Është një hendek i frikshëm mes palëve

0
59

Nga Mustafa Nano

Rëndom palët politike kanë rrymat e tyre. Mund të mos shfaqen (në partitë që identifikohen me një leader të fortë), por ato janë aty, prapëseprapë. Edhe kur nuk prezantohen në formën e ideve apo të ideologjive, ato prezantohen në formën e sjelljes publike të përfaqësuesve të tyre. Fjala vjen, kur flitet për segmentin e moderuar të një partie, mbahet parasysh – përveç qëndrimit ndaj ideve e vlerave – edhe sjellja publike e dalluar prej tolerancës, prej gatishmërisë për të negocjuar me palën tjetër në rrethana krizash, prej shpirtit të kritikës konstruktive, prej qasjes autokritike, prej aftësisë jo dhe aq të zhvilluar për të admiruar e ndjekur udhëheqësin, etj, etj. Dhe janë këto segmente të moderuara që bëjnë të mundur shkurtimin e distancave midis palëve, dhe arritjen e kompromiseve të llojeve nga më të ndryshme. Brenda partisë, të moderuarit janë në konflikt të përhershëm me fajkonjtë, të cilët mbahen si më të lidhur me kauzën, e bash për këtë arsye, përcaktojnë linjën e partisë. Midis fajkonjve e të moderuarve ka segmente të tjera, të cilat shërbejnë gjithashtu si zamkë veshtullore që ngjit e bën tok segmentet e largëta; këto segmente in between luajnë brenda partisë atë rol që luajnë të moderuarit e palëve brenda tërë spektrit politik, dmth mbajnë të integruar botën politike në diversitet, dhe me këtë kuptohet se të moderuarit, ndërsa shihen si ekstremistë e renegatë brenda partisë, janë në fakt ura e vetme që mund të lidhë palët. Të moderuarit janë shpëtim për politikën. Atje ku skifterët janë më të zëshëm e më me ndikim, tërë sistemi bëhet më pak eficient, e në ndonjë rast rrezikon të ngecet fare apo të shembet, duke i zënë poshtë të gjithë. Kjo është ajo që ka ndodhur gjithë këto kohë në Shqipëri; kjo është ajo që po ndodh këto ditë.

Është rritur frikshëm hendeku mes palëve. Është rritur deri në atë pikë, sa komunikimi po bëhet i pamundur. Të moderuarit nuk po mundin të komunikojnë më me njëri-tjetrin; madje, të moderuarit nuk egzistojnë më; ata janë bërë njësh me skifterët, dhe rezultati është që njërës palë i duket krejt pa arsye pala tjetër. Doni ilustrime? Kam lexuar e ndjekur qëndrimet politike të Amik Kasoruhos, dhe nuk arrij ta kuptoj atë. Jam i sigurtë se edhe ai nuk më kupton mua. Jemi miq, e mund të flasim e të merremi vesh për çdo gjë tjetër në këtë botë, por i shohim krejt ndryshe zhvillimet politike shqiptare. Aq ndryshe, sa nuk kemi pika takimi. Më lehtë mund të bëj karaté me të, se sa një bisedë politike. Dhe në fakt, biseda politike nuk bëjmë. As karaté, kuptohet.

Tjetër. Dje lexova një shkrim të Armand Shkullakut në gazetën Panorama. Fliste për atë që ndodhi pardje përpara e brenda KQZ-së. Nuk është se s’ishte i qartë në atë që thosh; përkundrazi, ishte shumë i qartë. Por kish një optikë krejt të kundërt me timen mbi ngjarjen konkrete e mbi ngjarjet në përgjithësi. Çfarë shoh unë, ai nuk arrin ta shohë; çfarë për mua është e rëndësishme, për atë është një çikërrimë; dhe anasjelltas. Është normale? Nuk më duket normale, pasi me Shkullakun nuk na ndajnë shumë gjëra në mënyrën se si e shohim këtë botë.

Ilustrimi i tretë. Po dëgjoja parmbrëmë F. Lubonjën në televizionin ABC, teksa fliste për të njëjtin argument. Nuk e ndiqja dot në arsyetimet që bënte. Më dukej sikur fliste nga një botë tjetër. E nuk është hera e parë, që më ndodh kjo gjë. Ka pasur dhe herë të tjera, kur moskuptimi me të ka qënë edhe më i madh se sa kaq. Kam parasysh këtu rastin, kur ka patur nge e ka diskutuar gjithë qejf përfundimet e sondazhit të kompanisë me emrin Gani Bobi, kur ka lënë pa komentuar sendërgjinë e Berishës për thika me helm e pistoleta në formë stilolapsi, kur i është referuar në mënyrë miratuese dikujt që paska thënë, se “dakord, katër vetë u vranë më 21 janar, por dikush i çoi atje për t’u vrarë”, etj, etj.

Me siguri, të tre këta janë në situatën time, dmth nuk më ndjekin dot, e nuk më kuptojnë, gjithashtu. Është moskuptim total reciprok. Bën vaki që sho-shoqi na ngjan edhe me një idiot, apo me një të lajthitur. Dhe kjo është çështja. Kjo është ajo që të kall datën në këtë histori. E përderisa këtë ndarje e kam me këta të moderuar “të kampit tjetër”, mund të përfytyrohet se ç’ndarje mund të kem me ca të tjerë të lagjjes së tyre mediatiko-politike.

Shkurt, ka dy botë në Shqipërinë e sotme; ka dy botë, të cilat, jo vetëm nuk komunikojnë, por edhe janë shumë larg njëra-tjetrës. Të kuptohemi, gjithnjë ka patur dy botë, por nuk ka qënë kjo largësi, e dialogu mes tyre nuk ka qënë kaq i pamundur (largësia ka qënë më e vogël edhe në kohën e Saliut I, kur opozita nuk lejohej të protestonte në sheshe e kur rrasej burgjeve; ish periudha, kur opozita u pajtua me faktin që ish në opozitë e me faktin tjetër, që askush nuk e mirëpriste riardhjen e saj në pushtet, për sa kohë që s’kishin kaluar as dy-tri vjet nga shembja e regjimit komunist). Përveç kësaj, ka patur gjithë kohën individë apo grupe të vogla të moderuarish, të cilët, në mos komunikonin me sivëllezërit e tyre të krahut tjetër, të paktën shërbenin si një shpresë a ngushëllim për këta sivëllezër (Eduard Selami, Pjetër Arbnori, Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, etj). E më në fund, ka patur ca vatra të mendimit kritik jashtë këtyre botëve të kithta, i cili s’kursente as njërën, as tjetrën; e duke bërë këtë, shërbente si një vatër tjetër që ndillte konsensus e që krijonte një botë të tretë. Kjo e fundit ish e vogël fare në krahasim me të mëdhatë, por ish ama një mjet presioni që bënte të mundur në ndonjë rast edhe përafrimin e pozicioneve të palëve.

Tani është ndryshe. Palët janë larg. Tepër larg. Të moderuarit ose janë shndërruar në skifterë, ose s’bëzajnë. Për rrjedhojë, mendimi i pavarur kritik ose është partizan, ose duket (merret) si partizan, ose nuk shfaqet fare. Një ndarje kaq e thellë mes palëve nuk e ushqen mendimin kritik e nuk i pranon mendimtarët kritikë; madje, në rrethana të tilla, këta të fundit urrehen prej palëve më shumë se sa palët urrejnë njëra-tjetrën. Dhe kështu mendimi kritik damkoset si partizan; në mos, përfundon njimend të jetë partizan. Nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Në një luftë askush nuk i do asnjanësit, gjë që i bën këta të nxitojnë për t’u rreshtuar. E kur ndodh kjo, ndarja theksohet në maksimum, dhe çon në situatën, kur zgjidhja gjendet ose tek appeasement-i i opozitës, ose tek lufta finale e pa kompromis ndaj regjimit. Të dyja këto zgjidhje janë të rrezikshme sa më s’ka.