Basha i përgjigjet Kadaresë: Nuk tërhiqem

2
68


I nderuar Zoti Kadare,

Lexova me vëmendje letrën tuaj dhe ju falenderoj për shqetësimin që shprehni në lidhje me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet.

Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj. Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës. Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin.

Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon proçesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.

E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë.

Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.

Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.

Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.

Çdo terheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt anti-demokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.

Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegje dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.

Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.

Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Me respekt,

Lulzim Basha

2 COMMENTS

  1. Nuk arrij te kuptoj nje gje: Cili eshte ligji qe e shpall Ramen apo Bashen fitues.
    Qe te dy kane marre pothuajse nga 25% te votave.
    Asnjeri nuk eshte fitues nese nuk ka shumicen absolute te votave te vlefshme, e thene shqip asnjeri nuk ka fituar 242993 vota (50% e 485985 +1 vota)
    Sipas meje çeshtja duhet zgjidhur ne raundin e dyte te zgjedhjeve.
    ———–
    Agim, fitues është ai që fiton më shumë vota. Ta zëmë se Basha fitonte një votë më shumë se Rama, do kishim muhabete tjera. Këtu problemi filloi pasi Rama doli fitues me 10 vota, që Berisha me të tijtë nuk e prisnin – nuk kishin lënë gjë pa bërë, për të mbushur kutitë dhe në fund, përsëri, fati i buzëqeshi Ramës – e këtu filloi kontestimi, se deri në atë cast, Berisha e Basha thonin: “numërimi më i saktë në botë”, “pranoje rezultatin”, që më pas ata vetë nuk e pranuan.
    Arbeni

  2. Nje miku im, sa here qe takoheshim dhe ai e kuptonte qe doja t’i thosha diçka, me perseriste: Ti deshiron te me komunikosh nje mendim? Gjeje fjalen e duhur!
    Duke qene pjese perberese e nje populli, qe eshte i afte per te debatuar per çdo gje, edhe per ato qe s’ka asnje njohuri, shpesh here matem perpara se ta them mendimin tim, por ne rastin e leterkembimit Kadare-Basha, me eshte dashur shume kohe qe te bind vetem time per te mos dhene asnje mendim, por… eshte e veshtire.

    Kadare, i cili siç duket eshte ne fazen e stermbushjes, e derdhjes se kupes, me nje akt te panatyrshem per te perpiqet t’i jap nje keshille dikujt, qe kishte rastin te hynte ne historine e ketij kombi. Per njerezit e zakonshem si dhe per ata qe harrojne shpejt, duhet kujtuar qe letermarresi ka kembyer edhe me nje shkrimtare tjeter, te njohur shqiptare leterkembim, me sakte i eshte pergjigjur nje akuze nga ana e tij. Pergjigja ishte e thjeshte dhe bindese.(R.Markut).

    Le te kthehemi tek letra e Kadarese, çfare kerkonte t’i thoshte Kadareja Bashes, cilat ishin shqetesimet e tij:
    1- Kur situata eshte turbullte, s’behet fjale per gare politike.
    2- Interesat e larta te vendit, republikes, kombit e kerkojne nje hap te tille.
    3- Vendi mund te shkoje prapa. (Se mbrapshti)
    4- Ti je ne qender te ciklonit.( Paralajmerim miqesor)
    5- Letra ime eshte nje nder per ty.
    (Thuhet se nder dy trima,askush nuk i hap rruge tjetrit, por nga te dy trimoshat njeri sigurisht duhet te hape rruge, me i mençuri, te cilin opinionet e te tjereve as e ngrohin e as e ftohin.)
    6- Kur ndeshja mund te krijoje fatkeqesi, terheqja eshte emancipim. (Shembulli i I.Qemalit)
    7- I foli per tribal dhe europian.Nje paralajmerim per mbeshtetsit e tij.
    8- Doreheqja jote na nderon te gjitheve.Nje nder i perbashket.

    Jam i bindur, por edhe permbajtja e letres e tregon se Kadareja eshte menduar shume para se te shkruante kete leter publike, e para e ketij lloji.
    Le te kalojme tek pergjigja, e cila per mendimin tim fillon ne menyren me te shemtuar qe mund te fillonte.
    1- Basha e falenderon Kadaren per shqetesimin e tij per te Shqiperine dhe te ardhmen e saje.
    2- Asnje gje nuk ka kuptuar nga letra e Kadares.
    3- Nje pergjigje direkte prej fillestari. Z. Kadare!
    4- Asnje reflektim, asnje meditim mbi letren e shkrimtarit. E rendesishme per te: Kendveshtrimi im dhe justifikimi per fushaten.

    Kadareja i thote: Ja ku eshte ujku qe po behet gati te shqyej Shqiperine dhe shqiptaret.
    Basha i pergjigjet: Nga studimi i gjurmeve del se gara dhe demokracia i vlejne te ardhmes europiane te Shqiperise, por dhurimi ne tavoline ose pazaret ne favorin tim, nuk me shqetesojne. Dhe filozofia:

    “Me mire nje gare deri ne voten e fundit se nje gare e munguar.”… dhe pastaj sulmi karshi opozites,… Dhe une respektoje votuesit…
    Letra mbyllet (pa) Me respekt, Lulzim Basha.

    Une mendoj se morali eshte nje art, ai eshte nje nga mashtrimet me dinak dhe perfitues. Morali njerezor nuk eshte gje tjeter veçse nje fraksion i egoizmit.

    James Burns jep nje fakt interesant per mendjen njerezore: Fuqia e mendjes per te pare vetem ate qe korespondon me opinionin aktual,opinionin e grupit, partise, koalicionit dhe qe deshton per te pare gjithçka qe e kundershton ate,jo me ante te refuzimit (te ndergjegjshem, te arsyeshem), por me ane te paaftesise se çuditshme,gjithçka qe kundershton ate.

    N.B. Kjo nuk do te thote qe une voten time do t’ja jepja te majtes, kurre, por qe interesi kombtare te detyron te reflektosh per hapat e tu.

    Pershendetje Agim Shkodra.
    Se si nje person qe fiton 25% te votave te nje qyteti mund te shpallet Kryetar Bashkie kete e kam te veshtire ta kuptoj.

    ——————-
    Lorenc Luka ne Shkoder ka dale fitues heren e pare me me pak se 25%, se realisht ne Shkoder kishin voruar 15-20% e votuesve, por me mbushjen e kutive, rezultati shkoi tek 35%. Me ligjin elektoral, kush fiton shumicen e votave te hedhura ne kuti behet kryetar i Bashkise, Komunes, etj. Askush nuk i detyron qytetaret te votojne, eshte e drejte e tyre, qe mund ta ushtrojne nganjehere nen 50% e tyre.

Comments are closed.