Preç Zogaj, 22.05.2011
Nëse kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i tij pwr Tianwn, do të kishin lejuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve të shpallte rezultatin paraprak të Tiranës dhe mandej të vinin në lëvizje mekanizmin ligjor të ankimimeve për të gjitha pretendimet e tyre, sot Shqipëria nuk do të ishte sërish “buzë humnerës”, siç shkruan revista e famshme “The Economist”.
Shumë njerëz kanë pyetur e vazhdojnë të pyesin: “Ç’patën që u ngutën, pse nuk i morën punët me radhë ashtu siç e thotë Kodi, nuk e dinin vallë se rruga që zgjodhën do të kishte pasoja të rënda për mbarë vendin”?
Disa e kanë patur të qartë përgjigjen, sapo kryeministri me delfinin e tij politik u hodhën në gjuetinë e ” votave të gabuara”, pasi ishte ulur sipari i numërimit zyrtar të votave për bashkinë e Tiranës dhe Rama kishte dalë fitues në fotofinish me dhjetë plus. Shumë të tjerë janë ftilluar e po ftillohen duke ndjekur live në television maratonën “Ristani”, shfaqjen më të shëmtuar të antishtetit dhe antiligjit në njwzet vjetët e fundit.
Cila është përgjigje, cila është arsyeja? Ja cila është: Berisha dhe Basha e kanë ditur dhe e dinë se nuk e përmbysin dot rezultatin në favor të tyre në mënyrë të ligjshme, prandaj kanë zgjedhur rrugën e paligjshme, rrugën që shkatërron Kodin, njollos
Zgjedhjet dhe damkos vendin. Shkatërrimi, njollosja, damkosja e tjerë janë çmimi i fitores së tyre. Nuk e kanë pra nga padurimi. As nga padituria. Në rastin konkret, si në shumë raste të tjera, ata e kanë parë paligjshmërinë si aleatën e qëllimit të tyre për të fituar me duart e Arben Ristanit atë që nuk fituan me duart, mendjen dhe zemrën e shumicës së zgjedhësve.
A nuk janë njëzet e ca ligjet antikushtetuese të Berishës provat flagrante të aleancës genuine të këtij politikani me paligjshmërinë? Ai tenton papushim me paligjshmërinë, s’ka gjë se diku nuk i ecën e diku po. Këtë ka bërë edhe kësaj radhe me zgjedhjet dhe rezultatin në Tiranë, duke llogaritur vasalitetin e plotë politik të kryetarit të KQZ-së.
Berisha dhe Basha e kanë marrë në sy me vetëdije rrezikun përsa u përket pasojave që do të prodhonte në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm aventura e tyre. Por kanë menduar se qëllimi vazhdon t’i justifikojë mjetet, edhe pse nuk jemi në mesjetë.
Dhe kanë menduar gjithashtu, duke u mbështetur në disa precedentë, se në skakierën e Përendimit, Shqipëria e vogël në sipërfaqe dhe popullsi nuk ka rëndësinë që i japim ne këtu; dhe se në fund të fundit Uashingtoni dhe Brukseli i përkulen faktit të kryer, se perëndimorët janë gati të bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh në lidhje me standartet, por vetëm rrëmujë dhe konflikte nuk duan të shohin… Ky është një mendim tipik i kulturës tribale, i tejkaluar tashmë edhe në shtetet afrikane; një mendim që fyen perëndimin e vlerave dhe poshtëron popullin shqiptar.
Unë nuk mund ta di në ç’masë do ta gëlltisë SHBA dhe Europa sfidën më të fundit të rregjimit të Tiranës. Si gjithë qytetarët shqiptarë, kam parë përkushtimin e tyre të shtuar në zgjedhje dhe jam inkurajuar më shumë se tjetërherë. Kam lexuar dje raportin e ndërmjetën të misionit të vëzhguesve të ODHIRI-t dhe kam parë aty arbitrin e fakteve të mbledhura e të përjetuara dretpërsëdrejti në teatrin e ngjarjeve. Pra arbitrin që presim.
Në këtë raport nënvizohet fakti se KQZ i kishte trajnuar numëruesit dhe komisionerët që këta t’i klasifikonin të pavlefshme fletët e hedhura në kutitë e gabuara. Ky qëndrim është mbajtur në mbarë vendin, përfshirë numërimin e votave për kryetarin dhe këshillin bashkiak të Tiranës. Duke ndjekur ” minutw pas minuti” fillin e bllokimit të rezultatit zyrtar paraprak për bashkinë e Tiranës , raporti evidenton qartë nënshtrimin dhe përfshirjen si në një përbetim të gjithë zyrtarëve të PD-së në KZAZ numër 49 dhe në KQZ në veprime ta hapura antiligjore për të bllokuar rezultatin zyrtar dhe për të imponuar një rezultat jashtë sistemit me “rregulla” të krijuara pas mbarimit të lojës.
Duke evidentuar me saktësi këtë përbetim, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë treguar në mënyrën e tyre vetën një episod të historisë sonë tragjike: të pafuqisë së ligjit përballë pushtetit, ku ligji është vetëm një maskë e bukur për fytyrën e arbitraritetit dhe arrogancës, një maskë që Berisha me të vetët nuk kanë zor ta heqin përfare kur u duhet të marrin me çdo kusht atë që nuk e marrin dot në rrugën e ligjit.
Praktikisht, raporti i ndërmjetëm i ODHIR-it e ka konsideruar të pavlefshëm operacionin “Ristani” për të nxjerrë fitues Lulëzim Bashën në tavolinë. Këtij qëndrimi i kanë bëre jehonë të njëkohëshme deklaratat e zedhëses së komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle që tha se nuk mund të ketë dy rezultate për Tiranën dhe opinioni i Grupit Ndërkombëtar të Krizave që i konsideron të pavlefshme fletët e hedhura në kutitë e gabuara.
Dhe po të shtojmë këtu edhe manipulimet që janë berë me vetë kutitë e perzgjedhura për rinumërim, kuptohet akoma më qartë se vendosja e L.Bashës në kolltukun e kryebashkiakut mbetet një operacion legal i pamundur.
Berisha nuk ka folur dje për këto raporte, që paralajmërojnë ditë të zeza për Shqipërinë, nëse ai nuk tërhiqet nga aventura e tij. Deri dje është përpjekur t’i bindë ndërkombëtarët se KQZ mund të sillet edhe si KZAZ në kushtet e një vakumi ligjor. Por shumë shpejt, Ristani me të vetët e shpërdoruan trashë këtë mundësi, duke u sjellë, sipas interesit, pesë minura si KQZ , pesë minuta si KZAZ dhe kështu pa fund si në legjendat me centaurë.
Me këtë sjellje u dogjën si kamikazw jo vetëm për zgjedhjet e këtij maji, por edhe për ato të vitit 2009. Raporti i ndërmjetëm i ODIHRI-it tregon se Berisha nuk ka bindur njeri me teorinë e tij të vakumit ligjor. Sespe vakumi nuk përligj moszbatimin e ligjit aty ku nuk ka vakum. Para se të marrë tagra që nuk i takojnë, KQZ duhej të zbatonte ligjin për shpalljen e rezultatit paraprak. Duke mos e berë ketë, ajo është sjellë si pengmarrëse dhe jo si administruese e zgjedhjeve.
Deri kur do të heshtë Berisha për këto raporte? Ai e ka zakon t’ia përshtasë retorikën interesit, duke mos u kujdesur fare për parimësinë dhe koherencën. Përgjatë dy vjetëve refuzoi të hapte kutitë, pasi ishte shpallur rezultati, me justifikimin se ” nuk ka ligj”. Tani hap ato që do, pa u shpallur rezultati. Sa herë i ka ardhur për shtat ka ngritur në qiell ” arbitrin ndërkombëtar”. Kësaj radhe do të na gajasë të gjithëve nëse del e thotë ” kemi ligjet tona”. I kemi ligjet tona, i kemi veset tona, i kemi sëmundjet tona, kemi shumçka tonat, por arbirti është ndërkombëtar.
E kemi pranuar qysh në krye njëzëri. Në të mirë dhe në të keqe. Arbirti është pikwsëpari misioni i vëzhguesve të ODHIRI-t. Shqipëria nuk mund të shkojë kundër Arbitrit. Apo drejt humnerës, siç e tha ndryshe ” The Economist”.







