Një humbje historike

0
92


Nga: BESNIK GJONGECAJ

Zgjedhjet lokale të 8 majit, jashtë çdo dyshimi tronditën rëndshëm politikën provincialiste dhe autoritarizmin e regjimit të Tiranës. Si në çdo tërmet tjetër, edhe në këtë rast energjia politike e këtyre zgjedhjeve u prodhua diku thellë, jo nën tokë, por në qendër të ndërgjegjes së poshtëruar dhe të shpërfillur të qytetarëve. Rrathët si valë cunami ishin ato që e shpërndanë fuqinë, pushtetin e rezultatit të zgjedhjeve duke mbuluar çdo cep të këtij vendi.

Në ndryshim nga tërmetet, kjo tronditje nuk la pas panik, rrënim; përkundrazi, la një gëzim të brendshëm, një çlirim muskujsh, një gjendje të sheshtë qetësie, një si komfort qytetar që vjen menjëherë dhe vetëm pas largimit të barbarëve. Mbi të gjitha, ajo ishte një tronditje që mbartte një magji të pahasur askund: zgjedhjet e 8 majit, si prej shumë kohësh, përsëritën një fitore për PS-në, por mbi të gjitha, ato në të njëjtën kohë, për shkak të përmasave tronditëse krijuan edhe hapësirën jetike të një fitoreje të nesërme për humbësit, pra për demokratët.

8 maji ka krijuar një shans të madh për humbësit-demokratë, sepse u jep atyre mundësinë që nesër të reformojnë partinë, shtëpinë prej së cilës prej kohësh i kanë dëbuar padrejtësisht. Në këtë pikëpamje, zgjedhjet e 8 majit kanë prodhuar vetëm një humbës. Humbësi i pashpresë i këtyre zgjedhjeve është grupi i vogël që rri në krye të PD-së, i cili, në mënyrën më të çuditshme të botës, e ka “udhëhequr” partinë duke e pushtuar atë, duke e mbajtur larg kur nuk i është dashur, duke e afruar sa herë që i duhej ta kafshonte, sa herë i duhej ta përdorte, ta shiste, ta blinte, ta falte, ta jepte me kredi, me qira.

Janë ato fytyra, që si personazhe të Partisë Komuniste të Kinës në sfond të mbledhjeve solemne, i kemi parë dikur vetëm në dy gjendje: ose të ngrira, me muskuj të palëvizshëm, si koka mumiesh, për të dhënë impresionin që diçka e rëndësishme dhe misterioze fshihet brenda kafkës së tyre, ose të zgërdhira, sipas një modeli gjeometrik që i ngjan “shqyerjes” së hapave në një parakalim të ushtrisë popullore. Fytyra që nuk ndodhen kurrë në një gjendje të mesme, d.m.th., as të ngrira dhe as të çara vesh më vesh.

Fytyra që shkrijnë vetëm kur servilosen para “doktorit”, kur i puthin gjunjtë, kur i stërbetohen. Është koha që këta humbës të mbeten përfundimisht të tillë. Jo vetëm të sotëm, por dhe të nesërm. Humbës që nuk rikthehen më, që nuk kanë më të ardhme. Ndoshta është hera e parë në krejt historinë njëzetvjeçare të demokratëve që ata, demokratët e thjeshtë, të vërtetët, do të duhet të falenderojnë kundërshtarin e tyre politik, socialistët. Fitorja e 8 majit zbuloi kalbësinë dhe mjerimin ku është zhytur grupi në krye të PD-së, të kësaj partie që ka vite që nuk është, dhe kjo është një arsye e madhe pse duhet të falenderohen kundërshtarët.

Zgjedhjet e 8 majit, prandaj, përfundimisht krijuan mundësinë e një fitoreje të nesërme për demokratët, sepse pas shumë vitesh hezitimi, heshtjeje, konfuzioni, sot ata, pra demokratët kanë jo vetëm qartësinë e nevojës për reformim, por edhe hapësirën e nevojshme politike që ai të ndodhë. Ajo që mbetet i takon vetëm demokratëve dhe askujt tjetër: vullneti politik dhe qytetar për të ringjallur partinë e tyre, për ta rithemeluar atë, më në fund.

* * *

8 maji, si humbje e demokratëve, është çudia më e vogël që mund të ndodhte në terrenin politik shqiptar. Edhe këtë radhë, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale që janë zhvilluar në Shqipëri (15 gjithsej, nëse do të përshijmë edhe dy referendumet për miratimin e Kushtetutës), me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1992 dhe zgjedhjeve lokale përgjithësisht të pranuara të tetorit të vitit 1996, PD-ja ka marrë më pak vota se PS-ja. PD ka një bilanc negativ elektoral, i cili, po të analizohet në tërësinë e tij, pra i shtrirë në kohë për krejt periudhën e tranzicionit shqiptar 1991- 2011, është një bilanc zhgënjyes për çdo demokrat dhe një bilanc tragjik për vetë PD-në.

Është zhgënjyes për demokratët, sepse PS-ja ka marrë më shumë vota se PD-ja, të paktën në dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë rastet kur shqiptarëve iu është dashur të votojnë dhe të ndajnë qëndrimin e tyre ndaj dy partive të mëdha, PD dhe PS. PD e ka mundur PS-në vetëm në vitet 1992, 1996, dhe në 8 maj PD-ja u mund përsëri nga PS. Është një bilanc tragjik për PD-në, si një parti që u ngrit mbi shpresën shqiptare për demokraci, që mblodhi energjinë më të madhe popullore të mbledhur ndonjëherë, kapitalin më të madh politik që realisht një parti ka pasur ndonjëherë në Shqipëri.

Ai kapital u tret pa mundur të investohet realisht në të mirë të shqiptarëve, demokratëve. Rezultatet e zgjedhjeve në gjithë këto njëzet vjet tregojnë ekzaktësisht këtë gjë. Tragjizmi qëndron në atë se jo demokratët, pra jo PD-ja, por socialistët filluan ta “rrëmbejnë” këtë kapital politik, gradualisht, dhe duke bindur shqiptarët se janë ata që mund të ndërtojnë të kundërtën e diktaturës, demokracinë. Diçka ka shkuar shumë keq me PD-në dhe nëse shihet me kujdes, krerët e PD-së dhe njerëzit në shërbim të tyre refuzojnë gjithmonë të bëjnë analiza të shtrira në kohë, në të gjitha kuptimet.

Ata merren vetëm me atë që ndodh në një kohë të dhënë, pa kthyer kokën prapa, duke qenë të kujdesshëm të fshehin faktin që ky raport votash midis dy partive kryesore, meqë po bëhet i qëndrueshëm, sepse është një gjë që ndodh që nga viti 1994 e këtej, po kualifikohet edhe si “historik”. Duke mos u marrë me pjesën historike, iu mbetet vetëm të mbulojnë humbjen e radhës. Këtë e kanë bërë deri tani ose duke përfituar nga sistemi elektoral, ose duke përfituar nga një përçarje e PS-së, ose me aleanca të dyshimta deri në kockë, ose me mosnjohjen e zgjedhjeve dhe bojkotin e parlamentit, apo të institucioneve të dala prej tij.

Këtë qëndrim kanë mbajtur krerët e PD-së në krejt historinë e zgjedhjeve të pas 1996-ës në Shqipëri. Është kjo arsyeja pse nuk ka asnjë analizë mbi masën e rënies së votimit të shqiptarëve ndaj PD-së në periudhën e tranzicionit, pse nuk ka asnjë analizë për të studiuar faktin që tashmë është kthyer në “trend”, pra është bërë “udhë”, është kthyer në një tendencë të vërtetuar, që PD-ja merr më pak vota se PS-ja, se PD-ja ka kohë që nuk është PD e 1992-it, jo vetëm në kuptimin ideologjik, jo vetëm në kuptimin moral, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në kuptimin elektoral.

Nuk kemi asnjë analizë që të studiojë pse PD-së po i largohen qytetet e mëdha, pse po i largohet pjesa më e ndritshme e votuesve shqiptarë dhe tashmë, së fundi, edhe krejt Shqipëria. PD nuk votohet më nga ata që kuptojnë më shumë, nga aleatët e saj të 1992, d.m.th., nga studentët, intelektualët, ish-të përndjekurit politikë, pra, nga qytetarët në përgjithësi. Qytetet e mëdha, bastionet e njohura si Kavaja në jug apo Kurbini në veri, nuk janë më mbështetësit e PD, por të PS. Tirana, kështjella prej ku u mund komunizmi, nuk merret më nga PD që pas 1996, çka duhet të ishte e mjaftueshme për t’i thënë çdo ekipi drejtues të PD të largohet dhe të zëvendësohet me një tjetër. Janë të gjitha shenjat që një gjë e rëndë ndodh me PD-në dhe është vetëm çështje kohe që atë, më në fund ta kuptojnë të gjithë, veçanërisht demokratët e thjeshtë.

* * *

Humbja fatale e PD në zgjedhjet e 8 majit do të analizohet për një kohë të gjatë, megjithëse shkaku më esencial i kësaj humbje është një gjë që thithet në ajër. PD humbi në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në zona ku humbja e saj ishte e paimagjinueshme. Kjo do të thotë që humbja nuk mund të shpjegohet me shkaqe periferike, nuk mund të shpjegohet me hatërmbetje, me shije që ndryshojnë befasisht. Humbja e PD-së nuk mund të shpjegohet me një rrugë të pandërtuar, me një çezmë të pabërë, me inatin ndaj entit të energjisë, ndaj “vjehrrës”, me flokët e krehura gabim të kandidatit, me një gabim në organizimin e fushatës.

Një humbje e tillë, pra një humbje totale, e paanë, mund të shpjegohet me shkaqe po të tilla, gjithëpërfshirëse, të thella, që s’mund të jenë ndryshe veçse shkaqe politike. PD u fut në këtë fushatë duke bërë sikur nuk ka të shkuar, ose së paku, duke injoruar kujtesën e qytetarëve të këtij vendi. PD ka kohë, dhe këtë bëri edhe gjatë fushatës, që nuk jep llogari për të vrarët në mes të ditës dhe për shkak të qeverisjes së saj, nuk jep llogari për gjunjëzimin ndaj të huajve deri në faljen e territorit të vendit në këmbim të mbajtjes së padrejtë të pushtetit, nuk jep llogari për korrupsionin, i cili është bërë formë, përmbajtje, kulturë qeverisëse, nuk jep llogari për një politikë antikombëtare dhe sharlataneske në arsim dhe shëndetësi, nuk jep llogari për ndërtimin e një sistemi autokratik përmes përqendrimit të pushtetit dhe mos përfshirjes së qytetarëve në përdorimin e tij.

Ka kohë që PD-ja i trajton demokratët si të përkohshëm dhe jashtë meritës. Në PD nuk ka karrierë politike. Në vend të saj ka të panjohur që katapultohen dhe ditën tjetër largohen të poshtëruar. Është një formë e djallëzuar për të mos krijuar profile politikanësh të rëndësishëm, për t’i shkatërruar ata para se të formohen; për të mos pasur individë me personalitet, por kalimtarë, lehtësisht të rrëzueshëm. Kjo gjë, prej kohësh ka krijuar klasën e servilëve, autoritetet pa dinjitet, në përgjithësi të pështirët nga njëra anë dhe nga ana tjetër, është krijuar kulti i individit, kulti i njeriut që nuk lëviz, dhe si i tillë shndërrohet në aks, në referencë, në qendër, rreth të cilit sillen fatet e të tjerëve.

Ka kohë që PD-ja nuk ka më platformë, ideologji, aq më shumë, nuk ka më moralin e nevojshëm për t’u shfaqur para qytetarëve të këtij vendi. Ka vetëm një tufë “dumbabistësh”, që sapo takohen me qytetarët fillojnë dhe riprodhojnë si nga një magnetofon shifra të pafundme parash, rrugësh, korridoresh, rritjeje ekonomike. Duke iu tundur të tjerëve “vulën”, pushtetin prej të cilit varen fatet e gjithsecilit, “dumbabistët” shpërndajnë pacipërisht mesazhin e “të fortit”, i cili nuk ka nevojë për votë, për demokraci, por thjesht dhe vetëm për “babën”.

* * *

Qartësisht, humbja e 8 majit mund të jetë edhe shansi më i madh që demokratët të rimarrin partinë e tyre, të rivendosin dinjitetin e humbur para qytetarëve të këtij vendi. Humbja tronditëse e PD-së në zgjedhjet e 8 majit (rreth 14% më pak vota se PS-ja, si dhe një humbje tronditëse të autoriteteve lokale në bashkitë e vendit), ia u dha këtë shans demokratëve. Nëse në pikëpamjen e rezultatit, 8 maji është vetëm një rutinë, pra një humbje e radhës e PD-së ndaj PS-së, në pikëpamjen e rivendosjes së demokracisë në parti, kjo datë është historike për demokratët. Është një humbje historike, sepse është e përmasave të jashtëzakonshme, dhe si e tillë i ka dhënë demokratëve shansin e mrekullueshëm të fitojnë demokracinë brenda partisë së tyre.