Eduard Zaloshnja
Kur Edi Rama propozoi sistemin zgjedhor aktual në vitin 2008, dukej qartë që besonte se koalicioni i udhëhequr prej tij do të fitonte të paktën 71 mandate parlamentare e, për rrjedhojë, nuk do të kishte nevojë të bënte aleancë me LSI-në për të krijuar qeverinë. Me fjalë të tjera, Rama besonte se, me një të rënë të sopatës, do ta rrëzonte në tokë lisin e asaj që ai e quante “politikë e vjetër” (nënkupto treshen Berisha-Meta-Nano). Por lisi i vjetër i politikës shqiptare doli më i fortë se sopata e “politikës së re” të Ramës. Dhe siç parashikohej, LSI-ja i bashkoi votat me PD-në, duke i siguruar kësaj të fundit mazhorancën qeverisëse.
Në zgjedhjet lokale të 8 majit, LSI-ja konfirmoi se, po mbeti në fuqi sistemi elektoral aktual, do të jetë përsëri partia vendimtare për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 2013-ës. Por ndryshe nga zgjedhjet e 2009-ës, ajo nuk do të futet në garë si një parti që sulmonte egër Berishën dhe që ishte e ndarë nga koalicioni i udhëhequr prej Ramës. Tani ajo do të jetë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Berisha dhe do të ketë komisionerët e vet në çdo qendër votimi e numërimi. Në këto kushte, sikur të përsërisë të paktën rezultatin e 2009-ës (për të mos thënë këtë të 8 majit), LSI-ja do të fitonte 7-8 mandate, e jo 4, siç mori në vitin 2009. Dhe pikërisht kjo fuqi e shtuar mandatesh parlamentare do të ishte edhe fara e paqëndrueshmërisë së aleancës Berisha-Meta. Tingëllon si paradoks, por nuk është i tillë.
Dalja në skenë e LSI-së nuk erdhi si pasojë e ndonjë kauze që nuk po adresohej dot nga sistemi i atëhershëm politik. Ajo erdhi thjesht si rezultat i përplasjes së dy ambicieve të mëdha për postin e kryeministrit; të Nanos dhe Metës. Ky i fundit, ishte cilësuar nga shumë zëra brenda e jashtë Shqipërisë si kryeministri më i fuqishëm shqiptar pas vitit 1990, ndërkohë që kishte arritur të siguronte përkrahjen e 70% të KPD-së socialiste (me ndihmën edhe të të gjithëpushtetshmit Gramoz Ruçi). Dhe kur Nano, përkundër gjasave, arriti ta rrëzojë nga froni kryeministror, Meta krijoi LSI-në, me objektiv të qartë që t’i shkaktonte Nanos humbje në zgjedhjet e radhës. Kjo do t’i hapte rrugën Metës për një rikthim në krye të së majtës.
Por në këtë rrugë, atij i doli një pengesë e madhe. Pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës nga Nano, Gramoz Ruçi dhe politikanët më me peshë të PS-së vendosën të mbështesin kandidaturën e Edi Ramës për kreun e opozitës. Në këto kushte, Metës i mbetej të rrrinte si violinë e dytë në kampin e majtë. Ai e pranoi përkohësisht atë rol dhe LSI-ja u bë një faktor i rëndësishëm për fitoren e kandidatëve dhe këshilltarëve të majtë në shumicën dërrmuese të qendrave të mëdha urbane në zgjedhjet e 2007-ës. Por ambicia kryeministrore e Metës nuk kishte vdekur – ajo thjesht ishte përgjumur për pak kohë. Nga ana tjetër, ambicia kryeministrore e Ramës ishte edhe më e madhe. Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që Rama propozoi sistemin zgjedhor aktual në vitin 2008. Sipas llogarive të tij, ky sistem do të bënte që PS-ja të mos kushtëzohej nga ambicia e Metës në krijimin e qeverisë së re.
Por a e ka harruar Meta ëndërrën e tij të kahershme kryeministrore? Për shumëkënd, ajo duket e vdekur, por shkruesi i këtyre rreshtave mendon ndryshe. Në qoftë se sistemi eleltoral nuk ndryshon, LSI-ja i ka të gjitha gjasat të fitojë 7-8 mandate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të mos thënë se mund të marrë edhe më tepër. Në këto kushte, Meta mund të fillojë të luaj poker politik. Deri më sot, ai ka demonstruar se e luan fort këtë poker edhe kur letrat në dorën e tij janë të dobta, e jo më kur janë të forta. Gjithashtu ai ka demonstruar se mund të bëhet mik edhe me armikun më të egër të dikurshëm, në qoftë se llogaritë politike ia kërkojnë këtë gjë (Kujtoni se ai ishte kryeministri që e çoi mikun aktual Berisha në rajonin e policisë si një kriminel ordiner në vitin 2001, apo që e anatemonte mikun e tij aktual Nano si “padrinon e mafias shqiptare” në vitet 2003-05).
Konkretisht, Meta mund t’u bëjë socialistëve të etur për riardhje në pushtet një ofertë, të cilën ata ndoshta mund të mos e kundërshojnë dot: Më votoni mua për kryeministër, me kusht që të hiqni humbësin Rama nga kreu i PS-së (një zëvendës i këtij të fundit në krye të PS-së mund të ishte, p.sh., Pandeli Majko). Dhe Gramoz Ruçit e politikanëve të tjerë me peshë në PS do t’u duhet të bëjnë zgjedhjen e n-të, për të ndërruar kuajt në krye të karrocës së tyre të majtë (Kujtoni ndërrimet Nano-Majko, Majko-Meta, Meta-Majko, Majko-Nano, Nano-Rama, të cilat kanë patur gjithnjë bekimin e Gramoz Ruçit dhe politikanëve të tjerë me peshë në PS).
Por a do të bëjë sehir Berisha, ndërkohë që Meta luan pokerin e tij politik? Sigurisht që jo. Së pari, Berisha i ka Metës një kartë të fortë në dorë: Video-skandalin me Priftin. Por kjo kartë është një thikë e rrezikshme me dy presa. Në qoftë se Berisha e luan fort atë para zgjedhjeve të 2013-ës, Meta mund të dalë në opozitë para tyre. Ndërsa në qoftë se e ruan për pas 2013-ës, mund të jetë shumë vonë. Në qoftë se Meta arrin të bëhet kryeministër, karta e video-skandalit do të dobësohej shumë (Kujtoni skandalet e pandëshkuara të Nanos kur ishte kryeministër…).
Një kartë tjetër që mund të përdorë Berisha është dobësimi i nëndheshëm i LSI-së dhe fuqizimi i PDIU-së, partisë së tretë të mazhorancës. Por një problem me këtë kartë është se PDIU-ja nuk ka prirje të forta politike drejt njërit apo tjetrit krah. Ajo ka si kauzë çështjen kombëtare e, në veçanti, atë çame. Si rrjedhojë, PDIU-ja mund të ndërrojë krahun politik në varësi të konjukturave që mund të krijohen. Thënë shqip, ajo mund ti’bashkohet me lehtësi një qeverie të majtë të drejtuar nga Meta, në qoftë se ky i fundit premton përkrahjen e kauzës së PDIU-së.
Karta më ekstreme që mund të luajë Berisha në pokerin politik me Metën është karta “Micotaqis”. Siç mund t’i kujtohet lexuesit, pasi Micotaqisit, kryetarit të partisë së djathtë “Demokracia e Re”, iu desh ta krijonte qeverinë me ndihmën e Partinë Komuniste në Greqi, ai propozoi një sistem të ri zgjedhor. Sistemi propozuar nga Micotaqisi, i cili, me pak ndryshime, është edhe sot në fuqi, nuk krijon kushte për martesa të çuditshme të partive të djathta me parti të ekstremit të majtë, apo anasjelltas. Ai është një sistem proporcional kombëtar me prag 3% dhe me prim për partinë e parë në garë (kësaj të fundit i jepet një numër mandatesh shtesë në qoftë se merr të paktën 41.5% të votave). Në këtë mënyrë, partisë së parë, vetëm në raste ekstreme, mund t’i lindë nevoja të bëjë aleanca të paqëndrueshme me parti të vogla të krahut tjetër politik.
Që Berisha ta luajë kartën “Micotaqis”, duhet të ketë besimin se mund ta nxjerrë PD-në partinë e parë në garën e ardhshme elektorale. Ndërkohë, që Rama ta pranojë variantin “Micotaqis”, duhet t’i jepet sa më shpejt në dorë mandati i shumëdiskutuar i kryebashkiakut…







