Kushëriri i Olldashit tenton të vrasë 18-vjeçarin

0
64

Berisha me Olldashin

Shekulli, 13.12.2009

Djali i dajës së ministrit qëllon mbi Besart Islamajn. Policia fsheh materialet e ngjarjes dhe publikon informacion të rremë

DURRËS – Kushëriri i parë i një ministri të qeverisë aktuale ka tentuar që të vrasë një 18-vjeçar dy net më parë në Durrës ndërsa policia është përpjekur që të fshehë krimin dhe të lehtësojë veprën penale. Njeriu që ka kryer krimin është Zenaldo Mamaqi, djali i dajës së ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Policia e Durrësit është përpjekur maksimalisht për të mbajtur nën kontroll ngjarjen duke përgatitur materialet sikur autori i krimit është 17-vjeç dhe ngjarja ka ndodhur për motive banale. Tashmë ai akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.

Mbrëmjen e dy ditëve më parë, banorët e Durrësit janë trembur nga krisma e një arme në zonën pas Pallatit të Kulturës. Dëshmitarët okularë kanë parë një djalë të ri të qëllojë me pistoletë ndaj një personi tjetër i cili ka mbetur i plagosur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes disa minuta më pas por nuk ka mundur që të gjejë asnjë provë. I plagosuri ishte dërguar në spital ndërsa autori i krimit ishte zhdukur. Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se personi i plagosur është Besart Islamaj, 18 vjeç banues në Durrës. Gjatë marrjes së tij në pyetje, policia ka zbuluar identitetin e autorit të krimit, i cili është Zenaldo Gëzim Mamaqi, 19 vjeç, po nga Durrësi. Ai është shpallur në kërkim ndërsa hetuesit kanë arritur të marrin predhën e plumbit që ka plagosur 18-vjeçarin Islamaj.

Sapo kanë nisur verifikimet për autorin e krimit, hetuesit kanë zbuluar lidhjen e tij me ministrin Sokol Olldashi. Zenaldo Mamaqi është djali i dajës së ministrit. Gëzim Mamaqi është vëllai i mamasë së Sokol Olldashit, Kozeta Mamaqit. Ky detaj “paksa” i rëndësishëm ka vënë në dilemë policinë, e cila nuk ka ndërmarrë veprime të tjera për arrestimin e autorit të krimit. Vetë Zenaldo Mamaqi është vetëdorëzuar në polici i shoqëruar nga i ati, disa orë pas krimit. Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë.

Por policia, në njoftimin e saj zyrtar është përpjekur që të minimizojë e të fshehë ngjarjen. “Më dt.11.12.2009 në orën 23.00 është arrestuar në flagrance shtetasi Z. M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë për arsye se më dt.11.12.2009 rreth orës 19.00 në lagjen nr.11 të qytetit Durrës për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistolete shtetasin Besart Islamaj, 18 vjeç, banues në Durrës”,- thuhet në njoftimin e policisë. Uniformat blu të Durrësit pranojnë me dëshirë që të publikojnë emrin e viktimës së krimit por jo atë të autorit. Për ta fshehur atë policia ka pohuar se është vetëm 17-vjeç. Një verifikim i thjeshtë në listën e votuesve tregon se Zenaldo Mamaqi ka lindur më 25 qershor 1990, pra është më shumë se 19 vjeç. Kjo gjë është pranuar edhe nga prokuroria e Durrësit. Një tjetër arsye pse është tentuar ulja e moshës është edhe lehtësimi i situatës sepse të miturit përfitojnë ulje dënimi.

Një tjetër pikë e dyshimtë në hetimin e policisë është arma e krimit si dhe gëzhoja që duhet të kishte rënë në vendin e ngjarjes. Policia ka pohuar se nuk ka gjetur as armën e as gëzhojën. Në njoftimin e saj thuhet se Mamaqi është arrestuar në flagrancë por arma dhe gëzhoja nuk ndodheshin aty. E vërtetë është se Mamaqi është dorëzuar në polici nga i ati disa orë pas ngjarjes dhe nuk është kapur në flagrancë. Policia ka mundur që të gjejë predhën e plumbit por jo armën ose gëzhojën që gjenden shumë më lehtësisht se sa predha. Vetë Mamaqi ka pohuar se armën e ka hedhur. Dyshimet për armët shtohen për faktin se ajo mund të jetë e regjistruar në emrin e ndonjë funksionari shtetëror ose është përdorur në ndonjë vepër penale.

MOTIVI
Nga hetimet e para të prokurorisë është mësuar se krimi i dy ditëve më parë ka ardhur pas disa sherresh mes Mamaqit dhe Islamajt. Gjatë të gjithë javës ata kanë shkëmbyer sharje dhe ofendime deri sa kanë arritur edhe në përdorimin e grushteve. Mbrëmjen e së premtes Zenaldo Mamaqi ka parë Besart Islamaj në një tunel pas pallatit të kulturës dhe ka nxjerrë armën duke qëlluar drejt tij për ta vrarë. Pas kësaj ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime të spitalit të Durrësit pohuan se i plagosuri ka marrë ndihmën e parë dhe më pas është dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.