Poezia do ta ndryshojë botën

0
41

Arjan Th. Kallço

E kemi dëgjuar shpesh këtë thënie të mrekullueshme dhe gjithmonë kemi besuar verbërisht se bota ndyshon përmes kulturës. Dhe kemi bërë mirë që kemi qënë besimtarë të tillë, pasi me kundërshtarët tanë, në fusha të tjera, na ndan një hendek i madh që në këto kohë po bëhet edhe më i gjerë. Po flasim për kulturën e vërtetë, larg fjalëve boshe dhe lajkatuese të shumë të ashtuquajturve poetë, shkrimtarë, apo të atyre që i shërbejnë asaj me tradhëti, duke qënë të dashuruar me poezinë, por nga ana tjetër flirtojnë me antikulturën. Të tillë njerëz jo vetëm që nuk besojnë tek roli i kulturës në rilindje, por përkundrazi janë shkaktarët e vërtetë të pengesave në emër të egoizmit të sëmurë për të qënë dhe për të vendosur arbitrarisht mbi fatin e të tjerëve. Nuk ka vargoj që mund ta ndalin letërsinë në rrugën e saj, më keq akoma kur ajo përdoret për kredo të tjera në shoqëri.

Shqipëria është vendi tipik i një kulture që endet në agoninë e vet në këto dy dekada, sepse kemi dalë nga besimi se kjo e fundit do ta ndryshojë botën. Mjaft të përmendim investimet në këtë fushë kaq të pafund dhe kaq komplekse dhe do të shohim se ku këmi katandisur. Këto ditë po zhvillohet një debat i gjerë, më vjen mirë që ka edhe zëra kundër, lidhur me Çmimet letrare të fundvitit që siç mund ta marrim me mend, pragmatizmi i viteve të fundit flet qartë, dihet sesi do të ndahen. Kur do të fillojmë të ndërgjegjësohemi për këtë situatë? Unë besoj se në qarqe të ndryshme vazhdojnë t’ia kenë frikën kulturës, prandaj dhe sillen ndaj saj në këtë mënyrë.

A nuk ishte Migjeni me vargjet e tij që i foli vegjëlisë? A nuk ishte Migjeni që i dha shtysën ndryshimit? E këto leksione të padiskutuara të ndryshimit, sot i ka frikë kushdo pushtetar apo vartës, prandaj me mediokritetin e tyre po i vijnë rrotull që ta nënshtrojnë dhe zvetënojnë përfundimisht atë. Tek artikulli i djeshëm me kolanën me poezi që sot doli në Itali e quajta një lajm të mirë, pasi do të kemi rastin të lexojmë perlat botërore në 30 volume.

Para poetëve dhe lexuesve lind pyetja e kurdoherëshme, e shfaqur herë pas here edhe në rrethet letrare nëpër botë : Kujt i flet poezia? Kush është përfshirë në diskutimet dhe kritikat që lidhen me të? Unë mendoj se nuk është vetëm krijuesi apo një grup elitar lexuesish, por edhe shumë të tjerë që gjejnë tek poezia stimulin dhe ngushëllimin në jetë. Mjafton t’i hedhësh një sy edhe facebook-ut dhe do të gjeni komente të shumta lidhur me vargje poetike. Në një referat të famshëm me titull Meridiani, Paul Celani thotë : Poema priret ndaj një tjetri, atij që ka nevojë, atij që ka nevojë për një bashkëbisedues.

Po e kërkon dhe atij i përkushtohet. Mario Luzi tek eseja Drejt Raguzës shkon më tej : Poeti në pjesën më të fshehtë të dëshirës së tij priret mos jetë asgjë, veç asaj që prej tij ka kaluar apo do të kalojë tek të tjerët si një substancë humane, hijeshije, kënge. Në një artikullin e vet një kritik italian shprehet : nga një paradoks apo ligj të fshehtë dhe të thellë, sa më shumë i ofrohet me nevojën e vet radikale për bashkëqënie, aq më shumë poezia moderne është larguar, vendosur dhe ka precipituar në një largësi. Megjithatë ajo nuk shteron që aty të ekspozohet, siç thoshte Celani.

Pak kohë më parë ndërroi jetë një poet i madh i ‘900 në Itali, Giudici, i cili në një poezi, që vlen si një pohim alarmi i kësaj gjendje, poezia titullohet Disa, është një lloj manifesti :

Disa në shtëpi private apo azile
Psikiatrike përpiqen përsëri të vetmuar me letra
Apo llogari lëvizjesh të përjetshme apo të tjera
Veprime më të pamundshme si revolucioni.

Kundërshtime dhe përpjekje të shumta pati shekulli që kaloi në shoqëri për ndryshime dhe historia është dëshmimtarja më e mirë e ngjarjeve. Por në këtë lëvizje një shekullore ndryshoi edhe vetë poezia, pasi e braktisi disi edhe traditën e shkuar, por përsëri e gjeti të vërtetën e vet në rrugën e vazhdimësië. Gërryerjet dhe përpjekjet më eksteme e ushqyen atë. Ajo u vendos në nivelin e të vetmuarit, të njeriut pa patenta dhe dallime – thotë kritiku. Por tek poezia, pavarësisht ndryshimeve, mbeti një thelb që shpreh gjithë forcën e vet, pa të nuk do të ekzistonte letërsia, dhe kjo forcë quhet fjala.

Poezia dhe fjala janë të pandara në jetën e tyre, si dy motra binjake që i përkasin njëra-tjetrës. Në këtë mori ndryshimesh edhe vetë gjuha nuk mbetet pas, sepse “një poezi plotëson gjuhën me të cilën shprehet, e vërteton dhe e shpik vazhdimisht atë. Fjala poetike e bën vitale ngjarjen e një gjuhe që edhe në sajë të saj nuk mund të rregullohet, çmobilizohet, ndalet. Poezia e urren, ndez, përcakton njohje të pazakonta : e bën të pranishme gjithçka që është shkruar, që është ende gjallë”. Udhëtimi i poeti të madh nuk përfundon asnjëherë, edhe pse epoka nuk është më ajo që ishte.

Atë e kemi në të shkuarën me gjithë kritikat e veta, po ashtu e kemi edhe në të tashmen me përpjekjet për ta interpretuar në kushtet të tjera më të reja. Edhe nga ana gjuhësore ka një përputhje mes udhëtimit të poetit dhe historisë, kur flitet për të tashmen historike. Po përmend këtu majën e poetëve italianë, Danten, që edhe pse shkroi shekuj më parë, poema e tij vazhdon edhe sot të na frymëzojë : Në mesrrugën e udhëtimit të jetës sonë… Kritiku shprehet për të duke theksuar : Poema e Dantes ndodh në të tashmen dhe nuk është vetëm histori letrare. Kjo sepse për një poet, Dantja është i bashkëpranishëm, veprues : gjuha e tij përcakton ende ngjarje brenda gjuhës bashkëkohore të atij që vepron në anën ekstreme të traditës.

Shekulli i 20-të na dhuroi edhe një listë të gjatë me emrat e autorëve të jashtëzakonshëm si në Amerikë dhe Europë, ashtu edhe në Azi dhe Lindjen e Mesme. Vështirë që t’i kujtosh të gjithë në një artikull, por nëse do të shohim letërsinë e çdo vendi, do t’i gjejmë jo vetëm në hapësirë, të heshtur me përmendoret e tyre të bronxta, por edhe në kohën e sotme tek recitohen në shkolla dhe veprimtari të shumta letrare. Veçanërisht në vitet 1910, ’20, ’30 të shekullit të kaluar – thotë kritiku – lindën, në një përqëndrim të rrallë, poetë në gjendje të ndërtonin një traditë të denjë për mjeshtërat e kanonizuar.

Poezia e këtyre autorëve flet për një lëvizje të njohjes, të një aventure intelektuale, por duke u nisur nga detajet, vëmendja ndaj sendeve dhe ngjarjeve të vogla dhe natyrisht me secilën krijesë, aq sa ajo mund të flasë për tjetrin në mënyrë absolute nga brenda një bisede familiare, shtëpiake.
Kjo listë e gjatë na flet qartë për karakterin universal të letërsisë dhe të kalimit të saj pa asnjë pengesë nga një vend tek tjetri. Pra poezia është tek unë, tek ti, tek secili dashamirës i saj dhe jo vetëm në shpirt. A mund ta mohojmë dot këtë fjalë? A mund ta harrojmë lehtë me gjithë krizën e gjithanshme të shoqërisë sonë?

A mund të mos e shpalosim apo deklamojmë në takimet tona qoftë edhe intime me poetët e tjerë? Një poezi e bukur nuk është një vajzë e bukur që lidhjet e saj i ka të kushtëzuara, ndonjëherë edhe tragjike kur verbërohen njerëzit. Poezia edhe sikur të ketë mbetur e pazbuluar përkohesisht, do të arrijë që të dalë në dritë me gjithë madhështinë e saj. Nëse e tillë është gjendja e artit, secili prej nesh, si lexues, a mund të mos e ndjejë vëllazërore këtë fjalë? Ajo sigurisht dëshiron të përfshihet në ecjen tonë, të kontribuojë në një njohje të bashkuar të botës, kundër sektorializmave dhe pa dhënë përgjigje të sigurta dhe absolute; ajo dëshiron të flasë në masën njerëzore, duke pranuar dhe e ngjallur seriozitetin e atij që e lexon, duke mos e reduktuar në një pajtimtar të rradhës – thotë kritiku.

Poezia moderne është e paaftë ta gjejë forcën e poezisë së dikurshme tradicionale? Poetët janë më shumë të joshur nga poezia tradicionale? Përsa i përket forcës, unë mendoj se edhe kjo poezi ka majat e veta, pavarësisht etiketimeve që lidhen me rrymat. Kohë të tjera, poezi të tjera. Asnjë kohë e shkuar nuk mund të përsëritë vetveten. Poezia mund të imitojë vetëm formën, por kurrësesi përmbajtjen e cila është peng i rrethanave të ndryshme shoqërore-shpirtërore të një vendi dhe të një poeti.

Sigurisht ka edhe përpjekje për ta imituar poezinë si greku Kaxanxakis me eposin homerik. Çdo punë e ka shpërblimin e vet, tek prodhimi që del prej saj. E ka edhe një vlerë monetare në treg, ndërsa poezia thotë kritiku në fund të fundit ajo mbetet edhe sot një prej shprehjeve të pakta falas dhe tek lidhjet e brendshme mes krijuesit dhe lexuesit duhen sa më shumë raste që bashkimi bashkimi të vijë, duke kapërcyer pengesat dhe parashikimet e një tregu të kuptuar si baltë. Nevojitet kulturë.