Kadare ose për një mandat të përhershëm të Lirisë

0
44

Nga Preç Zogaj

Ismail Kadare mund të ketë pasur shpresë, por shumica e ithtarëve të tij në ketë vend nuk kishim iluzione se ftesa e tij drejtuar Lulëzim Bashës për t’u tërhequr nga gara për bashkinë e Tiranës do të pranohej nga ky i fundit. Megjithatë, falë emrit të madh të shkrimtarit, apo duke pikasur në ftesën e tij një gjest gjithsesi zbërthyes për figurën tepër virtuale të Bashës, publiku ngriti veshët në pritje të përgjigjes.

Refuzimi i Bashës erdhi, si i thonë fjalës, pa u tharë boja në letrën marrëse. Befasuese nuk ishte “jo”-ja e tij në vetvete. Çdokush ka arsyet e veta për ta kundërshtuar apo lënë të pakënaqur një tjetër, qoftë ky edhe mbreti i letrave. Nuk është e thënë që autoriteti të diktojë. Befasuese në përgjigjen e Bashës ishte klasi i ulët i saj, mungesa e mirësjelljes për shkrimtarin më të madh të racës sonë, shoqëruar kjo me arrogancën dhe mendjemadhësinë e fshehur midis rreshtave, si sjellje tipike e zyrtarëve të pakulturuar.

Aq kërciste ajo përgjigje dhe aq i huaj dukej Basha në sallonin ku e përshiu letra e Kadaresë, sa një fans i tij tha në dëshpërim e sipër fjalët lapidare se ai as letër kishte marrë, as përgjigje kishte dërguar. Që do të thotë se edhe në këtë histori zoti Basha ishte një kukull, së cilës i mbajnë dorën. Ky shpjegim mund të jetë ngushëllues për fansat e tij. Në të vërtetë, thellë-thellë, ky shpjegim është më revoltues se sa të thuash të kundërtën, pra që Luli e ka konceptuar e shkruar vetë përgjigjen e letrës së hapur, çfarë unë besoj se ka ndodhur.

Nuk kam dyshimin më të vogël, se duke abstraguar nga hollësitë, detajet, hallkat dhe kleçkat e natyrës procedurale e ligjore të procesit, që e bezdisin kureshtjen e një shkrimtari, Ismail kadare ka pasur parasysh jo garën me G të madhe kur i është drejtuar Bashës të tërhiqej, por degradimin e garës në KQZ dhe ciklonin që po mblidhet mbi qiellin e Shqipërisë për shkak të asaj që po ndodhte e ndodhi atje. Radari i shkrimtarit ka dalluar në këtë zhvillim dramatik shenjat e kolapsit të ri të demokracisë në vendin e tij.

Ai ka parë në qendër të këtij kundërzhvillimi kandidatin e koalicionit qeveritar Lulëzim Basha, duke qenë se formalisht ishte ky që kishte vënë në veprim rregulla loje pas mbarimit të lojës, duke shfrytëzuar shumicën puthadore të qeverisë në KQZ. Këndej edhe ftesa për tërheqje.

Po të mos ishte duke ndodhur farsa “Ristani”, pra po të ndiqte Basha dhe partia e tij rrugën ligjore të ankimimeve, Ismail Kadare, jam i sigurt, jo që nuk do të denjonte, por as që do të kujtohej të merrte penën për ketë punë. Ai ka treguar se është neutral, për të mos thënë indiferent në lidhje me faktin se cila parti fiton e cila nuk fiton në zgjedhje.
Kadare mund t’ia kishte adresuar Ristanit alarmin e tij intelektual dhe atdhetar. Ia drejtoi Bashës për ta ndarë nga Ristani.

Më tej, mund t’ia kishte drejtuar kryeministrit Berisha, që vendos për gjithçka në qeveri dhe në PD. Ia ka drejtuar Bashës për ta nderuar, duke e vënë ndërkaq, pa qëllim, në provën e vështirë të meritimit ose jo të nderit që i jep penda e artë një emri të rastit. Që të mos mendojë kush se po e fyej zotin Bashën, po nxitoj të shënoj se asnjë ngjarje në jetën e tij të derisotme nuk do ta hedhë emrin e tij aq larg në ardhmëri se sa një letër e hapur nga Kadare.

Mjerisht, përgjigja e Lulëzim Bashës ishte ku e ku nën nivelin e lartësisë së letrës që mori dhe autorit që ia shkroi. Ishte një zhgënjim. E përsëris: jo ngaqë refuzoi tërheqjen. Refuzimi i tërheqjes është gjëja më e parëndësishme në përgjigjen e tij. Zhgënjimi qëndron në faktin se Basha nuk e kupton apo bën sikur nuk e kupton shqetësimin e Kadaresë në lidhje me rrezikun e një izolimi të ri të vendit për shkak të dhunimit flagrant të Kodit Zgjedhor dhe zgjedhjeve nga KQZ.

Në disa paragrafë të përgjigjes së tij, ky politikan i ri, anonim për sa i përket afishimit të botëkuptimit politik dhe formimit kulturor, i drejtohet shkrimtarit me sentenca dhe citate libreske elementare, a thua se lajmëtari i hershëm i erës së lirisë dhe demokracisë në Shqipëri dhe një personalitet shumë i informuar dhe i frekuentuar nga miqtë perëndimorë të Shqipërisë, siç është Kadare, duhet ta mësojë nga ky kandidat se si lexohet vullneti i zgjedhësve në votime! Por nuk mbaron këtu.

Pas leksionit të tipit partiak, vjen edhe një replikë patetike me nuanca fyese: “Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të papranueshme se votimi i lirë”. Nënteksti është i qartë: Ti që kërkon tërheqjen time që po luftoj për “votën e lirë”, pse nuk i kërkon të njëjtën gjë opozitës që, sipas Bashës, po kërcënon me djegie dhe kryengritje?

Duke dashur të fyejë Kadarenë, në të vërtetë Lulëzim Basha fyen veten e tij. Kryengritja dhe vota e lirë nuk mund të vihen kurrë në një kandar apo në një stetm vlerësimi, që njëra të jetë më e papranueshme se tjetra dhe anasjelltas. Në një vend ku respektohet ligji dhe vota e lirë, kryengritja është plotësisht e papranueshme dhe e dënueshme.

Por problemi që ka lindur në Tiranë dhe që ka alarmuar ndërkombëtarët dhe intelektualët më të shquar është se për të nxjerrë Bashën fitues u bë vetëgjyqësi me votën nga ata që kanë pushtetin, u shpikën rregulla pas mbarimit të lojës, u futën duart në kutitë e përzgjedhura, me fjalë të tjera Basha u fabrikua si fitues në këtë fazë të garës nëpërmjet dhunës shtetërore. Protestat e opozitës para KQZ-së dhe paralajmërimet e saj për përshkallëzimin e revoltës janë pasoja e dhunës shtetërore mbi zgjedhjet.

Po të ishte ndjekur rruga ligjore e ankimimeve, opozita nuk do të organizonte protesta. Por nuk ka opozitë normale dhe serioze në botë që toleron maratonën e shfaqjes së antishtetit dhe antiligjit në zgjatimin e qeverisë së Sali Berishës në KQZ. Ca më pak opozita e Shqipërisë, që ka marrë nga ky kryeministër vetëm poshtërim, plumba dhe sërish poshtërim. Përpara dhe paralelisht me letrën e hapur të Kadaresë, thirrjet për të ndaluar farsën, domethënë farën e konfliktit politik në KQZ, kanë ardhur nga ambasadorët e vendeve dhe institucioneve perëndimore.

Mjafton ky fakt për të pohuar se Basha është plotësisht spekulativ kur mëton ta hedhë Kadarenë në anën e ” kërcënimeve me djegie”, ndërsa vetë qenka në anën e votës së lirë.

Në KQZ-në e Arben Ristanit u dhunua në mënyrë flagrante Kodi Zgjedhor pikërisht për të deformuar e dhunuar votën e lirë. Kjo damkë turpi për zgjedhjet vendore të datës 8 maj e mbyll edhe më tej perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Europë. Përgjegjësia nuk është e atyre që po ngrihen e do të ngrihen kundër maskaradës, por e atyre që e bënë maskaradën. Shqipëria do të dalë nga kolapsi dhe izolimi duke luftuar për lirinë e votës dhe jo duke u pajtuar me manipulimin e saj.

Partia socialiste dhe gjithë opozita politike kanë detyrimin të çojnë deri në fund betejën ligjore për të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë. Kjo betejë fillon nesër në Kolegjin Zgjedhor, ku do të gjykohen me radhë paditë e opozitës për dhunimin e Kodit, për të vijuar me paditë për manipulimin e kutive dhe për një mori shkeljes, kontradiktash e mospërputhjesh të tjera që tregojnë hapur se operacioni “Ristani” për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë ishte dhe do të mbetet në anale si një vepër kaçakësh.

S’kanë pasur pikë droje të shkatërrojnë kodin, por nuk u dalin numrat dhe këtu ka lenë kokën gjithë retorika e tyre demagogjike sikur gjoja kishin merakun e votës së çdo qytetari. Nga ana tjetër, pavarësisht se si do të shkojnë punët në institucionet e ankimimit, opozita është thirrur në apel të çlirojë zgjedhjet nga poshtërimi dhe pengmarrja që pamë këto ditë në KQZ.

Përballë paradës së arbitraritetit, arrogancës, paligjshmërisë dhe irracionalizmit që shpërtheu në apogje kësaj radhe mu në zemër të shtetit, duke fyer non stop si asnjëherë tjetër zakonet e të menduarit e të gjykuarit normal në këtë vend, beteja e re e opozitës dhe e publikut perëndimor të Shqipërisë nuk është më thjesht për mandatin e katërt të Edi Ramës në bashkinë e Tiranës. Edi Rama, siç e kam shkruar më parë, kaloi fitimtar në zgjedhjet për Tiranën si midis Shillës dhe Kariddit në mitin e vjetër homerik.

Natyrisht, me përmbysjen që i bëri Arben Ristani dhe gjithë makineria qeveritare fitores së tij, ka plot militantë dhe anëtarë të opozitës që janë të fokusuar me përparësi te rimarrja e fitores së rrëmbyer me makinacione. Por qindra mijëra intelektualë dhe qytetarë dëgjojnë sot një thirrje të detyrës që i kërkon dhe i çon përtej mandatit numër katër të Edi Ramës. Me letrën e tij të hapur Ismail Kadare ishte dhe mbetet zëri pararojë i këtij komuniteti të madh elitar dhe popullor.

Fjala, pra, është për një mandat shumë më të rëndësishëm: për mandatin e përhershëm të lirisë dhe demokracisë në ketë vend. Çështja shtrohet: do të jetë apo nuk do të jetë më shtet ligjor shteti shqiptar? Do të jetë apo nuk do të jetë demokraci normale Shqipëria? Do të shkojmë apo nuk do të shkojmë drejt Europës si popull dhe si vend? Do të kemi apo nuk do të kemi më zgjedhje të lira si gjithë Europa? Për këtë bëhet lufta.