Kujt i intereson stabiliteti?

0
108

Nga Leart Kola

Në këto ditë të nxehta politike, fjala “stabilitet’ është përdorur rëndom nga politikanë dhe intelektualë të pushtetit, të cilët duket sikur kanë zbuluar konceptin triumfues përkarshi atyre që denoncohen si destabilizues të vendit. Por le të vazhdojmë logjikën e tyre e të shtrojmë të njëjtën pyetje për të gjithë shoqërinë, por kësaj here me një luhatje të lehtë morfologjike, kujt i intereson që Shqipëria të jetë stabël?

Sigurisht që nëse vendosim të jemi logjikë, e të paktën për një herë të sinqertë me veten, e kemi fare të lehtë të identifikojmë grupet apo personat që u intereson stabiliteti. Berisha është i pari i tyre, si Kryeministër, logjika të thotë që këtij individi e familjes së tij i intereson që mos ketë trazira. Po sigurisht pas këtij vijnë gjithë ministrat e deputetët e PD, të cilët duke qenë në pushtet u intereson stabiliteti. Po aq stabiliteti u intereson biznesmenëve, që kanë siguruar gjatë këtyre viteve vila përrallore, të ardhura marramendëse nëpërmjet lidhjeve me politikanë të pushtetit, që logjikisht nuk do të donin kurrsesi t’i humbnin, pra dhe këtyre pa asnjë dyshim u intereson të ruhet stabiliteti, sepse mes tij, ruhet status quo-ja politike, që do garantonte vazhdimësinë e jetës së tyre luksoze.

Por jo më pak i intereson stabiliteti asaj që konvencionalisht në Shqipëri e quajmë “shoqëri civile”, jo vetëm sepse në aspektin filozofiko-politik, shoqëria civile është legjitimuese e pushtetit, por në rastin tonë dhe për një arsye më banale, sepse pushteti i Berishës, akordon miliona euro, që “ata” të flasin mirë në mediume për “ate”. Pa lënë mënjanë që stabiliteti, është buka e përditshme e dhjetra drejtorësh politikë drejtorish nëpër ministrira, që me këtë fjalë lidhin mirëqënien imediate për veten e për familjet e tyre. Për të mos folur pastaj për bizneset shfrytëzuese e multinacionalet shushunja që ekzistencën e tyre e ndërtojnë mbi stabilitetin.

Ndërkohë,po të vazhdojmë rrugëtimin tonë naiv, duke e bërë pyetjen provokative, kujt nuk i intereson stabiliteti? Këtu e kemi pak më të lehtë të kuptojmë se kujt nuk i intereson, mjafton të hedhim sytë tek njerëzit që na rrethojnë. Nuk i intereson të papunit, në mënyrë të logjikshme sepse do dëshironte të kishte një punë. Nuk i intereson atij që punon dhjetë orë në ditë për më pak se 90 mijë lek, sepse nuk ia del dot të ushqehet, ashtu sikurse nuk i intereson pensionistit. Nuk i intereson shtresës së mesme, e cila jeton në një apartament me kredi që me shumë mundësi do mbarojnë se paguari fëmijët e tyre, e taksohet njësoj si ai që u a ka shitur apartamentin. Nuk i intereson stabiliteti biznesit të vogël familjar, që punon gjithë ditën për të siguruar vetëm ditën që do vijë, e skallavërohen me zinxhirë tatimorësh sa herë shteti ka nevojë për para. Stabiliteti nuk i intereson studentëve që nuk kanë një familje të pasur, sepse diplomat e tyre, do bëhen arsye depresioni për të ardhmen, më shumë se perspektivë.

Po ku qendron problemi, do pyes dikush, në demokraci ka gjithmonë një grup që është më i pakënaqur se tjetri? Problemi qendron pikërisht tek koncepti më i rëndësishëm “demokracia”, e cila duke qenë në perspektive sundimi i shumicës, e sheh veten nën sundimin e pakicës. Problemi qendron që grupi që deshiron stabilitet, pra status quo, përbëhet nga vetëm 7% e shoqërisë, e grupi që kërkon destabilizimin e këtij stabiliteti mashtrues përbën 93% të saj. Për së paku në çmendurinë tonë, le të mos përfshimë termin “demokraci” apo “vend demokratik”, sepse nuk jemi të tillë, e menaxhimi i zgjedhjeve sado i mirë të jetë sa kohë do krijojë këtë diferencë sociale nuk do mund kurrsesi të legjitimojë termin “demokraci”. Një ide që dhe në 2011, është e aftë të mobilizojë miliona njerëz në vendet më autokratike të Botës. Një ide që sot nuk po zhvillohet në institucionet “stabile” europiane, por në sheshet e Madridit, Parisit, Athinës, Milanos, Barcelonës. Europës së njerëzve të vërtetë, jo burokratëve, pikërisht asaj Europe, që i mesoi botës çfarë është Demokracia atëherë e po i mëson sërish botës, së çfarë ata nënkuptojnë me Demokraci sot.

Shumë intelektualë-politikanë të pushtetit, sot në këto ditë të nxehta të politikës na kërcënojnë me 97, për të na strukur nëpër shtëpi, por harrojnë të na thonë, se në 97, faji nuk ishte i popullit që u derdh në rrugë, përkundrazi, faji ishte i Berishës, që pasi e vodhi popullin të cilin drejtonte, nuk ishte i gatshëm as ta dëgjonte. E nëse ne duam të kërkojmë stabilitet, atëherë mirë është që të tërhiqemi nga fjala demokraci, e ndoshta dhe nga fjala kapitalizëm, sepse pikërisht këto dy ideologji dinamike, stabilitetin nuk e njohin si pjesë përbërëse të tyre, nëse jemi vërtet në kërkim të stabilitetit, atëherë mirë do ishte që të fillonim të krijonim një realitet Enverist, apo në rastin tonë Berishist, e të strukeshim për 50 vitet e ardhshme nën këtë zhguall.

Por Enverizmi në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë, këtë e di Hysni Milloshi, ashtu sikurse Berisha e di që ‘97 nuk përsëritet me, frika që kanë ata, është që revolta në kërkim të drejtësisë sociale, nuk është fenomen historik, por prodhim i vullnetit, e si e tillë është e pashmangshme që të ndodhë. Stabiliteti i tyre, është fjala elegante për të përshkruar vargonjtë që i kanë hedhur popullit, por kanë harruar që një popull që për të humbur ka vetëm vargonjtë, është një popull që çdo mëngjes do zgjohet triumfator, e ky 7% politikanësh, biznesmenësh, intelektualësh prej shoqërie civile, bën mirë të fillojë të trembet seriozisht.