Të përdhunosh ligjin, të ndezësh luftën

0
65

Redaksionale, 19.05.2011

Komisionerët, vegla të kryeministrit Berisha në KQZ me Arben Ristanin në krye, dhanë dje gjithë ditën një shfaqje ekzemplare të dhunimit të ligjit. Kjo katërshe politike e ka telendisur prej kohësh me arbitraritetin e vet shembullor ligjin bazë të zgjedhjeve. Ma merr mendja se dje e vrau për fare. Nuk besoj se ka më kuptim të flasim për Kod Zgjedhor pas asaj që pamë e dëgjuam në sallën e mbledhjeve të KQZ-së.

Koncentrati i asaj shfaqjeje tragjike mund të konsiderohet pjesa kur nënkryetarja Dëshira Subashi i drejtohej në mënyrë të stërpërsëritur Arben Ristanit apo drejtoreshës juridike të KQZ-së me pyetjen: “Mbi cilin nen të Kodit Zgjedhor mbështetet kjo që po bëni?”

Për ketë pyetje elementare publiku priti me kot një përgjigje elementare: “Mbështetet në nenin iks”. Askush nga pala e qeverisë në KQZ nuk kishte dhe nuk mund të kishte një përgjigje për arsyen e thjeshtë se Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i miratuar konsensualisht nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka asnjë nen ku të mbështetet katrahura e djeshme.

Fytyra e drejtoreshës juridike në momentin më të nxehtë juridik të procesit zgjedhor nuk dukej gjëkundi dhe përjashtimi i saj nga teatri i ngjarjeve kishte kuptimin e përjashtimit të vetë ligjit dhe Kodit Zgjedhor nga seanca. Procesi nuk ishte më juridik, por tërësisht politik. Nuk referohej më Kodi, por arroganca e kartonëve, arbitrariteti partiak, retorika e vullnetit të qytetarëve, që realisht nuk ka asnjë kuptim jashtë kuadrit ligjor ku shprehet.

Heshtja e Ristanit, sikur gjoja po injoronte Subashin, përkthehej me frazën kyçe të diktaturave dhe diktatorëve “ligji jemi ne”.

Por bashkë me këtë përgjigje të pazëshme, Ristani lëshonte edhe ndonjë urdhër të tipit “mos fol”, apo ndonjë hungërimë onomatopeike, shprehje e një turbullire mendore, që mund t’i vinte nga lodhja, pse jo edhe nga vetëdija e krimit elektoral që po përmbushte live, faqe gjithë shqiptarëve.

Ta përmbledhim: Në asnjë nen të kodit Zgjedhor nuk gjen mbështetje ajo që bëri dje Arben Ristani dhe tre komisionerët e tjerë të shumicës në KQZ. Në asnjë nen nuk mbështetet miratimi me katër vota i aktit normativ, kur duheshin minimalisht pesë vota. Në asnjë nen nuk mbështetet shndërrimi i KQZ-së në KZAZ. E të tjera.

Në zgjedhjet politike të qershorit 2009, kjo katërshe shkeli brutalisht dy nene të Kodit – nenin 136 dhe nenin138 – për të dalë aty ku kërkonte të dilte shefi i tyre, Sali Berisha: te mosrinumërimi i votave në Berat, Tiranë dhe Shkodër, sipas kërkesës së paraqitur nga PS dhe dy anëtarë të KQZ-së.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, e njëjta katërshe shpiku nga mendja e vet “dispozita” të paqena për të dalë sërish aty ku kërkon të dalë kryeministri Berisha: të marrë në tavolinën e Ristanit atë që nuk e mori në kutitë e numëruara në sytë e gjithë kombit.

Herën e parë, kjo katërshe mohoi dhe dhunoi dy nene që ekzistonin në Kod. Herën e dytë, kjo katërshe shpiku “nene” që nuk gjenden në Kod. Në të dyja rastet katër zyrtarë që paguhen nga taksapaguesit për të zbatuar Kodin u ngritën mbi Kuvendin, i vetmi që ka tagër të ndryshojë dhe bëjë ligje. Në të dyja rastet këta katër zyrtarë përmbushen akte arbitrariteti me elementë të grushtit të shtetit.

A nuk është grusht shteti t’i mbivendosesh dhe t’i marrësh tagrat ligjore Kuvendit të Shqipërisë? Pasojat e herës së parë i kemi parë në gjithë zhvillimin dhe produktin e krizës politike të periudhës shtator 2009 – janar 2011. Refuzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE e ka zanafillën te refuzimi i kësaj KQZ-je për të zbatuar nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor. Vrasja e katër qytetarëve në demonstratën opozitare të 21 janarit e ka zanafillën tek i njëjti akt.

Pasojat e herës së dytë, nëse vazhdon kjo maskaradë, mund të jenë më të rënda. Faktikisht, kjo katërshe komisionerësh dhe Sali Berisha që qëndron pas tyre i propozuan dje Shqipërisë një krizë politike akoma më të thellë e më të dëmshme se e deritanishmja.

Të shkelesh ligjin është të dhunosh demokracinë, të ngresh tensionet, të provokosh kundërshtarin, të damkosësh vendin para Europës dhe SHBA-së. Të shkelmosh ligjin është në fund të fundit të ndezësh luftën, sepse askush që ka si busull lirinë dhe shtetin e së drejtës nuk mund të pranojë dhunimin e tyre.

Është shumë e habitshme përse u ndërmor nga Berisha dhe Basha kjo provë brutale force, kur fare mirë ata mund të lejonin KQZ-në të shpallte rezultatin për Tiranën, siç thotë Ligji dhe mandej të ndiqnin të gjitha shkallët e ankimimit.

Është e habitshme dhe shqetësuese gjithashtu që këta kanë ngulmuar në provën e tyre të forcës dhe nuk janë ndalur edhe pas sugjerimeve të qarta të partnerëve ndërkombëtarë drejtuar KQZ-së për të shpallur rezultatin dhe për të mos u shndërruar në KZAZ.

Rezultati i ngushtë është një dramë për atë që humbet. Kjo dihet dhe mirëkuptohet nga të gjithë. Në raste të tilla ka shumë dyshime dhe ndjeshmëri në qarkullim. Vetëm Ligji na ndihmon të gjithëve për ta mbyllur procesin me drejtësi dhe transparencë. Çdo rrugë tjetër të çon në qorrsokak dhe përplasje.

Askush nuk e paragjykon Lulëzim Bashën dhe Berishën që po kërkojnë prova andej-këndej për t’i ankimuar. Por ata nuk po ankimojnë. Ata po kërkojnë të shpallen fitues jashtë sistemit që ka krijuar Kodi për t’ia lënë paskëtaj barrën e ankimimit, opozitës. Të sakrifikosh për kaq gjë Kodin, KQZ-në dhe Zgjedhjet në një anë dhe të hapësh luftë me

Opozitën dhe Perëndimin në anën tjetër – kësaj i thonë “për një plesht të djegësh jo jorganin, por vatanin”. Duhet të jenë shumë dritëshkurtër të hedhin në erë kaq shumë karta për kaq pak gjë, kur dihet se ankimimet do të bëhen se do të bëhen.

Cilido qoftë motivi i vërtetë i arbitraritetit të tyre në këtë fazë të procesit, ata nuk mund të bindin njeri me retorikën e leximit të vullnetit të çdo qytetari. Vota e çdo qytetari duhet numëruar e respektuar patjetër, por në vendin e vet, jo si zogjtë e qyqes. Jashtë kutisë përkatëse, që për më tepër zbulohet pasi ka mbaruar loja, vota është e dyshimtë dhe për rrjedhim e pavlefshme.

Dikush e hedh pa dashje, dikush e hedh me dashje për ta bërë vetë të pavlefshme. Format e pavlefshmërisë së votës janë të larmishme. I kemi parë gjatë numërimit. Edhe pavlefshmëria është shprehje e vullnetit të zgjedhësit.

Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që vota të tilla të futen me dorë apo të “nxirren” nga xhepi prej komisionerëve dhe numëruesve manipulatorë. E vërteta e qëruar e votave në kutitë e gabuara nuk gjendet kurrë. Prandaj, ato janë shpallur kurdoherë të pavlefshme. Nuk kemi asnjë precedent që i shpall të vlefshme. Edhe OSBE i ka konsideruar të pavlefshme. Çdo qëndrim tjetër do të inkurajonte një rrëmujë të paparë në votime.

Shfaqja e djeshme me ndryshimin brutal të rregullave të lojës gjatë lojës dhe më keq akoma, me shpikjen e “rregullave” të reja të përmbysjes kaçakçe të rezultatit për Tiranën, na tregoi fillimin e një odiseje të re përplasjesh, konfliktesh dhe betejash politike e ligjore, që nuk dihet sa do të zgjasin.

Berisha me Ristanin kanë në dorë ta ndalojnë sot ketë konflikt të ri, të panevojshëm për shoqërinë shqiptare. Por jo nesër-pasnesër kur t’i kenë shkuar në fund aventurës së tyre.

Kandidati i Qeverisë për bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha ka rolin e tij të pazëvendësueshëm në këtë zhvillim dramatik. Ai duhet ta dijë se në skenarin e djeshëm të Arben Ristanit, nuk po bën gjë tjetër veçse po humbet, gjoja duke fituar, ndërkohë që kishte fituar shumë si politikan i ri duke humbur me vetëm dhjetë vota.