T’u presim rrugën sulltanëve të pushtetit

0
53

Mentor Kikia, 18.05.2011

Kryetari i një komune në Elbasan kërkonte mandatin e pestë në zgjedhjet e 8 majit. Pasi kishte premtuar katër herë të njëjtën rrugë që nuk e kishte bërë, ai kishte vendosur të mos bënte më premtime, por t’i binte shkurt, fushata e tij ishte të lypte pushtet. “Ma jepni edhe kësaj radhe se nuk do të kandidoj më herën tjetër”. Por votuesit u treguan të pamëshirshëm. Ndërsa në Peshkopi, kryetari i një komune, i cili drejtonte qëkurse ra komunizmi, i pyetur nga gazetarët se çfarë përjetonte 20 vjet në pushtet tha: “Më është mërzitur kjo punë, por s’kam ç’të bëj tjetër”. Dhe sërish banorët ia hoqën mërzinë e kësaj pune, e zëvendësuan.

Shumë nga ato bashki e komuna që konsideroheshin bastione të njërës apo tjetrës palë ranë politikisht në këto zgjedhje. “Epo boll më, boll, ka 20 vjet i njëjti njeri” – kështu deklaronte para kamerës një banor i Kavajës, ndërsa i gëzohej fitores së kandidatit të opozitës. Po kështu u rrëzua pushteti i demokratëve edhe në disa bashki të Veriut, e pushteti i socialistëve në disa bashki të vogla, e shumë komuna tradicionalisht të majta. Shumë prej tyre kishin nga katër mandate që qeverisnin e shumë të tjerë e morën të katërtin në këto zgjedhje, duke përfshirë edhe vetë kryetarin e opozitës që drejton Bashkinë e Tiranës. Dhe ndoshta tek “përjetësia” në pushtet duhet kërkuar edhe përgjigjja se pse Edi Rama, nga kryetari që mendonte se mund të fitonte edhe duke varur xhaketën tek kali i Skënderbeut, përfundoi duke numëruar me zemër të ngrirë 10 votat e fundit të lagjes-bastion të së majtës. Harta elektorale e Shqipërisë, që sot duket e lyer më shumë blu për shkak se shumicën e komunave i ka marrë PD, është padyshim produkt i kësaj kryengritjeje të njerëzve që rrëzuan nga pushteti ca bejlerë që kishin mbi 15 vjet që drejtonin komunat, duke i trajtuar ato territore administrative si prona të tyre.

Rama padyshim që nuk mendon të kërkojë një mandat të pestë për bashkinë, pasi ai kërkon mandatin e parë si kryeministër pas dy vitesh. Por, padyshim, që mund të ketë hequr dorë nga ideja se në 2013, ndërsa pret të bëhet kryeministër, bashkinë mund t’ia lërë me testament ndonjë të besuari të tij në parti. Ndërkohë Berisha nuk po epet nga etja e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet. Pas një mandati të plotë dhe një të ndërprerë nga rebelimi i 1997-s si president dhe dy mandate si kryeministër, Berisha është prezantuar publikisht, pa asnjë ekuivok, se do të jetë ai sërish kandidati për kryeministër në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s. Madje ai nuk ka ngurruar të thotë se do të qëndrojë në pushtet deri në 2024, në një moshë kur njeriut pak organe e shqisa i punojnë normalisht.

Ne jemi në një sistem demokratik dhe normalisht mund të themi se derisa mund të votohet, përse të mos qeverisë. Por jetëgjatësia e njerëzve në pushtet prodhon disa probleme shumë të mëdha e me pasojë të gjithanshme:

– Si kryetari i komunës, ai i bashkisë dhe ai i qeverisë, duke qëndruar për vite të tëra në pushtet e inkriminojnë pushtetin e tyre. Ata krijojnë rreth vetes, në mënyrë graduale dhe të natyrshme, klanin e tyre që dalëngadalë fut nën kontroll ekonominë e fshatit, atë të qytetit dhe të gjithë vendit. Është ky klan që kontrollon paranë dhe që në mjedisin shqiptar prodhon më pas edhe vota. Ata prodhojnë kështu mekanizimin e riciklimit të pushtetit të tyre, që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë e vërtetë.

– Një njeri që qëndron gjatë në pushtet velet prej tij, humbet interesin, dëshirën dhe fantazinë për të punuar në dobi të shoqërisë. Është si ai fëmija, që pasi është ngopur fut duart në pjatë dhe hedh sa andej-këndej ushqimin që gjendet aty.

– Një njeri që qëndron gjatë në pushtet shndërrohet në diktator, paçka se është një sistem demokratik. Ai nuk pyet për ligjet e rregullat, ndërsa rivalët i shikon si insekte që po i prishin rehatinë, pasi mendon se ajo komuna, bashkia apo qeveria është e tija, është pronë të cilën tashmë mund ta trashëgojë dhe askush nuk ka të drejtë ta pretendojë.

Pikërisht këtu duhet parë i tërë dramaticiteti që u prodhua gjatë këtyre zgjedhjeve. Ata që e zotëronin pushtetin mendonin se po ua grabisin dhe për pasojë ata dhe kundërshtarët e tyre thërritën e mblodhën rreth vetes ushtritë e horrave që ishin gati të nxirrnin armët edhe për një flamur.

Sali Berisha është përfaqësuesi më tipik i kësaj kategorie pushtetarësh. Aktori dhe protagonisti kryesor i politikës shqiptare në 20 vjet, ai është i vetmi në tërë Europën Lindore postkomuniste që vazhdon të jetë në pushtet dhe i vendosur për të qëndruar edhe për një dekadë e më shumë.

Berisha deklaron sot se ai ka marrë një votëbesim të ri për qeverinë, duke e konsideruar 8 majin referendum politik, edhe pse në fushatë bëri thirrje që ato të ishin vetëm zgjedhje vendore. Por e vërteta është se Berisha i qëndroi larg fushatës së Bashës, përveçse për të mos marrë përsipër ndonjë humbje të madhe, edhe për të mos qenë një barrë politike për kandidatin e Tiranës. Po ashtu, ai ka qenë personalisht kostoja që paguan disa kandidatë që humbën në disa qytete ku PD ishte e sigurt në fitore. Padyshim që në 2013, një 68-vjeçar, pas 23 vjetësh në politikë dhe pas më shumë se 15 vjetësh në pushtet, Sali Berisha nuk do të jetë dhe nuk duhet të jetë më personi ku duhet adresuar vota. Burrat e shtetit hapin vetë rrugën, duke u dhënë mundësi energjive të reja të shpërthejnë e kontribuojnë (dhe PD padyshim që ka të tilla).

U deshën më shumë se 15 vjet që qytetarët në njësi të ndryshme vendore të revoltoheshin kundër drejtuesve të tyre, të shndërruar në bajraktarë dhe padyshim që shqiptarët nuk do ta lejojnë Berishën të sulltanizohet. Problemi mbetet i demokratëve, të cilët do të paguajnë koston e manisë së tij, edhe pse mund ta meritonin dhe mund ta merrnin sërish votëbesimin.

Vërtet është vota mjeti që u pret rrugën njerëzve që nuk kanë ndërmend të lëshojnë pushtetin vullnetarisht, por derisa popullit t’i shkojë thika në kockë e të reagojë, kalojnë jo pak vite dhe ata njerëz do të kenë prodhuar jo pak kosto. Ndaj është emergjent rregullimi me ligj, kufizimi, i numrit të mandateve që duhet të konsumojë një kryetar komune, bashkie apo një kryeministër. Një vend si Shqipëria nuk mund të aplikojë ligje unike me ato të BE-së, ku një kryeministër, ai i Spanjës, deklaron se në 2013 nuk do të kandidojë më për kryeministër. Çfarë pata për të dhënë e dhashë në dy mandate – deklaroi 50-vjeçari energjik Zapatero.