Të gjitha paditë kundër Berishës, rrezikon 1 miliard dhe imunitetin

0
53

Sali Berisha

Beteja ligjore

Nëse nuk vërtetojnë akuzat në gjykatë, kryeministri i vendit, partia që ai drejton, kryetarja e Parlamentit dhe ministri Transporteve i detyrohen Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të akuzuar prej tyre rreth 1 miliard lekë. Caktohet gjyqtarja që do të gjykojë Berishën

Leonard Bakillari

TIRANË – Kryeministri i vendit, partia që ai drejton, kryetarja e Parlamentit, si dhe deputetë e zëdhënës të PD-së janë të detyruar të paguajnë mbi një miliard lekë nëse nuk arrijnë të provojnë para gjykatës akuzat e bëra në adresë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të ndërtimit. Ashpërsimi i gjuhës politike nga ana e mazhorancës aktuale, që jo rrallëherë e ka kaluar masën, duke përfunduar deri në fyerje personale, ka marrë si përgjigje nga Bashkia e Tiranës dhe komuniteti i biznesit një sërë padish në gjykatë e prokurori, të cilat pritet të shqyrtohen nga institucionet e drejtësisë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Gjykata e Tiranës, rezulton se vetëm dy javët e fundit, kohë kjo që është cilësuar si një betejë e ashpër me akuza verbale, hera-herës edhe fyese, në këtë institucion janë depozituar të paktën 6 padi, nga Bashkia e Tiranës dhe biznesmeni Koço Kokëdhima, të cilët kërkojnë si dëmshpërblim për akuzat e pabaza të bëra në drejtim të tyre shumën e 9 milionë lekëve të reja.

Ndërsa kompania “Edil Al” ka vendosur të padisë kryeministrin në Gjykatën e Lartë për shpifje dhe fyerje. Jashtë betejës ligjore nuk ka mbetur as kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, i cili ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një padi civile ndaj kryeministrit të vendit, duke lënë në çmimin e gjykatës masën e dëmshpërblimit që ai duhet të përfitojë nga akuzat e pabaza që i janë adresuar. Po ashtu, Bashkia e Tiranës ka depozituar në prokurori edhe një kallëzim penal ndaj ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Aktualisht, të paditur në Gjykatën e Tiranës janë kryeministri Sali Berisha, Partia Demokratike me zëdhënëse Erla Mëhillin, Jozefina Topalli dhe ministri Transporteve, Sokol Olldashi.

Paditë në gjykatë

Radhën e gjatë të çështjeve gjyqësore që do të zgjidhen nga Gjykata e Tiranës e ka çelur dje padia e Bashkisë së Tiranës ndaj kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Çështja që u referohet deklaratave të kryeministrit për shitjen e truallit ku ndodhet lokal “Tajvani” në mënyrë të paligjshme, dje i është nënshtruar shortit elektronik, i cili përzgjodhi gjyqtaren Teuta Hoxha për shqyrtimin e çështjes. Në këtë padi, Bashkia e Tiranë i kërkon gjykatës të detyrojë kryeministrin e vendit të përgënjeshtrojë deklaratën e bërë dhe të dëmshpërblejë paditësin në vlerën e 20 milionë lekëve, si dëm të shkaktuar nga cënimi i dinjitetit të institucionit.

 Gjyqtarja e zgjedhur pritet të vendosë se kur do të çelet shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje, ndërsa sekretaria e gjykatës pritet të hedh në short edhe të paktën dy padi të tjera, që bashkia ka depozituar ndaj Partisë Demokratike dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas padisë civile të dorëzuar tashmë në gjykatë, ndaj Partisë Demokratike dhe zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli, bashkia kërkon përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra në emër të selisë blu për korrupsion me lejet e ndërtimit dhe dëmshpërblimin për cënimin e dinjitetit në masën e 20 milionë lekëve. Padia e tretë është ngritur ndaj ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, për të njëjtën çështje që është paditur edhe kryeministri i vendit.

Njësoj si në rastin e parë, bashkia i kërkon gjykatës të detyrojë Olldashin të përgënjeshtroje deklaratën për shitje korruptive të tokës tek “Tajvani” dhe të dëmshpërblejë paditësin në masën e 20 milionë lekëve. Të njëjtën rrugë ligjore ka zgjedhur edhe biznesmeni Koço Kokëdhima, i cili ka paditur në gjykatë kryetaren e Kuvendit dhe kryeministrin e vendit, Sali Berisha, të cilëve u kërkon si masë dëmshpërblimi 20 milionë lekë të reja. Padi ndaj Berishës ka bërë edhe ish-aleati i tij në qeveri, Nard Ndoka, i cili pak kohë më parë u akuzua nga kryeministri si “Nard Konstruktori”, i lidhur me lejet korruptive të ndërtimit. Ndërsa kompania “Edil Al” ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me një padi ndaj kryeministrit, veprim ky që pritet të pasohet edhe nga biznesmenë të tjerë, që janë akuzuar nga Berisha për lidhje mafioze me lejet e ndërtimit në Tiranë.

Bashkia, kallëzime penale për Olldashin dhe policinë

Krahas padive civile, bashkia ka vendosur t’i drejtohet edhe prokurorisë, duke ngritur akuza penale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Urbanistikës, për ndërhyrjen e paprecedentë të ndodhur pak javë më parë në qendër të kryeqytetit. Sipas kallëzimit penal, përfaqësues të këtyre institucioneve kanë konsumuar disa akuza, duke ndërhyrë pa të drejtë në një pronë private në qendër të kryeqytetit, e cila është në pronësi të Komunitetit Mysliman dhe familjes Kika. Sipas bashkisë, punonjësit dhe drejtuesit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe drejtues të policisë së kryeqytetit kanë konsumuar elemente të veprave penale: “shpërdorim detyre”, “shkatërrim prone” dhe “kryerja e punimeve pa leje ndërtimi”.

Por edhe ministri Olldashi nuk i ka shpëtuar kallëzimit penal të Bashkisë së Tiranës, e cila përveç padisë civile, ka çuar në prokurori një material të plotë kallëzues ndaj ministrit të Transporteve, por për deklaratat e tij në lidhje me shitjen e tokës tek ish-parku “Rinia”. Juristët e bashkisë kanë cilësuar në kallëzimin penal, se ministri Olldashi ka shpifur në mënyrë të qëllimshme ndaj një punonjësit që kryen një detyrë shtetërore, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Paditë e biznesit, Berisha rrezikon imunitetin

Nëse Gjykata e Lartë pranon padinë e kompanisë “Edil Al”, ekzistojnë të gjitha të drejtat ligjore që t’i kërkohet Kuvendit heqja e imunitetit të kryeministrit, i cili do të përgjigjet para gjykatës për akuzat e shpifjes dhe fyerjes

TIRANË – Akuzat e vazhdueshme të kryeministrit, që tashmë do të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, pas padive të bëra nga biznesmenët e përmendur prej tij, rrezikojnë ta lënë pa imunitet, duke vënë kështu në provë, pasi vazhdimisht është shprehur pro heqjes së imunitetit. Është të paktën një padi e depozituar ndaj kryeministrit për shpifje dhe fyerje, që nëse pranohet, i jep të gjitha të drejtat Gjykatës së Lartë t’i kërkojë Kuvendit imunitetin e deputetit Sali Berisha, me qëllim gjykimin e tij në bazë të padisë së dorëzuar tashmë nga përfaqësuesit e kompanisë “Edil Al”.

Po ashtu, edhe ministri Transporteve, Sokol Olldashi, rrezikon të mbetet pa mbrojtjen e imunitetit, në rast se Prokuroria e Tiranës vendos të regjistrojë ndaj tij procedim penal, në bazë të kallëzimit që Bashkia e Tiranës ka adresuar në drejtim të tij. Sipas juristëve, vendimi i prokurorisë për nisjen e hetimeve kalon për kompetencë në Prokurorinë e Përgjithshme, si autoriteti kompetent për hetimin e personave që gëzojnë imunitet parlamentar.

Rruga ligjore

Ekspertët thonë se depozitimi i një kërkese në Gjykatën e Lartë për një person me imunitet, përfshi edhe kryeministrin e vendit, i jep të drejtën shkallës më të lartë të gjyqësorit t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të të paditurit. Një kërkesë e tillë legjitimohet nga vendimi nr. 39, që Gjykata Kushtetuese ka dhënë më 23 qershor të vitit 2000, e cila lejon Gjykatën e Lartë që t’i drejtohet parlamentit me kërkesë për heqjen e imunitetit. Sipas juristëve, në të njëjtën mënyrë mund të veprohet edhe me padinë e ngritur ndaj kryeministrit të vendit, i cili gjithashtu gëzon edhe imunitetin e deputetit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese barazon anëtarët e Këshillit të Ministrave me deputetët, duke i dhënë të drejtë kështu shkallës më të lartë të gjyqësorit që të kërkojë heqjen e imunitetit të tyre, në rastin konkret për veprat penale të “shpifjes” dhe “fyerjes”, të cilat i atribuohen zyrtarisht kryeministrit për sulmin verbal që ka adresuar ndaj biznesit dhe veçanërisht atij të ndërtimit. Tashmë, kjo kërkesë mbetet në dorë të Gjykatës së Lartë, e cila më parë duhet të shqyrtojë dhe vendosë mbi paditë e depozituara në adresë të kryeministrit, të cilat pritet të shtohen në ditët në vijim.

Paditë civile

Ndryshe nga paditë e depozituara në Gjykatën e Lartë, ku kërkohet heqja e imunitetit në raste se ata gëzojnë një mbrojtje të tillë, paditë civile që janë depozituar në Gjykatën e Tiranës nuk kanë si pengesë procedurale imunitetin. Sipas juristëve, në të gjitha paditë e depozituar në Gjykatën e Tiranës, ku të paditur janë persona me imunitet, si ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli apo edhe kryeministri Sali Berisha, nuk është e nevojshme heqja e imunitetit. Juristët argumentojnë se në këto procese civile, të paditurit do thirren nga gjykata në cilësinë e qytetarëve të thjeshtë, dhe në rast mosparaqitjeje për tri seanca radhazi, trupi gjykues shpall mungesën e tyre dhe vazhdon procesin pa praninë e palës së paditur. Në rast se Berisha, Topalli e Olldashi mungojnë në sallën e gjyqit, ata nuk mund të vërtetojnë akuzat e bëra në drejtim të Bashkisë së Tiranës, apo biznesmenëve të ndërtimit, duke rënduar kështu pozitën e tyre, pasi edhe shuma që kërkohet si dëmshpërblim nga paditësit kap shifrën e rreth 1 miliard lekëve të vjetra.

Akuzat e Berishës ndaj biznesit

Dua të theksoj, se ky grup punistësh nuk udhëheq Partinë Socialiste, por udhëheq klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan, që e ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigande parash të pista, krimi monstruoz ekonomik, udhëheq kupolën e mafies shqiptare, Don Dollakun, Kokëdhinë, Besnik Sulën, Tom Doshin, Yllin e partisë apo Fidel Yllin, Dash Pezën, Leskajn etj. Këta zotërinj nuk kanë asnjë interes demokratik, kombëtar, njerëzor. Këta që shpenzuan me dhjetëra e milionë euro për të dhunuar votën tuaj dhe morën bërrylin, atë që meritonin, në zgjedhjet e fundit, kanë një hall të madh shumë, një hall të paimagjinueshëm. Perandorinë e tyre të krimit e pret fati i Aldo Bareve. Ky është zotimi im solemn. Këta nuk kanë hallin e kutive. Jo! Kanë hallin e ekonomisë së tyre, të bazuar fund e krye mbi krimin. Emrat që përmenden, çdo gjë që kanë marrë e kanë marrë nga Edi Rama. Kontrolloni dosjet! Ligji është ligj. Këtu nuk bëhet fjalë për veprimtari ligjore, por bëhet fjalë për veprimtari mafioze të mirëfilltë.

03.12.2009

Në krye të kupolës është Don Dollaku, me 145.366 metra katrorë, nga të cilat vetëm tokë e vjedhur në zemër të Tiranës, tokë publike, është 54.153 metra katrorë, toka e supozuar sipas tyre te xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shkrimtarëve etj., ku dokumenti paraqiste inaugurimin e saj në vitet ‘32 dhe neve na servirej sikur na ishte ndërtuar pas lufte, sikur Xhani Anjeli kishte ardhur në vitin ‘52 për të shitur tokën që kishte blerë. Tan Dollaku, në zemër të Tiranës, ka përvetësuar me firmë të Edi Ramës 54.153 metra katrorë.

06.03.2009

Pse nuk dorëzohet plani? Nuk dorëzohet plani, se llokmat e tij duhet të gropësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë, i cili pasi vendosi këtu sistemin më të turpshëm të lejeve të ndërtimit prej 355 ditësh dhe e renditi Shqipërinë në vendin e 176-të në botë, në rrethin e 9-të të ferrit të Dantes për korrupsionin, tani na mban peng qytetin dhe Tiranën me Planin Urbanistik, sikur ta kishte plaçkë personale dhe jo plan që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari me jetën e fëmijëve tanë, që ka të bëjë me jetën shoqërore, ekonomike e të gjithanshme të qytetit. Ka frikë ta dorëzojë, sepse u ka dhënë dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë publike, që s’do të mundë të përdorë dot një centimetër, kompanive “Edil” ose “Ed-il”.

Legjislacioni

Nenet e Kodit Penal që parashikojnë dënimet për fyerjen dhe shpifjen

Neni 119

Fyerja

Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 120

Shpifja

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cënojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.