KË DËGJON Z. BASHA?

0
88

Nga Dr. Adem Harxhi

Një ditë më parë se Ismail Kadareja t’i dërgonte letrën e tij Lulzim Bashës, në Manhattan, isha takuar me një mikun tim që kishte ardhur nga Tirana. Natyrisht, biseda jonë ishte e përqendruar tërësisht për gjendjen në Shqipëri pas zgjedhjeve të fundit. Në një moment të bisedës lindi ideja se “o tani, o kurrë”, do të duhej ndërhyrja e personalitetit më të shquar të kombit, Ismail Kadaresë.

Një ditë më pas dëgjova lajmin e mirë, Ismaili i kishte dërguar një letër Lulzim Bashës. E lexova letrën e tij dhe ajo më befasoi. Nuk e prisja atë zgjidhje të mrekullueshme dhe dinjitoze që shqiptari i madh i propozonte kandidatit për bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës.

Sot lexova përgjigjen refuzuese të L.Bashës dhe u indinjova. Si ka mundësi të mos dëgjohet një nga mendjet më të ndritura të kohës? Si ka mundësi të refuzohet këshilla e një personaliteti publik kaq të madh, interesi i vetëm i të cilit është shpëtimi i vendit dhe kombit?.

Kjo është arrogancë dhe mendjemadhësi foshnjore.

Përherë Bota ka patur njerëz të mençur, që politikanët dhe njerëzit e thjeshtë u drejtoheshin e u drejtohen për t’u marrë mendimin lidhur me zgjidhjen e problemeve kruciale, siç është edhe kjo ku ndodhet vendi sot. Një nga këta njerëz të shquar ka qenë Einstaini.

Në përgjigje të një pyetjeje që i bënte një filozof izraelit, Einstain shkruan:

“Qenia njerëzore është pjesë e së tërës, që ne e quajmë “Univers”…..Kush i provon veten, mendimet e tij dhe ndjenjat e tij si diçka të veçuara prej të tjerëve, e mbyll veten në burg. Ky është për ne, njëlloj burgu, që na kufizon vetëm në dëshirat tona personale dhe në afeksionin ndaj pak njerëzve afër nesh. Detyra jonë duhet të jetë ta çlirojmë veten nga ky burg, duke zgjeruar rrethin e përkushtimit, për të përqafuar gjithë gjërat e gjalla dhe gjithë natyrën me bukurinë e saj. Askush nuk është i zoti ta arrijë këtë në mënyrë komplete, por përpjekja për ta arritur këtë, është pjesë e çlirimit dhe e krijimit të themeleve për sigurinë e brendshme të secilit”

Duke e cituar këtë letër të Einstainit në librin e tij “Full Catastrophe Living”, Dr. Jon Kabat-Zinn, themelues dhe drejtor i klinikës për reduktimin e stresit; në University Massachusetts Medical Center shkruan: Einshtaini na mëson se preokupacioni ynë kryesor për jetën tonë të veçuar, injoron të tjerët, pra nivelin më themelor të realitetit. Einstain na kujton të shohim të tërën si më themelore se e veçanta”

Z. Basha Natyrisht, ne kemi trupa të veçantë, jetojmë, gjithsecili, jetët tona unike, secili ka pikëpamjet e tij politike; por Einstaini na kujton se kur neglizhojmë perspektivën e së tërës dhe lidhjet që ekzistojnë midis individit dhe së tërës, ne shikojmë vetëm njërën anë të qenies tonë. Dhe kjo merr rëndësi më të madhe kur rrezikohen interesat e atdheut.

Z. Basha, këtë kërkon Ismail Kadareja prej jush kur u thotë: “Je vendosur në mes të një cikloni i cili jo vetëm do t’i mbyllë rrugën përparimit të kombit, por ta kthejë shumë vite prapa në histori”, ose “ Kjo mbrapshti e pafalshme.” ose “ Me këtë propozim të nderoj”.

Z. Basha, edhe pse ju nuk i kërkuat ndihmë Ismail Kadaresë në këtë situatë, kur vendi kërcënohet seriozisht dhe vetëm për arsye krejt personale, karrieriste e partiake, ai, ua ofroi ndihmën vetë, me përgjegjësinë e një mëmëdhetari të mençur e të flaktë. Ishte në nderin tuaj ta respektonit këshillën e tij.

Unë nuk di kë dëgjoni ju Z. Basha, por mendoj se duhet të dëgjoni Ismailin që i dhemb atdheu, jo pseudo intelektualët që u duartrokasin për përfitime.

New York, 22 Maj 2011