Nga: Dritan Hila
Përfundimisht, ajo që nuk besohej nga shumë kush, përfshirë edhe shkruajtësin e rreshtave, ndodhi dhe Lulzim Basha është kryetar i Bashkisë së Tiranës .Pa marrë parasysh shkeljet dhe gabimet e së shkuarës së tij, të cilat janë vënë në pah nga media gjatë fushatës një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës, votuan Lulzim Bashën. Pavarësisht se një numër i madh emigrantësh të sjellë posaçërisht në Tiranë për ditën e votimeve, pushuesve nga Kosova me shtetësi shqiptare, apo qytetarëve të rinj të Tiranës të regjistruar në grazhde dhe kotece, që të gjithë votues të kandidatit të PD-së, por jo qytetarë që do t’i nënshtrohen politikave të fituesit, të gjithë ndikuan në ngushtimin e diferencës së Bashës me Ramën, një rrugë jo-morale, por ligjore. Deri këtu, demokracia shqiptare nuk e kishte kaluar cakun e shkeljes flagrante të standarteve zgjedhore.
Por, nga momenti kur hapeshin kutitë, ndaj të cilave nuk kishte kontestime dhe në to dilnin vota në favor të Bashës, nën justifikimin e një hetimi integral në të ardhmen, nuk shihej barazia e numrit të votave me numrin e votuesve, që nga çasti kur për mungesë të një kuadri ligjor të kompletuar për shkak të qenies demokraci e re, gjendeshin shtigje, të cilat dëmtonin kandidatin e opozitës, që nga ky moment fillon shfaqja jonë e radhës që dëshmon se në këto njëzet vjet, nuk kemi mësuar asgjë. Dhe sipër gjithë këtyre, qëndron cinizmi moral, i shprehur në ligjëratat për lirinë, standardet dhe alibinë e numërimit të votës së çdo qytetari, madje me kaq respekt saqë disave ja u numëruan edhe dy herë.
Natyrisht që nuk mund të pritej një vendim sovran nga Kolegji Zgjedhor. Larg fjalëve boshe për mos paragjykim të vendimit, shtet ligjor, pavarësi të sistemit gjyqësor dhe shumë të tjerave që kemi dëgjuar dhe do dëgjojmë, ky sistem gjyqësor, tërësisht i varur nga politika në emërimet e tyre; pre e frikës së reprezaljeve; i keq paguar deri në mizerabilitet dhe i përgojuar deri në absurd, nuk mund të jepte një vendim, i cili do binte ndesh me vullnetin e qeverisë, qoftë ky i drejtë apo jo.
Ajo që e rëndon situatën, është se pavarësisht se nga ana formale edhe mund të jetë zbatuar ligji, megjithëse kjo është çështje për diskutim nga profesionistë me staturë më të lartë se ajo e pesë gjykatësve të kolegjit të mbledhur nga rrethet, apo të padëgjuar në fushën profesionale, perceptimi i publikut dhe i ndërkombëtarëve, është se fryma e drejtësisë nuk ka mbizotëruar procesin pas zgjedhor dhe besimi ndërmjet palëve është shkatërruar. Pas këtij akti, vendi ynë u rrëzua rishtas në ecjen e tij drejt BE-së. Anulimi i vizitës së Barozos ishte një indikator alarmi, ashtu si prononcimi i kryevëzhguesit të OSBE-së lidhure me standardet tona të vajtueshme.
Të gjesh justifikime tekniciste se këto deklarata janë veprimtari standarde e organizmave ndërkombëtare është vetëm një përpjekje për të gënjyer veten, ose ca më keq, publikun. Të kesh përkrahjen e kryeministrit hungarez, një ndër më problematikët e BE-së dhe alergjik ndaj shtypit të lirë, nuk është ndonjë tregues cilësor, ndërsa këshilla e tij që mos dëgjonim njeri lidhur me mënyrën e zgjidhjes së kolapsit ku jemi, të prish gjakun, pasi herën e fundit që e zbatuam këtë parim, i sajuam një mynxyrë pesëdhjetëvjeçare vetes.
Kuptohet që rruga që kemi marrë është e pakthyeshme, por problemi është se kur do trokasim dhe nëse do mbërrijmë në portat e BE-së me dinjitet, siç kroatët, serbët, malazezët, e të tjerë fqinjë tanët, apo do paraqitemi ashtu siç kemi ditur ta bëjmë vazhdimisht në këta njëzet vjet: për faqe të zezë dhe objekt barcaletash? Gjasat janë që të jemi prezent me cilësitë e fundit dhe kjo vërteton edhe njëherë që zakonet janë të vështira të ndryshohen.
Qofshim shqiptarë apo minoritarë; të bardh a të zinj, çam a tropojan, në këtë proces ne humbëm të gjithë. Kuptohet që masa e humbjes është e vështirë të matet dhe aq më tepër të perceptohet për një publik si ai shqiptar, i cili është i duruar ndaj shtrëngesave, apo i painformuar dhe i painteresuar ndaj progresit të integrimit. Por, kush është afër pushtetit, nuk e ka problem që mos plotësohen standardet, nëse këto prekin stausquonë e raportit njeri-post; anëtarësimi në NATO, ka filluar të përdoret më tepër si mjet presioni ndaj protestave opozitare dhe hipnotizimin e kësaj të fundit, se sa si një parametër që e obligon pushtetin të zbatojë edhe në fushën civile standardet e kësaj organizate; vetë lidershipi i Partisë Demokratike, nuk duket i prekur nga një proces kalbëzimi, siç do ishte normale në vitin e gjashtë të pushtetit, por ngjan më shumë me një proces kalcifikimi, çka është e rrezikshme për një shoqëri, e cila e njeh këtë eksperiencë me bollëk, ndërsa opozita duket e pashpresë të gjejë identitetin e saj dhe rrugën drejt pushtetit qendror.
Në këto zgjedhje, tharmi i kalbëzimit të tyre, nuk qëndron tek procesi i kompromentuar numërues dhe as tek ai i dështuar ligjor. E reja është në goditjen e shpresës që këto devijime i dhanë popullsisë jomilitante të Shqipërisë; është se u përsëritën të njëjtat skena e skema, por këtë radhë në një vend të NATO-s. Gjithë kjo, ka goditur shpresën e ndrojtur të njerëzve se anëtarësimi ynë në organizatën atlantike, do ishte antidoti që do na shëronte nga infeksioni njëzetvjeçar.
Në këtë ditë, shumëkush, humbi shumëçka: Aleanca qeverisëse humbi qytetet; opozita, humbi xhevahirin kryesor; Shqipëria humbi rishtas standardet. Ndërsa, Basha humbi moralin e betejës dhe standardet e saj, ndaj ardhja në këtë fron, nuk është kurorëzim i një fitoreje, pasi siç ka thënë historiani Basil Liddell Hart “Në histori, dy disfata, nuk bëjnë një fitore”.