Nga Nasho Bakalli
Nëse shfleton shtypin shqiptar dhe atë të diasporës, nga viti 1913 deri në 1925, mëson se: një dukë francez, një kloun cirku gjerman, një princ rumun, një kampion kriketi anglez, një djalë sulltani nga Stambolli e një princ egjiptian, të gjithëve, këtyre, u është ofruar froni vakant, për të mos thënë i paqenë i të parit të shtetit të sapo krijuar shqiptar. Një pjesë e tyre e pranuan fronin, i cili u dhurohej nga shqiptarë të ndryshëm, që në të shumtën e rasteve ishin thjeshtë përfaqësues të vetvetes dhe nuk kishin asnjë lidhje me mëmëdheun, apo me ringjalljen e saj.
Të tjerët u kthyen mbrapsht prej komploteve, intrigave, pritave të ngritura prej rivalëve, ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, tek- tuk edhe prej vetë shqiptarëve. Nuk ishte rastësi që këto e të tjera histori të çuditshme dhe qesharake ngritën krye në vitin 1913 (fillimi i copëtimit të trojeve shqiptare) dhe ranë squk me 1925 (mbarimi i procesit ndërkombëtar të copëtimit të trojeve shqiptare).
Sepse, gjatë kësaj duzine vitesh Shqipëria ishte fushë beteje ku luftonin symbyllur, mes tyre dhe brenda llojit, grupe feudalësh dhe intelektualësh; ishte viktimë e politikës së vjetër europiane. Politikë e cila përpëlitej, jo pa dhimbje, brenda skemave mesjetare të pazareve me territore të vendeve të vogla. Hap pas hapi, sot, situata politike në Shqipëri dhe në Europë është krejt e ndryshme nga sa mësipër. Sepse, shtëpia e madhe europiane është drejtuar e pastruar në veten e saj, dhe, është kthyer në strehë e bashkimi dhe mirëqenie për të gjithë kombin shqiptar.
Gjithsesi, ka diçka që ne shqiptarët na mban të lidhur keqas me të shkuarën. Dhe kjo e keqe është klasa tonë politike. Sepse ajo nuk është në gjendje, pasi ende nuk e ka mësuar, të gjejë lirshëm e me stil qytetar rrugën e konsensusit për nisma apo zgjidhje të mëdha. Aktualisht që të gjejë mençurinë e duhur për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit 2011 për Bashkinë e Tiranës, për kryetarin e saj. Se kush do të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, kjo gjë ka kohë që është e qartë për kryeqytetasit.
Ata dhe qeveria Berisha e njohin fort mirë personin e nuk kanë çfarë t’i shajnë, sepse ai e ka për të katrën herë. Por çështja ka mbetur pezull për shkak anakronik. Se pozita nuk e thotë dot të vërtetën, nuk e thotë dot publikisht. Përse nuk e thonë? Mospranimi është pasojë e kompleksit të klounit, të princit, të dukës, të kampionit apo të milionerit. Është pasojë e kulturës së dobët politike që trashëgojmë, e nga ku nuk kemi forcë që të dalim; apo se jemi të kapur ligsht.
Megjithatë, sado që të zgjatet beteja politike, mes së resë dhe të vjetrës, fitorja e Edi Ramës është një punë e mbaruar. Pse është e mbaruar? Sepse të gjithë janë kundra Berishës, ose, Berisha është kundër të gjithëve. Berisha është kundra të gjithë shqiptarëve, të cilët patën fatin që të jenë dëshmitarë të gjallë të fitores së Edi Ramës. Berisha, gjithashtu, është kundra shumë e shumë të huajve, nga të katër anët e rruzullit tonë, që ndodheshin në Shqipëri, atë ditë, dhe që me kast ndiqnin numërimin e votave, të cilat dolën më tepër për E. Ramën.
Berisha është kundra gjithë ndërkombëtarëve, pasi u bë gati një muaj që atë nuk e pret asnjë homolog i huaj jashtë shtetit, dhe nuk e viziton asnjë i huaj në Shqipëri. Berisha nuk gjeti hapësirë komunikimi as në kuadrin e Manovrave Ushtarake Detare – pra as në kuadrin e sigurisë që na vjen nga NATO – të cilat u zhvilluan këto ditë në ujërat territoriale të Shqipërisë, në gjirin e Vlorës, dhe u kryesuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Nuk duhen të tjera të dhëna, të cilat nuk mungojnë, që të kuptohet izolimi i Berishës nga populli dhe nga ndërkombëtarët. Dhe, ky izolim nuk vjen ngaqë Berisha caktoi L.Bashën dhe nuk caktoi një tjetër. Nuk vjen se Berisha nuk e di se e ka për detyrë që t’i japë edhe botës konsensusin e rastit. Por maskarada që po shfaqet në skenën politike, ekonomike, shoqërore shqiptare vjen thjeshtë dhe vetëm ngaqë Berisha do të shmangë rizgjedhjen e E.Ramës. Vjen ngaqë për Berishën akti i pranimit të humbjes, rizgjedhja e Edi Ramës, vlerësohet si nënshtrim, e për më keq edhe pa kushte, pa boduare!
Të dalësh duarbosh kur tërë jetën tënde je mësuar duarplot nuk është e lehtë. Por ky, kësaj rradhe, është problem i tij dhe i partisë së tij. Nuk është problem i E.Ramës i cili ka gjashtë vjet që nuk lë cep të Shqipërisë pa shkelur. Nuk lë qytetar dhe katundar të Shqipërisë pa takuar e dëgjuar. Nuk lë problem të këtij vendi pa çkoklavitur e pa i dhënë çare për zgjidhje. Nuk lë kancelari perëndimore pa trokitur, e pasqaruar pikpamjet e tij personale, qëndrimet e Partisë Socialiste që ai kryeson dhe aspiratat euroatlantike të popullit shqiptar.
Kushtvënia, pazarllëqet janë vetëm humbje kohe, humbje për ekonominë kombëtare; janë shkatërrim i imazhit vetiak të Berishës e atij të shtetit shqiptar. E për t’i mbyllur historitë e çuditshme dhe qesharake me fronin e Shqipërisë dhe politikanët shqiptarë le të shtojmë se: në shtypin e po asaj kohe, 1913-1925, gjejmë gjithashtu deklaratat e një milioneri amerikan dhe të një milioneri anglez, të cilët, pavarësisht nga njëri-tjetri bashkoheshin në pikën se u ishte ofruar froni i Shqipërisë, porse, e kishin refuzuar atë pasi për ata froni nuk ishte “një vend bosh pune”.







