Noli i shkruan Zogut: Më duhen para

0
37

ResPublica.al, 6 shkurt 2013

1 – Letër Ahmet Zogut, Shkurt 12, 1937

Lartmadhëni, Me anën e kësaj letre dua t’ju lutem përunjësisht t’a autorizoni Sinodin e Shenjtë të më japë një shërbim në Kishën orthodhokse Autokefale të Shqipërisë, se roga që marr këtu është e vogël dhe e parregulltë, dhe jetesa ime po bëhet dita më ditën më e rëndë dhe më e mërzitur. Nga ana tjatër, ju përsërit lutjen të porositni Qeverinë të më caktonjë një pension dhe të më dërgonjë një ndihmë gjersa të votohet pensioni. Me këtë rast, bënj të njohur se që më 1932 kam qëndruar striktërisht jashtë politikës, dhe çdo lajmë e kundërt është çpifje e armiqve personalë, midis të cilëve më vjen keq të numëroj edhe Z-in Faik Konica. Dyke shpresuar se lartmadhënia juaj, me shpirtmadhësinë që Ju karakterizon, do të merrni para sysh lutjet e mia. Mbetem, uronjësi juaj me Perëndinë…

2 – Letër Mbretit Zog

Lartmadhëri, Me anën e kësaj letre vinj t’i lutem Larmadhërisë Suaj të më përkrahni financiarisht për të vazhduar studimet e muzikës në fushën e së cilës do t’i shërbenj atdheut në mënyrën që i ka shërbyer Franzs Liszt-i Hungarisë. Për këto studime më duhen posht e lartë nja 5 mijë dollarë, sipas çkoqitjeve të dhëna nga një listë të mbyllur këtu brenda. Gjithashtu këtu brenda L.J. do të gjeni programin e Konservatorit të këtushëm me provën e padyshimtë që meritonj çdo përkrahje në fushën e muzikës. Me shpresë që Lartmadhësia juaj, si protektor i arteve të bukura, do të më dërgoni këtë shumë me kohë për të nisur punën nga fundi i gushtit. Mbetem Uronjës përpara Perëndisë për Lartmadhërinë Tuaj.

F.S. Noli – Boston, Mass. Qershor 25, 1938

Si dy kundërshtarë politikë, është e njohur marrëdhënia konfliktuale mes Fan S. Nolit, udhëheqës i revolucionit të qershorit 1924 dhe Ahmet Zogut, Mbret i Shqipërisë. Megjithatë, në këtë rrugë të gjatë sulmesh të ndërsjella ka pasur momente kur të dyja palët i kanë shtrirë dorën njëra-tjetrës. “Një politikë elastike” e quan studiuesi Nasho Jorgaqi. Këtë na e tregojnë më qartë vetë letrat që këto dy figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë i kanë dërguar njëri-tjetrit, apo të tretëve. Në veprën më të fundit kushtuar Nolit, “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, botuar nga “Erik” dhe përgatitur nga Nasho Jorgaqi, ofrohen qindra letra që Noli ka dërguar e ka marrë. Mes tyre, edhe disa letra mes Zogut dhe Nolit

Më shumë: http://www.panorama.com.al/2013/02/04/noli-zogut-jam-larguar-nga-politika-me-lidh-nje-pension/