Diçka për luftën Jug-Veri!

0
64

Nga Artan Vatoci

Simboli i unitetit Veri- Jug në politikë. Sali Berisha nga Tropoja me fëmijët e Enver Hoxhës nga Gjirokastra

Teknologjia i ka dhënë një zhvillim të pa parë informacionit, sidomos lirisë të të shprehurit të masës. Më qëllon shpesh të lexoj komente të lexuesve për analiza dhe opinione të bëra në gazetat shqiptare, që më pas botohen në internet. Në disa raste kam lexuar komentet e bëra nga lexuesit përpara se të lexoj artikullin, për të parë se çfarë opinioni do më krijohej nga këto komente, që pastaj të lexoj vetë artikullin dhe të bëj krahasimin së çfarë efekti kishin ato. Në disa raste lexon komente që kanë opinione të kundërta dhe kanë shumë pak pika që bashkohen, por shumica prej tyre kanë një vlerësim real për çfarë një editorial apo opinion bën fjalë dhe mendoj që shqiptarët janë të mirë informuar për situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Kur them janë të mirë informuar, e kam fjalën për ata që marrin mundimin për të bërë komente, janë në kontakt të vazhdueshëm me realitetin shqiptar, pavarësisht nëse jetojnë apo jo në Shqipëri.

Arsyeja që po shkruaj këto rreshta janë për komentet që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Më shqetëson fakti kur lexoj komente që kanë një frymë urrejtjeje, që më të vërtetë më duken shumë më të dëmshme se sa çdo kontradiktë ideologjike apo interesi. Vota e shqiptarëve këto zgjedhje lokale është më se e qartë, një frymë kundër Partisë Demokratike. Ai që nuk e kupton këtë është qorr dhe shurdh. Por nuk dua të vazhdoj këtë argument. Çfarë më së shumti më mundon janë ato komente të bëra në botën virtuale dhe në atë familjare dhe shoqërore, disa herë edhe publike. Një ndjenjë të tillë e kam ndjerë edhe aty rreth viteve 1997-2000.

Një njeri që ndjehet inferior, mënyra e vetme për t’u hakmarrë është duke pasur një urretje, një urrejtje që i verbon çdo sens të të menduarit dhe logjikuarit. Sot në Shqipëri është një gjendje e tensionuar e krijuar nga disa persona që janë pjesë e jona, të dalë nga shoqëria jonë, e mirë apo e keqe dhe jo si individë që kanë ardhur në këtë jetë për të përfaqësuar një krahinë apo një familje. Historia nuk mund të jetë indiferente në analizën e saj ndaj figurave publike, gjë që natyrshëm do ketë një lloj efekti në një komunitet apo krahinë. Por unë nuk arrij të kuptoj që një figurë publike të njësohet me një komunitet dhe krahinë! Që të mos zgjatem shumë, ajo që dua të them është se shumë njerëz haptazi shprehin një urrejtje ndaj një krahine apo edhe një zonë gjeografike që është në opozitë nga ata, gjeografikisht. Me konkretisht;

Kryeministër i Shqipërisë është një individ, e cilësoj, një individ që vjen nga Tropoja. Tropoja për ata që nuk e kanë shumë të qartë gjeografinë, ndodhet në skajin veri lindor të Shqipërisë. Po përdor gjeografinë sepse më kujtohet në kohën e sistemit monist kam patur “fatin e madh” të shpjegoj se si germëzohej fjala Tropojë dhe se ku ndodhej gjeografikisht. Por shumë prej jush sot, nuk kanë nevojë për shpjegim kaq të hollësishëm, megjithatë e ndjej për detyrë ta bëj. Si kryeministër i Shqipërisë, ka mbi supet e veta gjithë barrën që mund të ketë një person publik, arritjet dhe dështimet e tij. Ai, si i tillë do gjykohet nga historia dhe jo krahina nga ai vjen. Historia do jetë gjykatësi më i mirë i çdo individi që ka vendosur të jetë figurë publike. Biografia nuk do gabojë asnjëherë që të përmendë se nga vjen ai. Çfarë më shqetëson më së shumti është ndarja Veri-Jug. Një ndarje vetëm në mendjen e atyre që imagjinojnë, në mendjen e atyre që janë inferior, në mendjen e atyre që urrejtjen e kanë pjesë shumë të madhe të logjikës.

Si fillim dua të them dy fjalë për Veriun e Shqipërisë, që dikur i thonin Gegë; Një shok i imi nga Berati, por që ishte rritur në Shkodër, thoshte; çfarë ka vitrina, ka magazina. Sot mund të them që një shitës i keq, nxjerr në vitrinë mallin e prishur dhe i kushton të mos ketë mundësi të shes mallin e mirë që ka në magazinë. Me këtë krahasim të thjeshtë dua të them, që pjesa më e ndritur, më intelektuale dhe e aftë që potencialisht veriu i Shqipërisë ka mundësi të japë, ka humbur për shkak të një shitësi të keq dhe të pa aftë. Një veprim që do ketë një efekt të gjatë në rimëkëmbjen e këtij “dyqani” vlerash. Është e dhimbshme që të shikosh sot një Veri që me tepër mbështetet në forcën e imponimit se sa në forcën e argumentit.

Disa thonë që kjo është e vetmja rrugë! Unë pyes nëse keni provuar rrugë tjetër? Është me të vërtet e dhimbshme që një Shkodër, një Shkodër që është djep i qytetërimit shqiptar, të mos ketë mundësi të “prodhojë” figura intelektuale për kohën, por të vazhdojë të mburret me historinë e saj, si grekët e sotshëm mburren me Greqinë e lashtë. Është e dhimbshme që sot, shqiptarët i referohen Gjegj Fishtës, Ndre Mjedës, Migjenit, për të treguar se realiteti i sotshëm nuk është ndryshe nga realiteti i djeshëm. Është e dhimbshme që ne si veriore duhet të “sqarojmë” pjesën jugore të Shqipërisë për vlerat tona historike.

Kam edhe dy fjalë për jugun e Shqipërisë, që dikur i thonin Toskë; Dyzet vjet ndenji Enveri. Dyzet vjet bëtë çfarë deshët me Shqipërinë, por njëherë nuk e dëgjuat një fjalë të keqe nga veriu. Një herë nuk ju thamë që ju ishit fajtor, por si një popull thamë që ishte ai që na mori në qafë. Disa herë keni qeverisur gjatë këtyre 20 viteve, por asnjëherë nuk jeni urryer se keni qenë nga Jugu. Janë sharë, përdorur epitete, por asnjëherë këto nuk kanë qenë krahinore por vetëm individuale.

Gegë dhe Toskë janë përcaktime që i përkasin vetëm një të shkuare të largët. Shqipëria sot është e ndarë vetëm gjeografikisht, populli shqiptar është i ndarë në shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, shqiptarë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Ata që kanë një urrejtje në shpirtin e tyre, më vjen keq për ta, ndjej vetëm gjynah sepse janë një shpirt i humbur. Ne si shqiptarë kemi kaluar shumë peripeci, jemi një popull që kemi mbijetuar dhe si të tillë kemi krijuar një vetëmbrojtje nga e keqja. Jam i sigurt që do mbijetojmë edhe nga kjo vertigo morale. Shpresoj që logjika të fitojë ndaj urrejtjes!