoset nga “shumica shqiptare”…e thirrë në darkë e drekë, e thirrë në dasmë e në ‘dekë duke i folur në gjuhën e tij e merr edhe si “argat” edhe si “kosaçë” e shtin në shtëpi, e pret siçi pret kushërinjtë dhe vëllazninë, nuk fshehë nga ai “as nuse, as çikë” me një fjalë nga komshia nuk ké “havale”, ai t’i di edhe “sa lugë i kije n’shpi”, atij ia beson edhe shtëpinë me ia lane edhe gjânë me ia lanë, kur ké me shkua të miku e të dikush-i, ia beson të gjitha, i beson me ja lan’ krejt “robt’ e shpisë”… të gjitha që janë tuat e të shpisë t’ande ia beson komshiut, sepse këtë e ké traditë si shqiptar që: “komshinë duhet m’i ruejt e m’i kqyr e me u kujdes për të, se nuk e kije asnjë mâ të afërt se komshinë, se komshia i mirë ka “kymet” te madh, bile edhe kur vjen puna që ti m’ shitë token a shpinë, ai që e ka “nijetin” m’i blé, fort mirë interesohet dhe të dvetë, kë e kije komshi dhe kur ti i tregon se “kojshinë e kam të mirë”, edhe ai “edhe mâ shtrejtë edhe mâ me qejf” ta blénë tokën e shpin’ dhe për këtë na ka mbetë ajo fjala e t’moçmive “kojshia i mirë s’ka t’paguem”çfarë nënkupton se kojshia i mirë ka vleftë t’madhe pa hesap!
Në anën tjetër, kojshia i keq, kojshia që ti ia ki dhanë besën, po ai të prét në besë, të mashtron, të tradhton, të lajmëron në “hyqymet”, të shpif e t’i sjell të tana të këqijat, e aq mâ keq që ti nuk e mendon e as nuk e “beson” se ai âsht kah t’i ban t’tana t’këqijat dhe ti e lën fajtor “diko’ t’katunds’, diko’ pej vëllaznive e kushërijve e bile edhe “qartesh e prishesh me ta” e besa vjen deri të vrasja me ta, tuj mos “të shkue mendja as fiçiri” se krejt këto t’zeza i ké prej kojshisë se keq, prej shkaut…
E keqja mâ e madhe âsht se “bane vetëm pak e ia “prishe terezinë” kojshisë shká, ai fill shkon tinëz e e lajmëron policinë dhe ti priti ata n’shpinë që “të rrehin e nuk të lan’ me kajtë” edhe masandej nuk guxon as m’i kqyr shtrembt’ kojshinë, po kije m’i durue edhe me t’hypë n’qafë, mos me i bâ zâ hiç, se bane e ia prishe vetëm pak qejfin kojshisë shká, veç prite “hyqymetin” kur të “leçitin” prej krejt katundit e të izolojnë krejt e mos e thashtë Zoti edhe me të qitë krejt pej katundi me rob’ e me thmi’ e me t’çue në tjetër katund e me rrënue si “muhaxherr” e toka jote me mbetë shkret’ e me kullotë gjâja e katundit nëpër tô!
Eh medet! Me t’tana q’eto âsht përvue shqiptari. Me një fjalë t’tana t’zezat i ka pasë prej kojshisë s’keq shká, pej kojshisë serb e malazez, e q’ai kojshi ka ardhë “pej dreqit t’mallkuem” e ka prû “hyqymeti” e ta ka marrë tokën t’ande që e ki pasë me “Tapi”, e ai si “kolon serb a malazez”, si “raje” â bâ vendali n’katund e n’truell t’andin dhe veç nji ”raje” ka pasë tokë pune e mal sa gjysa e katundit, tokë që ka qenë pasuni e shqiptarëve, e hajt “lueje macë kryet e bullit” dhe m’i këndue kangën:

Tomë Gjin Doda prej Plançorit*
Ia maroi- shpin’ carrngorit,
Jo me hater,
Po me çykë t’zorit!

* Plançori – katund afër Gjakovës, i banuem 100% me shqiptarë të krishterë katolikë;
*
Ishte një ditë pranvere. Po në Gllogjan kjo ditë dukej ndryshe. Lulet e para që tregonin ardhjen e beharit në mars të vitit 1998 dukeshin të zbehta. Sikur thonin që “duam që të ujitemi, të rritemi dhe të marrin frymë lirshëm!”
Para agimit të ditës së 24 marsit të vitit 1998, fshehurazi qindra forca serbé duheshin të marshonin përmes fshatrave të Veri-Perëndimit. Serbët formuan edhe unazën(rrethin) e fundit përreth Gllogjanit.
Cak i sulmit të tyre ishte Familja Haradinaj.
Pas ”Betejës se Jasharajve” në Prekazin Legjendar dhe Epopésë se UÇK’së, edhe Haradinajve u kishte ardhur radha që të sulmohen nga forcat policore serbé.
Shumëherë shkonin aty, por ditën e 24 marsit 1998, ardhja e tyre ishte diçka e veçantë.
Sot, pas 16 viteve, njëni nga portagonistët e kësaj Beteje në Gllogjan, burri e trimi shqiptar, Hilmi Haradinaj- plaku*1) vendosi të tregojë në detaje gjithëçka që ndodhi atë ditë në Gllogjan.
____________________________________
*1) Hilmi Haradinaj është babai i të bijve: Ramushit, Shkëlzenit, Luanit, Dautit, Enverit e Frashërit dhe i së bijës Memës, e cila ishte betuar pas vrasjës së të vëllait Luanit, që me pushkë në dorë të luftoi bashkë vëllezërit. Babë Hilmiun e quenin “Plaku”, andaj edhe në këtë shkrim do e quajmë “Plaku”, i cili thotë se ky rrëfim i tij: “Të mbetet testament i hapur për opinionin, për Betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan, e cila shënon dhe fillimin e Luftës Frontale në Rrafshin e Dukagjinit!”


Gllogjan, 9 maj 2012 – Babai i Ramushit, Hilmiu i gëzuar. Lajmi për lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës, kishte kthyer buzëqeshjen në familjen Haradinaj në Gllogjan.


Gllogjan, 11 maj 2012 – Hilmi Haradinaj (i pari) priti Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami, i cili tha: “Tërësia territoriale e Kosovës nuk mund të cenohet dhe nuk mund të diskutohet!”

Ministri Imami ishte i shoqëruar nga zëvendësshefi i USH gjeneral brigade Zyber Dushku, komandanti i Mbështetjes Rajonale gjeneral brigade Abaz Lleshi e shoqërues të tjerë, të cilët kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial, më pas kanë vizituar edhe familjen Haradinaj, për të uruar lirimin e Ramushit, deri në aktvendimin përfundimtar nga Gjykata e Hagës. Delegacionin e ushtrisë së Shtetit të Shqipërisë e shoqëronte edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku e bashkë me ushtarakë të FSK-së.
*
Hilmi Haradinaj “Plaku”, i cili thotë se ky rrëfim i tij: “Të mbetet testament i hapur për opinionin, për Betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan, e cila shënon dhe fillimin e Luftës Frontale në Rrafshin e Dukagjinit!”
“Plaku” e nisë kështu rrëfimin e tij:
”-Më 24 mars të vitit 1998 ka qenë ditë e marte, i kemi pasë do mjeshtër tuj bâ murin’. Dauti ish kan’ dalë n’ katund, po automatikun e kishte lanë të Rasimi jonë, u takue me Ali Selmanin edhe tuj u kthye e tuj bisedue e ka harrue automatikun dhe kur iu ka avitë kthesës tanë, e sheh nji auto ”Golf” dhe e ”kupton”: se ata shkiet e kanë pasë bâ si taktikë mos me ardhë me ”Niva” e me makina tjera të policisë, po kanë ardhë me ”Golf” t’bardhë. Dauti i ka pasë dy alltija n’shokë dhe kur i ka pá, q’ashtu âsht ndé n’njifar vije n’llagam dhe simbas gjasave ka gjuejt në ta dhe fishekun e parë ia ka ”dhanë Matoviqit” e na i kemi ndie krismat, kështuqë Ramushi ka dalë për dere edhe unë mbas tij dhe fill kemi gjujtë në drejtim të atij ”Golfi” t’bardhë.

E kemi dijtë se Dauti âsht i vramë, por tuj u terhjekë e tuj i gjuejtë, erdh Dauti i gjallë. Edhe me thanë, mbas nja pesë apo 10-të minutash, e kemi pa se na ishim kanë të rrethuem në 3 rrethe, se e kishin bâ planin policija dhe prej shpis’ se asaj shkins’ janë nisë me ardhë kah na, e n’ato makina kemi gjuejtë, sa që prej fuqisë se gjuejtjeve tona, ja kanë nisë ato makina të policisë e shkojshin herë para e herë mbrapa. Tash se shka â bâ me ta na nuk e dijmë, se na ishin në pozicionete hapura në tokë qysh ju thojshin shkiet ”rova” – Ramushi ka qenë n’t’parën, Shkëlzeni n’të dytën, Dauti, Enveri e Frashëri e unë jam kan’ t’fundit.
Aty janë bâ nja dy orë luftë, pa vallah!
Mbas dy orëve m’ka thanë Ramushi:
– Çou “plak” n’kamb’!
– A je kah e sheh mara se shk â kah gjuhet, e na me u çue n’kamb’? Ia bana.
– O çue vet Ramushi e unë thashë n’veti:
– Po mbasi u çue ky, ku me ndejt unë, e jam çue edhe vet, e m’tha Ramushi:
– Shka po thue “plak”?, e unë shka me thanë, po i thashë:
– “Përhajr t’koft’ Lufta! Q’eto e kam pritë, Nji minut mâ heret, o kon heret, nji minut mâ vonë, o kon’ vonë”, i thashë Ramushit.
– Hajde me hajr na koft’ lufta edhe njiherë, veç Zoti e di kur do të nalet! Se hala nuk m’u ka hjek’ ajo… si prindi për ”evlad” e besa edhe ato ”emocionet”, e q’eshtu.
Edhe jemi shtrij apet n’ato gropa, e m’ka ardhë ”plaka” (grueja) zhagaz, jo si po u tutke njeri n’ato momente, po po ”hupke” e m’tha plaka jeme:
– Plak, shka me bâ na (gratë)?
– Aiiii Zoti t’pshtoft’ po mirë bane si erdhe, e i thashë pergatitnu e delni t’u bunari, mos delni përté murit! Se na kishin pas hypë shkiet n’qat shpin’ e kojshisë, e jemi dalë unë e Shkëlzeni, ai e ka pasë “mortajen 500-she e unë e kam pasë “zolen”.
– Mara, veç sa e ka qitë kryet e shoqja e Shkëlzenit, shkiet e kanë bâ nji “rafal” q’i thojshe ti, token po dojnë m’i shkye, e t’ia ka trusë Shkëlzeni “mortajen 500-she” atyne shkijeve që ishin n’kat t’parë të shpisë se kojshisë… ajo “mortaja 500-she ka fuqi t’madhe, e unë t’ia u kam gjuejtë “zolen” për kat t’dytë e mbrenda. A besoni n’Zotën u ndijke ushtima e tyne tuj u “gërvallë” sikur lopt’ kur bijnë n’gjak a n’naj stërvinë, q’ashtu ju shkojke të “gërvallnit” e shkijeve, bash sikur gjâja. E unë ju kam thanë robve’ ecni, e kanë ecë, nuk e kanë pasë aq larg, nja nji kilometër e gjys’ e me dalë n’Lluga t’Shaptejt…dhe shkuen.
Na jemi kthye n’vendet tona e djemt po më dvesin:
– Plak, e na shka me bâ tash?, e unë ju thashë.
– Kush t’mundet me ju nimue robve’, mirë, kush s’mundet, Zoti ia u baft çaren!
E tash o kon’ nji Azem Uka i Shaptejt, e kemi pas si dashamir, kur i sheh robt’ tanë i ngjeh’ e e merr kerrin, e e merr kalin e i merr robt’ tanë e i kish pa qitë deri të Shkolla e Dobriçës e n’Novosellë, e n’Skivjan – se prej Skivjanit o kon’ e shoqja (grueja) e Shkëlzenit. Kështu si ato gratë pshtuen gjallë.
Mendojsha si e qysh na me u terhjekë prej q’atij pozicioni ku ishim, po me i thanë Ramushit, m’hini vezvesja si Ramushi mundet edhe me t’vrá, se as “pesë dinarë nuk i jepke” edhe q’asthu ish, po Ramsuhi vet ma bani:
– Plak, shka po thue? M’dveti Ramushi. E unë i thashë:
– E kam nji pyetje me ta bâ, a bân nji fjalë? Dhe e dveta:
– A ban na me hi n’katund, se ia bajnë shkiet katundit si n’Çirez e si n’Likoshan, se nji ditë përpara i kanë pasë mbytë 59 vetë në Qirez e në Likoshan?!?
– E qillueme plak! Ma bani Ramushi.
– Del e mbana në zjerm (kupto: del e mbrona) më tha Ramushi.
– Ku me dal e me i mbajt në zjerm, kur ara ish e livrueme, e m’u duhke me kalue po nja 700 metra, po shkova e m’u duhti me ia dhanë shpinën mbas nji verri dhe mbasi e nxuna vendin mbas atij verri, ja kam nisë e po gjuej n’drejtim të shkieve, e gjuj e gjuej e ia kanë nisë ata me u terhjekë…
– Q’aty të bunari â bâ njifar’ e përziemje me do bomba e me do djem…! Po djemt’ pshtuen pa u damtue asnjoni.
*
Memë Haradinaj Neziri (e bija e “plakut”) rrëfen: “Pushkën e kam pasë përpara. T’tanë i kemi pasë pushkët personale edhe jemi kan’ t’betuem që q’at moment si t’asht nevoja, secili m’i marrë pushkën e vet. Unë e kam pasë pushkën “20-tshe”, se Ramushi na i ka pasë ndà pushkët e ngapak municion, e na jemi kân betue mbas vrasjes se Luanit, si t’kerset diku, na me kapë pushkët e me luftue… E Ramushi na ka pasë thanë:
– Rastësisht që kemi me pasë far’ sulmi, gjithëkush m’i marrë pushkën evet e m’i pasë përpara! Edhe unë e kam pasë pushkën teme. Baba Hilmi më ka pasë thane: Çika jeme, ti jo!… po unë nuk u ktheva mbrapa edhe ai nuk më pëngoi ma…!
– Atë ditë kur kanë krisë pushkët e para n’katund, të tanë jemi dalë nëpër oborr, secili me pushkë t’veten e u kemi bashkangjitë babs’ e djemve dhe kemi luftue bashkë; me neve â konë Hilmija, Ramushi, Shkëlzeni Dauti, Enveri, Frashëri, të gjithë jemi konë bashkë dhe kemi luftue se ka pasë forca të mëdhaja serbe aty, por kemi lufute gjithë ditën me ta, se jemi kân betue, që mbasi ké vrá Luani, si të tanë me luftue dhe s’ka me pasë problem se s’kemi dallue se a asht femen a shka asht, veq i kemi marrë pushkët n’dorë dhe kemi luftue bashkë me babën e më vëllaznit gjithë ditën, po dikur u larguem, po nuk jemi kon’ ngataz, e nuk jemi pa ndermjet veti, veq kemi luftue deri sa kemi mujt…! M’ka pas thane Hilmija ti çika jeme, jo, po ai m’tha jo e unë i thashë po dhe s’ka guxue mâ kush me ma marrë pushkën. Mbasi pushuen pak krismat, jemi shkue n’katund e jemi shkepë ka dy e ka tré nëpër shpia’ e mos me ndejt’ vetëm në nji shpi’ se mos pa na nxojnë, grumbull mos me kanë të tanë.
– Kur jemi kon’ dalë prej shpisë të tanë, nusen e Shkëlzenti, nona me do fëmijë i patem nda dhe ato janë shkue livadhit, veç ju kemi thanë:
– Veç ikni kah t’ju shohin sytë! E ato janë nisë e kanë ecë…!
Masandej e patme marrë vesh se robve e thmive tanë ju ka dalë përpara njoni i njofshem i joni prej Shaptejt dhe i ka percjellë me kerr e me kali për Dobriqe, Novosellë e deri në Skivjan se prej Skivjani â konë nusja e Shkëlzenit.
-Na tuj luftue me shkie, secili me pushkë t’veten, s’jemi pa ndermjet veti as me baben as me vëllaznit gjith ditën e nuk kemi dijtë se shka o bâ, as nuk kemi dijtë se a o vrá dikush a jo…!” – rrëfen Memë Hilmi Haradinaj.
*
Luftëtarët e UÇK’së tanimë kishin zënë pozicionet e tyre dhe t’i sulmonin forcat serbé nga shumë anë. Mëpastaj, forcat serbe sulmonin edhe me helikopter, por trimat e Gllogjanit, me breshër plumbash e me eksploziv, i rrëzuen dy dhe ata shpërthyen, kështuqë fshati Gllogjan u përfshi nga tymi dhe turbullimi…
Serbët që ishin mbetur donin të tërhiqeshin, por nuk kishin guxim. Kërkuan përforcim, por përforcim nuk ju erdhi. Kështu, duke parë këtë gjendje, ushtarët e UÇK’së hapen zjarr të dendur ndaj serbëve… Kështu që Beteja e Gllogjanit vazhdoi për gjatë gjithë ditës se 24 marsit 1998.
*
Vazhdon rrëfimin ”plaku” (bac Hilmiu):
– Jemi shkue, kemi kalue njifarë përroni e llugs’, e kur jemi shkue të nji urë, kemi mendue pak se me hypë nëpër urë mos po na shohin e gjujnë në neve, dhe jemi hi ndër urë, nëpër ujë dhe sikur t’hypshim përmbi urë, ata ishin kon ”ardhë” me tenka deri afër zidnave të do shpiave të katundit dhe do t’na ”shkrijshin” do të na kishin vrá të tanve. Po aty, dikush prej djemve ka gjuejt në ta…! Fati qi hymë ner urë dhe pshtuem dhe jemi shkue të shpia e Smajlit. Ka kqyr Ramushi, e m’tha:
– Plak, këtu âsht vetëm nji dritare prej rrugé, e këtu z’ban!
– Ani!? Ja bana Ramushit, e ai më tha:
– Ti me Memën e me Frashërin shkoni të Zeq’ Mustafa!
– Aaaa m’ki ‘da forcë të madhe!? (kupto: veq me çikën teme, Memën e djalin, Frashërin e ri). S’kish aty shumë fjalë…se Ramushi nuk kqyrke fort kush je po ish n’gjendje me t’vrà, q’aty për q’aty, s’ka pasë fjalë shumë!
– Jemi shkue me Bujarin t’u Shaq’ Avdija, Enveri me Shkëlzenin shkuen të nji Xhaferi- plak i mire o kanë. Dauti shkoi të Islam Mustafa.
Kështu që policija serbe vijshin turra-turra sikur sorrat që bijnë në arë kah të mbjellet fara, po Ramushi na thojke se u merrshim vesh me radio-lidhje që I kishim e Ramushi na thojke:
– Pa qitë unë, ju mos qitni! Na thojke Ramushi, se u ndegjojshim me radio-lidhje, qe i kemi pasë unë, Shkëlzeni e Ramushi.
Edhe aty u bâ njifar sulmi i rreptë, njifar e perziemje, po nuk shihshim krejt.
Dikur, ka ora një e gysë, i kam thanë Enverit me radio-lidhje me Shkëlzenin:
– Qysh bahet me shkue të Ramuhsi, se janë rrallue t’qitnet (krismat), e ta dijmë mos asht n’ajoni i vramë apo i plagosun? Ai ish kan plagosë Ramushi, pa nuk na ka kallxue deri vonë.
– E kam ndie që Ramushi i ka thanë Enverit që dojke me shkue të Ramushi, e Ramushi i ka bërtitë:
– Ktheu, n’vend t’andin se send s’kam! Ia ka bâ Ramushi, Enverit.
Ai vend, ato shpia ku na ishim mbrenda, janë konë do shkallë të betonit se shpia o kon’ e ’gatë e e dame përgjyst, aty n’aborr të shpisë ku ishna unë me çiekn teme, Memën, e aty n’aborr kokan kan avitë do q’asi (kupto: policë) e Mema i ka pa për dritar, e po ma ban:
– Paja, paja, avitu ma ngat! Hajde ma knena… kqyri ku i kije nja 6 a 7-të janë me shpinë prej neve. E ma bani mema: se unë m’i marr nji stol po tutna si po kersas e na ndijenë, e për dritare nuk po muj e mbërri se dritarja e naltë, e s’po muj e m’rri! – ma bani Mema.
– Aty mbrenda ku ishim na,n’ato vende janë kon do si ju thojshim na “baxha” (hamamxhika) do fare banjosh të vjetra, e jam shkue kadale e prej q’atyhit, e kam gjujtë n’ta, me tahmin kurrnjâ t’gjallë nuk e kam lanë, bile me tahmin si i kam bâ rrafsh me tokë, i kam palue për toke…!
Po â konë q’asi Lufte, qi s’mundesh m’i marrë me mend, qi m’shkojke mendja që mos po më çmenden djemtë, a çika mos po më çmenden…a po…?!
Pak mâ vonë i kanë prû do t’katundit me duer t’lidhne përmas kreje, e na po e dvesim Ramushin:
– Shka me bâ, e t’qesim në ta? E dvetem Ramushin, e ai na tha:
– Mos qitni se të tanë q’ata med uer t’lidhne mas krêje na i vrasin! Na tha Ramushi. Dhe na s’kemi qitë në ta e ata kanë kalue…
– Dikur ka hora 6-shtë në mbramje… se e shkurtova pak biseden se me i hi rend qysh â kanë, vetëm me kanë si ”lahuta e malsisë”, se nuk munden me u përfshi të gjitha të vërtetat e kesaj lufte të ditës se sodit, 24 mars 1998-të.- thotë ”plaku”.
Dikur, pak ma vonë janë ardhë nja tri tenka prej drejtimit të Gjakovs’ dhe janë hi n’aborr t’q’asaj shpisë ku isha unë, do me thanë ndermjet shpis’ ku ish’ Ramushi e shpis’ ku ishim na… e ato tenka i kishin drejtue grykat, ato tenka t’mdhaja me grykë prej 80 mm e kishin grykën e topit, qi ato q’et kullë prej guri e rrëzojnë. Po i tham Shkëlzenit:
– ”Mashkull”, a je kah i nien?
– Po! M’tha. E unë e dveta:
– A kije ”dardha”? – se ”dardha” ju thojshim q’atyne ”mortajave 500-she”
– Sa të duesh kam ”dardha” sa të duesh kam! Ma bani Shkëlzeni, po me hesap e pat vetëm më me dhanë moral ,se vetëm njâ e kish pasë me veti, e ja pashë menden se po don me i gjujtë, po i thashë:
– Ke kujdes! (se qysh po ja u hudhë, se ato ”mortajat 500-she” janë konë shumë të rrezikshme, kanë mujt me t’kallë përmbrapa deri sa ta gjuejsh).
– Paj tash o zor me lé asi djemsh’ si Shkëlzeni!? Se qysh e ka gjetë pozicionin se ishte ngusht, po veç kur e kemi pa si ajo tenka e mjedisme veç kur o kallë e shkojke tym i zi që ma nuk mujtem me pa kurgjâ. Si duket Shkëlzeni ia ka gjuejt ”dardhen” përfundi asaj tenkes se mjedisme e e ka hudhë, se ato ”mortajat e 500-she” kanë pasë fuqi të madhe, po ishte shumë vendi i papërshtatshem për mi gjuejt edhe ma zor me ja u hudhë përfundi tenkës, bash q’aty ku e damton ma se shumti ja ka hudhë Shkëlzeni…
Aty kemi mujt me pá polic’ tuj u gjujt n’hava nëpër at tym, sikur sorrat kur bijnë kryengul e n’tokë si pa krye, s’besoj si o met’ n’ajo i gjallë se fuqi e madhe…!
Mbas pak i kemi nije tuj kersitë me do si grepa, a si zingjir, veç kur janë bâ nja 15 a 20-të minuta e o hjekë pak ai tim e pluhur, e kemi kqyr, as të nji shká e as tenka e as send nuk kemi pá aty, i kishin pas terhjekë krejt, se e ksihin pasë rregull që mos me lanë nji send aty kur të vriten ushtarët a policët me i trehejke prej atyheti menjiherë, e as mos me lanë as tenkat e kallne flakë e as kurgjâ, e se kah shkuen, kah ja majtën, kah ecen nuk mujtem me i pá e as me dijtë, veç shumë shpejt i kanë terhjekë prej atyhit.
Kështu që ymri janë, e Zoti e Shkëlzeni na pështoi…!
E, dikur dakiki-dakikit, e ia nisi me u terrue… e po m’thirrë Ramushi me radio-lidhje, e po ma ban:
– Plak, me u bashkue të ”Kumrija” e Hasanit! Ajo Kumrija o konë nji plakë e qitne, se me ja u permend emnat e mbiemnat e t’zotit të shpis’, thojshim mos po na percjellin dhe e kuptojnë policija… dhe jemi nisë me shkue e me u bashkue aty të q’ai vendi, te ”Kumrija e Hasanit”
– E kemi pasë si rregull dhe në mbramje, i mush’shim armet me fyshekë, e unë e bajsha me veti nji çantë plot me fishekë, paj tham nja njimijë fishekë janë kon n’to se shumë ka pasë, shumë e randë m’i bajtë, e kur ma pat’ pá Ramushi m’ja hini me shkelëm asej çante e m’tha:
– Plak, kanë me t’i marrë krejt këta fishekë shkiet!? Ma bani Ramushi.
– Jo, jo nuk m’i marrin shkiet, se e di unë qysh mos më ma pa, e ruej unë çantën, se pa fishekë s’muj rrijmë …! A bana Ramushit.
Kur u bashkuem aty ku na tha Ramushi, m’u avit Ramushi e po me dvetë:
– Plak, a kije fishekë?
– Po, sa të duesh kam fishekë! I thashë Ramushit! Se ishin avitë me na u harxhue fishekët se na kishin metë shumë fishekë ne ato armet e mshefne të shpia që s’mujtem me i marrë me veti…
– Plak, avitmu ma ngat! Ma bani Ramushi. Sa ju avita, po më thotë:
– Plak, avitma veshin njiherë!? Dashti dishka më me thanë dhe ia avita veshin e tek q’atëherë po më kallxon e po më thotë:
– Plak, Unë jam i plagosun në dy venda!
– Ani!? E dveta Ramushin.
– Ani, na duhet me u terhjekë diqysh, se nuk muj’ me qindrue për pa lypë ndihmë prej mjekit, se me bâ e me derdhë gjak shumë…!?
– Kah po shkojmë!?- ja bana Ramushit.
– Po shkojmë për Jabllanicë…!?
Do shka ishin si ”badihavxhi” i kemi përcjellë, e jemi dalë trup, e na tuj ecë q’ashtu, Dauti, Shkëlzeni e Enveri kanë thirrë me radio-lidhje, Jabllanicën, e ata të Jabllanicës kokan kan nisë mâ heret me na dalë në ndihmë, po nuk paskan pas mujt me hi kurqysh në Gllogjan se krejt Gllogjani i rrethuem prej forcave policore serbe e çetnike me armatim të randë…
Nuk di se cili prej djemve, a Shkëlzeni a Enveri, i ka thane në radio-lidhje, i ka thanë 15-shit, kështu:
– Na të tanë jemi mirë! Njo e kemi të plagosun!
– Mbasi janë marrë vesh, janë kthye edhe ata e në ”Kryq të Rakocit” na kanë dalë përpara Jabllanica dhe q’eky Fadil Nimoni – ”Tigri” i thojshin me shokë…
– Po na atë ditë nuk e kemi dijtë se në Gllogjan atë ditë na u paskan pasë vra në luftë me shkie këtu në Gllogjan kokan kon vra tre (3) djem’. Kokan kon vra Gazmendi, Agroni dhe Hima i ri shumë, veç pse nuk ka dijtë me ja dhanë ndihmën e parë veti se i ri, i pa përvuem e ka derdhë shumë gjak…
– Edhe shkuem në Jabllanicë, aty takuem edhe disa ushtarë që kishin ardhë. Ia kanë dhanë Ramushit ndihmën mjekësore dhe i kanë thanë se mbasi forcat serbe janë terhjekë krejt nga Gllogjani, ti Ramush kije nevojë me u mjekue se i ke dy plagë…
– Të dytën natë, nuk dijmë as vet veç kur i kemi pa Shkëlzeni e Dauti, veç kur i kanë prû 36 (tridhetëegjatë) automata, kurrë s’e harroj. Bile bajsha shumë çudi kur shkuen e kur erdhen dhe ja u bana:
– He, bré!? Ia u bana.
– Aiii plak, edhe triherë q’ekaq me kan’ djemt e Gllogjanit i marrin.
– Kështu që prunë edhe dy herë armë e u kthyem e erdhem n’katund.
– Prej 15 vjeçarit e deri në 90 vjeçar nuk ka pasë i Gllogjans’ si nuk e ka marrë armën (pushkën), po të tanë i kanë marrë e janë kanë të armatosun krejt katundi me armë…
Armatim kemi pasë, diku përmbi 300 armë i kemi pasë të mshefne, kështu që kur â armatosë Gllogjani, po edhe katundet tjera përreth janë konë të armatosne mirë. Shkoi edhe Ramushi për armatim dhe u kthye mirë (kupto: ka prû shumë armë) dhe u formue Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
*
Dhe, ”plaku” vazhdon rrëfimin:
– Sikur të humbshim na q’atë luftë më 24 mars 1998-të- kjo nuk bahet për lavd’, pra nuk po foli për lavd’ por asht shumë e vërtetë, m’i pas humbë q’atë ditë luftën në Gllogjan – për shumë vjet mâ kush me i kthye pushkë shkáut nuk kish pas*…!
Se, Serbia e kishte për qëllim m’i marrë Dukagjinin e m’i ndërpre korridorin e me i hi ndermjet Shqipnisë me Kosovën e mos me i lanë me pasë lidhje Kosova me Shqipninë, me ja pré lidhjet… po dashti Zoti e nuk ju duel q’ashtu…e na e fituem luftën, por me gjak se na u vranë tre djem të mirë, ushtarë të fort, po gjaku i tyne nuk shkoj huç…!
*
Qëndresa e UÇK’së më 24 mars të vitit 1998-të në Gllogjan, nën drejtimin shembullor të Komandantit Ramush Haradinaj, po hynte triumfalisht në histori të cilën po e shkruanin nga gjaku i tyre të njomë luftëtarët e lirisë. Në këtë ditë të shënuar, fatin e madh të bijve të vet për lirinë e Atdhéut do ta kénë edhe dëshmorët:
1. Gazmend Mehmetaj, bashkë me djalin e axhës,
2. Agron Mehmetaj dhe me bashkëluftëtarin
3. Himë Haradinaj, i ri shumë.
*
Nimon Mehmetaj – babai i dëshmorit Agron Mehmetaj, rrëfen:
– Kanë lajmërue se aty se policia serbe i kanë marrë nxanësit e shkollës dhe nxanësat prej policies serbe janë të rrethuem në një çosh të një mali, kështuqë djemt’ kanë fillue me shkue e me iu dalë në ndihmë nxânësave të shkollës. Se shka â bâ aty dhe sa kanë s’gatë aty nuk e di, po më 24 mars 1998 ka shkue me ju dalë nxanësve në shkollë edhe Agroni se e ka pasë nji vëlla aty dhe Gazmendi e ka pasë nji vëlla në shkollë, dhe të shtëna armësh ka pasë edhe nga ajo anë edhe nga kjo anë, po unë aty s’po e di. Kur kanë fillue me u shtue të shtënat nga armët, popullata e katundit kanë ikë dhe kanë ardhë q’eshtu përpjetë dhe kanë shkue, por këta luftëtarët tanë, djemt tanë e kanë vazhdue luftën me ta edhe aty janë vra dy djemt tanë…! kështuqë kah ora 9 në mbrëmje kanë mejt’ krismat, si me kon’ njifar armëpushimi…!
*
Rasim Haradinaj, baba i dëshmorit Himë Haradinaj, rrëfen:
– E kam pá Himën, o kon me automat n’dorë, e kish pas çue dikund Dauti të do shokë t’vet dhe s’kam mujt’ me i thanë as hajde, as mos hajde! Edhe unë kam t’fillue q’etu trup edhe jam dalë n’livadhe, për me shkue me ju bashkangjitë Hilmi Haradinajt dhe djemve atje poshtë, e e kam zatetë Arben Shaqen, asht ardhë prej Gramaqelit. Arbeni m’ka thanë:
– “ Atje asht dhezë lufta, edhe luftë bukur e madhe e janë vrá do. Ka ndejtë pak me mue e ma ka dhanë nji bume’ e ka bâ me ecë, e i thashë:
– Arben, kqyr se e kam Himën të shpia e thuej de t’i merr robt’ e de t’i terhejkë!
Hima i ka pasë nja dy kallasha edhe d’vetin tré, edhe i ka marrë robt’ dhe o shkue për Baballoq, i ka përcjellë deri në livadhe të Baballoqit. Kur â shkue n’livadhe të Baballoqit, robt i ka përcjellë po vet nuk o shkue ma andej, se e ka dijtë se shokët i ka këndej’ edhe o zatetë me Gazmendin edhe me Agronin; kur janë zatetë ata të tré bashkë ju kanë kallxue se i kanë nxânë nxanësat e shkollës, e kur janë shkue aty, ata të dy shokët ju kanë vra (Gazmendi e Agroni), ky (Hima) ua ka marrë të dyve armët dhe o nisë kah Qafa e Suks’, kah Biteshi n’atë anë edhe atje edhe ai vet si duekt o plagosë prej helikopterit serb dhe asht mbet’ q’aty e n apa dijtë send për to!…
*
Zyhra Mehmetaj, nëna e dëshmorit Gazmend Mehmetaj, rrëfen:
– Unë si nanë i kam ndihmue se i mbajke armët ndër krevet për mos me ia pá shpia e thëmija; plot armë janë kânë ndër krevet; njo o konë i madh, nja 3 janë konë automata; ndër krevet e ka pas bâ edhe nji pod (dyshemé) e aty i mbajke armët msheftaz. Atëherë kur krisi pushka n’ Gllogjan, na e dijtëm si krisi, e jam kon tuj e pjekë nji kafe për nji kojshi tonin, e ndiem se prej Haradinajve po kerset pushka. E dijta dhe e kam lanë atë kafe q’ashtu e jam dalë jashtë. Gazmendi e Agroni e t’tanë burrat janë konë n’odë e i thashë:
– Gazmend, me nonën, i thashë, ku i kini ”pikat”, se krisi të Haradinajt, se m’thojke:
– Nanë, kudo që t’kerset, n’krist të na përpara, i kemi krejt katundin e janë të armatosun e vijnë me na nimue, pra n’krist tjetër kund, na krejt katundi shkojmë me ju nimue, n’past kris të Haradinajt, duhet me shkue e me ju nimue, duhet me i nimue shoqi-shojt.
– Na thanë duhet m’i lëshue shpijen. Jemi dalë. Ata i kishin pas marrë armët prej atyhit e ishin kon dalë pak q’etu mi shpi’. Kur jemi dalë na jemi tesh’ (takue) n’ta. Aty e kam pa vetëm Esatin, ish kanë përmys’ e këta të dy nuk i kam pa se ishin konë kah shkojnë zhagaz… bâjshin plumat sa qe u qojke pluhni sa q’mujshin me ra plumat, i thashë Esatit:
– Esat, a i muerrt me nonen armët? E ai më tha:
– Po, po!, edhe unë jam nisë përpjetë, kur duelem n’livadhe po më thirrë Agroni:
– Oj dadë! Mue m’u këputen të dy kombt’, s’mujta me ecë hiç, këta ecshin ma shumë, une s’mujta e ma ka bâ Agroni:
– O dert për neve mos kije!
Po ish zor m’ nie se shka po folë, se krismat s’u nalshin pej Haradinajve…! Kur u nis lufta s’na u dokke gjâ, bash mirë na u dokke. E ja kam bâ Agronit:
– O edhe na dert s’po kemi, po edhe ju mos kini dert për néve, e Zoti ju nimoft’! E ata janë nisë q’ashtu teposhtë me shkue kah Haradinajt…! Q’ashtu përmys shkojshin, zhagaz nëpër tokë, kam ndejt pak tuj i kqyr edhe kur u larguen, edhe unë jam nisë…!
*
Zyrafete Mehmetaj, nëna e dëshmorit Agron Mehmetaj, rrëfen:
– Atë natë që u bâ gati me shkue n’shkollë në Prishtinë, m’tha:
– A gjeneratë ”baksuz” ishim konë!? E unë ja bana:
– Qysh po thue me nonën ashtu, ti tuj shkue n’fakultet?! Ia bana , po ai tuj mendue q’eto, djali. Nuk u vonue e erdh në shtëpi. Kur erdh po ja baj:
– Po pse erdhe o Agron? ( se edhe vet jamë konë fort marak në shkollë), e ai ma bani:
– Vallahi oj nanë, unë jam betue, jam kah due me shkue mas Gazmendit e mas Dautit!
– Uh nonë, hajli koft’ e Zoti ju nimoft’, i thashë.
Atë ditë qi ka krisë pushka jam kon hungjun n’sallon, ai ke tuj i hjek do flokë, unë jam dalë prej sallonit e me shkue te ai, dola e ai tuj u zhdjergë shkallëve teposhtë e m’tha:
– Nanë, a mos kam kime n’qafë?
Unë kisha qejf m’i qitë sa mâ shpejt, mbasi â betue, e po ja bâj:
– Jo bra nonë, çfarë kimesh, nuk kije kime n’qafë, jo! Atëherë s’e kemi pasë ujt mrenda (ujësjellsin) po nji enë përmbi shporet me ujë t’xehtë me u pastrue djali… Kur jemi nisë përpjetë, q’ekho n’gardh tuj i nxjerrë ato armët që na ja u kemi pas dhanë do beza me i pshtjellë, e tuj ja u hjekë ata beza e tuj i zvillue. Vallahi unë vet kam pá ata djem me njonin krah ata automata n’krah e dikush i kishin n’dorë e shkojshin me njonin krah për tokë si përmys’, e gujaz, tuj shkue zhag për tokë. Gazmendi përpara e Agroni përmbas.
Pak ma vonë, jam dalë e i kam than’ djalit t’madh, Nexhatit të dera:
– Nexhat nonë, shka na ka gjetë!? E ai m’tha:
– Vallahi nonë e ksihin pas desht fort shoqi-shojn’!
Ma muerr mendja si o bâ dishka, e ja kam bâ Nexhatit:
– A njoni a të dytë- a? E dveta Nexhatin se m’shkoj mendja dishka…!
– Vallahi të dytë, nonë! Ma bani Nexhati.
Përzé ma ka dhanë Zoti e e kam kapë djalin, Nexhatin me të dy duert përqafe e e kam puthë ne të dy faqet e i kam thanë:
– Uh nonë, përharj ju koft’! Përhajr qi u nis lufta! E jam hi mbrenda. Djali i dytë, Xhevati, me zâ ia ka nisë, ja ka lëshue (tuj kajtë) e i thashë:
– Mo’ me nonën, mo’ me nonën! Ia kam ba Xhevatit , demek mos kajë!
– Shka u bajmë ty e babs’ ma ka bâ Nexhati!? Se diqysh q’at Agronin e kem’ pas caktue e e dojshim ma fort. Vallahi si dy kingja janë kanë me gjeth Gazmendin, e unë i thashë:
– Me nonën, a u kemi juve!? Atëherë s’kemi pasë se shka me bâ! Shka me bâ të dy djemt për nji ditë, po kur e kujtosha si në Prekaz janë “shkue” m’ 50-të të nji familje për nji ditë…po për Rrafsh të Dukagjinit t’part na me dy të vramë në luftë. Vështirë â konë boll, pra veq ishalla gjaki i tyne nuk hup!
*
Forcat serbé të befasuara nga reziku dhe fuqia e luftëtarëve të lirisë, kishin zënë robër disa fshatarë të Gllogjanit, por edhe nxënësit e Shkollës”Hasan Prishtina” në Gllogjan, duke bërë kështu ”murin e gjallë” me nxënësit përpara, e ata me lëvizë.
Gazmendi, Agroni e Hima kishin dalë në “pikën e cakut”, do të takoheshin me bashkëluftëtarët për t’u marrë instrukcionte për vazhdimin e qëndresës. Ata as nuk ishin takuar me kryetrimin, Shkëlzen Haradinajn, që kishte dalë më heret te pikë-takimi.
Me të dëgjuar për zënien rob të nxënësve nisen drejt tyre, por në përballje me forcat serbe, snajperistët i qëllojnë nga helikopteri.
Ata (Gazmendi e Agroni e Hima) edhe pse në moshë fare të ré, po binin për liri të popullit të vet, po binin për mbrojtjen e shkollës shqipe, po binin për të mbrojtur nxënësit, po binin për ta mbrojtur të ardhmen shqiptare…!
*
Nimon Mehmetaj, babai i Deshmorit Agron Mehmetaj, vazhdon rrëfimin:
– Në polici ka shkue vëllau Hyseni (baba Gazmendit) e i ka marrë kufomat e Gazmendit e të Agronit (unë nuk jam shkue, po vëllai Hyseni) Më 26 mars këta të dy të ‘dekun e kanë bâ natën në Xhami të Prejlepit, se nuk kemi guxue me i prû këtu. T’nestrit n’natje i kanë pru këtu dhe i kemi vorrosë…
Zyhra mehmetaj, nëna e dëshmorit Gazmend Mehmetaj, rrëfen:
– Kur erdhem i gjetem djemt tuj kajtë nëpër aborr e ja u ka ngjitë Zyrafeti e u ka thanë:
– A ju kemi juve, dert mos kini, dert mos kini….!
Na ishim të ngushtueme se as nuk guxojshim me folë, s’guxojshim hiç e ju tham djemve qi dert mos kini as s’guxojshmi me thanë së për shka, veç sa u mundojshim me ju dhanë ”sabër” qetësi e durim.

Zyrafete Mehmetaj, nëna e deshmorit Agron Mehmetaj, rrëfen:
– Atë ditë që kemi ndi, tha baba i vet:
– Po i qes dy lyla për dere sod me i vorrosë. Unë thashë:
– Po o kon’ e dijtne. Këta janë konë t’betuem! Zoti i paska falë për q’etë tokë e ishalla Kurban /sakrificë, për krejt Kosovën!
Rasim Haradinaj, babai i Himë Haradinajt, rrëfen:
– Na kemi kqyr edhe nëpër spitale e gjithëkah për m’i gjetë Himën, a mos asht i plagosun. Kemi kqyr a mos e kanë marrë policia, nuk â gjetë kurku’. Atëherë nja 4 (katër) ditë kanë shkue e asnjë gjurmë nuk e kemi dijtë. Atëherë, mbas 4 ditëve janë vorros këta djemt – Gazmendi e Agroni, se m’i pas gjetë edhe Himën, e kishim vorros q’atë ditë me ta. Po kur nuk e dijtem se hala s’ishte gjetë djali (Hima), atëherë q’atë ditë janë ardhë edhe do shokë t’djalit tim, Himës, se unë nuk pata mujt me ardhë në vorrimin e ketyne t’dyve, e kur u kthyen ata shokët, më thanë:
– Hima diku asht i vramë se nuk o kah gjindet kurkund. Mbas dy ditëve ka lajmëraur TV-ja e dy ditë kemi bâ atëherë me shkue e m’i lypë, shkojshim në promje mi lypë se ditën s’guxojshim, se s’kemi pas ardhë hala te shpia jonë në Gllogjan, pra hala s’u patem kthye pre j Jabllanice, edhe tanshi u gjet djali, e masi s’guxojshim as m’i vorrosë ditën, e kemi vorrosë natën.
*
Kështu, forcat policore e ushtarake serbe u tërhoqen nga Gllogjani me humbje të mëdha, si në të vrarët, ashtu edhe në teknikën ushtarake.
Gllogjani dhe familja Haradinaj u bë baza e rëndësishme e UÇK’së, e cila u sulmua edhe dy herë të tjera më vonë, por nuk u mposht kurrë!

Kjo ishte ajo çfarë ndodhi me 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan.
E sot, Gllogjani është kthyer në një vend të shenjtë. Vend, ku në çdo përvjetor çdo qytetar ndihet krenar dhe u këndojnë lavdi të gjithë dëshmorëve, të cilët JETËN E TYRE IA FALËN LIRISË dhe vendit, të cilin e gëzojmë né sot dhe brezat që vijnë.

Ai që vdes për Atdhé, nuk ka vdekun, po ka lé!
Nuk ka vdekje më të ëmbël sesa të vdesësh për Atdhé!
T’ua lëmë të rënëve lavdinë e përjetshme!
T’ua dhurojmë të gjallëve – dashurinë e pavdekshme!

*
Vërtetë, kanga asht vaji i burrit!

Diell e hanë, shndërisin mbi Gllogjan

Erdhe pranvera prap n’këto troje,
Troje të Dardanisë,
Bijtë më të mirë po i bëjnë roje
Dëshmorët e lirisë.

E kam sjell ngrohtësinë e Diellit
Në kopshte të lirisë,
Trim Luani dhe Shkëlzeni,
Vëllezërit Haradinaj.

Rreze t’arta në krjet Kosovën,
Biejnë prnaverën në Deçan,
Diell e hanë shndërisin këtë dhé,
Këndohet kanga – nuk pushon!

Se Luani dhe Shkëlzeni,
Janë bâ Diell, janë bâ Hanë,
Shndërisin mbi Gllogjan!
Jo, nu kulet Luan trimi,
N’kambë luftonin përherë,
Me gjak tem t’i ujitni lulet,
Lulet në Pranverë!

*
Kontakti me autorin:
ekspertimh@hotmail.com