Washington Post: Gjykata i liron nga akuzat për vrasjen e protestuesve, SHBA kritikon vendimin

0
26

TemA, 7 Shkurt 2013

Gjatë homazheve për 21 janarin

Shumë media të huaja kanë raportuar për lajmin e lirimit nga akuza të të akuzuarve për vrasjen e protestuesve më 21 janar. Më poshtë është një raport i gazetës me ndikim në SHBA, Washington Post, bazuar në raportimin e AP

Një gjykatë shqiptare liroi nga akuzat dy oficerë të lartë të policisë të enjten, të cilët akuzoheshin se kanë qëlluar për vdekje katër mbështetës të opozitës gjatë një proteste antiqeveritare në vitin 2011.
Vendimi u kritikua hapur nga Shtetet e Bashkuara, që kanë ofruar ndihmë në hetimin shkencor, dhe u prit me zemërim nga opozita politike në Shqipëri, duke rritur tensionet politike në vend përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.

Opozita socialiste braktisi parlamentin në shenjë proteste të enjten dhe djali i një prej të vdekurve tha se do e marrë vetë situatën në dorë sipas një tradite të gjatë historike në Shqipëri të hakmarrjes.
“Tradita thotë se gjaku paguhet me gjak,” tha Renato Myrtaj për televizionin News 24.

Kreu i trupës gjyqësore, Besnik Hoxha, tha se prokurorët nuk arritën të provojnë akuzat ndaj Ndrea Prendit, kreu i Gardës së Republikës dhe Agim Llupos, një zyrtar i lartë në njësi. Një oficer i tretë ishte liruar më herët nga akuza se kishte manipuluar provat.

Prendi dhe Llupo ishin akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit; askush nuk është akuzuar për vdekjen e protestuesit të katërt, Aleks Nika.

Një hetim gjeti se plumbat e oficerëve vranë katër persona në një protestë të Partisë Socialiste gjatë një proteste kundër korrupsionit dhe manipulimit të votave, ndaj qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Prendi dhe Llupo pranuan se kishin qëlluar në ajër, por mohuan që të kenë goditur ndonjë.

Berisha refuzoi që të përgjigjej për vendimin, duke thënë se kurrë nuk do komentojë një vendim gjykate.
Opozita e ka akuzuar Berishën se ka autorizuar policinë për të përdorë armë vdekjeprurëse në protestë- një pretendim që Berisha e mohon.

“Unë i siguroj familjet e katërt martirëve se vdekjet e tyre nuk do të harrohen derisa të jepet një vendim i drejtë,” tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Kur drejtësia flet, ju duhet të heshtni,” iu përgjigj kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, një ligjvënëse e Partisë Demokratike në pushtet.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani, mohoi që të shprehej nëse prokuroria do e apelojë vendimin. Ai tha se më parë duhet lexuar vendimi.

Ambasada e SHBA në Tiranë lëshoi një deklaratë ku thuhet se janë të zhgënjyer nga vendimi i gjykatës.
Gjykata nuk e mori në konsideratë “ndihmën e zgjeruar, përfshi ekspertizën nga laboratori me famë botërore i Zyrës Federale të Hetimit”, ofruar nga Shtetet e Bashkuara pas një kërkese urgjente nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Vendimi i sotëm ka minuar besimin tek aftësia dhe vullneti i sistemit gjyqësor shqiptar për të vendosur drejtësi në mënyrë të paanshme e transparente,” tha ambasada.