Mustafa Nano, 25.05.2011
Po vihet re se letra e hapur e Ismail Kadaresë po merret për atë që duket, d.m.th, për një letër dërguar Lulzim Bashës, në të cilën këtij të fundit i kërkohet tërheqja nga një garë që ka mbjellë sherrin e n-të mes shqiptarëve. E marrë kështu, letra është një gjest krejt naiv, e në këtë kuptim e meriton përgjigjen “përtace e zhvleftësuese” të kandidatit Basha. Mirëpo, kjo letër nuk duket se ka pasur për qëllim tërheqjen e Bashës. Është e zorshme të besosh se Kadareja nuk e di që Basha nuk e ka hiç në dorë tërheqjen nga një garë e tillë.
Basha në këtë histori e ka lëshuar veten në dorë të tjetërkujt; është boss-i i tij që kolaudon çdo dalje të tij në publik, çdo veprim, çdo fjalë, bash ashtu siç ka kolauduar e ka shpikur nga hiçi të gjithë karrierën e kanakarit të vet; edhe përgjigjja në adresë të Kadaresë është miratuar germë për germë prej Berishës, dhe me këtë shpjegohet një si zemërim e shpërfillje që vihej re në atë përgjigje, gjë që Basha nuk do t’ia lejonte kurrë vetes. Madje, thellë-thellë, Basha është duke e vuajtur atë përgjigje, që në anale është regjistruar tanimë si e tij. Oh, sa shumë do donte ky njeri të kish pakëz independencë, bash aq sa do lipsej për t’u thënë të tjerëve se, “dakord, do t’i them ‘jo’ kërkesës së Kadaresë, por më lini dobare ta formuloj plot mirësjellje refuzimin që po më kërkoni t’i bëj”.
Mirëpo, s’ka asnjë minimum independence; edhe dalja e djeshme në një konferencë për shtypin për të komentuar verdiktin e KQZ-së ka qenë tërësisht një gjë e programuar, prej fillimit deri në fund, nga Berisha. Përsëris: Kadare duhet ta dijë këtë, pasi është një gjë që ia bën mu; prandaj jam i prirur të mendoj se letra nuk i dërgohet atij, por Berishës; dhe këtij të fundit i dërgohet jo për t’i kërkuar të tërheqë nga gara kukullën e vet (s’ka dhe aq kuptim kjo kërkesë, në fakt), por për ta bërë me dije se marrëdhënia e tyre ka marrë një të krisur të madhe. Dhe ky është një lajm i mirë në këtë Shqipërinë tonë, ku gjëja që bie më së shumti e më së shpeshti në sy është intelligentsia e bërë njësh me pushtetin.
Është bërë më shumë se një dhjetëvjeçar që Kadare nuk është dëgjuar të shprehet në të mirë (apo në dëm) të njërës palë apo tjetrës. Ai thotë në letër se, “prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim”, por nuk duhet besuar. Ai s’ka qenë asnjëherë i paanshëm. Po, është e vërtetë, nuk është dëgjuar shpesh të shprehet, por nuk është i paanshëm. Nuk mund të jetë i paanshëm. E ka demonstruar vazhdimisht që, shkon nga shkon e bën çfarë bën, mendja i rri tek punët e koklavitura të vendit të tij të mbrapshtë. Kush e njeh apo kush ka pasur rast të bisedojë me të, mund ta ketë vënë re që ai elektrizohet patriotikisht prej çdo lajmi me burim Tiranën e Prishtinën; elektrizohet, bash si të jetë një UÇK-ist me katër klasë fillore. Kështu që mos e besoni, kur ju thotë se, “është i paanshëm prej një kondicionimi profesional”! Ai ma merr dhe mua po të jetë puna për anshmëri. Gjithë kohën këtë ka bërë. Edhe kur ka heshtur.
Fillimisht ka mbështetur demokratët e Berishës; e ka bërë këtë për disa vite rresht (1992-199…), ngaqë ka qenë me idenë se riardhja tak-fak në pushtet e ish-komunistëve nuk do të ishte as e dobishme brenda, as e mirëpritshme jashtë. As e drejtë, në fund të fundit. Dhe ka qenë kjo logjikë që mund ta ketë bërë atë, por edhe mijëra shqiptarë të tjerë, të mos kenë vënë re atomote mbrapshtitë e regjimit të ri, që u shfaq si një surogato e regjimit të Hoxhës. Nuk foli asnjë fjalë edhe kur u burgos Fatos Nano, edhe kur SHIK-u i Gazidedes zuri të luante një rol furacak në punët e shtetit e të shoqërisë shqiptare, edhe kur Berisha organizoi lojën elektorale të 26 majit 1996, edhe kur urdhëroi dy ditë më pas që të ushtrohej dhunë mbi deputetët e opozitës, edhe kur mbolli kaosin në Shqipëri me synimin për të shpëtuar karrierën e vet politike etj. Mbaj mend që, në një bisedë që kam pasur me të andej nga viti 1999, pyetjes sime se, “pse heshti më 28 maj 1996, kur u rrahën deputetët në sheshin ‘Skënderbej’?”, ai iu përgjigj: “nuk e bëra për të madhe këtë punë, pasi kjo ishte hera e parë në historinë e këtij vendi që komunistët i rrahu dikush”. E tha këtë gjë si me të qeshur; e tha si me të qeshur, ngaqë me siguri i është dukur e tepërt ta lëshonte toptan një afermacion kaq të fortë. Por, ia bënte mu që këtë gjë e kish menduar dhe e mendonte. Kam frikë se e mendon edhe sot e kësaj dite. Më duhet të them se këtë vëzhgim e kam gjetur krejt të boshatisur prej mendimit politik e prej vetëdijes demokratike.
Pas vitit 1997, Kadare nuk e la veten gjatë nën ndikimin e kësaj marrëdhënieje idhnake me ish-komunistët. Ngadalë-ngadalë i iku këtij kurthi. Nuk është se sot i ka për zemër, por nuk i sheh më si më parë. Në periudhën 2000-2005 ai nuk është bërë i gjallë e nuk ka dhënë konsiderata për politikën shqiptare (përjashtohet këtu ndonjë opinion pozitiv si pa dashje për Edi Ramën, gjë që s’ia komprometonte “asnjanësinë”, pasi Rama ishte ende një “personazh lokal”). Mirëpo në këtë periudhë e më pas, pikërisht duke mos mbajtur anë, ai praktikisht ka mbajtur anë. Njerëzit ishin mësuar që Kadare të lëshonte vend e pa vend mesazhe mbështetjeje për Berishën, dhe fakti që këto mesazhe mungonin, ishte baras me një qëndrim të qartë. Janë bërë vite qysh nga momenti kur ai është takuar për herë të fundit me Berishën, e bën vaki që ajo herë e fundit të mbetet e fundit in assoluto.
E ka kursyer Berishën faqe botës, megjithatë. Kurrë s’e ka kritikuar, nëse s’quhet kritikë ndonjë qortim i rrumbullakosur në adresë të “të gjithë klasës politike të papërgjegjshme” (edhe sot e kësaj dite nuk i ka bërë asnjë kritikë të drejtpërdrejtë). Por nuk mund të thuhet më se është në anën e tij. Përkundrazi, është në anën e opozitës. Pas 21 janarit ai e pa të udhës më në fund të mbante anë, jo duke heshtur, por duke ngritur zërin. Me siguri, katër shqiptarët e vrarë në bulevard nga gardistët duhet ta kenë bërë Kadarenë të shock-ohet. As në kohën e Hoxhës nuk kish ndodhur që regjimi të ekzekutonte në mënyrë kaq plateale kundërshtarët e vet. Do të duhej të ish shock-uar më parë, dreqi ta hajë, por më mirë vonë se kurrë (e kam shumë zët këtë shprehje, por nuk mund të rrija pa e përdorur në këtë rrethanë). Ndërsa letra dërguar Lulzim Bashës është sinjali i dytë i fortë. Dhe këtu dua të nënvizoj edhe njëherë idenë e fillimit: “Lulzim Basha nuk hyn fare në këtë mes. Kandidati demokrat për kreun e Bashkisë së Tiranës ka në këtë rast po atë vlerë që do kish një kuti postare. Kjo është një letër e dërguar në adresë të Berishës”.
Sikur dikush mjaft i informuar të më thoshte se është bash e kundërta, se Kadare ka pasur njëmend për qëllim t’i japë një këshillë Lulzim Bashës, që ai ka besuar se ky i fundit mund t’ia vërë veshin etj., etj, unë do të gjeja rast për të shkruar një letër të hapur, gjithashtu. Do t’i shkruaja Kadaresë. Dhe në thelb do t’i thosha: “zotëri, problemi nuk është Lul Basha. Problemi është ai që sa herë që qeveris, nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të na vërë ne të gjithëve përballë vetëm dy opsionesh njësoj të nëmur: o të pranojmë sundimin e përjetshëm të tij, o ta hedhim vendin në luftë. Kjo është situata. Dhe, kjo situatë nuk zgjidhet duke i dërguar letra Lul Bashës. Kjo situatë zgjidhet duke ngritur zërin kundër këtij regjimi”.
Por shyqyr që nuk është ky rasti. Them unë.