Andrea Stefani, 18.05.2011
Tentativa e Kryeministrit autokrat Berisha që të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke keqpërdorur institucionin e kapur të KQZ, nuk ka të bëjë fare me respektimin e vullnetit të lirë të votuesve, madje është hapur në dhunim të këtij vullneti. Sepse as Berisha dhe Basha, por as Ristani që ata e komandojnë si një kukull, nuk mund ta dinë se cili ka qenë vullneti i votuesve. Berisha bën një spekulim kur pretendon se me numërimin e votave të hedhura në kuti të gabuara, po bën që vullneti i çdo zgjedhësi të llogaritet. Në fakt, ka më shumë të ngjarë që me një praktikë të tillë absurde, Berisha jo vetëm të mos respektojë, por të deformojë vullnetin e disa zgjedhësve. Dhe bashkë me të, edhe krejt rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë duke kryer, në thelb, një puç elektoral me KQZ dhe policë në favor të pushtetit të tij.
* * *
Një zgjedhës mund ta hedhë votën jo në kutinë e duhur për shumë shkaqe. Mund të jetë një gabim, por mund të jetë edhe një hedhje e qëllimtë e votës jo në kutinë e duhur. Motivin nuk mund ta dijë askush me siguri. As Berisha, as Basha as Ristani. Prandaj ta cilësosh si të vlefshme një votë që mund të jetë hedhur me kast në kuti të gabuar për të rezultuar e pavlefshme, është të deformosh vullnetin e votuesit në favor të një pale dhe jo ta respektosh atë.
Pra, është të dhunosh edhe Kushtetutën e Republikës që Çlirim Gjata, ish-kreu i KQZ, e sjell si argument për të mbrojtur në këtë çështje delikate një pozicion që po vetë e ka kundërshtuar në vitin 2007. Tashmë është provuar se ka pasur jo pak votues që kanë votuar, duke bërë shënime mbi fletë, duke e nxjerrë jashtë loje votën e tyre. Për shembull, ia kanë shënuar me kryq edhe pranë emrit të Bashës, edhe pranë atij të Ramës. Dhe askush nuk mund të thotë me siguri se përse e kanë bërë një gjë të tillë që ka nxjerrë si të pavlefshme votën e tyre. Shkaqet mund të jenë të ndryshme.
Ndoshta janë nga ata zgjedhës që, për shembull, të ndodhur nën presion (apo të frikësuar se mos humbasin vendin e punës) për të faktuar me një foto celulari se ia kanë dhënë votën Bashës, kanë shënuar kryqin pranë emrit të tij. Por, meqenëse kjo nuk ka përkuar me vullnetin e tyre të lirë, kanë preferuar më mirë ta nxjerrin jashtë loje votën sesa ta lejojnë të shkojë në favor të një pushteti a kandidati që nuk ju pëlqen. Dhe për këtë kanë bërë më pas edhe një kryq edhe pranë emrit të rivalit të Bashës. Të njëjtat motive mund të jenë edhe shkaku i hedhjes së jo pak fletëve të votimit jo në kutinë e duhur. Zgjedhësi mund të ketë qenë nën presion për të votuar për një nga kandidatët, duke i hipur “trenit bullgar”.
Që do të thotë se militantë apo sekserë të një subjekti politik mund t’i kenë dhënë që jashtë qendrës së votimit një fletë votimi të plotësuar për kandidatin e tyre, ndërsa i kanë kërkuar që të nxjerrë nga qendra e votimit dhe të dorëzojë një fletë votimi të bardhë. Dhe votuesi ndërsa i është nënshtruar presionit, gjithsesi, ka mbrojtur ngjyrat e fshehta të simpatisë apo antipatisë politike, duke hedhur votën në kutinë e gabuar. Sepse zgjedhësit e dinin që të hedhësh votën jo në kutinë e duhur do të thoshte ta bëje atë të pavlefshme. Jo më kot instruktoheshin edhe në media që të bënin kujdes për të hedhur votën në kutinë e duhur.
* * *
Pra Berisha, KQZ dhe K° nuk mund të thonë kurrë me siguri se fletët e votimit të gjendura në kuti të gabuara nuk janë shprehje e vullnetit të lirë të zgjedhësve. Në këtë kuptim edhe përpjekja për t’i kthyer këto vota në të vlefshme, nuk i shpëton dot rrezikut se mund të jetë një deformim i vullnetit të jo pak votuesve. S’ka shumë rëndësi se në favor të kujt kandidati. Kjo do të thotë që votat për Bashën të gjendura në kuti të gabuara janë jo doemos vota në favor të Bashës. Përkundrazi, ato mund të jenë hedhur në kuti të gabuar pikërisht që të mos shkojnë në favor të Bashës.
Kundërshtarët e Ramës mund të pretendojnë të njëjtën gjë për vota të tilla në favor të tij. Ndërkaq me këtë argumentim, bie avokatia e Berishës për të mbrojtur me gjoja “respektimin e vullnetit të votuesve” një strategji autokratike që kërkon të mbahet me zor në pushtet, duke deformuar vullnetin e votuesve. Edhe në këtë rast, Berisha do ta ketë të pamundur të mbrojë me gënjeshtrën e respektimit apo numërimit të çdo vote atë që do të ishte, në të vërtetë, një dhunim i votës dhe një rinumërim i saj në favor të pushtetit të Berishës.
Prandaj, në kushtet kur në proces votimi është hyrë me rregullin për t’i konsideruar të pavlefshme fletët e hedhura në kuti të gabuara, kur Kodi Zgjedhor e nënkupton një gjë të tillë, kur numërimi (sikundër pohoi vetë Berisha) ka qenë një ndër proceset më të sakta në botë, kur me jo pak gjasa vota e gabuar mund të ketë qenë shprehje e vullnetit të lirë të zgjedhësve, rruga më e ndershme, por edhe më pragmatike, për të gjitha palët e interesuara në proces, do të ishte që fletët e hedhura gabim të mbeteshin me statusin e votave të pavlefshme dhe në favor të askujt. Në këtë mënyrë shmanget jo vetëm voluntarizmi dhe arroganca berishiste për t’i bërë gjërat sipas qejfit, por edhe premisa e një krize shumë të rëndë që mund ta çojë përsëri në greminë Shqipërinë. Dhe përsëri për hir të gjakimit të Berishës për pushtet absolut.







