A është gjithmonë e dukshme sjellja “moderne” fashistoide?!

0
50

Rexhep Meidani

Rexhep Meidani, 12.12.2009

Në 8 dhjetor 2009, duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), gjatë zhvillimit të seancës për ekzaminimin e kërkesës serbe kundër pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesi legal i Departamentit të Shtetit, Harold Koh, theksoi se deklarimi i pavarësisë ishte i vetmi opsion i duhur ndaj një politike gjenocidi e pastrimi etnik në këtë rajon të Ballkanit. Ai, aty, i kundërvihet prerë “argumentin” rus se Serbia tashmë na qenka bërë e mirë, se ajo nuk paraqet më rrezik për Kosovën (gjë që, sipas përfaqësuesit rusë, nuk mund të shërbejë më si bazë për pavarësinë e Kosovës, por për një vetëqeverisje të saj brenda Serbisë!).

Për Koh-un, shkëputja e Kosovës ishte “vullneti i popullit” të saj pas dështimit të diskutimeve për arritjen e një zgjidhje politike. Sipas tij, Kosova, me këtë shpallje pavarësie as nuk ka cenuar ligjin ndërkombëtar, as nuk ka kërkuar ndonjë opinion nga gjykata për këtë. Bile, ligji ndërkombëtar as nuk i ndalon, as nuk i autorizon deklaratat e pavarësisë, por varet thjesht nga vendet anëtare e OKB-së që t’i pranojnë apo të mos i përfillin deklarata të tilla. Po ashtu, për të, ky deklarim i popullit të Kosovës “ka sjellë stabilitetin e nevojshëm në Ballkan, duke iu ofruar të gjithë popujve të rajonit një të ardhme europiane”, madje duke e mbyllur përfundimisht librin e asaj, që quhej Jugosllavi. Pra, ShBA-së (së bashku me 62 shtete të tjera) e konsideron tashmë Kosovën një shtet të pavarur, krahas shtetit të Serbisë. Të dy këto shtete, janë pjesë integrale të së ardhmes së përbashkët evropiane.

Po ashtu, vendimi i kësaj gjykate nuk është detyrues për Kosovën. Por, Serbia thjesht po përpiqet me këtë proces të pengojë një njohje të mëtejshme të saj. Kjo edhe pse nga 29 vendet, që kanë plotësuar peticionet (dëshmitë) e veta për këtë proces, 15 mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe 14 mbështesin Beogradin. Për më tepër, Serbia dhe aleati i saj, Rusia, vazhdojnë të mos e njohin Kosovës, duke e konsideruar shpalljen e pavarësisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, të rezolutës 1244. Bile, përfaqësuesi rus në këtë seancë pretendoi përpara gjykatës se njohja e shtetit të Kosovës do të shpërhapte një sinjal të gabuar për të gjithë lëvizjet separatiste, kudo në botë. Por, ai harroi në këtë seancë “standardet” reale ruse, përfshirë dhe ato të kohëve të fundit në Gjeorgji…

* * *

Në fakt, Rusia e Putinit shpesh ka rrezatuar dopio-standardet e veta. Ata, përgjithësisht, nuk janë fare demokratike, as brenda shoqërisë ruse, as në lidhje me fqinjët jo sllavë. Madje, gjithnjë e më shpesh, ata mbartin pozicionime e orientime fashistoide, edhe pse me pamje “moderne”! P.sh., Rusia, nga njëra anë, e ka shtypur me egërsi lëvizjen çeçene shekullore për pavarësi, kurse, nga ana tjetër, ka njohur menjëherë shkëputjen nga Gjeorgjia të rajoneve të Abkhazisë dhe të Osetisë Jugore, si shtete të pavarura. Po ashtu, edhe kur Millosheviçi e klika e tij (e mbështetur nga forcat serbe policore, ushtarake e paramilitare), aplikoi një politikë neofashiste gjenocidi e pastrimi etnik mbi popullin e Kosovës, Rusia, fillimisht, e mbështeti hapur këtë politikë; më tej, kur krimet shëtitën ekranet e të gjithë botës, ajo mbylli sytë; dhe, në fund, për të mos u diskredituar më shumë para popullit të saj dhe botës demokratike, ajo u bashkua me bashkësinë ndërkombëtare, por ama për të shpëtuar, aq sa mund të shpëtohej nga Serbia dhe “ëndrrat” e saj.

* * *

Me të drejtë, politika e Presidentit Obama është e fokusuar në “rindërtimin” e marrëdhënieve të jashtme të ShBA-së me të gjithë vendet e botës, në shërbim të paqes, demokracisë dhe zhvillimit. Madje, në këtë kuadër janë studiuar dhe programuar dhe ato me Rusinë. Por, natyra e sotme e regjimit rus e bën praktikisht të pamundur ndonjë ndryshim të dukshëm edhe në këtë rast. Për më tepër, Rusia e Putinit vazhdon të përfshihet në një retorikë imperialiste, brenda një “loje force”, në ndjekje të aspiratave të një fuqie të madhe. Dhe, mbi të gjitha, edhe me synimin e legjitimitetit të qeverisjes dhe kryetarit të saj. Bile, për aq kohë që Rusia kërkon të rivendosë “dominimin e saj perandorak” mbi ish shtetet sovjetike, marrëdhëniet ShBA- Rusi mund të përmirësohen vetëm në mënyrë të papërfillshme.

Në fakt, nën qeverisjen e Putinit, Rusia është larguar mjaft nga demokracia, institucionet demokratike gati janë kthyer në “kufoma” dhe partia e tij në pushtet “Rusia e Bashkuar” kontrollon aktualisht politikën e institucionet, ushtron trysninë e plotë deri në paralizë të shoqërisë civile e medias. Të fortët (jo pak me prejardhje nga policia e fshehtë apo ushtria) dominojnë gjithçka në elitën drejtuese, shteti kontrollon industritë kryesore, sidomos në fushën e energjisë, mbrojtjes, minierave e manifakturave. Pavarësisht, gjoja pretendimeve të fuqizimit të Presidentit Medvedev (që nga zgjedhja e tij në pranverë 2008) apo të pseudo-përplasjeve të tij me kryeministrin, “udhëheqësi kombëtar” i vërtetë dhe i padiskutueshëm mbetet Kryeministri Putin, së bashku me avangardën e tij politike. Një gjë e tillë e ka rritur më tej mosbesimin e të huajve brenda dhe jashtë Rusisë. Bile, glorifikimi i të kaluarës së Rusisë, i kthyer në një pikëpamje zyrtare, dhe mbështetja popullore për Putinin, ndryshimet e tij antidemokratike e bëjnë këtë ndjenjë mosbesimi akoma më të zymtë, përfshirë dhe agresivitetin e politikës së jashtme për legjitimitetin e mbretërimit të tij apo të regjimit jodemokratik të sajuar.

Pra, bëhet fjalë për konsolidimin e një shteti populist autoritarist. Por, kufiri midis një autoritarizmi represiv dhe atij fashist (apo “fashistoid”, në kuptimin modern) është vështirësisht i dallueshëm. Bile, zhvillimet e sotme ruse, në një paralele historike, nuk dallojnë shumë pak nga ato të Gjermanisë së pas Luftës së Parë apo të pas Vajmarit. Për më tepër, në të dy këto hapësira u rrëzuan perandoritë përkatëse, “çnderimi” (humilacioni) u konsiderua i thellë, deformimet dhe vështirësitë ekonomike apo korrupsioni i madh u bënë tepër shqetësuese, duke fajësuar për këtë sistemin demokratik dhe mbështetësit e tij, brenda dhe jashtë vendit.

“Qetësia” u gjet tek hiper-nacionalizmi, krenaria e tejpompuar, glorifikimi dhe qeverisja me një dorë të fortë. E thënë ndryshe, individë të dorës së fortë apo udhëheqës të llojit populist – karizmatik e formatuan fuqinë e tyre, duke shfrytëzuar “mjetet demokratike” dhe “gatishmërinë” popullore për dominimin e tyre autoritar e diktatorial, deri duke u demonstruar muskujt grupimeve politike opozitare, shoqërisë civile e medias, apo mospërfilljes dhe kundërvënies ndaj qëndrimeve e reagimeve të jashtme, pozicionimeve shoviniste ndaj fqinjëve, etj. Ky ishte hitlerianizmi (nazizmi e nazistifikimi, fashizmi e fashistizimi) i Gjermanisë (Italisë) së viteve 30-të.

Kurse, në rastin e Rusisë sot, ai shihet si një akumulim fashistoid fuqie në një trajtë “moderne”, me zgjedhje problematike apo rritje të gjithanshme trysnie. Krahas përdorimit të rubineteve të naftës, shkohet deri aty sa, në një regjim të tillë, të shprehet admirim për gjeneralin Denikin, që vuri me “hekur e zjarr” nën kontroll Ukrainën e vitit 1919. Për më tepër, si reagim i drejtpërdrejtë ndaj një Ukraine të sotme “refuzuese”, që lufton t’i afrohet standardit të një qeverisje demokratike Perëndimore. Por, e tillë është “teknologjia fashistoide”! Kjo edhe pse termi fashizëm (fascismo) ka si origjinë fjalën fasces (lat.) apo fascio (ital.), që nënkupton një tufë apo grumbull shkopinjsh apo shufrash që, të vendosur së bashku, shfrytëzoheshin si simbol i forcës apo fuqisë së bashkimit. P.sh., në rastin e Romës së Lashtë, përdorej një tufë shufrash të bashkuara rreth një boshti për të simbolizuar autoritetin e një magjistrati civil. Por jo për të sintetizuar padrejtësinë, mbytjen e lirisë dhe demokracisë apo dajakun, shtypjen dhe vrasjet e kundërshtarëve!…

* * *

Duke kujtuar shembuj të gjysmës së parë të shekullit të 20-të mbi lëvizjet fashiste e social-nacionaliste, të duket si i pamundur rilulëzimi i këtyre lëvizjeve apo konceptimeve vrastare, në ditët tona. Por, nuk është tamam ashtu. Nuk duhen harruar konfiguracione politike si ai i Lëpenit (Jean-Marie le Pen, i cili, edhe pse në mënyrë aksidentale, në zgjedhjet presidenciale në Francë doli në balotazh me Shirakun), ai i Hajderit (Jorg Haider vdiq para pak kohësh në një aksident automobilistik) partia e të cilit ishte pjesë e koalicionit qeveritar të Shuselit (Wolfgang Schussel), në Austri, etj.

Në Itali, ndryshe nga Gjermania e pas luftës, u rishfaq shumë shpejt partia e Musolinit dhe e ithtarëve të tij, e cila, fatmirësisht, nën dorën reformuese të Finit (Gianfranco Fini) u shndërrua nga një parti e ekstremit të djathtë në një parti politike të qendrës. Dhe e gjitha kjo, edhe në kuadër të reformimit politik të bashkësisë evropiane. Sepse e tillë është forma rrezatuese dhe emancipuese e kësaj bashkësie, i tillë ishte mobilizimi i fuqishëm i qytetarit francez ndaj tronditjes zgjedhore me Lëpenin (si kandidat fashistoid) në balotazh, apo trysnia e gjithanshme evropiane e amerikane për shmangien e populistit Hajder (si politikan fashistoid) në qeverinë austriake, etj…

Në fakt, populizmi e turmëzimi, neopolitikat ekonomike-mediatike të ndrydhjes e trysnisë ndaj grupimeve opozitare, sulmet e përditshme ndaj drejtuesve politikë të opozitës apo medias joqeveritare dhe politikat fashistoide, në variantet moderne demagogjike e spekulative; kanë ecur gjithmonë në paralel me njëra-tjetrën. Ato, diku kanë bërë dëme të mëdha, diku kanë dështuar. Por, pikërisht këtë ka përjetuar Gjermania e viteve 30-të, bile duke përndjekur e gjurmuar kundërshtarët politikë deri në “birat” familjare, madje edhe duke i eliminuar ata. Për më tepër, në situatat e dikurshme fashiste apo në situatat moderne fashistoide, janë shpalosur gjithnjë me zell, krahas kultivimit të frikës, dhunës fizike e orale, edhe imitimi e “pseudo-arsyetimi”, servilizmi e shërbimi bajat, si manifestime deri në absurd i besnikërisë qorre ndaj liderit. Madje, arrihet deri aty sa të futen në funksionim të njëjtat shprehje, akuza, fyerje, deri artikulime zëri, gjeste e mimika. Sa shpesh të duket sikur dëgjon po ata pllaka të dikurshme, mjaft më të gërvishtura gramafoni!…

Këtë situatë jodemokratike po përjeton Rusia e sotme e Putinit, apo Bjellorusia e Llukashenkos. Këtë rrezikojnë dhe mjaft demokraci të reja kur rritet apatia shoqërore e mbyllen sytë e qytetarit. Pikërisht, për këtë qytetar me sy të hapur ka nevojë Shqipëria! Po për këtë qytetar ka nevojë edhe Kosova, në rrugën e pakthyeshme të pavarësisë dhe qeverisjes demokratike. Përndryshe gabimet e shumëfishuara individuale e kolektive, ushqimi i ndarjeve dhe përplasjeve politike, refrenet deri psikopatike të përditshme mund të trashen deri në rrezikshmëri sociale!…