
Nga: Kiço BLUSHI
TIRANE – Sipas Brukselit, zoti Barroso ka anuluar vizitën në Tiranë, për t‘i dhënë një ndëshkim të merituar klasës së këtushme politike. Shkrimi i mëposhtëm e justifikon paraprakisht këtë vendim të qartë diplomatik, pse jo edhe politik, gjë që gjithsesi nuk e çbën urimin: Wellcome, mister Barrosso tjetër herë në Tiranë!; duke shpresuar që ky vendim traumatik nuk ka për t’u cilësuar njëkohësisht edhe si një ndëshkim i pamerituar për qytetarët shqiptarë!…
Tashmë është bërë e qartë për këdo: jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor funksionojnë përsëmbari tri pushtete me fuqi reale e të pakundërshtueshme:
1. ndërkombëtarët,
2. sundimi i pacak dhe absolut i partisë në pushtet (i kryetarit të saj),
3. deri diku edhe gërrmërri që lejohet të bëjë një parti opozitare, bashkë me një pjesë të medias, ende të pakapur.
Pushtetet e tjera janë formale: ca vartës pa personalitet, të emëruar nga të plotfuqishmit e mësipërm, janë të gatshëm të bëjnë të zezën të bardhë dhe anasjelltas, ashtu si po bëjnë këto ditë nëpër ekrane, duke justifikuar hapjen e kutive nga KQZ-ja, gjë që në 2009-ën e patën kundërshtuar. Tani nuk lipset shumë mend dhe aftësi për të kuptuar se zgjedhjet, por sidomos numërimi i votave, bashkë me KQZ-të e KZAZ-të, nj’ashtu si të gjitha shkallët e gjykatave, të larta e të ulëta, nuk janë gjë tjetër veçse ca ushtarë të bindur të “gjeneralëve të partive” që luftojnë mes vedi për të zaptuar e për të mbajtur nën thundër sa më shumë zona influence. Ristani nuk është një dukuri e rrallë. Lepepeqëria politike është profesioni më dobisjellës. Kur ndërkombëtarët, në këtë atmosferë shitblerjeje pranojnë të luajnë rolin e arbitrit të paanshëm, ne e quajmë fat, mbarësi, madje edhe demokraci.
Në kohë zgjedhjesh e sidomos krizash të thikta, sa më e dukshme dhe e pranishme të jetë trysnia e ndërkombëtarëve, si një pushtet suprem që vjen “i kulluar” jo vetëm nga lart-poshtë, por edhe nga larg, aq më shumë rritet besimi dhe siguria e qytetarëve se një ditë edhe “ne mund të bëhemi Evropë”. Ndërkombëtarët janë asistenca e pakundërshtueshme për ligjet, për sigurinë, për reformat, për zbatimin e tyre. Ecejaket e diplomatëve nëpër palestrat e Tiranës, aty ku bëhej numërimi i votave, ishte pa asnjë dyshim, një lehtësim për shumicën e qytetarëve…
Në të kundërt, nxjerrja e ndikimit të ndërkombëtarëve jashtë këtij funksioni, për ta bërë të pandjeshëm, të papërfillshëm, madje edhe bezdisës rolin mësimdhënës e monitorues të tyre, (ashtu si në vendet anëtare të BE-së, ku ambasadorëve nuk u dihet emri), ne, me gjasë do të kishim pasur jo vetëm zgjedhje të manipuluara, por edhe thellim të frikshëm të krizës, humbje të toruas e të qetësisë sociale, diktaturë më të egër “demokratike”.
Pa vëzhgimin e ndërkombëtarëve do të kishim më shumë pushtete virtuale e korrupsion nga ç’kemi sot, pse jo edhe paralizë, anarki, rrokopujë, më keq ndoshta edhe se në vitet ‘97-‘98, kur plangprishësit e kombit gati sa nuk na çuan në luftë civile… Sovraniteti i një vendi të vogël, pa ekonomi sovrane, që kërkon të integrohet në BE, është një fjalë goje e mbetur nga mbllaçitjet e diktaturës. Prandaj jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Lindjes, asistenca e ndërkombëtarëve nuk është partneritet, por bashkautorësi për një qeverisje të mirë apo të keqe, sepse kancelaritë e BE-së dhe SHBA-së kanë fuqinë e një tutori të pagjykueshëm.
Po të arsyetosh kësisoj, mund të hamendësosh se klasës politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor në të vërtetë nuk i leverdis integrimi, thellimi i reformave, instalimi i demokracisë, normaliteti, bashkëpunimi, zgjedhjet e lira e të ndershme, pasi në këto kushte ata janë të detyruar të humbasin fuqinë, ndikimin, pushtetin absolut. Për të kuptuar sa e vërtetë është sa u tha më sipër, le të përfytyrojmë e le të pyesim veten për një çast: Si do të sillej me votën e me zgjedhjet Sali Berisha dhe sozitë e tij, sikur të mos ishte vëzhgimi i ndërkombëtarëve?
Ja përse nuk mpaket ndikimi dhe autoriteti i ambasadorëve të akredituar në Tiranë, edhe kur “ndërhyrjet e tyre në punët e brendshme” ndonjëherë ngjajnë vulnerabël, pa takt, madje edhe kur bëhen me brutalitet, jashtë funksionit diplomatik, si ishte p.sh., “zarfi” i ambasadorit amerikan në Prishtinë në ditën e zgjedhjes së Pacollit (ish) President…Vështruar me këtë sy, as dështimi i “Krokodilit” nuk e dobësoi këtë bilanc pozitiv të ndërkombëtarëve në sytë e opinionit publik.
Prandaj, shumëkush uron me zemër: Mirësevjen zoti Barroso!
Por, si dhe pse do të vinin pikërisht tani zoti Barroso dhe zoti Fyle në Tiranë?
Vizita e pritshme e zotërinjve Barroso dhe Fyle në tri shtete, Serbi, Kosovë e Shqipëri, më së pari tregon qartë shqetësimin e Brukselit për problemet e ngjashme e të kolokrepsura në këto tri vende. Kjo vizitë, tejet e rëndësishme për momentet që po kalojmë, do të synojë, pa asnjë dyshim, në kërkesën e përsëritur kaherë për “thellimin e reformave”, për luftën kundër korrupsionit, për pavarësinë e gjyqësorit etj, etj.
Por në këto shoqëri gjysmë të hapura e gjysmë të mbyllura, të ashtuquajtura ballkaniko-perëndimore, të cilat kanë dëshmuar sistematikisht standarde të cungëta demokratike, korrupsion të lartë, ngërçe institucionale, ballkanizim të tepruar, sherr e grindje të pandërprera pozitë-opozitë, mosfunksionim të pushteteve të pavarura e veçanërisht të gjyqësorit, një shkallë të lartë papërgjegjshmërie të klasës politike, ka ardhur koha të flitet me një gjuhë sa më pak diplomatike, pa doreza, madje edhe ultimative.
Çështja pra do të duhet të reduktohet: nëse edhe kjo vizitë, si të mëparshmet, do të kryhet në mënyrë diplomatike, “evropiane”, me ekuivoke, sipas avazit të vjetër: “keni edhe arritje, por keni edhe ca të meta”, ose: “këto zgjedhje ishin më të mira se më të mëparshmet, por…”, atëherë mund të thuhet pa frikë se ka për të qenë një vizitë e dështuar, ende pa nisur…Por nëse do të flitet me zyrtarët e lartë e me opinionin publik me një gjuhë më të qashtër, direkte, “ballkanike”, si p.sh: nëse nuk zbatoni detyrat e shtëpisë, ju do të mbeteni jashtë Evropës e për këtë fajin e ka….Hë pra, kush e ka fajin? Sigurisht që as zoti Barroso e as zoti Fyle nuk kanë për ta gjetur fajtorin, edhe pse e dinë fort mirë si e ka emrin…(Ndoshta edhe për këtë arsye ata e anuluan minutat e fundit vizitën në Shqipëri, një veprim ky i paprecedent, gjë që ndodh vetëm kur në vendin pritës ka turbullira e tensione të rrezikshme…!)
Këshilltarët e zotit Barroso duhet t’i thonë atij paraprakisht se në Ballkan është traditë që faji të mbetet përherë kopil, sidomos në politikëbërje. Më kollaj e kemi t’ia hedhim fajin fqinjit, se vetes kur na pikon çatia…Por më kollaj ama e kemi të fajësojmë njëri-tjetrin kur punët na shkojnë ters…Kështu, meqë zoti Barroso e anuloi vizitën në Tiranë, e sigurt është që Berisha do të dalë e të thotë se këtë e bënë armiqtë e integrimit, ish-bllokmenët që pasi sulmuan Kryeministrinë, sulmuan edhe KQZ-në, sepse ata, edhe për hyrjen në NATO, edhe në prag të heqjes së vizave hynë në grevë urie që të sabotonin, me demek, integrimin…
Hedhja e fajit te tjetri quhet aftësi, talent, zotësi, burrëri, politikë e mençur! Kjo do të thotë që edhe të vijë, edhe të mos vijë zoti Barroso në Tiranë, secila palë politike këtë do ta marrë favor për vete e në ndëshkim për “armikun”…Por nuk ka faj populli që zgjedh të tillë krerë që nuk kanë turp të mburren se janë ata që gëzojnë përkrahjen e kancelarive ndërkombëtare, në ndryshim nga rivalët e tyre, dhe që sa herë largohet, p.sh., zoti Fyle nga Tirana, madje edhe të nesërmen e ikjes së zotit Barroso, premtimet do të shkelen, ndërsa deklarimet e autoriteteve të larta të Evropës e të SHBA-së, ashtu si rezolutat e BE-së, e KE-së dhe të DPA-së, gjithsecila palë i kthen dhe i përkthen në favor të vetes.
Por, ngaqë qytetarët shqiptarë ende shpresojnë te Evropa dhe përfaqësuesit e lartë të saj, le të shpresojmë se kësaj here zoti Barroso do të flasë “shqip”!
(GSH/BalkanWeb)







