Verbëria e urrejtjes dhe thirrja e shkrimtarit

0
86

Prof. Skënder Gjoni, 27.05.2011

Duke mos qenë as politikan, as letrar, as analist, dhe as hiç gjithnjë kam një vështirësi të madhe të shpreh ndjenjat dhe emocionet e mia me shkrim. Sot më shumë më duket vetja si ajo gruaja e mirë shtëpiake me vullnet e dëshirë e cila ka përpara një thes copë-copë të grisur e të ronitur dhe me një pe e gjilpërë në dorë rri e mendon e mendon … e mendon… nga t’ia nis.

Thesi në fund të fundit është thes por kur përpara ke një popull të grisur e të copëtuar, një qeveri të ronitur e të korruptuar, një opozitë të çapëluar e të mashtruar…nga t’ia nisësh?! Si t’ia fillosh, nga ta marrësh nismën, nga ç’nivel e ç’mënyrë, nga ai më i thjeshti shqiptar anonim, të cilin unë e dua me të gjithë forcën e shpirtit tim, nga ai më naivi, më injoranti, ai më i gënjyeri, i çfarëdo moshe veç që flasin SHQIP e që janë kaq të dashur për mua njëlloj!!!

Sepse, së pari, janë shqiptarë si unë. Kemi jetuar bashkë, kemi qarë bashkë, me të njëjtat ligje, me të njëjtat proverba, me të njëjtat urime, me të njëjtat mallkime e me të njëjtat këngë, me të njëjtat valle e muzikë, me të njëjtat rite të gëzuara.

Sot, ky populli i im shqiptar tejet i dashur për mua e për të gjithë është në buzë të humbjes. Njeriu në jetë (s’bën përjashtim asnjëri) dashuron dhe urren me raste në të njëjtën kohë. Pa fjalë njeriu do më shumë atë, me të cilin gjatë jetës zihet më pak e urrehet më pak.

Logjikisht, teorikisht e biologjikisht njeriu do më shumë fëmijën e tij, për atë jep edhe jetën. Të gjithëve megjithatë një herë në jetë e pakta na ka ndodhur të jemi edhe zemëruar edhe me fëmijët tanë për pak kohë, për shumë kohë etj., etj. Ky zemërim rrallë herë dhe përkohësisht kalon dhe në urrejtje.

Por asnjëherë njeriu nuk mund të zemërohet me vendin e vet, me popullin e vet sidoqë të jetë ai në momente të caktuara.
Janë pa diskutim më të shumtë ata që dhanë jetën për popullin, për atdheun e dashur në përgjithësi sesa për fëmijën e tij në veçanti.

Personalisht kam bindje se dashuria për atdhe është më e forta, më e qëndrueshmja dhe më e paluhatshmja sidomos. E bëra këtë hyrje, e shkrova në mënyrë automatike e të sinqertë për të shprehur dhimbjen që më mundon në këto momente. Unë shoh popull të përçarë të egërsuar, të polarizuar gati për përleshje që dihet sesi fillon por kurrë s’dihet sesi mbaron. Sa për demokrat, socialistë, komunistë, LSI-sta e ista e ista të tjerë, kjo s’më intereson fare, fare, fare.

Duke qenë thellësisht i dëshpëruar për ku u katandisëm si popull kam një paragon që ndërgjegjshëm më kujton kohën e luftës. Kohën e urrejtjes kur populli ishte i ndarë si me thikë në dy pjesë dhe, fatkeqësisht falë demagogjisë komuniste, varfërisë, okupatorit, etj. Shumica përkrahte komunizmin ku fatkeqësisht bëja pjesë edhe vet personalisht me bindje të plotë.

Bindje të cilat m’u përmbysën plotësisht brenda dy javësh në Budapest, në zemër të kryengritjes kundër diktaturës komuniste të vitit 1956 ku u ndodha duke shoqëruar një të sëmurë.

Aty pashë qartë se çfarë mund të bëj një popull kur preket në thelbin e ndjenjave e në zemër dhe me dëshpërim i cili nuk m’u hoq as sot e kësaj ditë konstatova që isha në anën e gabuar të barrikadës në atë moshë 32 vjeçare. Kam lexuar mbi habinë e madhe të të huajve për interesin e jashtëzakonshëm që shfaqim ne shqiptarët, me pasionin e madh popullor për zgjedhjet, habiten për skajshmërinë, ekstremizmin etj.

Për këtë kam një shpjegim. Kuptohet së pari se, i nginjuri (i ngopuri) nuk e kupton të uriturin sidomos, kur nuk e ka provuar kurrë urinë e bukës në jetën e vet. Mendoj se një shumicë e një populli që ka një nivel të lartë jetese sigurisht dhe edukatë-kulturë ose anasjelltas nuk merren shumë me politikë ose merren shumë më pak.Prova më e padiskutueshme është që revolucionet e kryengritjet fermentohen atje ku ka varfëri.
Konflikti ku ndodhet populli ynë i varfër është i madh, konfliktet sa më të mëdha të jenë aq më shkaqe të mëdhenj kanë. Interesat politike pa dyshim janë një shfaqje e interesave ekonomike.

Vini re, njeriu që i ri, fëmijë që kur për herë të parë në jetën e tij fut lugën së pari në gojën e vet e jo në gojën e tjetrit. Ky shembull primitiv apo empirik, mendojeni si të doni, na shoqëron deri në vdekje pa përjashtim, të gjithëve. Pra njeriu si kafsha lind egoist, problemi komplikohet kur ndryshojnë përmasat e oreksit, që nga luga e vogël për vete e deri te paratë, milionat, nderet e ofiqet, etj, etj gjithnjë në radhë të parë për vete.

* * *

Po i kthehem problemit të zgjedhjeve. Ndodhemi përpara dhënies së një vendimi të Kolegjit Zgjedhor për zbatimin e ligjeve gjatë procesit të numërimit të votave. Dilemë e madhe dhe problem deciziv. Edhe këtu kemi një shfaqje, ta quaj teoria e lugës në gojën time dhe është momenti t’a konkretizojmë si teoria në Gojën e Z. Kryeministër.

Kam dëgjuar me vërejtje thelbin e konfliktit. A duhet vlerësuar vota e zhvlerësuar pasi nuk gjendet në vendin e vet?? E vërteta, logjika thotë se çdo votë e rregullt duhet numëruar edhe kur s’është në kutinë e vet. Arsyetim i mirë. Ligji në një nen tjetër thënka se vota është e vlefshme kur është e vulosur siç duhet, kur ka formatin siç duhet, ngjyrën siç duhet, në kutinë siç duhet.

Nuk specifikon që quhet e vlefshme edhe kur është në kutinë e gabuar, por është e rregullt ama…, e drejta e votës së qytetarit etj., etj., etj., e mund të diskutosh pa fund.

Parantezë didaktike

Kam kryer gjimnazin e jezuitëve në Shkodër, isha në një klasë me të ndjerin Z. P. Gjeçi megjithëse kishim dy vjet diferencë. Një prift tepër i iluminuar, Patër Fausti, i pushkatuar krejt padrejtësisht nga regjimi komunist, megjithëse i huaj me nënshtetësi. Patër Fausti e dinte Kapitalin e Marksit në mënyrë perfekte, gjë që i vuri në pozitë të vështirë e qesharake profesorët që erdhën apostafat nga Tirana, të cilët më në fund e dënua me vdekje.

Patër Fausti gjatë leksioneve, duke iu referuar një filozofi gjerman na këshillonte: “Kur keni një problem të vështirë për të zgjidhur ku “pro-ja dhe kundra” janë vështirë për t’u kuptuar atëherë ekzagjeroni argumentet shumë herë në fantazinë tuaj, shumëzojeni me dhjetë, me njëqind dhe do të shikoni që tabloja do t’ju sqarohet menjëherë.

Këtë teori – këshillë nuk e harrova asnjëherë dhe shumëzimi i të mirës e i të keqes ose ekzagjerimi më orientonin drejt në jetë duke e bërë mundësinë e gabimit zero në mënyrë të pagabueshme. Do provoj të zbatoj teorinë e filozofit gjerman në rastin tonë. Dy njerëz në një taksi rastësisht gjejnë tre fletë votimi për kryetar bashkie të rregullta njëqind për qind,(vula, firma, ngjyra, formati).

Të themi ishin në favor të Lulëzim Bashës në datë 8-9 maj. Pak rëndësi ka. Ia dorëzojnë zotit Ristani. Fillon një diskutim… fletët janë të rregullta, shprehin vullnetin e individëve, duhet të numërohen, s’ka rëndësi se ku u gjetën, ato janë të pa numëruara; kundërshtarët alarmohen, revoltohen, kundërshtojnë, turma ulërin e ndahet pro dhe kundra; lexohet ligji e stërlexohet, por vendoset me katër vota pro të numërohen pasi me ligj nuk shkruhet qartazi që votat e gjetura në Taksi rastësisht nuk duhen të numërohen e të quhen të pa vlefshme, pra rrjedhimisht ato duhet të numërohen dhe janë të vlefshme… vazhdojmë etj., etj.

Në vazhdim të kësaj logjike të paturpësisë dhe të forcës unë shkoj në kinema dhe dua të hyj me forcë me biletë të rregullt, të pa grisur, por të ditës së djeshme. Unë them se kam të drejtë së pari sepse kam paguar lekët, së dyti nuk e kam parë filmin, data s’ka rëndësi, një gabim i vockël, jam pakëz ca si miop dhe nuk i shoh mirë numrat….(Daltonik numrash).

Etj., etj. Por kemi edhe disa të tjerë me bileta të djeshme dhe kur i fusim brenda fillojnë e zihen për vendet ngaqë për një vend janë dy persona.

Duke vepruar në këtë mënyrë ndodhemi përpara një procesi, i cili nuk ka fund, pra një zinxhir i pafund përplasjesh. Prandaj që përpara sesa të fillojë loja-procesi janë vendosur disa rregulla që frenojnë tentativat e interpretimeve manipuluese dhe grindjet.

Nuk kam ndërmend t’u jap mendimeve të mia karakter fejtoni, por shembuj të tillë mund të kompozosh pa fund. Deformimi i ligjeve, interpretimi i tyre për çështje serioze, kulmore, në mënyrë kaq ashiqare dhe super diskredituese nuk tregon se je budalla.

* * *

Z. Kryeministër – mund të jesh pak a shumë i sëmurë psiqik (skizofren), por nuk je budalla. Këtë e bën një frikë e madhe, një gjendje paniku, një ankth se mund të të zbulohet një pasuri e paligjshme, tmerri nga ajo që mund të ndodhë dhe ku do përfundoj po filloi tatëpjeta. Shembulli i Hosni Mubarakut s’ka nevojë për kasavet.

Fenomeni tjetër që më shton trishtimin e më rëndon në zemër është “verbëria” jonë popullore. Me çfarë mekanizmi arsyeton truri ynë kombëtar?

Berisha ka treguar shumë herë se në poshtërsi, me sherret e shejtanllëkun e tij ka qenë gjithmonë disa hapa përpara kundërshtarit. Kështu ndodhi në rastin e diskreditimit të Ilir Metës me videon e famshme, kështu në rastin e vrasjeve të 21 janarit kur befasisht ndërsa fliste për ndëshkimin prej drejtësisë të fajtorëve një ditë të bukur shpalli komplotin e Puçit, apo edhe kur nisi numërimi i votave nga KQZ, ndërkohë ditët e më përparshme kishte marrë masat dhe kish vepruar me kutitë që ruheshin tashmë nga policia e tij e veprimeve të dyshimta.

Edhe të salduara në kuti prej llamarine sikur të ishin vendosur fletët, me aq kohë të mjaftueshme netësh që kishte në dispozicion ai i rregulloi ato si i deshi, se listat i kishte në dorë, fletët po ashtu se vet i kishte shtypur disa edhe me njolla boje, pavarësisht numrave të ndryshëm të vulosjes etj., etj.

Por mbi të gjitha kishte në dispozicion kontingjent brigandësh të posaçëm për të kryer këtë detyrë të posaçme. Pra ndërsa flitet nëpër konferenca shtypi e kontakte diplomatike makina e mashtrimit me të gjithë motorët e ndezur vazhdon të eci përpara, duke krijuar avantazh “kohën” në radhë të parë aq të nevojshme për Berishën në situata tepër ekstreme ku e fut ai shoqërinë…

Me Berishën e paparashikuar në poshtërsi ndodh si me atë të rriturin që mundohet të ushqejë me zor një fëmijë duke i afruar lugën te goja dhe ndërkohë i thotë se ja… po fluturon aeroplani.

* * *

Lulëzim Basha nuk ka kundra tij vetëm urrejtjen për 21 janarin, për detin e falur, për rrugën e abuzimeve etj., etj., por atij i bashkështohen urrejtja e krimeve të Berishës nga Gërdeci e të gjitha të tjerat që nga 91-shi. Ashtu si trashëgohet lavdia (ne jetojmë me e akoma mburremi me Skënderbeun) trashëgohet urrejtja, inati, ambicia dhe kjo fillon që nga lufta për çlirim 1941-1944. Vite të tëra urrejtje, inate, krime, persekutime të gjithanshme ne kemi jetuar të zhytur në një banjë, të themi Urrejtjeje.

S’ka fare rëndësi kush, kundër kujt, pse dhe sepse, por që ka qenë për 2-3 gjeneracione. Kjo është e mjaftueshme për të tjetërsuar dhe deformuar psikologjinë e një populli të tërë. Shpesh e mendoj me shumë dhimbje ndaj vetes e të tjerëve një moment humori të zi që sikur të formohej në Shqipëri një parti politike me emrin “Partia e Inatit Kombëtar”, do ishte më e madhja, më e fuqishmja e sidomos, sidomos më e sinqerta.

Sikur pastaj t’u shtojmë këtyre viteve të inateve moderne 1912-2011, pra 100 vite plus katërqind vite inate pushtimi otoman deformimi sistematik… atëherë kjo do të kërkonte një studim psiko-analitik me shumë volume.

Në këto momente kur gjithë kjo situatë rrezikon të përfundojë në një tragjedi të vërtetë ka akoma mendjetrashë (teveqelë), birbo marifetesh të nëndheshme, pseudo-intelektualë e pseudo-analistë (Apollon Baçe, Neritan Ceka, Kujtim Çashku etj.,) të cilët qëllimisht e keqinterpretuan thirrjen e shkrimtarit Kadare për oportunitetin e çmuar të zgjidhjes paqësore që ofroi në të mirë të popullit dhe të Shqipërisë.

Shkrimtari me lupën e tij depërtoi në Banjën e thellë të Urrejtjes dhe i tronditur konstatoi sëmundjen, kolapsin që po zhvillohet nga dita në ditë dhe dërgoi mesazh për të zbutur paqësisht efektet tragjike. I mençuri thotë: “Të vërtetën e marrim vesh: 1-nga budallenjtë dhe 2- nga fëmijët.

Nga letra e Bashës drejtuar shkrimtarit Kadare më mbeti në mëndje një dozë e madhe mendjemadhësie e shfaqur prej Lulëzimit, një pozitë sigurie e shtirur dhe vetëkënaqësie prej lideri të fryrë, një pozitë Bosi, të cilat ia njihte vetes që në fillim të asaj letre.

Në krye të përgjigjes Lulëzim Basha e falënderon shkrimtarin Kadare duke i thënë: “Ju falënderoj për shqetësimin që shprehni për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
E pabesueshme! Vërtetë ky djalosh i fryrë fillimisht me pompën e Argitës e më pas i ngritur në lartësi pushteti me krikon e babait të saj, Sali Berisha, të ketë arritur deri në këtë shkallë njohjeje të vetes si pronar të fatit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar?!

Njëlloj si një pronar ferme do të falënderonte një punëtor në pronat e tija, i cili e sinjalizon Bosin se një stallë e fermës ka rrezik të shembet.
Në këtë letër tepër të varfër, burokrate – komuniste, alla Ramiz Alia, shprehet qartë (sigurisht pa dashje) e vërteta sesi dyshja Berisha – Basha e ka në mëndje Pronësinë mbi Shqipërinë.

Me siguri dhe me plot të drejtë si ne të gjithë dhe Kadare vetë do ketë menduar me dëshpërim pak a shumë kështu: Këta qenkan më të këqij sesa i kemi menduar”. As që e vë në diskutim që Kadare është më mirë i informuar nga të gjithë ne shqiptarët, megjithatë me gjithë mendjen e tij të ndritur ka menduar, (atë që s’e mendoi asnjë në 6 milion shqiptarë) është ulur dhe ka bërë një letër që në radhë të parë, ose e thënë më mirë, më së pari do i jepte Bashës e Berishës mundësinë e artë të një rehabilitimi kombëtar (populli shqiptar kokën e falur nuk e pret) e sidomos një rehabilitimi ndërkombëtar pikërisht me mendimin kur është diskredituar si askush nga drejtuesit shqiptar që nga 1912 e këtej me përjashtim të Enver Hoxhës.

Mos të harrojmë që Enveri u krijua e jetoi kur lulëzonin diktaturat komuniste në pothuaj gjithë Europën Lindore. Sot ky, Berisha është i vetëm sepse edhe diktatorët e tjerë si Gedafi, ai i Tunizisë, i Egjiptit,… e tradhtuan ose po e tradhtojnë tragjikisht.

Një “korife solist” i shoqëruar nga një qeveri të “pandehurish në perspektivë”. Pak a shumë si Krishti në Darkën e Fundit me apostujt. Me një ndryshim. Në Bibël ka njëmbëdhjetë apostuj të ndershëm dhe një Judë (tradhtar), ndërsa në Qeveri ka njëmbëdhjetë judë dhe një apostull, Lulin e ndershëm, dhe e ka këtë si të tillë tani për tani?

Them tani për tani, mbasi do vijë një ditë që Luli përpara një Jurie X në datën Y do thotë këto fjalë, plus minus: Ju s’mund ta kuptoni tani se në atë kohë, 2008,2009, 2010, 2011 unë isha në një trysni të tmerrshme të cilën ju nuk mund ta merrni dot me mend etj., etj.

Po të ketë fat e Berisha të jetë jetëgjatë do i ndajnë bashkë të këqijat siç po ndajnë sot të mirat (fatkeqësisht). Po të jetë vetëm e ka shumë më të vështirë. Sigurisht autori i këtyre radhëve s’do jetë më, ndoshta as Kadare, megjithëse i uroj që të jetojë sa më gjatë e sidomos të mos dekurajohet. Shqipëria ka nevojë për Ty Kadare, kanë nevojë ata që të duan e të kuptojnë, por sidomos kanë nevojë për Ty ata që s’të kuptojnë, ata që s’të duan e edhe ata pak që mbase të urrejnë.

Pra, z. Basha duhet të dish që dikur Solonin e lashtësisë në kohën e Greqisë së vjetër bashkëqytetarët e tij e dëbuan nga shteti grek mbasi kishin frikë se mos bëhej diktator, a dëgjoni? Po e përsëris. E dënuan me Ostrakizëm i cili ishte një lloj votimi i fshehtë në demokracinë greke ku çdo qytetar shkruante në një pllakë balte të pjekur aprovimin e tij ose mosaprovimin për të larguar për një periudhë dhjetë vjet nga shteti i Athinës një rival politik në rrethana tensioni të madh shoqëror.

Dhe kjo demokraci, ky fenomen bazë i demokracisë botërore në shekullin e gjashtë para erës sonë që po vazhdon sot të perfeksionojë planetin e tërë me ndonjë përjashtim të vockël, në një Shqipëri të vockël, ku një kryeministër i vockël, i lindur në një fshat të vockël me një Lul të vockël dhe Benin e zbehtë e të pa edukatë në KQZ (A. Ristani) dava më të vockël, po thyejnë në mënyrën më barbare ato pllakat e vogla prej balte të pjekur të Solonit sot të transformuara në fleta me ngjyra, me kode, me kamera etj., etj.

Sidoqoftë zotërinj Basha e Berisha një fakt është i pamohueshëm nga të gjithë ne pa dallim feje, krahine dhe ideje (reminishencat e mia nga e kaluara): Ju po hyni dhe do mbeteni në historinë e vendit tonë, Shqipërisë. Një koleg i Kadaresë që ka jetuar një shekull e pak më parë ka lënë një shprehje të cilën hungarezët fatkeqësisht para vitit 1991 e kujtonin gjithnjë: “Të dhjerë por krenarë”.

Duke pasur mes tonë Partinë e Inatit Kombëtar në terrenin e deformimeve sistematike të trurit u kërkojmë të huajve që të ndërhyjnë mes nesh si arbitra.
Si kërkoni ju tani që truri ynë të punojë njësoj me trurin e miqve të OSBE-ODHIR-it apo të miqve tanë amerikanë! Ku munden këta të huaj të edukuar tjetërsoj, të kuptojnë batakçillëqet e ajkës së batakçinjve tanë kombëtarë. Shoh se këta të huaj kanë bërë përparime të dukshme në konkluzionet e tyre por prapëseprapë të huajt janë larg hesapit tonë.

* * *

Dy fjalë për opozitën. Lexoj disa komente naivë që mendojnë se Kadare favorizon opozitën. Mendimi im: Në qoftë se Basha (Berisha) do kishin pranuar “propozimin e artë” do të gjendej mënyra për ta kthyer situatën në favor të tyre. Berisha ka bërë autokthesa shumë më të forta. Fundja kjo do i falej dhe nga një masë e injorancës që i vete mbrapa (intelektualët nuk diskutohen). Nga pikëpamja ime ky veprim rrjedhimisht do bënte që Opozita do dhe duhej ta konsideronte tërheqjen e Bashës si lëmoshë e falur prej Shumicës.

“Na, merrini çelësat dhe mos u ndjeni. Ju a lamë vetë etj., etj”. Për Ramën dhe për partinë e tij do ishte një ëmbëlsirë me një dozë kurare brenda. (Kurare është një substancë jo helmuese, relaksuese e muskulaturës që përdorej para operacionit ose e cila vihej në majën e shigjetës dhe kafsha e gjuajtur paralizohej, nuk lëvizte, por ishte e gjallë plotësisht).

Pas dhënies së kësaj ëmbëlsire me kurare brenda, Edi Rama në vazhdim nuk mund të kërkonte zgjedhje të parakohshme, e as të tijtë jo më. Kështu do ndiheshin me duar të lidhura Rama e të tijtë së bashku. Ndërkombëtarët do ia kujtonin Ramës gjithnjë këtë akt “fisnik”duke i thënë: Berisha u tregua me ju i kuptueshëm, njerëzor, i kulturuar etj.

Çdo revoltë, edhe pse e drejtë, do quhej nga jashtë e nga brenda “Mistrecllëk, mosmirënjohje, plangprishëse etj., etj”. Do kishte zëra që edhe me pak “vaisje” s’do mungonin që t’ia vinin Ramës në kurriz të gjitha protestat deri te mendimi i “vajosur” se ….Berisha ky gjysh i shkëlqyer me këtë Engjëll shpëtimtar si Basha absolutisht nuk kanë dhënë urdhër për të qëlluar në 21 Janar. Do gjendej një kokë turku p.sh: fajin e ka ai, Ahmet Burgajeti, se është edhe kushëri i largët i Ahmet Zogut. Çdo gjë bën vaki në Shqipëri.

Ndërkohë me këtë “Qime të re” ujku plak Berisha, do kishte të gjithë kohën e mjaftueshme që të përmirësonte “kodet e zeza, të korrigjonte të gjitha gabimet e bëra në ndërrimet e kutive apo votave, do kishte mundur që të fabrikonte një Arben Ristani tjetër të ri, të pakonsumuar që, për dy vjet do kishte mundësi të hiqte nga fjalori i tij vulgar diçka me shumë rëndësi, fjalët – “Po, që, e more vesh, ishallah dhe vazhdojmë” etj., etj.

Me këtë gjest tërheqjeje Berisha do kishte mundësinë që, duke bërë një hap prapa përgatiste kapërcimin e sigurt me dy hapa përpara për zgjedhjet e 2013-ës. Tashmë në këto zgjedhje shkonte me kozmetikë të re politike, me avantazhin e harrimit e të larjes së përkohshme të shumë zullumeve dhe rikarikim të baterive politike të PD-së me energji të re të akumuluar gjatë dy vitesh deri në 2013-n…

Pra nuk e pranuan çelësin e artë në tabaka sermi që u ofroi shkrimtari Kadare me letrën drejtuar Bashës por mendjeshkurtër nga paniku i gjynaheve që u rëndojnë mbi kurriz i thanë shkrimtarit Kadare se, po të tërhiqeshin atëherë rrezikonin të binin në një veprim antidemokratik. Këta ngurojnë përpara një veprimi se mos po shkelin sadopak ligjet demokratike!!!!!!!!!

Shkrimtari Kadare u dha në dorë një paketë të ndarë më dysh. Nga njëra anë me veprimin tërheqës nga ndeshja ata ktheheshin në burra të kuptueshëm, tolerant, gjeneroz në të mirë të vendit, dhe me gjysmën tjetër të paketës mpakte kërkesën e Ramës për zgjedhje parlamentare të parakohshme. Pra, shtrihej paqja mes dy kundërshtarëve, jepej oportuniteti për rehabilitim i shumicës në sytë e njerëzve dhe çlodheshin muskujt, ftoheshin mendjet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare etj., etj.

Ja pra ku jemi te mençuria e Gjeniut.
Më kujton Ajnshtanin i cili u thoshte miqve: “Nëpërmes vështirësive të një problemi shikoni se fle oportuniteti i artë i zgjidhjes”.

Nuk mund të mos përmend me këtë rast një urtësi të At Donad Kurtit. Përrallën e djalit me tre shanse të mëdha. Para nisjes për rrugë djali shkon e sheh fatin te një fallxhore. Fallxhorja i thotë se gjatë rrugës do të kishte tre shanse të mëdha, prandaj të ishte i kujdesshëm në kuptimin e tyre. Nuk më kujtohet ble’ i parë, por do të vazhdoj me të dytin e të tretin.

Duke ecur djali, pasi e kish neglizhuar shansin e parë, ndesh në rrugë një peshk. I ankohet peshku se i dhembte koka dhe djali ia shtyp e nga goja e peshkut del një xhevahir. Peshku i thotë që ta marr, por djali e refuzon e shtyn me këmbë duke i thënë se e prisnin tre shanse të mëdha gjatë rrugës. Vazhdon e në rrugë e sipër ndesh tre djem që po sulmonin një tjetër. I shkon në ndihmë të gjorit dhe djali i shpëtuar na doli që ishte një vajzë e re e bukur, e cila si mirënjohje i kërkoi që të martoheshin. Djali sigurisht e refuzoi me shpresën e shanseve të mëdha përpara.

Kjo vajzë ishte e bija e mbretit, oferta e së cilës për martesë u refuzua nga djali i shanseve. Vazhdon djali rrugën e ndesh me një arushë të madhe. E mbërthen arusha me putër e dëgjon djalin t’i lutet: Të lutem mos më çart se më presin tre shanse të mëdha përpara”. Arusha i përgjigjet: “Djalosh hajvan, i pate, por nuk i kuptove”. Lulëzim -hajvan, të erdhi shansi të konsideroheshe hero, por nuk e kuptove.

Kështu si shkoi puna, Rama nga refuzimi i shansit të Bashës ka rreth vetes një koalicion më të ngjeshur, edhe atë shumicë të lëkundurish Berisha ia dha Ramës dhe 2013-ta nuk është larg. Ndërsa në qoftë se me këtë duel fiton e drejta e votës miell e jo krunde më vjen në mëndje një varg:

…se me gushtin bashkë
ikën edhe vapa
Zoti na ruajt
ç’dimër vjen mbrapa…