Nga: ALBA MALLTEZI
E lexove intervistën e ambasadorit Withers te “Gazeta Shqiptare”, kishte folur tamam si shqiptar!”. Ishin disa miq të mi kolegë, por dhe të njohur përmes webit që u shprehën kështu, pas intervistës dhënë për drejtoreshën e GSH, Anila Basha.
Ishin të entuziazmuar, por unë nuk jam dakord me ta: Withers nuk foli si shqiptar, foli tamam si një i huaj, sepse dhe sot e kësaj dite, nuk ka shqiptar ta ketë këtë kthjelltësi, largpamësi, dëshirë për dialog e demokraci; dëshirë për normalitet dhe zhvillim, begati dhe zgjuarsi, saç një i huaj ka pasur dhe ka për Shqipërinë. Nuk është i pari z. Withers që flet me këtë ndjenjë e këtë konsideratë për vendin ku banorët që e popullojnë s’e kanë respektuar ndonjëherë. Eshtë kaq e fortë kjo bindje tek unë sot, sa kur lexova nga arkivat historikë një ide për ngritjen e shtetit hebre në territorin e Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore, të mendoj: Kushedi! Ne shqiptarët duhet të kishim patur historinë e hebrenjve për të kuptuar dhe dashuruar realisht Shqipërinë.
Kjo është fantazi, le të kthehemi në realitet, në kohët kur qindra km katrorë vijë detare rrezikojnë të mos i prekim më dhe bashkë më to dhe privilegje të tjera në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë. Shembulli që solli në intervistën e tij ambasadori Withers, kur shqiptarët ishin ulur për të biseduar me njëri-tjetrin, datonte 2 mars 1444, Kuvendi i Lezhës, (kjo per të ilustruar dialogun), ndërsa sa i takon gjendjes ekonomike në të cilën ndodhen jo pak shqiptarë, evokoi kohën e Migjenit. Të gjithë ne shqiptarët jemi koshientë të potencialeve që kemi si popull (me popullsinë më të re në Evropë), me shumllojshmërinë e pasurive natyrore dhe pozitën e përshtatshme gjeografike (një Zvicër e vogël na kanë konsideruar dhe konsiderohemi); por si mund të harmonizohen këto, kur kemi probleme të mëdha me trurin, të personifikuar në udhëheqësit, administratorët aktualë të vendit?
Ndodhemi në një ngërç dhe kjo situatë paradoksale po konsiderohet e tillë nga të gjithë, por për ta kapërcyer, ka vetëm një emër: Sali Berisha. Jo për aftësitë e veçanta të tij, por sepse zgjodhi, përmes alenacës me kreun e LSI, Ilir Meta, të jetë i pari i shtëpisë dhe të parit të shtëpisë i takojnë hallet dhe detyrat t’i zgjidhë kur shkojnë punët keq apo mirë. Po bëj dhe unë siç bëjnë në edicione lajmesh shumë familje mjerane, individë hallexhinjë, besoj keni vënë re si mbyllin apelin: Zoti Kryeministër, Ju dhe vetëm Ju mund të zgjidhni problemin tim!”.
Sepse në Shqipëri nuk ka Shtet, sepse Shteti jeni ju. Sepse këtu nuk ka dialog, sepse dialogu jeni ju. Sepse këtu nuk ka drejtësi, se drejtësia jeni ju. Ndaj ju, vetëm ju mund ta zgjidhni ngërçin! Por a ka një rrugë për ta zgjidhur realisht këtë gjëndje? Personalisht mendoj se në këto kushte nuk ka, sepse i pari i shtëpisë nuk u tregua burrë i urtë! Pas cilësimit të Edi Ramës, pra njeriut më të cilin Berisha duhet të bëjë dialogun, si një “udhëheqës pa brekë” nuk ka asnjë zgjidhje! Ose të varrosim njëherë e mirë peshën e fjalës, pas varrosjes që po tentohet t’i bëhet shumë vlerave në Shqipëri, ose vrasësit e këtyre vlerave, me Berishën në krye, nuk meritojnë asnjë vëmendje. Asnjë. Shqipëria duhet të ecë përpara duke lënë pas këta sharlatanë që i zënë rrugën vazhdimisht.